Jetë

Shkollat, gati për provime dhe zgjedhje

Besarta Basha


- Me përfundimin e plotësimit të formularëve A1 dhe A1Z, po fillojnë edhe “ethet” e maturantëve për provimet me detyrim dhe ato me zgjedhje. Kanë mbetur vetëm dhjetë ditë nga përfundimi i shkollës, datë në të cilën ekspertët e hartimit të pyetjeve do të “ngujohen” për hartimin e tezave të provimeve. Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Shkencës po përgatit databasen, proces i cili do të kryhet për çdo maturant. Ndërkohë, bëhet e ditur tashmë se mjediset ku do të zhvillohen provimet nuk do të përdoren për numërimin e votave. Fatmir Vejsiu, drejtor i Arsimit Parauniversitar sqaron për “Shekullin” se Ministria e Arsimit i ka komunikuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të ndryshojë vendi i shkollave ku do të bëhet numërimi i votave. Kjo sipas tij, nuk e cenon aspak zhvillimin e një procesi të rregullt testimi. “E rëndësishme është që Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës i vë në dispozicion një mjedis për numërimin e votave, por pasi të kenë përfunduar provimet e zgjedhjeve. Zgjedhjet sigurisht që do të zhvillohen, por pa cenuar procesin e Maturës Shtetërore”, thekson Vejsiu. Po ashtu, ndryshe nga ç’është përfolur deri tani se vlerësimi i testeve do të bëhet në mënyrë elektronike dhe nga vlerësues, Vejsiu sqaron se skema e vlerësimit do të jetë e njëjtë me vlerësimin e viteve të kaluara. Kjo do të thotë se vlerësimi do të bëhet nga dy specialistë të fushës. Ministria e Arsimit bën thirrje që nëse ka ndonjë maturant që për arsye të ndryshme nuk ka aplikuar, mund të sjellë brenda datës 24 maj formularin A1Z të plotësuar.


Zoti Vejsiu, në çfarë faze të procesit të Maturës Shtetërore jemi aktualisht?


Faza në të cilën ndodhet aktualisht procesi i Maturës Shtetërore është përgatitja për database-n e maturës. Është shumë i rëndësishëm, sepse pa të ne s’mund të procedojmë dot. Ky proces ka të bëjë mehartimin e testeve, ndarjet e tyre nëpër shkolla, përgatitjen për plotësimin e formularit A2 etj. Kjo database nuk është një formalitet. Vetëm se aktualisht është një proces akoma i papërfunduar, për hir të formularëve A1Z. Formulari A1Z plotësohet nga ata që për arsye të ndryshme nuk janë shpallur fitues në maturat e kaluara, ose janë shpallur fitues dhe janë çregjistruar në një periudhë kohe të caktuar. Atyre iu jepet e drejta të konkurrojnë sërish për të ndjekur studimet në një nga degët e arsimit universitar. Koha për plotësimin e këtij formulari ka përfunduar si afat kohor, por kjo nuk do të thotë që ne kemi mbyllur atë si proces. Kuptohet që ka edhe një limit. Me datë 24 maj përfundon shkolla dhe të gjithë maturantët bëhen gati për të nisur provimet. Ministria e Arsimit dhe Shkencës iu jep mundësi të gjithë atyre që mund të kenë harruar apo për çdo arsye tjetër nuk kanë aplikuar deri tani, të vijnë të dorëzojnë formularin e plotësuar. Pas kësaj date, një grup specialistësh të hartimit të pyetjeve do të jenë të “ngujuar” për të hartuar pyetjet e testimit për maturantët.


Ka ankesa për një konkurrencë të padrejtë midis maturantëve të kryeqytetit dhe atyre të rretheve të vogla, ku administratorët e provimeve bëhen bartës informacioni, nësajë të njohjeve që kanë?


Nuk është arsye kjo. Administratorët e provimit nuk asnjë njohuri mbi subjektin që trajtohet në test. Gjërat janë bërë në mënyrë të atillë që një administrator të mos jetë në gjendje të orientojë apo të japë ndihmë. E vetmja mundësi deri tani, ka qenë komunikimi me anë të telefonit. Dhe këtë mundësi po përpiqemi ta heqim plotësisht nëpërmjet futjes së detektorëve.


Ju përjashtoni mundësinë e bartjes së informacionit, pa ndihmën e telefonisë celulare?


Sigurisht. Kemi përfaqësuesit e ministrisë në çdo qendër provimi, të cilët paraqesin në procesverbale çdo parregullsi. Ata janë po ashtu përgjegjës për gjithçka që ndodh brenda mureve të mjediseve ku zhvillohen testimet. Vitin e kaluar, ky ka qenë shkaku për shkarkimin e drejtorit të një shkolle në Tepelenë.


Thuhet që mbetësit e maturës do të kenë mundësi që përveç testimit në sezonin e vjeshtës, të testohen në një sezon paraprak. Sa e vërtetë është kjo?


Duhet të sqarohen disa gjëra. Deri në datën 24 maj do të regjistrohen të gjithë maturantët që nuk kanë ngelur në asnjë provim dhe kanë të drejtë të konkurrojnë. Po ashtu edhe ata që kanë mbaruar vitin e kaluar dhe nuk janë shpallur fitues. Ata që humbasin vitin janë ata që ngelin në më shumë se 2-3 lëndë dhe detyrohen të përsërisin maturën vitin e ardhshme. Ndërsa ata që ngelin në më pak se tre lëndë, iu jepet mundësia e dhënies së këtyre provimeve në sezonin e vjeshtës. Ky sezon është fundi i gushtit, në mënyrë të tillë që këta të kenë mundësi të futen në sesionin e dytë të Maturës Shtetërore. Në sesionin e dytë futen të gjithë mbetësit e maturës shtetërore dhe të gjithë mbetësit e vjeshtës, të cilët i nënshtrohen në gusht provimeve përkatëse. Duhet të theksojmë që kemi bërë përmirësime nëpërmjet mjeteve administrative të provimit. Kemi dëgjuar thënie që për hir të zgjedhjeve do të bëhen manipulime, por në asnjë mënyrë nuk do të ketë shkarje. Testi, në të gjithë Republikën e Shqipërisë do të jetë njësoj. Ka ato parametrat që ne i kemi thënë, ku të gjithë kanë mundësi për të treguar njohuritë e tyre. Ne jemi treguar të ashpër për administrimin e provimeve. Nuk do të ketë më rrjedhje të informacionit.


Flitet për një përplasje të vogël, pasi mjediset e shkollave do të shfrytëzohen edhe për votime. Si keni menduar ta zgjidhni këtë situatë?


Është e vërtetë që zgjedhjet do të bëhen në shkolla, dhe zgjedhjet po ashtu do të bëhen kryesisht nëpër mjediset mësimore. Dy provimet e para më 31 maj dhe 14 qershor nuk do të kenë lidhje dhe nuk do të cenojnë aspak procesin zgjedhor. Ndërsa provimet me zgjedhje do të zhvillohen disa ditë pas përfundimit të zgjedhjeve. Kjo mund të përkojë me kohën e numërimit të votave. Pas zgjedhjeve do të jenë disa shkolla, të cilat do të përcaktohen për të bërë numërimin. Por ne kemi aq shumë shkolla sa të kemi mundësi për zhvillimin normal të zgjedhjeve, pa cenuar procesin mësimor. Është vendosur tashmë që në shkollat ku do të zhvillohen provimet, nuk do të bëhet numërimi i votave. Madje, kemi komunikuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndryshojë vendi i shkollave ku do të bëhej numërimi i votave sepse një nxënës i shkollës së mesme duhet ta bëjë provimin vetëm në shkollën e tij. Një nxënës i shkollës “Ismail Qemali” do ta bëjë shkollën vetëm tek shkolla e tij, në këtë rast kjo shkollë s’mund të shërbejë më si qendër e numërimit të votave. E rëndësishme është që Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës i vë në dispozicion këtij institucioni një mjedis për numërimin e votave, por pasi të kenë përfunduar provimet e zgjedhjeve. Zgjedhjet sigurisht që do të zhvillohen, por pa cenuar procesin e Maturës Shtetërore.


 


Vlerësimi


Korrigjimi i testit nga dy vlerësues


 


Ndryshe nga ç’është aluduar deri tani se korrigjimi i provimeve do të bëhet në dy mënyra, me atë elektronike dhe nga vlerësues të posaçëm, fakti është ndryshe. Fatmir Vejsiu sqaron se edhe këtë vit, nuk pritet të ketë një ndryshim në mënyrën e vlerësimit të maturantëve. “Do ishim shumë dakord që vlerësimi të bëhej në rrugë elektronike për hir të kohës në dispozicion. Por kjo është e pamundur. Kjo për faktin që provimet janë në dy pjesë, me alternativa dhe me zhvillim. Ndaj është e pamundur që të krijohet një lexues optik për të lexuar shkrimin e çdokujt që jep një provim mature”, theksoi Vejsiu në fjalën e tij. Procedura e vlerësimit do të jetë e njëjtë me vitin e kaluar. Janë gjashtë qendra vlerësimi, në Tiranë, Shkodër, Fier, Elbasan dhe Korçë (Tirana ka dy qendra vlerësimi për shkak të mbingarkesës që ka). Vlerësimi do të bëhet nga dy vlerësues të pavarur nga njëri-tjetri, të cilët rakordojnë me përgjegjësin e vlerësimit. Nëse ka mospërputhje, Vejsiu sqaron se do të jetë një person i katërt i cili do të vlerësojë se kush ka të drejtë. “Vlerësimi është tepër i saktë, aq sa ne edhe pse kemi pasur pretendime nga nxënësit dhe mësuesit për një vlerësim joreal të testimit, kur kanë marrë fotokopjen janë bindur për vërtetësinë e vlefshmërinë e korrigjimit të testit.” Sipas rregullores së re të MASH, çdo përgjigje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, ipavarur nga tjetri. Testet kodifikohen nga përgjegjësi i vlerësimit me numra arabë. Vlerësuesit pasi marrin në dorëzim testet, konfirmojnë sasinë dhe kodifikimin e tyre. Vlerësuesit nuk mund të bëjnë shënime në test, me përjashtim të esesë ku evidentohen gabimet drejtshkrimore. Vlerësimi me pikë për çdo kërkesë të testit pasqyrohet në formularët përkatës. Akordimi i vlerësimeve të dy vlerësuesve të pavarur bëhet në fund të çdo dite vlerësimi. Rregullorja e Maturës Shtetërore parashikon që rast se ka mospërputhje të vlerësimit midis dy vlerësuesve, përgjegjësi i vlerësimit aktivizon një vlerësues të tretë për të kryer vlerësimin përfundimtar. Shpallja e rezultateve bëhet jo më vone se 15 ditë pas çdo provimi të maturës. MASH ngre komisione të posaçme që shqyrtojnë të gjitha testet që raportohen nga vlerësuesit e testeve si të dyshimta për kopjim si dhe testet me parregullsi.


 


 


Zhurmuesit, as vathë në provim


Që në fillim të këtij viti është folur shumë për zhurmuesit, ata të cilët nuk do të lejojnë të përsëriten gabimet e së kaluarës. Kopjimi me anë të teknologjisë së fundit celulare apo elektronike shikohet nga vetë Ministria e Arsimit dhe Shkencës si pika e dobët e procesit të Maturës Shtetërore. “Matura Shtetërore, edhe pse është një arritje e ministrisë, ka pasur gjithashtu edhe pikat e dobëta. Ajo ka qenë administrimi ose thënë ndryshe për hir të zhvillimit të teknologjisë, kopja e fletës së testit ka dalë jashtë e patrajtuar dhe ka hyrë brenda e trajtuar”, thotë Fatmir Vejsiu, drejtor i Arsimit Parauniversitar. Duke pasur parasysh rëndimin e kësaj situate nga viti në vit, Ministria e Arsimit ka vendosur të blejë me shuma mjaft të mëdha detektorë. Madje, ky urdhër ka qenë aq i prerë sa nuk do të lejohet asnjë material tjetër metalik, qoftë edhe vëthë. Paraprakisht, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka porositur 210 detektorë për qendrat në të cilat do të zhvillohen provimet në të gjitha rrethet e Shqipërisë. Sipas tyre, numri i detektorëve është i njëjtë me numrin e shkollave publike, ku do të zhvillohen provimet e maturës, duke qenë se rrezja e tij është e mjaftueshme edhe për hapësira të mëdha, pa qenë e nevojshme për 2 apo 3 të tilla. “Janë 210 qendra provimi të cilat mund të kenë në brendësi 10, 15, 20 apo 30 mjedise në të cilat do të zhvillohen provimet. Qëllimi ynë është që çdo mjedis të jetë i zhurmuar. Paraprakisht kemi porositur dhe 210 detektorë dhe çdokush që hyn në qendrat e provimit do të kontrollohet nëse ka sinjal të ndërhyrjes së mjeteve metalike”, thotë Vejsiu. Për këtë, janë marrë masa dhe së shpejti pritet të dalë një udhëzim i veçantë ku do të porositen maturantët të mos kenë asnjë gjë metalike me vete, madje as vathë. “Po bëri aparatura zhurmë në momentin që një maturant futet në klasë, ai automatikisht nuk futet në provim. Kemi marrë masa që të kemi të gjithë parametrat e një provimi të rregullt”, përfundon drejtori i Arsimit Parauniversitar.

Shtoni një koment
2 Komente
abc
Pershendetje,jam nje maturante e nje gjimnazi te pergjithshem ne Tirane.Sic e dini ne daten 14 qershor 2013 u zhvillua testi i matematikes.Nga ky test kam mbetur e zhgenjyer dhe totalisht e traumatizuar nga dhuna psikologjike dhe ndonjehere edhe fizike qe u ushtrua mbi nxenesit.Ne u trajtuam si kriminele dhe jo si e ardhmja e ketij vendi.Me vjen shume keq qe kjo ngjarje mbeti ne hije dhe nuk u denoncua nga asnje media shqiptare.Ne kemi mbushur 18 vjec,jemi ne prag zgjedhjesh,dhe do te votojme per here te pare.Nese me perpara i kishim idete paksa te qarta,tani nuk kemi me shpresa se ky vend do te behet nje dite me cilendo parti politike.
Pa Emër
Jam maturante ,doja te thoja se ne provmin e matematikes nxenesit e privati qe i kishin perzier me ne drejtoresha e shkolles u ka dhene teza te gatshme ku nxenesit e privatit i kane qerasur ato me pije freskuese dhe me leke ne menyre qe te dinin me nota te mira qe nuk i meritojne.....shpresoij qe kete korrupsion ta menjanoni juve te DAR dhe te merrni masa
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

3 + 3 =