Ekonomi

Ndryshon ligji për Legalizimin, përfitojnë ndërtimet pas 2006-s

  • 27 Prill 2013, 12:16

Ornela Manjani


-Flet Drejtori i ALUIZNI-t, Ardian Kollozi. Procesi përfundon brenda dy viteve ornela manjani Ndërtimet pa leje të ngritura pas vitit 2006, ndërtimet anës akseve nacionale deri në 25-30 m larg rrugëve dhe shtesat e pallateve do të legalizohen. Bëhet fjalë për rreth 100 mijë ndërtime pa leje të cilat ishin përjashtuar nga ligji i legalizimeve të cilat do të pajisen me tapi brenda dy viteve. Ndryshimet ligjore janë prezente dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese nga Ardian Kollozi, kreu i ALUIZNI-t. Karburante e lokale anës rrugës Përveç 100 mijë shtëpive e shtesave të pallateve, do të shtohen në listën e përfituesve edhe karburantet dhe godinat e tjera anash rrugëve nacionale. “Përllogarisim rreth 30 mijë ndërtime pa leje që penalizohen nga fakti se duhet të ruhet distanca 100 metra nga dy anët e aksit të rrugës. Kemi bërë propozimin t'i referohemi Kodit Rrugor. Reduktohen distancat në 20, 25 dhe 30 metra nga aksi i rrugës", tha Kollozi. Sipas tij zgjidhja që ofrohet me këtë ligj është një zgjidhje racionale, e cila përfshin të gjithë ndërtimet e penalizuara deri më tani për shkak të një handikapi ligjor. Por, legalizimi i ndërtimeve në anë të rrugës është kundërshtuar nga deputetët e opozitës. Blendi Klosi hedh hije dyshimi për ndryshimet ligjore duke marrë në konsideratë edhe faktin se ato po bëhen në mënyrë të ngutur dhe në prag të zgjedhjeve. "Qoftë Durrës-Rrogozhinë, qoftë Durrës-Milot, të gjitha këto akse do të duhet të zgjerohen, por pranë tyre në të gjitha janë bërë ndërtime pa leje. Të gjitha do t'i legalizoni? Nuk do të lini asnjë objekt pa legalizuar, që pastaj shteti të jetë i detyruar që të shpronësojë dhe më pas situata komplikohet shumë dhe fatura rritet mjaft", tha deputeti Blendi Klosi. Pas debatesh deputetët e të dy kampeve bashkuan votat dhe miratuan ndryshimet në ligjin për Legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje. Ndryshimet ligjore Një ndër ndryshimet kryesore të ligji ishte riformulimi i pikës së 4/2 të ligjit ekzistues, që bën të mundur zvogëlimin e distancës së objekteve pa leje që nuk përfshihen në fushën e zbatimit të ligjit nga akset rrugore kombëtare. E përkthyer në terma më të thjeshtë kjo do të thotë që ndërtimet pa leje që janë 25 ose 30 m larg rrugës do të legalizohen ndërsa ato që shkelin këtë kufi do të shemben. Një pikë tjetër e ndryshuar është neni i projektligjit i cili krijon mundësinë e shtrirjes së procesit të legalizimit edhe në një numër ndërtimesh pa leje të papërfshira më parë në ligj, çka do të thotë ndërtimet pas vitit 2006 dhe shtesat e pallateve. Sipas relacionit të draftit të miratuar dje parashikohet ofrimi i një zgjidhje përfundimtare të problematikës së informalitetit në ndërtim, garantimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe veprimtarisë ekonomike si dhe krijimin e mundësive për integrimin e plotë të objekteve të legalizuara në tregun formal të pasurive të paluajtshme.


Të dhëna:


1. Është kryer përditësimi në terren për 210 mijë objekte informate


2. Rreth 90 mijë ndërtime pa leje kanë marrë tapitë


3. Kanë marrë shpërblimin 4 818 pronarë pasurish të paluajtshme


4. Kanë përfunduar aplikimin 120 mijë objekte pa leje


5. Janë lëshuar lejet e legalizimit për 55 mijë objekte në të gjithë vendin.


Shtoni një koment
1 Komente
Pa Emër
shtesa pallatesh apo ndertime pa-leje duhen prishur,dhe JO te legalizohen. Te legalizosh dicka te paligjshme eshte e pa-llogjikshme. Ndertimet pa leje duhen prishur!
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

4 + 6 =