Jetë

Provimi i infermiereve, nesër afati i fundit për dokumentet

  • 19 Prill 2013, 16:10
  • Përditësuar 16:20

Besarta Basha


-Ndërkohë që datat e provimeve për testimin e infermierëve të rinj kanë dalë  tashmë, të gjithë janë të  interesuar mbi mënyrën  se si do të vlerësohen. A do të nxjerrë  që ky testim një infermier të aftë për të  shërbyer në spitalet e vendit? Lidhur me  këtë, Sabri Skënderi, President i Urdhrit  të Infermierit thotë që duhet të bëhet një  vlerësim real i brezit të infermierëve të rinj. Lidhur  me disa probleme që janë hasur që në provimin e  parë të profesionistëve të  rinj që kishte të bënte me  tezat e provimeve, Skënderi shprehet se Ministria  e Arsimit dhe fakultetet  e infermierisë janë tashmë të informuar dhe po punohet që testi i radhës për provimin e shtetit të jetë  sa më i përshtatshëm dhe t’u përgjigjet  kërkesave të kohës. Kandidatët do të bëjnë fillimisht regjistrimin pranë Urdhrit  të Infermierit të Shqipërisë, i cili më pas  e çon listën e këtyre profesionistëve te  Agjencia Kombëtare e Provimeve të  Shtetit për të dhënë provimin. “Aktualisht gjendemi në fazën e përfundimit të regjistrimeve dhe e kemi nisur listën pranë  Agjencisë së Provimit të Shtetit, e cila ka  përcaktuar tashmë edhe datat e provimit”, tha Skënderi. Ndërkohë lista emërore  me infermierët kandidatë për të ushtruar profesionin e tyre pritet të shpallet vetëm pas dy ditësh. Konfirmimi i  pjesëmarrjes duhet të bëhet medoemos  një ditë para shpalljes së emrave pjesëmarrës në provim. Kreu i Urdhrit të infermierëve u rikujton të  gjithë studentëve që nuk  e kanë dhënë provimin e  Vlerësimit të Aftësimit  Profesional që të dorëzojnë Librezën e Praktikës Profesionale të  plotësuar brenda ditës  së nesërme. “Sa i takon  detyrimit për realizimin e  praktikës profesionale, për një periudhë  jo më pak se 3 muaj, UISH sqaron se  kjo rrjedh nga zbatimi i ligjit “Për profesionet e rregulluara”, por edhe të rregullores së nxjerrë nga Ministria e Arsimit e Shkencës dhe Ministria e Shëndetësisë në funksion të tij. Kjo praktikë  ka ndryshuar tashmë nga vitet e tjera.  Konkretisht, studenti i diplomuar në degët e mësipërme, ditën që regjistrohet,  merr librezën e praktikës profesionale.  Në këtë librezë, janë të shkruara të gjitha udhëzimet dhe detyrimet që ai duhet  të realizojë gjatë këtyre periudhës së  praktikës. Përveç kësaj, aty janë edhe  të gjitha temat të cilat do të jenë pyetje në provimin e posaçëm që do të  bëhet për testimin e aftësive profesionale. “Ndërkohë bëhet e ditur se të  gjithë studentët të cilët janë paraqitur në provimet e mëparshme dhe nuk  e kanë marrë këtë sezon për herë të  parë duhet të dorëzojnë fotokopjen e  Lejes së Praktikës brenda të njëjtit afat  në mënyrë që të quhen të regjistruar  në provim.” Ky testim i infermierëve  dhe profesioneve të tjera kryhet çdo  vit, në kuadër të profesioneve të rregulluara me ligj. Marrja e këtij provimi  është kusht për ushtrimin e profesionit  nga ana e infermierëve të rinj. Thënë  ndryshe, është një lloj licence për të  ushtruar profesionin e përfituar nga  universiteti dhe aftësimi profesional.  Vlen të theksojmë që përveç infermierëve në muajin maj do të testohen  edhe mamitë, fizioterapistët, teknikët  e laboratorit, ata të logopedisë dhe imazherisë. Ky testim bëhet vetëm pasi  infermierët të kenë përfunduar praktikën profesionale prej tre muajsh. Lidhur me këtë, Skënderi bën një sqarim  të fundit duke u bërë thirrje të gjithë  teknikëve të laboratorit, të imazherisë  apo logopedistëve që kanë përfunduar  studimet në vitin 2011, t’u drejtohen zyrave të UISH-së për të bërë regjistrimin  dhe të fillojnë praktikën profesionale me  mbikëqyrje dhe në përfundim të saj, t’i  nënshtrohen provimit të shtetit. 


Testohen aftësitë profesionale të mësuesve me përvojë 


Rreth katër mijë mësues të arsimit parauniversitar publik dhe privat  nga i gjithë vendi do t’i nënshtrohen  provimit të kontrollit hartuar nga Instituti  i Zhvillimit të Arsimit (IZHA) më 27 prill në  Tiranë. Të gjithë ata arsimtarë, të cilët deri  më 31 dhjetor të vitit 2012 kanë mbushur  të paktën pesë vjet punë do të bëhen pjesë  e testimit. Sipas burimeve pranë MASH-it,  testi do të jetë i ndërtuar në dy pjesë, nga  ana shkencore dhe metodologjike, ku secila  kërkon përgjigje me shkrim. Ndërsa vlerësimi i kandidatëve do të bëhet me shkronja:  A, B, C, D, ku secila shkronjë i korrespondon  vlerësimit me fjalë “shkëlqyeshëm”, “shumë  mirë”, “mirë” dhe “mjaftueshëm”. Kandidati  nuk e merr kualifikimin nëse vlerësohet me  shkronjën E (“dobët”). Kurse kandidatët që  marrin kualifikimin do të pajisen me çertfikata, në të cilat do të tregohet vlerësimi  me shkronjë i shoqëruar me fjalë. Marrja  e rezultateve negative në këtë provim nuk  rrezikon vendet e punës për arsimtarët, por  u heq të drejtën për të përfituar rritjen e  pagës sipas niveleve të përcaktuara. Rritja e pagës sipas autoriteteve të arsimit  varet nga vjetërsia në punë. Kategoritë që  kanë rreth 20 vite pune, nëse kalojnë me  sukses provimin e kualifikimit marrin titullin  “mjeshtër” për herë të parë dhe përfitojnë  deri në 20 për qind rritje të pagës.  A.Xh.


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

5 + 3 =