Ekonomi

Trashëgimia, tani te noteri, fund proceseve në gjykata

Çështjet e trashëgimisë tani do të jenë ekskluzivitet i noterëve dhe kjo kompetencë i hiqet gjykatave. Ndryshimi në ligj ka hyrë në fuqi dhe vjen pas ndryshimeve në Kodin Civil dhe reflektimit të tyre edhe në ligjin për noterinë. Në ligjin e ri parashikohen procedurat për kërkesat për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë, sipas të cilit noteri, pasi vihet në dijeni zyrtarisht nëpërmjet një kërkese të shkruar nga personat e interesuar dërgon një kërkesë pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë, së cilës i bashkëlidh një kopje të kërkesës së personit të interesuar dhe një kopje të certifikatës së vdekjes së trashëgimlënësit. Pas marrjes së kërkesës, Dhoma Kombëtare e Noterisë, brenda 3 ditëve, kontrollon në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe Regjistrin Kombëtar të Dëshmive të Trashëgimisë nëse trashëgimlënësi ka lënë një testament dhe/ose është lëshuar dëshmia e trashëgimisë ligjore apo testamentare nga ndonjë noter tjetër. Noteri regjistron kërkesën në Regjistrin Kombëtar të Dëshmive të Trashëgimisë. Në rastet kur lëshon dëshminë e trashëgimisë testamentare, noteri kontrollon nëse disponimet me testament të testatorit janë të vlefshme, sipas parashikimeve të bëra në Kodin Civil. Ndërsa kur disponimi me testament është i pavlefshëm, noteri, me vendim të arsyetuar,  deklaron pavlefshmërinë e testamentit dhe vijon me lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë ligjore. Në  rast se deklarohen të pavlefshme vetëm disa nga disponimet e testamentit, dëshmia e trashëgimisë ligjore lëshohet vetëm për atë pjesë të disponimeve të testamentit që deklarohen të pavlefshme.


Dëshmia e trashëgimisë


Dëshmia e trashëgimisë lëshohet nga noteri, në përputhje me rregullat e caktuara në Kodin Civil, si dhe në këtë ligj. Përveç elementeve që kanë lidhje me dëshminë e trashëgimisë, mbi të cilat noteri konsiderohet që ka kompetencë territoriale për të lëshuar dëshminë. Sipas ligjit, të dhënat e kërkuesit: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa dhe marrëdhënia me trashëgimlënësin. në dëshminë e trashëgimisë do të jenë të dhënat e trashëgimlënësit: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa në datën e vdekjes, data dhe vendi i vdekjes dhe çdo të dhënë tjetër të kërkuar nga legjislacioni në fuqi. Noteri mban origjinalin e dëshmisë së trashëgimisë dhe i lëshon kërkuesit ose çdo personi, që ka një interes të ligjshëm, një ose disa kopje të dëshmisë së trashëgimisë, të njësuara me origjinalin. Noteri shënon në një regjistër të posaçëm të dhënat e çdo personi, të cilit i ka lëshuar një kopje të dëshmisë së trashëgimisë.


Gabimet


Noteri, kryesisht ose me kërkesën e çdo personi, që ka një interes të ligjshëm, mund të ndreqë në çdo kohë gabimet e bëra në shkrim, në caktimin e pjesëve takuese, apo ndonjë pasaktësi të dukshme të dëshmisë së trashëgimisë. Noteri njofton menjëherë të gjithë personat, të cilëve, sipas nenit 53/1 të këtij ligji, u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë së trashëgimisë, për çdo ndreqje të gabimeve.


Ndryshimi i dëshmisë së trashëgimisë


Noteri, pasi regjistron heqjen dorë nga trashëgimia, kryesisht lëshon një dëshmi të re trashëgimie, të cilën ia njofton menjëherë të gjithë personave, të cilëve, sipas nenit 53/1 të këtij ligji, u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë fillestare të trashëgimisë. Në dëshminë e re të trashëgimisë, noteri pasqyron ndryshimet në rrethin e trashëgimtarëve, pjesët e tyre takuese, si dhe të dhënat mbi aktin e heqjes dorë nga trashëgimia. Noteri, pas lëshimit të dëshmisë së re të trashëgimisë, bën shënimin përkatës në dëshminë fillestare të trashëgimisë dhe më pas e regjistron atë në Regjistrin Kombëtar të Dëshmive të Trashëgimisë.


 Revokimi i dëshmisë së trashëgimisë


Kur, me vendim gjyqësor të formës së prerë, pranohet padia për pavlefshmërinë e testamentit, për pjesëtimin e trashëgimisë apo atë që rrjedh nga trashëgimia dhe ky vendim sjell efekte mbi përmbajtjen e dëshmisë së trashëgimisë, noteri, brenda 3 ditëve nga marrja dijeni, revokon me vendim dëshminë fillestare të trashëgimisë dhe lëshon një dëshmi të re trashëgimie. Dëshmia e re e trashëgimisë, ku pasqyrohen edhe arsyet e revokimit të dëshmisë fillestare të trashëgimisë, i njoftohet menjëherë të gjithë personave, të cilëve, sipas nenit 53/1 të këtij ligji, u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë fillestare të trashëgimisë. Noteri, pas lëshimit të dëshmisë së re të trashëgimisë, e regjistron atë në Regjistrin Kombëtar të Dëshmive të Trashëgimisë, së bashku me vendimin për revokimin e dëshmisë fillestare të trashëgimisë. Përveç padive të përcaktuara në nenin 46 të Kodit të Procedurës Civile, ndaj çdo veprimi ose vendimi të noterit për lëshimin, refuzimin e lëshimit, ndreqjen e gabimeve, ndryshimin apo  revokimin e dëshmisë së trashëgimisë, mund të bëhet ankim në gjykatë, sipas rregullave për  gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.


Leku në pikiatë, forcohet euro


Monedha evropiane ka fituar epërsi në raport më lekun, në tregun valutor në vendin tonë, duke u shkëmbyer me 140.8 lekë. Ekspertët e ekonomisë rendisin disa faktorë që kanë çuar në forcimin e euros. Sipas ekspertëve, ka 2-3 javë që euro ka një tendencë të lehtë rritjeje dhe unë mendoj që mendoj që ndikojnë dy faktorë, të brendshëm dhe të jashtëm. Ndërsa në faktorët e brendshëm kam parasysh një tendencë sezonale, euro ka një tendencë në rritje. Mund të ketë edhe faktorë strukturorë. Nëse sasia e euros në treg është më e vogël se kërkesa për të, natyrisht që ka një moment forcimi; për arsye që lidhen me bilancin e pagesave, me bilancin tregtar, me zvogëlimin e remitancave. Ndikimi negativ i euros ka të bëjë me faktin se një pjesë e madhe e kredimarrësve në Shqipëri, i kanë marrë kreditë në euro. Kjo kategori kredimarrësish natyrisht që çdo muaj del dhe blen në treg euro për të shlyer këstet e kredisë dhe në këtë sens mendoj që këta janë më të prekur. Nga ana tjetër, mendoj që më të favorizuar janë ato familje, që të ardhurat kryesore dhe konsumin e bëjnë në euro. Dobësimi i lekut favorizon eksportet shqiptare, por njëkohësisht na rrit koston apo shpenzimet për importe. 

Shtoni një koment
1 Komente
f. gce
tani makivalet politikne te allbanise u ngopen me prona qyl nga te popullit,ndaj ndryshuan edhe ligjet e trashegimise.
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

1 + 5 =