Extra

Ndërlidhja sekrete e Enverit, si ruhej nga përgjimi i armiqve

  • 04 Prill 2013, 14:04
  • Përditësuar 14:13

Leonard Veizi- “Pa ndërlidhje... nuk ka fitore”. Sentenca në fjalë merrte një vlerë të veçantë disa dekada më parë, por padyshim që i mbijetoi dhe kohërave moderne, ku në funksion të ndërlidhjes tanimë janë futur mjete shumë herë më të sofistikuara nga sa mund të sajonte dhe mendja e një autor librash fantastikoshkencorë. E megjithatë po flasim për vitet ’70 të shekullit të kaluar, ku problemi i ndërlidhjes me tela e valë, ishte një çështje në rend të ditës, sidomos kur vinte puna për ndërlidhjen e udhëheqjes së lartë me ushtrinë apo dikasterin e Shërbimit Sekret. Një nga njerëzit që i ka dhënë më shumë kësaj fushe, ka qenë padyshim, kryeinxhinier i ndërlidhjes së ushtrisë Ibrahim Shametaj. Ai sot nuk jeton më pro gjithsesi ka lënë një arkivë të pasur shënimesh, nga ku gjithkush mund të formoje një ekspoze të qartë se si u ngrit dhe funksiononte ndërlidhja në hallkat kryesore të shtetit shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore... Në shënimet e tij Ibrahrim Shametaj shkruan se prodhimi i radiostacioneve ushtarake në vend favorizonte rritjen e sekretshmërisë në komunikim, për diapazonin, skemat dhe parametrat e stabilitetit të lartë me të cilat u realizuan. Rëndësi iu kushtua dhe regjimit të përdorimit të radiondërlidhjes në raste stërvitjesh në kohë paqe dhe lufte. “Për të minimizuar efektet negative, e për të rritur nivelin e gatishmërisë dhe sigurisë iu kushtua kujdes i veçantë radiondërlidhjes që i sigurohej Enver Hoxhës, Hysni Kapos, Mehmet Shehu, Beqir Ballukut, Petrit Dumes. Për këtë qëllim, që në vitet ‘60 u pajisën e mbaheshin në gatishmëri të lartë pesë autovetura UAZ me lëvizshmëri të lartë e me radioaparaturat më të mira të kohës. Këto viheshin në dispozicion të tyre me urdhër të veçantë dhe shoqëronin ata në çdo lëvizje e në çdo kohë. Këto radioaparatura ndërroheshin vazhdimisht me radiostacione më të mira të importuara fillimisht nga BS, pastaj nga Kina e pas viteve ‘70 me radiostacione TIG- 900 e URC-100 prodhim perëndimor. Me këtë tip radiostacioni, vetë Enver Hoxha bëri disa prova dhe e përdori për komunikime pune me komandat e korpuseve e divizioneve. Ai kishte mbetur i kënaqur dhe vlerësoi pozitivisht sistemin e ndërlidhjes së ushtrisë”. Ibrahim Shametaj shkruan se me radiostacionin tip URC-100, Enver Hoxha drejtoi veprimet për asgjësimin e bandës së Xhevdet Mustafës. 


Ndërlidhja radiorele 


Por duket se ndërlidhja radiorele gjithashtu ka pasur specifikën e vet në rritjen e cilësisë, stabilitetit dhe minimizimit të efektit përgjues. Duke pasqyruar këtë punën në këtë sektor Ibrahim Shametaj sqaron: “Në ndërlidhjen radiorele, përveç manovrimit me diapazonin e valëve, efektin përgjues e minimizonte përdorimi i antenave me rrezatim të drejtuar në një kënd të ngushtë të valëve elektromagnetike dhe spektri i transformuar, modelues e demodulues i kanaleve telefonike e telegrafike. Për këtë qëllim, drejtuesve më të lartë u viheshin në dispozicion për komunikim kanalet e dyta që realizonin transformimin e bisedës së thjeshtë, në spektër më të vështirë për t’u përgjuar. Ndërlidhja telefonike për nga natyra e rrjetit të linjave ajrore e kabllore ishte më e mbrojtur nga efektet e përgjimit. Megjithatë dhe përgjimi i saj bëhej i mundur nga veprimtaria keqbërëse, devijimin brenda vendit e veçanërisht në rast lufte nga grupe desantësh ajrorë, detarë e tokësorë që u bënë në modë gjatë luftës së ftohtë në shkallë ndërkombëtare. Prandaj edhe në ndërlidhjen telefonike u morën, u aplikuan e u përsosën masat organizative e teknike për minimizimin e efekteve të përgjimit dhe rrjedhjes së komunikimit në drejtime të padëshiruara”. 


Numrat sekrete 


Në vitet ‘50, ndërlidhjen telefonike dhe telegrafike e udhëheqjes sigurohej nga drejtoria e postë-telekomunikacionit, Drejtoria e Ndërlidhjes së ushtrisë dhe dega e ndërlidhjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ibrahim Shametaj në shënimet e tij shkruan se; rrjeti ishte i përbashkët dhe gatishmëria e aparaturave në zyra e banesa të udhëheqësve sigurohej nga specialistët e MPB. Kjo mënyrë sigurimi i ndërlidhjes telefonike, solli konfuzion në përcaktimin e defekteve, ndërhyrjeve dhe shqetësime si dhe në përcaktimin e përgjegjësisë midis dikastereve të sipërpërmendura. “Për të eliminuar këtë defekt Drejtoria e Ndërlidhjes së ushtrisë shtriu një rrjet të veçantë me linja kabllore nëntokësore për gjithë udhëheqjen në bllokun e banimit të tyre, në dikasteret qendrore, kryeministri, në Pallatin e Brigadave, në të gjitha vend- drejtimet e partisë dhe të shtetit në rajonin e Tiranës dhe të veçantë me linja e aparatura në vilat e Durrësit, Vlorës, Pogradecit, Skraparit, Dajtit etj. Për të rritur qëndrueshmërinë, sigurinë dhe sekretimin e bisedimeve, në ndërtesën e M.M.P u instalua një central atomik me kapacitet 50 numra sekret. Abonentë të këtij centrali u bënë udhëheqësit më të lartë të partisë e të shtetit përfshi Enver Hoxhën e Mehmet Shehun e kuadrot e Ministrisë së Mbrojtjes, drejtor drejtorie e më lartë. Për të minimizuar efektet e përgjimit në bisedimet interurbane të udhëheqësve, me vendosjen e aparaturave shumëkanalëshe u vendos që atyre këto bisedime t’u siguroheshin nëpërmjet kanaleve të frekuencës së lartë, deri dhe direkte me kanale të veçantë, në zyra, vila e qendra banimi. Kanalet e aparaturës shumëkanalëshe dhe ato radiorele rrisnin shkallën e vështirësisë për t’u përgjuar”. Kryeinxhinieri i ndërlidhjes së ushtrisë sqaron gjithashtu se ky përgjim nga keqbërës, mund të realizohej vetëm me aparatura speciale, gjë që ishte e vështirë të siguroheshin në rrugë klandestine e të përdoreshin në territorin e vendit tonë pa u vënë re.  


Pas ristrukturimit të ushtrisë 


Në vitet ‘70-‘80 ushtria kaloi një periudhë tronditjeje e ristrukturimi. “Në korrik 1978 KQ analizoi ristrukturimin e ushtrisë, arritjet, të metat e do të vinte detyra për përsosjen e mëtejshme të punës në ushtri. Po në korrik do festohej dhe 35 vjetori i ushtrisë dhe në 22 qershor 34 vjetori i shërbimit të ndërlidhjes së ushtrisë. Në raportimet paraprake që i ishin bërë Enver Hoxhës nga udhëheqja e Ministrisë së Mbrojtjes, ai kishte kërkuar të vizitonte vetë vendkomandën e re, të dëgjonte nga drejtorët e armëve e shërbimeve të ushtrisë, raportimet e nevojshme, të shikonte ambientet e punës, të banimit e pushimit brenda në tunel, dhe të kontrollonte qendrën e ndërlidhjes dhe të drejtimit me ndërlidhje të ushtrisë nga kjo vendkomandë. Tuneli i vendkomandës ishte ndërtuar për t’u rezistuar goditjeve direkte me bombardime ajrore deri dhe atonike të kalibrit të mesëm me aftësi mbrojtëse nga goditja direkte, nga vala goditëse, rrezatimi termodinamik, radiacioni përshkues dhe efektet e dëmtimit të armëve kimike e bakteriologjike. I pajisur me dyer të blinduar disa radhësh me pajisje të fuqishme ventiluese, agregatë rezervë të fuqishëm për ndriçim e ngrohje, përveç lidhjes me rrjetin energjetik, pajisje matëse kontrolluese e automatë që siguronin pastërtinë dhe lagështinë normale të ajrit. Në brendësi të tunelit ishin ndërtuar dhoma fjetjeje, dushe, VVC, sallë kinemaje e mbledhjesh deri në 500 vende. Mensë, kafene, ambiente çlodhjeje, salla të veçanta mbledhjeje për çdo drejtori e vendkomandë, salla për drejtimin e luftimeve të pajisura me planshetë etj.. Para se të realizohej vizita e Enver Hoxhës, Mehmet Shehu në atë kohë Kryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes, dhe Veli Llakaj shef i shtabit të përgjithshëm, kishin bërë gjatë muajit të fundit disa kontrolle të befasishme, në vendkomandë dhe në qendrën e ndërlidhjes duke bërë dhe prova konkrete e duke u lidhur me komandat e njësive dhe reparteve. Këto nuk bënë ndonjë sinjal se përgatitej vizita e Enver Hoxhës, pasi kontrolle të tilla në ato vite ishin të shpeshta për të verifikuar gjendjen e gatishmërisë”, shkruan Ibrahim Shameti në ditarin e tij.  


Gatishmëria e ndërlidhjes 


Enver Hoxha, sipas kërkesës së tij, vizitoi vendkomandën e re. Ibrahim Shametaj për këtë vizitë shkruan: “Për shoqërimin e tij në pjesën e përgjithshme të tunelit, nga ndërlidhësit ishte caktuar Abaz Thana, drejtor i drejtorisë së ndërlidhjes. Ndërsa në qendrën e ndërlidhjes ishte caktuar komandanti Jaho Banushi dhe unë. Në 24 qershor ’78, ora 10’30, mbërritën Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Kadri Hazbiu, Llambi Gegprifti etj. Ata u pritën nga Veli Llakaj, Ali Vukatana, Menduh Backa, Abaz Thana etj. Enveri vizitoi ambientet e zyrat e shefit të shtabit e komandave. Po afronte koha që Enveri të kontrollonte qendrën e ndërlidhjes. Ai u drejtuar përballë nesh. I dha dorën Jahos, i cili iu prezantua, pastaj u prezantova unë: “Inxhinier i repartit, Ibrahim Shametaj”. Enveri më hodhi dorën në krah e më tha: “Do na tregosh teknikën. Më kanë informuar se keni instaluar një qendër teknike të mirë e me aparatura moderne”. “Jemi përpjekur shoku Enver”, - i thashë. U futëm në sallën e centralit telefonik interurban. Enveri përshëndeti centralistet e tha: “Me kë do të më lidhni?”. “Jo, - i them, - me kë doni të lidheni ju”. Kjo i pëlqeu shumë e tha: “Po mirë më lidhni me ishullin e Sazanit”. Mehmeti e Veliu fiksuan orën, për sa kohë do realizohej lidhja. Centralistet u vunë në garë. E para që realizoi lidhjen ishte Minushe Selmani, e cila pa kaluar një minutë thotë: “Urdhëroni shoku Komandant i Përgjithshëm, flisni me ishullin”. Enveri mori gypin mikrotelefonik e i foli centralistit të Sazanit. “Alo. Jam Enver Hoxha. Flas nga një qendër ndërlidhjeje. Provoj gatishmërinë. Si më dëgjoni?”. Centralisti u ndodh një djalë i shkathët nga Shkodra dhe iu përgjigj me entuziazëm korrekt e në mënyrë të kulturuar. Enveri u përshëndet dhe i përgëzoi për gatishmërinë dhe i kaloi gypin mikrotelefonik Mehmet Shehut. Ky foli dhe bëri shaka me centralistin duke i thënë: “A të ka dërguar familja ndonjë shishe me verë “Riesling?”. Të gjithë mbetën të kënaqur se lidhja ishte e shpejtë dhe dëgjimi shumë i mire. Më pas Enveri kërkoi të bisedojë me Sarandën, korpusin e Burrelit, Pukën etj”  


Mehmeti i pakënaqur me ndërlidhjen 


Disa ditë nga vizita, Mehmet Shehu i dërgoi një material zv/ministrit Llambi Gegprifti ku bënte analizën e të metave që kishte konstatuar gjatë vizitës. Në këtë material Ibrahim Shametaj vlerësohej: “Po të mos kishte qenë ai inxhinieri, vizita do kishte dështuar dhe ne do të ishim turpëruar”. Duke sqaruar këtë shprehje të kryeminsitrit Shametaj shkruan: “U habita me këtë pakënaqësi të Mehmetit, se nuk vura re ndonjë shqetësim të tij gjatë vizitës, veç shqetësimit, që mos kalonim në eufori gjatë paraqitjes që i bënim Enverit. Për ndërlidhjen s’bëheshin vërejtje, por me sa dukej Enveri ndoshta nuk kishte mbetur i kënaqur nga raportimet që i kishin bërë kuadrot e larta të ministrisë. Ose ishte një mani e Mehmetit, i cili nuk kënaqej kollaj”.  


Si sigurohej telefonia me Enver Hoxhën 


“Për të rritur më tej cilësinë, gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë e ndërlidhjes së udhëheqjes, u ndërtuan dy qendra ndërlidhje të tunelizuar në bllokun e udhëheqjes. Njëra pranë vilës së Enver Hoxhës e tjetra pranë asaj të Mehmet Shehu. Nga këto dy qendra u sigurohej një ndërlidhje me radio, telefonike e telegrafike e teleshkruese me gjithë strukturat e ushtrisë deri në qendër zjarri në gjithë vendin. Ato u kompletuan me aparaturat e nevojshme nga më të mirat, me oficerë përdorues dhe ndërlidhje të shumëllojshme në vilat e vendkomandat. Për kontrollin teknik e mbajtjen në gatishmëri të sistemit, punonte një grup specialistësh inxhinier e teknik të kompletuar me autovetura e aparatura matëse e kontrolluese nga më bashkëkohoret. Për ndërlidhjen sekrete të udhëheqjes së lartë të shtetit e të ushtrisë, përsosjes së vazhdueshme të saj dhe mbajtjes në gatishmëri të përhershme, përgjigjeshin drejtori e gjithë Drejtoria e Ndërlidhjes së ushtrisë si dhe komandat e reparteve autonome të ndërlidhjes që mbulonin qendra të veçanta të ndërlidhjes së këtij sistemi. Në tërësinë e vet ky sistem ndërlidhje ka funksionuar normalisht dhe pa probleme shqetësuese. Në arkivin qendror të ushtrisë fondi ‘Drejtoria e Ndërlidhjes’ dosja nr. 76, viti 1974 ndodhet projekt-ideja mbi bazën e së cilës u realizua ndërlidhja telefonike, telegrafike, teleshkruese e udhëheqjes”.  


Udhëheqja me ndërlidhje super moderne 


“Për futjen në sistemin e ndërlidhjes të aparaturave të sekretimit, Drejtoria e Ndërlidhjes bëri përpjekje për të importuar ato që në vitin 1958 nga ish-BS. Këto përpjekje vazhduan dhe për t’i importuar nga Kina, ku u mundësuan në vitin 1975. Pas shumë kërkesash na u dërguan 50 aparate telefonike që siguronin sekretimin e bisedimeve telefonike. Në muajt gusht-shtator 1975, këta telefona u instaluan në zyra dhe shtëpi të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Adil Çarçanit, Hysni Kapos etj. Në zyrat e zv/ ministrave, të ministrit e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në zyrat e komandantëve dhe komisarëve të nëntë korpuseve dhe grupimeve operative. Kjo ishte një arritje e admirueshme për sistemin e ndërlidhjes së ushtrisë për kohën. Me përdorimin e aparatit telefonik të sekretimit të bisedimeve, kanaleve të aparaturës shumëkanalëshe, kanaleve radiorele e centraleve automatik sekret, ndërlidhja e ushtrisë arriti një nivel shumë të lartë”. 


Jetëshkrimi 


Ibrahim shametaj u lind në 1935 në Dorëz, Tepelenë. Kreu shkollën “Skënderbej” në Tiranë, shkollën e Bashkuar të Oficerëve në ish-BS. Përfundoi, fakultetin e inxhinierisë, dega “Rryma të dobëta, elektronikë” në Universitetin e Tiranës. Punoi në nënrepartet e ndërlidhjes së ushtrisë e në Ministrinë e Mbrojtjes në detyra të ndryshme ku për 12 vjet rresht ishte kryeinxhinier i ndërlidhjes së ushtrisë. Ka shkruar në shtypin ushtarak e publik të kohës për specialitetin e ndërlidhjes në vend. Ka kontribuar me studime e projektime për ndërlidhjen në kuadrin e fortifikimit të vendit dhe prodhimin e teknikës ushtarake të ndërlidhjes. Është aktivizuar në grupe studimore-shkencore, konferenca shkencore e mësimdhënie në përgatitjen e specialistëve të profilit teknik dhe kualifikimin e personelit inxhiniero- teknik të ndërlidhjes së ushtrisë. 


Shtoni një koment
4 Komente
Pa Emër
Eshte nje fakt I pakundershtueshem.Ndelidhja ne ate periudhe ishte ne shkallle te larte veprimi,c'ka siguronte korrekt veprimtarin e komandave dhe instancave te larta.Koha tashme ka ecur por e kaluara asnjehere nuk mund te harrohet.Libri voluminoz I inxhinjerit Brahim Shametaj eshte I pari liber per nderlidhjen ne ushtri dhe ne sistemin civil ne rang vendi.Zotesija e inxhinjer Brahimit eshte nje relitet mbreselenes per te gjithe kuadrot e ketij sektori per te pasqyruar ndryshimet e kohes per kete sector.Merita e kuadrove si ajo e Brahim Shametaj do te ngelet me vlere ne jete te jeteve.
Halim
Po nga kush do kishte frik Enveri,me ameriken dhe anglin ishte i lidhur me te tjeret tallej vriste priste si ti donte qefi.
Afrimi
SHamataj gallataj prralla me mbret.
Andi
Xhaxhi gjithmone ne zemrat tona!!!
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

1 + 6 =