Kabineti “Rama”, qeveria me 16 ministri

  • Eliona Lata
  • 25 Korrik 2013, 05:58
  • Përditësuar 08:31


Luis Tanushi 


-Strukturë parazitare dhe trupë qeveritare me shumë degëzime, e mbushur me parazitë”, kështu e përshkroi dje Rama administratën aktuale qeveritare. Këtë analizë kryeministri i zgjedhur Edi Rama e bëri gjatë prezantimit të strukturës së kabinetit të ri qeveritar. Ai deklaroi se javën e parë të gushtit priten të publikohen edhe emrat që do të drejtojnë ministritë. 


Qeveria e re 


Në një dalje të posaçme për median, pikërisht të mërkurave kur zhvillohet edhe mbledhja e zakonshme e Këshillit të Ministrave, Rama zbardhi organigramën me 16 ministri nga 15 që janë aktualisht, ndërsa janë shtuar edhe tre minis-tra pa portofol. Qeveria do të ketë një zv/kryeministër që nuk do të ketë asnjë post tjetër. Ministria e Ekonomisë do të ndahet në dy dikastere, atë të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe në Ministrinë e Energjetikës e Industrisë. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, pritet të mbulojë sektorët e zhvillimit rajonal, do të mbulojë problematikën e klimës së biznesit, do të mbulojë gjithë detyrimet që burojnë nga marrëveshjet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, mbrojtjen e konsumatorit, dhe mbi të gjitha do të mbulojë marrëdhënien me sipërmarrjen. Ndërsa Ministria e Energjisë dhe Industrisë, pritet që të mbulojë me fokus të plotë projektet e zhvillimit në fushën e energjisë me impakt kombëtar dhe rajonal, si dhe gjithëpjesën që ka të bëjë me pasuritë natyrore, minierat, hidrokarburet dhe industrinë e lehtë. Edhe Ministria e Transporteve do të ndahet në 2, e Transportit dhe Zhvillimit te Infrastrukturës si dhe në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Kabineti i ri do të ketë dhe tre ministra, atë për Inovacionin dhe Administratën Publike, ministrin për Çështjeve Vendore si dhe ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin. Përsa sa i takon Ministrisë se Financave, asaj te Brendshme, te Mbrojtjes, Ministrisë se Jashtme, asaj te Mjedisit, Integrimit dhe Ministrisë se Drejtësisë, reforma e thelle strukturore do te jete brenda tyre pa prekje te jashtme. 


Struktura e kabinetit 


Kryeministri deklaroi se kabineti i ri qeveritar do t’i nënshtrohet një reformimi dhe ristrukturimi do të ketë reformim, ristrukturim dhe ndarje të fokusit të punës, me qëllim efikasitetin e lartë dhe shkurtimin e shpenzimeve. “Struktura e re është e ndërtuar mbi bazën e një analize të hollësishme të strukturës ekzistuese dhe të gjithë degëzimeve të strukturës ekzistuese, që në këndvështrimin tone përbëjnë një trupë më shumë parazitë dhe kërkojnë shkurtim. Struktura e Qeverisë së re është ndërtuar mbi bazën e prioriteteve, por edhe të disa nevojave që ka vendi, duke konsultuar shumë struktura qeverish në vendet e reja të BE, dhe duke marrë në konsideratë domosdoshmërinë që të kemi një qeveri, e cila të ketë shumë më tepër fokus, shumë më tepër përgjegjësi të qarta mes sektorëve dhe shumë më tepër mundësi për të krijuar kushtet që të prodhojmë rezultate me shumë më pak shpenzime nga taksat e qytetareve”, tha Rama. Kreu i ri i qeverisë paralajmëroi se do të ketë ristrukturim të plotë dhe të thellë në godinën apo organikën e kryeministrisë. “Do të ketë shkurtim të ndjeshëm të kësaj organike. Do të vendoset një raport i ri i drejtë dhe efikas mes kabinetit të Kryeministrit dhe gjithë piramidës, që sot rezulton në këndvështrimin tonë shumë e mbingarkuar dhe në një pjesë të konsiderueshme parazitare”, tha Rama. Për kreun e ri qeverisë, do të ketë shkurtim drastik të komiteteve ndërministrore dhe reduktim të numrit të tyre, në funksion të rritjes së fuqisë koordinatave të këtyre komiteteve. Ndërsa, ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin sipas Ramës, do të jetë në kuadrin e një marrëdhënieje të re mes ekzekutivit dhe legjislativit, kur ministrat nuk kanë mandatin e deputetit. Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se kabinetet do të kenë 1-2 zv.ministra, në ndryshim nga kabineti i qeverisë Berisha i cili është i tejmbushur me 31 zv. ministra. Vetëm Ministria e Brendshme ka 3 zv.ministra , ndërsa Ministria e Kulturës plot katër të tillë, duke kënaqur të gjithë aleatët e tij të vegjël. 


 Rama: Qeveria do ketë numrin më të madh të grave 


Ashtu sikurse gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Tiranës, lideri i së majtës do t’ia besojë drejtimin e një numri të madh të ministrive pikërisht grave. Përmes postimit të tij në Facebook, kryeministri i ardhshëm u shpreh se pjesëmarrja e gruas do të jetë më e madhja në historinë e vendit. “Për gjithë ata që pyesin pafund për përbërjen e qeverisë, mund të them vetëm se do ketë numrin më të madh të grave në historinë e vendit”, shkruan Rama. Edhe në zgjedhjet e 23 qershorit, Partia Socialiste kishte numrin më të madh të femrave të cilët do të përfaqësohen në parlamentin e ri. Edhe në strukturat drejtuese të kësaj partie, i është dhënë prioritet femrave. 


Qeveria “Piktori 1” rrit me 30 % shpenzimet 


Kryeministri Berisha e ka etiketuar strukturën e re të drejtuar nga Edi Rama si qeveria “Piktori 1”. “Fillim i mbarë për të luftuar krizën! Rriten shpenzimet e qeverisë për veten e saj me 30%! Të dashur miq, risitë e para të qeverisë "Piktori 1" janë: Rritet me 30% numri i anëtarëve të kabinetit; rriten me 30% shpenzimet e qeverisë për veten e saj. Kështu mendon ai se luftohet më mirë kriza?! Shkenca për qeverinë “Piktori 1" nuk ekziston (e gjora mori malin!); Kushërira Koleka merr administratën në varësi, për hatër të kushëririt; 1 milion hektarë pyje mbeten jetim; Ndarje torte për orekse të sëmura. Hajde qeveri, hajde! “, shkruan kryeministri.


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

9 + 5 =