Thellë

Sondazhi italian, e majta shkëputet me 9 pikë

  • 25 Maj 2013, 08:13
  • Përditësuar 19:21

Luis Tanushi


-Sondazhi i dytë i organizuar nga kompania italiane Piepoli thellon fitoren e koalicionit të majtë duke e nxjerrë me 8.5 pikë në avantazh. Nëse votimi do të bëhej sot, Aleanca e udhëhequr nga PS do të merrte 50.5 për qind të votave. Kurse koalicioni i djathtë merr 42 për qind të votave. Sondazhi është realizuar përmes 1000 intervistave telefonike ne te gjithë territorin shqiptar.


PS dhe PD ngrihen, bien të vegjlit


Ndërkaq, në pëlqimin sipas partive, Partia Socialiste ka arritur 42.5 për qind të votave, kurse Partia Demokratike ka 37.5 për qind. Të dyja këto forca politike kanë pësuar një rritje të mbështetjes, kjo e lidhur edhe me prezantimin kandidatëve dhe të programit. Lëvizja Socialiste për Integrim ka siguruar 5 për qind të votave. Po kaq ka edhe Fryma e Re Demokratike. Aleanca Kuq e Zi ka vetëm 2.5 për qind të votave, duke pësuar një rënie drastike nga të dhënat e mëparshme. Kjo periudhë lidhet edhe me largimin e drejtuesve të lartë të kësaj partie dhe të anëtarësisë.


E majta triumfon në Tiranë


Diferenca midis kampeve reflektohet edhe tek të dhënat për Qarkun e Tiranës, ku koalicioni i majtë është plot 12 pikë përpara, duke udhëhequr me 52 për qind, kundrejt 40 për qind të votave që merr koalicioni djathtë. Në krahasim me përqindjen në të gjithë vendin, në Tiranë Fryma e Re Demokratike ka një rritje të lehtë duke siguruar 6 për qind të votave në kryeqytet, kurse Aleanca Kuq e Zi vetëm 2 për qind. Në total në Tiranë, PS merr 47 për qind të votave, kurse LSI merr 4 për qind dhe 1 për qind partitë e tjera të koalicionit. Në koalicioni e djathtë, PD merr 37 për qind të votave kurse 3 për qind shkojnë për partitë e tjera. Sipas sondazhit, 11% e të anketuarve janë të pavendosur se për kë do të votojnë në 23 qershor, ndërsa 89% e kanë vendosur tashmë.


Pjesëmarrja në votim


Nëse shqiptarët do të votonin sot, 81% e tyre shprehen se do te shkonin në kutitë e votimit, “me siguri po” 73%, “sigurisht jo” 16%, “ndoshta jo” 3%, “ndoshta po” 8%. Krahasuar me sondazhin e një muaji më parë, mbështetja për FRD-në ka rënë me 0.5%, për AK me 3%. Në qarkun e Tiranës 13% e të anketuarve nuk mendojnë të votojnë, ndërsa 87% mendojnë të shkojnë drejt kutive të votimit. Nga këta 15% janë të pavendosur për votën e tyre dhe 85% janë të vendosur.


Papunësia, shqetësim kryesor


Lidhur me problemet sociale më shqetësuese në Shqipëri, të anketuarit janë përgjigjur: papunësia 48%, kosto e jetesës 13.3%, korrupsioni 7.5%, shëndetësia 4.7%, kriminaliteti 3.8%, paqëndrueshmëria politike 2.7%, mungesa e infrastrukturës së duhur 2.6%, transparenca në administratën publike 2%, mungesa e shërbimeve 1.2%.


Integrimi në BE


Sa i përket çështjes së anëtarësimit, shqiptarët ende besojnë fort në aspiratën evropiane. Ndryshe nga skepticizmi i qytetarëve të tjerë të Europës, shumica e shqiptarëve është pro anëtarësimit në Bashkimin Europian. 91.8% e tyre mendojnë se, nëse Shqipëria bëhet pjesë e familjes evropiane, ata do të përfitojnë garanci për shërbime shëndetësore, 91.2% mendojnë se do të kenë shërbime më të mira në kopshte dhe shkolla, 89% besojnë në anëtarësimin e Shqipërisë në BE, 85.3% besojnë për punësime dhe pagesa bazuar mbi sistemin e meritokracisë


Besimi te liderët


Gara e figurave, Rama lë pas Berishën dhe Topin Në këtë fazë të dyte të studimit, jepen edhe të dhëna me përqindje për popullaritetin e figurave kryesore politike, Rama, Berisha apo Topi. Të pyetur se te cili lider politik kanë më shumë besim, 51% e të anketuarve kanë zgjedhur liderin e opozitës Edi Rama, 45% Kryeministrin Sali Berisha dhe 43% kreun e FRD-së Bamir Topi.


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

4 + 4 =