Sociale

Sëmundjet kardiovaskulare, shkaku kryesor për vdekjet

Besarta Basha


-Vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare janë në rritje. Ky është konstatimi i një studimi të bërë nga specialistë të Institutit të Shëndetit Publik. Ky fakt u bë i ditur nga Jeta Lakrori, specialiste e pranë këtij institucioni, gjatë referimit të saj në Konferencën Ndërkombëtare të Shëndetit publik me temë “Sëmundjet jo të transmetueshme, sfidë për shëndetin publik.” Specialistja e ISHP-së. Aktualisht sëmundjet jo ngjitëse ku futen ato kardiovaskulare, llojet e ndryshme të kancerit dhe sëmundjet kronike pulmonare llogariten të marrin rreth 89 për qind të vdekjeve në Shqipëri. Prandaj i është kushtuar një vëmendje shumë e madhe parandalimit të këtyre sëmundjeve, si faktorin kryesor për uljen e numrit të vdekjeve në vend. Lakrori thotë ndër të tjera se faktorë të tillë riskantë si përdorimi i alkoolit, duhanit dhe një dietë e varfër ushqimore janë shumë problematike dhe prezente njëkohësisht si në zonat rurale dhe në ato urbane të Shqipërisë. Në këto rrethana, zbulimi i hershëm i sëmundjes dhe menaxhimi i saj luan një rol vendimtar. Për këtë, Lakrori, së bashku me kolegë të saj, specialistë të ISHP-së kanë hartuar një model për parandalimin e sëmundjes, duke u fokusuar më tepër tek shërbimi parësor. Kjo me arsyetimin që janë mjekët e kujdesit të shërbimit parësor kanë kontaktin e parë dhe të herëpashershëm me pacientët që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare. “Kemi përgatitur një model se si një mjek i familjes duhet të vlerësojë sëmundjen jo vetëm tek pacientët që vuajnë, por edhe tek ata që nuk e kanë patur më parë një të tillë”, theksoi Lakrori. Sipas saj, duhet bërë shumë në parandalimin e sëmundjes. Kjo ka të bëjë me faktorët që çojnë në këto sëmundje. “Mungesa e aktivitetit fizik, me ndryshimin e stilit të jetesës, ka ndikuar jo vetëm në cilësinë e jetës së qytetarëve, por edhe në shtimin e sëmundshmërisë. Kështu, inaktiviteti fizik është përgjegjës për sëmundjet kardiovaskulare si sëmundjet koronare të zemrës, goditja në tru, tensionin e lartë të gjakut dhe  mbipeshën. Por, inaktiviteti fizik është përgjegjës edhe për disa lloje kanceresh si ai i gjirit, kolonit, diabet tip 2, sëmundjet mendore, sëmundjet muskulo-skeletike”, bën me dije Lakrori. Sipas saj, modeli i paraqitur nga ISHP, ka një kosto shumë të vogël dhe është shumë efektiv në parandalimin e rasteve. Problematikë përbëjnë zonat në të cilat kujdesi i shërbimit parësor nuk kontrollohet herë pas here në zbatimin rigoroz të këtij modeli. Kjo më ps shërbeu si temë debati dhe shkëmbim eksperiencash mes profesionistëve të shëndetit publik në Shqipëri dhe Kosovë. Ndërkohë, ISHP-ja përmes shifrave të bëra publike tregon se rrezikshmërinë që paraqet jeta sedentare apo mungesa e aktivitetit fizik. “Njerëzit inaktivë fizikisht rrezikojnë vdekjen në 20-30% më shumë se ata që janë aktivë fizikisht. Inaktiviteti fizik shkakton 21–25% të kancerit të gjirit, të kolonit, 27% të diabetit tip 2 dhe rreth 30% të sëmundjes ishemike të zemrës. Në vendin tonë inaktiviteti fizik është përgjegjës për 6 % të shkaqeve të sëmundjeve kronike”, thotë Jeta Lakrori. Sipas saj, aktiviteti fizik i rregullt është mjet i rëndësishëm për përmirësimin e shëndetit në përgjithësi, fizik dhe mendor si dhe zvogëlon shumë rrezikun për sëmundjet kronike të njerëzve. Sipas të dhënave botërore, inaktiviteti fizik është faktori i katërt i riskut për sëmundje kronike në shkallë botërore, por shkon deri në 6.6% në vendet me të ardhura të mesme, apo 7.7% në vendet me të ardhura të larta. Inaktiviteti fizik është përgjegjës për 6 % të të gjitha vdekjeve në botë, ndërsa në Rajonin Europian është përgjegjës për rreth 10% të të gjitha vdekjeve, ose 600 000 vdekje në vit. 


Studimi, fëmijët nuk kryejnë aktivitet fizik


Në vendin tonë mbetet ende problematike mungesa e aktivitetit fizik tek fëmijët dhe të rinjtë. Këtë e vërtetojnë më së miri të dhënat e bëra publike nga Instituti i Shëndetit Publik për fëmijët dhe të rinjtë obezë. Kështu, studimi “Mbi monitorimin e sjelljeve me risk tek të rinjtë e shkollave të mesme në vendin tonë ”, nga ISHP, tregoi se vetëm 14.4% e tyre kanë kryer për të paktën 30 minuta një veprimtari fizike në 5, ose më shumë ditë të javës . Ndërkohë, djemtë kryejnë aktivitet fizik më shumë se vajzat. “Nëse shohim meshkujt dhe femrat, janë përkatësisht 18% e meshkujve që kryejnë të paktën 30 minuta një veprimtari fizike në 5, ose më shumë ditë të javës. Ndërsa 11.9% e femrave kryejnë për të paktën 30 minuta një veprimtari fizike në 5, ose më shumë ditë të javës”, bëhet e ditur nga studimi. Shqetësuese mbeten gjithashtu shifrat e orëve të shpenzuara para televizorit. Rreth 61% e nxënësve, sipas studimit, shohin televizor 2-4 orë çdo ditë. Kryerja e 150 minutave në javë, apo 30 minuta në ditë, e aktivitetit fizik të moderuar redukton 30% rrezikun për sëmundje ishemike të zemrës, 27 % të diabetit dhe 21-25 % të kancerit të gjirit dhe të zorrës. Kryerja e aktivitetit fizik të moderuar, gjithashtu ka rrezik më të ulët për goditje në tru, hipertension, depresion dhe mban peshën trupore nën kontroll. 


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

2 + 9 =