Jetë

Rrejnë rrejnë dhe pinë pak ujë! Unë dhe Sali Berisha

  • Eliona Lata
  • 02 Qershor 2013, 10:53
  • Përditësuar 15:53

Entela Resuli


Në një sallë të mbushur plot dhe në një skenë të rrethuar nga dengje kashte, aktori Besart Kallaku u shfaq si një katundar në metropol. Dy ditë më parë në sallën e Universitetit të Arteve, ai qëndroi për më shumë se një orë i vetëm përball publikut. Në javën e dytë të shfaqjes, e cila në fund do të përmbyllet me një super shou në Pallatin e Kongreseve, Besi, i cili njihet ndryshe si Gjini i “Portokallisë”, rrëfeu përmes rolit të tij se si e sheh një i ardhur nga fshati, qytetin. Besi thekson se kjo është shfaqje që rekomandohet të ndiqet nga qytetarët, për të kuptuar ata vetë se si duken në sytë e një katundari si unë, në këtë rast”. Ishin të shumta grimcat që solli për spektatorët. Nuk ngurojë të ironizonte politikën dhe fushatën që po jetohet në këtë periudhë. Ai, i përmendi pothuajse të gjithë liderët kryesorë të vendit madje bërë për ta disa batuta në formë pyetjesh: Pse, Kryeministri i vendit që ngre zërin nga mëngjesi në darkë të quhet lider dhe unë që ngre zërin në shtëpinë time quhem katundar? Ndërsa në momente pauze ai thekson: Dy janë në Shqipëri që rrejnë rrejnë dhe pinë pak ujë! Unë dhe Sali Berisha. Në rolin e një “idioti urban”, ai tregon kryeqytetin përmes syve të tij. Nuk nga nguruar të flasë as për Xhensilën, të fejuarën e tij. Ka rrëfyer me pak fjalë momentin e njohjes, dhe faktin që, atëherë kishte më pak shpenzime  ndërsa tani nuk i dalin këpucët e fustanet, por sigurisht kjo e ka bërë për të qeshur Xhensilën që Besi e quan engjëll. Ne kemi folur me Kallakun dhe ai na ka treguar më shumë për këtë shfaqje dhe çfarë e shqetëson atë sot. 


Besi, është hera e parë për ju i vetëm në një shfaqe. Është e vështirë të mbash ritmin?


Është hera e parë për mua në një “One man shou”. Dhe të gjithë motorët e tu duhet të jenë në maksimumin e fuqisë së tyre. I vetëm përballë gjithë publikut, domosdo që s’duhet të krijosh barqe.


Ja në prezantimin e shfaqjes thatë që, nëpërmjet këtij shou do të sillni; katundarin urban... 


Më shumë sesa e shoh unë katundarin në qytet, është si e sheh katundari qytetin. Të shohësh të gjithë shfaqen kupton se pak ka të bëje me katundarët dhe shumë me Shqipërinë.


Salla ishte plot, ka nevojë publiku të qeshë, apo ka shumë katundarë në Tiranë ?


Publiku qesh aty dhe në atë situatë ku sheh vetveten. Në Tiranë ka aq katundarë sa duhet për të mos thënë që është e sunduar, por thjesht e pushtuar.


Në një kohë kur shumë njerëz i ‘komplekson” prejardhja e tyre nga fshati, ju e thoni hapur, madje dhe rendisni anët pozitive të tij. Ju ka bërë kjo të paragjykuar apo të vlerësuar?


E gjithë shfaqja “Turbo Albania”, one catunar shou”, ka lindur si ide e parë fakti që unë nuk e kam fshehur kurrë këtë fakt. Madje e kam deklaruar gjithmonë, unë jam ky që jam sot për arsyen e mos mohimit të prejardhjes sime, dhe vënien në funksion të saj për të mirë të gjithë asaj natyrshmërie timen.


Çfarë ju shqetëson sot në Shqipëri?


Edhe në shfaqe jam munduar ta paraqes këtë. Aty ju zbuloni të gjithë problematiken shoqërore, politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri. Dhe gjithë “Portokallia” është një opozitë e çdo lloj negativiteti të shoqërisë shqiptare.


Cila është ajo gjë që iu vret syrin sa herë që dilni nga shtëpia?


Fakti që laj makinën dhe kur dal nga shtëpia ajo është bërë përsëri për t’u larë.


Çfarë ju bën për të qeshur dhe për të qarë në realitetin shqiptar?


Realiteti shqiptar është një tragjikomedi. Ky realitet të bën të qash dhe qeshësh.


Ju frymëzon fushata elektorale?


Kjo është gallata më e madhe, me fjalime, me rrena me gjëra... plot. (qesh)


Cila është qasja juaj me politikën, po me politikanët?


Me Gjinin qeshin të gjithë shqiptarët, politikanët, zyrtarët, qytetarët dhe katundarët.


Si i keni marrëdhëniet me ta?


Unë jam artist dhe i përkas të gjithëve.


Kush qesh më shumë me ju?


Nga të gjithë liderët politikë që kam parë të qeshin me mua, Ilir Meta qesh më shumë se të gjithë


Ke probleme me harxhimet që bën Xhensila për fustan dhe këpucë ?


Mos e pyet!(qesh). Megjithatë, i meriton të gjitha, për të thënë dhe më shumë se aq, jo veç materialisht por akoma më tepër anë shpirtërore. Megjithëse, unë jam engjëlli...(qesh), dhe ajo është engjëlli im.


Dashuria


Fustanet e  Xhensilës


Nuk kishte se si të ishte ndryshe. Sa herë që Bes Kallaku shfaqet diku nuk mund të lër pa përmendur dhe të dashurën e tij, Xhensila Myrtezain. Këtë e ka bërë edhe në shfaqen e tij si i vetëm në skenë, ku ka treguar me nota humori, njohjen me Xhensilën. “ Kur e njoha unë Xhesin- u shpreh Besi, ajo ishte vetëm 17 vjeç, atëherë dy fustane në muajt donte, ndërsa tani do ndonjë palë këpucë e fustan çdo ditë. Megjithatë, unë jam engjëlli i asaj,  ndërsa në sfond është dëgjuar kënga “Engjëlli im” kënduar nga Myrtezai, dedikuar Besit. Me tej, ai ka vazhduar me humorin e tij duke thënë: nëse engjëjt janë si puna ime, zoti ka falimentuar”- kjo i ka bërë të gjithë të qeshin përfshi këtu edhe Xhensilën, e cila ishte në sallë duke ndjekur shfaqen. 


Ndërsa vetë ajo për njohjen e tyre, na tregon seriozisht dhe pa humor: “Pa diskutim që ka qenë një gjë krejt spontane dhe e rastësishme. Besi më pa në rrugë. Po ecja me mamin dhe ndaloi duke i thënë sime meje: “Qenke shumë me fat që paske një vajzë kaq të bukur”. Mami e mori me të qeshur duke iu përgjigjur që edhe unë e kam vajzën artiste”, shprehet Xhensila. “Ajo e kishte shumë qejf Besin si aktor, dhe unë gjithashtu. Ka qenë një ndër aktorët e mi të preferuar të “Portokalli”-së. Pas kësaj ai pyeti sa andej-këndej dhe u takuam sërish. Tashmë kemi 5 vite e gjysmë bashkë dhe mund të flasim për një lidhje të konsoliduar-”, shton më tej ajo.


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

4 + 6 =