Jetë

Transplanti i veshkave, fondet te privati

  • 29 Mars 2013, 14:24

Besarta Basha- Çdo gjë është thuajse gati. Përveç disa aparaturave që pritet të vijnë së shpejti dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Shqipëri do të rinisë transplanti i veshkave, i mbuluar tërësisht nga shteti. Transplantet do të realizohen nga mjekë të huaj në spitale private në Shqipëri. Por pse me mjekë të huaj dhe jo në QSUT? Për më tepër të gjitha këto do të na i shpjegojë shefi i shërbimit të nefrologjisë Prof. Dr Nestor Thereska. Lajmi i mirë është që të gjithë ata që deri dje kanë qenë të regjistruar në pritje për transplantim të një veshke dhe që nuk e kanë realizuar për mungesë parash deri më sot, tashmë mund të bëjnë transplant falas. Prof. Dr Thereska u bën apel të gjithë pacientëve që vuajnë nga veshkat të drejtohen në pavijonin e nefrologjisë për të kryer transplant. Në një bisedë me “Shekullin” shefi i nefrologjisë pohon që ka para për të kryer shumë transplanto, vetëm ekziston dilema nëse mund të kryhen apo jo. 


Qeveria ka dhënë një fond për transplantin e veshkave. Në çfarë faze jemi aktualisht? 


Neve jemi në stadin e përgatitjes së terrenit, që është hapi i parë për kryerjen e transplaneteve. Kirurgjia kryhet tek urologjia. Në këtë pavijon ka disa mungesa aparaturash, pa të cilat nuk mund të kryhen ndërhyrjet. Pavijoni i nefrologjisë e përgatit të sëmurin dhe e ndjek pas ndërhyrjes. Fondet janë dhe ka pasur ide që këto fonde të shpërndahen në spitalin publik dhe në dy spitale të tjera private. 


Si do të funksionojë kjo pjesë? 


Edhe spitalet private me lekët e shtetit do ti kryejnë operacionet. Kjo bëhet me arsyetimin se spitalet private kanë një ekip më të përgatitur. Njëri ka vite që po e bën dhe spitali tjetër privat do ta kryejë këtë vit ndërhyrje për herë të parë. Përgatitjet që po bëjnë tregojnë që ky proces po merret me seriozitet për të bërë të mundur realizimin. 


Pse është vendosur që transplantet të kryhen në spitale private dhe jo në QSUT? 


Nuk është se ne kemi qëllim të fillojë tek spitalet private, por në QSUT. Praktikisht janë specializuar mjekët. Por të dy spitalet private kanë profesorë me famë botërore në trasplanetet e veshkave. Kjo do të shërbejë dhe si një lloj trajnimi për mjekët shqiptarë, të cilët e kanë për herë të parë. Problemi i dytë që kanë mjekët tanë është se transplantet duan një rifreskim të herëpashershëm, për shkak së është diçka që bëhet rrallë. E mira e spitaleve private është se zhvillojnë një konkurrencë goxha frytdhënëse. Një specialist i mirë sjell eksperiencën e tij në Shqipëri duke shpërndarë përvojën e tij dhe tek mjekët tanë. Tek të dyja spitalet janë dy mjekë shumë të specializuar turq që bëjnë vetëm transplante. Sepse bota ka ecur shumë përpara, tek ne është vetëm fillimi. 


Është caktuar një datë në të cilën do të kryhen transplantet? 


Akoma s’ka një datë të caktuar për kryerjen e transplantit të parë me fond nga shteti. Aktualisht, mungesa e aparaturave ka bërë që kjo të shtyhet. Por besoj se gjatë muajit prill mund të fillojë puna. Në një muaj pritet të bëhen dy-tre ndërhyrje. Ndërhyrjet kryhen në pavijonin e urologjisë. Ky pavijon po pret vetëm disa kërkesa të vogla që do të realizohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtorisë së Spitaleve. Në momentin e realizimit të këtyre kërkesave, ne do t’u çojmë emrat dhe që aty mund të vijojë puna për transplantet. 


Fondi i akorduar nga qeveria i mbulon të gjitha kërkesat për ndërhyrje? 


Fondi i akorduar mbulon afërsisht 25- 30 ndërhyrje. Por në një bisedë me ministrin e Shëndetësisë, Vangjel Tavo më ka thënë shprehimisht që ka lekë për shumë ndërhyrje. Ajo që unë mund të them është që lekë ka, por ekziston dilema nëse mund ta bëjmë ose jo. 


Kanë ardhur kërkesat e para për transplant? 


Përveç emrave që kanë qenë në listë për transplant veshkash, ka pasur pacientë që janë informuar dhe menjëherë kanë bërë regjistrimin për t’u futur në listë. Këto ditë kanë ardhur 5-6 persona që kanë kërkuar të bëjnë transplant. Përgjithësisht janë ata që trajtohen me dializë dhe duan të kryejnë transplant për të shpëtuar nga dializa e cila bëhet një herë në dy ditë. Iu kemi bëjmë thirrje dhe mjekëve në rrethe që të sensibilizojnë dhe informojnë pacientët e sëmurë për mundësinë e transplantit. 


Cilët janë armiqtë e veshkave? 


Të gjithë duhet të informohen mbi faktorët që e shkaktojnë apo sëmundjet që mund të japin dëmtime në veshka. Të tilla si diabeti, hipertensioni i pamjekuar mirë që jep dhimbje në veshka, obeziteti i cili po ashtu jep çrregullime në veshka dhe disa sëmundje të lindura ose të trashëguara të veshkave. Vitet e fundit është futur në listë edhe abuzimi me duhanin. Pa diskutim diagnoza e hershme është e favorshme. Duke mjekuar faktorët e mësipërm edhe koha për të shkuar në dializë ose transplant bëhet shumë e gjatë.  


 


Jo çdokush mund të kryejë transplant 


Një milion dollarë janë akorduar për rinisjen e operacioneve për transplantin e veshkave në Shqipëri. Por, për të bërë këtë duhen edhe disa investime nga ministria e Shëndetësisë, për arritjen e disa standardeve që kërkon transplanti i këtij organi. Arjana Strakosha, mjeke nefrologe, njëkohësisht anëtare e njësisë së Transplantit të veshkave në Shqipëri shpjegon për “Shekullin” se si do të kryhet trasplanti dhe kush mund të aplikojë për një të tillë. Fakti që është një fond i akorduar për këtë punë, nuk do të thotë që çdokush mund ta kryejë një të tillë. Kjo nuk varet nga preferenca e mjekëve, por nga kushtet imunologjike të pacientit të sëmurë dhe përshtatshmëritë me veshkën e dhuruar. “Ata që janë të sëmurë me zëmër, që vuajnë nga sëmundjet malinje, të prekurit nga Hepatiti B apo C nuk mund të kryejnë transplant pa shëruar më parë sëmundjet e mësipërme. Kjo për shkak se kur kryhet transplanti merren mjekim meqë ulin imunitetin. Kjo gjë është e papërballueshme për personat që vuajnë nga sëmundjet e mësipërme.” Ndonëse herët për të përcaktuar një kosto, tashmë bëhet e ditur se mesatarisht një transplant mund të shkojë 13-14 mijë euro. Kjo përllogaritet si një shumë minimale, krahasuar me vendet e tjera të botës. “Në Shqipëri transplantet do të bëhen me çmime shumë të ulëta, krahasuar me vendet jashtë. Në Gjermani një transplant merr një kosto prej 50 mijë euro, në Turqi mund të kryhet me 25 mijë, kurse tek ne vete rreth 13-14 mijë euro.” Ajo çka është e rëndësishme në këtë mes është se mjekët shqiptarë janë trajnuar për të bërë këtë hap të madh. Gjithsesi, ata nuk janë akoma gati për të kryer një të tillë. Parashikohen që operacionet e para do të kryhen nga mjekë të huaj, në asistencë të mjekëve tanë. “Shefi i pavijonit Thereska ka këmbëngulur që mjekët tani të asistojnë gjatë kryerjes së transplantove, në mënyrë që të mësojnë dhe pse jo të konkurrojnë me ta.” Kjo do të thotë që në një të ardhme shumë të afërt, këto transplante të kryhen nga mjekë shqiptarë dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. “Qëllimi ynë nuk ka qenë që operacionet të kryhen në privat, por me ndihmën e specialistëve të huaj, edhe ne mund të ecim përpara.” Problem tjetër është që mjekët tanë duan të bëjnë një rifreskim. “Meqë transplantet bëhen rrallë mjekët kanë nevojë për një rifreskim. Kjo është shumë e rëndë psikologjikisht për mjekët shqiptarë. Kështu që me kalimin e kohës do të realizohen edhe nga mjekët tanë.”


Shtoni një koment
1 Komente
Petrit
Pershendetje,nese dikush nga shqiperia ka nevoj urgjente per njeren veshke ateher jam i gatshem tia dhuroj njeren veshke timen ,nuk kerkoj lek por kerkoj qe ai njeri qe merr veshken time te jetoj i shendosh dhe i lumtur,njeherit dhe shpenzimet e transplantit dhe mjekimet tjera ti bart marrsi i veshkes,me kontaktoni ne tel... +37745453799
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

3 + 4 =