Kulturë

Teatri është në krizë, njëlloj si gjithçka në Shqipëri


Luela Myftari


-Profili i tij artistik të ofron shumë detaje për një djalë që ka vetëm dhjetë vjet që ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve ka studiuar për dramaturgji, por publiku shqiptar e ka evidentuar më shumë në zhanrin e komedisë.  Që në atë kohë, gjatë diplomimit, Lulzimi arriti të tërhiqte vëmendjen e kritikëve dhe profesorëve. Ishte “Ëndrra e një nate vere”, ajo që e vendosi atë në radhët e aktorëve profesionistë që aso kohe po nxirrte kjo akademi. Sot, “Shekulli” e interviston atë, pas shfaqjes së suksesshme të javës së kaluar: “Kasollja e vogël”. Në këtë bisedë Luli, siç e thërrasin miqtë dhe kolegët e tij, na rrëfen jo vetëm emocionet e një shfaqjeje që këtë javë ka zënë një pjesë të rëndësishme mediatike, por edhe gjendjen e teatrit, kontratat dhe përjetimin e të qenit në Festivalin e Kanës.


Keni tre muaj që nuk lini asnjë shfaqje të realizohet pa praninë tuaj. Kaq shumë të duan regjisorët?


Ajo është zgjedhja e tyre, por edhe unë kam punuar shumë për të qenë pjesë e kësaj strukture. Madje, punoj çdo ditë. Për shfaqjen e fundit, “Kasollja e vogël”, kam punuar shumë, më shumë se tetë orë në ditë. Dhe shpresoj që ajo të jetë vlerësuar nga audienca.


Ju vetë mendoni se shfaqja e së dielës e  mbushi publikun me art të mirë?


Mendoj se po. Dhe kjo erdhi si rezultati i një pune të mirë që bënë aktorët dhe regjisorja. Kjo e fundit është një vajzë shumë e talentuar. Sesilia Plasari është një nga ato regjisore që të bën të nxjerrsh më të mirën nga vetja. Dhe unë besoj se gjithçka shkoi shumë mirë. Më mbetet t’ju pyes juve se si ju erdhi shfaqja, nënkuptoj këtu publikun. Por gjithsesi, mendoj se kjo ishte një nga ato shfaqjet që ofroi art të mirë, ashtu siç e thatë ju.


Ju jeni pjesë e kinematografisë dhe e teatrit njëkohësisht. Kë dashuroni më shumë?


 


Në fakt, këto nuk janë dy dashuri të ndryshme. Janë të njëjta. Kjo është jeta e një aktori dhe unë si aktor, i dua të dyja. Dhe të dyja, i dua po njëlloj. Teatri është më i vështirë, por duartrokitjet i merr po aty. Dhe e gjithë lodhja largohet. E gjitha kthehet në kënaqësi. 


Po punoni aktualisht në teatrin e komedisë, por keni shkëlqyer njëkohësisht edhe në tragjedi si “Edipi mbret” apo “Romeo dhe Zhuljeta”. Ku e ndieni veten më mirë? Dramë, tragjedi apo komedi?


Po, aktualisht po punoj në shfaqje që ofrojnë komedi, por kjo nuk do të thotë se e dua më shumë atë. Madje, në çdo komedi ka pak tragjedi dhe në çdo tragjedi të mirë ka pak komedi. Edhe këtu nuk mund të zgjedh. Unë i kam realizuar të dyja dhe do të vazhdoj njëlloj. Nuk mund të zgjedh zhanrin, por personazhin po. 


Si ishte për ju të ishit pjesë e Festivalit të Kanës?


Ajo ishte një nga eksperiencat më të bukura që mund të më ofronte bota e kinematografisë aso kohe. Ishte viti 2005 dhe unë kisha vetëm katër vjet i diplomuar për aktrim. Ishte një eksperiencë, të cilën ndonjëherë as vetë nuk e besoj se është e vërtetë. Nuk më duket sikur më ka ndodhur.


Regjisorët shqiptarë kanë vërtetuar se ju duan. Përveçse në një film italian, keni bashkëpunuar me ndonjë regjisor tjetër të huaj?


Po, kam bashkëpunuar edhe me Angeliki Antoniun. Kjo është një regjisore greke, bashkëpunimi me të cilën më fali po aq kënaqësi sa edhe bashkëpunimi me regjisorin italian dhe me regjisorët shqiptarë. E megjithatë, më lejoni t’ju them se për aktorin është shumë e domosdoshme mbështetja e publikut, sepse vetëm dashuria e regjisorëve nuk të mbush.


Si është gjendja e Teatrit sot?


Teatri, sot, po kalon një gjendje krize, si çdo gjë këtu në Shqipëri. Gjithçka është në krizë. E megjithatë,  jam i bindur se ditë më të mira do të vijnë. Brezi i ri i aktorëve është një brez që premton shumë, ose të paktën kështu më duket mua. Më mirë do të bëhet, por më lejoni të shfaqen realist dhe të them se sot për sot kjo gjendje nuk më pëlqen.


Mos ndikon kjo në faktin se si nënshkruhen kontratat? Ju vetë keni një kontratë me Teatrin Kombëtar?


Unë nuk kam një kontratë me Teatrin Kombëtar, por nuk është kjo ajo që më shqtëson mua. Ekzistojnë një sërë problemesh, për hatër të së cilave nuk ia vlen të përmenden kontratat. Sepse një aktor i mirë do të punojë gjithsesi me kontrata me afate të shkurtra, kontrata shfaqjesh. Ka një sërë ngërçesh, si çdo institucion në Shqipëri.


 


Mes teatrit dhe kinematografisë


Është shumë i ri për të shkëlqyer kaq shumë. Por, tre muajt e fundit na rrëfejnë një punë të palodhshme për të shndritur në teatrin shqiptar. E nëse, si shumë të tjerë keni kohë që e keni braktisur teatri, “Shekulli” ju kujton djalin që ka luajtur në serialin “Komuna  e Parisit”, apo atë në filmat: “Lindje-Perëndim-Lindje” me regji te Gjergj Xhuvanit, “Nata pa hënë” e regjisorit Artan Minarolli dhe “Letra e re” e cila erdhi nën regjinë e të madhit Edmond Budina.


Por marrëdhënia e tij me kinematografinë nuk përfundon këtu. Ai do të jetë protagonist në një film italian tetë vjet më parë. Ishte viti 2005, kur Lulzim Zeqja do të interpretonte në filmin “L’orizzonte degli eventi” me te cilin ishte edhe pjesëmarrës në Festivalin e Kanës në seksionin e “javës së kritikës”. Festivali i Kanës qe për të një ëndërr e bërë realitet. Madje kur e pyesim se si i kujtohen atij ato momente, Lulzim Zeqja na përgjigjet se ndonjëherë i duket si një e pavërtetë, një ëndërr ose diçka e cila nuk i ka ndodhur atij. 


Edhe pse pa një kontratë në Teatrin Kombëtar, ai mbetet si një ndër aktorët më të mirë që ka tregu i kinemasë dhe teatrit në Shqipëri. Prej tre muajsh, Luli, siç e thërrasin miqtë e tij, ka qenë pjesë e çdo shfaqjeje teatrale në Tiranë. Ai është “i preferuari” i regjisorëve, gjithsesi. 


E meqenëse rolet e tij në skenën e teatrit janë të shumta, ne po ia lejojmë vetes të përmendim vetëm disa prej tyre. Teatri i Metropolit, i ka ofruar Lulzimit mundësinë të luajë rolin kryesor në pjesën e “Playboy i trojeve tona” te dramaturgut irlandez John Millington Synge, rol ky në të cilin aktori ka marrë shumë duartrokitje dhe impresione pozitive. Edhe me shfaqjen “Romeo dhe Zhuljeta”, Luli i siguroi karrierës së tij artistike shumë duartrokitje dhe komplimente. Shfaqja e fundit e tij ishte mbrëmjen e së dielës. Nën regjinë e Sesilia Plasarit, Luli së bashku me kolegë të tjerë aktorë, punoi për të sjellë në Teatrin e Komedisë shfaqjen “Kasollja e vogël”. Nëj tjetër shkëlqim i Zeqjës në teatër është edhe “Edipi mbret”.


Shtoni një koment
1 Komente
Ligor Luarasi
NJE TITULL SHUME SHQETESONJES.
Teatri është në krizë, njëlloj si gjithçka në Shqipëri,ky titull shkrimi i Z.Zeqia eshte shume i rende ne se eshte i vertete.
Qe gjithecka ne Shqiperi qenka ne krize,kjo eshte si te bien kembanat e alarmit per nje plasje bombe renonjese dhe me permasa mbare kombetare.
Pse keshtu ne krize eshte sot Shqiperia per gjithecka????
Duke qene lark saj mesoj qene krize eshte p.sh. drejtesia,papunesia,borxhet e medha,spitalet,te semuret,arsimi,arsimtaret me paga qesharake,etj, por nuk kam ditur qe Shqiperia per GJITHECKA qenka ne krize.
Kur eshte keshtu kush mban pergjegjesi dhe s'ndeshkohet,c'ben gjithe ai Kuvend popullor me gjithe ata deputete per nje gjendje kaq alarmante? U lutemi na ndihmoni te kutojme te verteten e ketij shkrimi.
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

4 + 2 =