Thellë

Nuk paguan vendimet e gjykatave, në gjyq qeveria


Luis Tanushi 


-Nuk ekzekutohet dhënia e dëmshpërblimit ndaj punonjësve të larguar padrejtësisht nga puna apo ndaj bizneseve private që kanë fituar gjyqet me institucionet shtetërore. Janë me mijëra punonjës që kanë rifituar të drejtën për t’u dëmshpërblyer nga institucionet shtetërore për pushim të padrejtë nga puna, por nuk arrijnë t’i marrin këto para. Gjithashtu janë të shumta bizneset private që kanë fituar të drejtën për t’u kompensuar, por për shkak të vështirësive financiare institucionet shtetërore shtyjnë vazhdimisht dhënien e detyrimit. Institucionet shtetërore kanë shfrytëzuar një udhëzim të Këshillit të Ministrave nga i cili kanë të drejtë që të kërkojnë në gjykatë dhënien me këste të dëmshpërblimit duke u kthyer në një problem për të gjithë qytetarët. Për të mos lejuar vijimin e kësaj situate, Avokati i Popullit ka paditur në Gjykatën Kushtetuese Këshillin e Ministrave, Ministrinë e Financave si dhe Ministrinë e Drejtësisë. Në kërkesën e tij, institucioni i Avokatit të Popullit kërkon “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të Udhëzimit të Këshillit të Ministrave nr.2, datë 18.08.2011 “Për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare të institucioneve buxhetore në llogari të thesarit”. Burime nga kjo gjykatë bëjnë të ditur se kërkesa është pranuar nga trupa e kolegjit dhe se më 17 shtator pritet që të zhvillohen edhe séance gjyqësore ku ekzekutivi do të jetë përballë institucionit të Avokatit të Popullit. 


Udhëzimi


 Dy vjet më parë, Këshilli i Ministrave do të miratonte udhëzimin për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare të institucioneve buxhetore në llogari të Thesarit. Bëhet fjalë për detyrimet monetare të njësive të qeverisjes së përgjithshme, që rrjedhin nga vendimet gjyqësore të formës së prerë. Sipas këtij udhëzimi, njësitë e qeverisjes së përgjithshme janë përgjegjëse për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin prej tyre. Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore realizohet nga njësia shpenzuese përgjegjëse me fondet buxhetore, të akorduara në ligjin vjetor të buxhetit përkatës, për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore ose nga të ardhura të tjera të siguruara nga njësia e qeverisjes së përgjithshme, në bazë të legjislacionit përkatës dhe të cilat shërbejnë si burime financimi. Njësitë e qeverisjes së përgjithshme, çdo vit, parashikojnë fonde buxhetore të planifikuara për shpenzimet që do të kryejë institucioni për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Përmes udhëzimit, qeveria porositi institucionet se në rastin kur njësia shpenzuese nuk ka ekzekutuar në mënyrë vullnetare vendimin gjyqësor të formës së prerë, përmbaruesi gjyqësor fillon procedurat e ekzekutimit të detyruar. Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore, kur njësia shpenzuese nuk ka ekzekutuar, në mënyrë vullnetare, vendimin gjyqësor të formës së prerë, kërkohet të bëhet nga llogaria e tyre e thesarit. Nëse pagesa nuk bëhet, atëherë përmbaruesi mund të kërkojë vendosjen e masës së sekuestros. Praktika ka treguar se janë të pakta rastet kur përmbaruesit përballen me institucionet shtetërore. Në rastet kur institucionet e ndryshme shtetërore që kanë detyrime, nuk janë në gjendje të shlyejnë as një pjesë të detyrimit sipas vendimit gjyqësor, ato i drejtohen gjykatës për shlyerjen pjesore të detyrimit me fondet e vitit/viteve në vijim, duke bërë edhe njoftimin përkatës, pranë përmbaruesit gjyqësor. Këto institucione do të jenë të detyruara që të planifikojnë me përparësi fondet e nevojshme për shlyerjen e këtyre detyrimeve të mbartura.


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

3 + 8 =