Takimi i Ramës me aleatët, saktësohet marrëveshja parazgjedhore

  • 25 Korrik 2013, 18:05
  • Përditësuar 18:41


 


Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili do të jetë kryeministër i Shqipërisë në shtator, mblodhi ditën e sotme aleatët e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. 


Fillimisht, mbledhja në të cilën u saktësua marrëveshja parazgjedhore mes aleatëve, ishte caktuar të mbahej në orën 17:00, por ka nisur vetëm rreth orës 19:00 për shkak të mungesës së disa prej krerëve të partive, të cilat janë pjesë e koalicionit, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. 


Në takimin, i cili u zhvillua me dyer të mbyllura në selinë e PS-së është vënë re mungesa e kryetarit të PSD-së, Skënder Gjinushit. 


Në takim morën pjesë, Paskal Milo i PSD-së, Petro Koçi i PSV 91, Ervin Mete i G-99, Spartak Ngjela i PLD-së, Artur Dojaka i AP-së, Zef Bushati i ADK-së, ndërsa Vangjel Dule i PBDNJ-së dërgoi një përfaqësues në këtë takim.


Pas takimit, menjëherë është prononcuar Spartak Ngjela, i cili tha se ai e kishte bërë marrëveshjen me Ramën që para zgjedhjeve, duke lënë të kuptohet se në mbledhjen e sotme, është saktësuar marrëveshja parazgjedhore. 


Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu PKD-së, Mark Frroku, i cili e cilësoi takimin me Ramën si një takim mjaft të frytshëm. Ai shtoi se në këtë takim nuk u diskutua për ndarjen e posteve ministrore. 


Marrëveshja parazgjedhore


Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi para zgjedhjeve një marrëveshje me aleatët e tij të vegjël, duke u premtuar se në se do të sigurojnë mbi 10 mijë vota, do të marrin dhe poste kyçe në qeverisje si ministër dhe zëvendësministër. Nëse një parti merr nga 500 deri në 1000 vota në çdo qark, ajo do të ketë një vend të garantuar në bashkëqeverisjen lokale të atij qarku.


Ndërsa, kontributi në pushtetin qendror, që nënkupton drejtimin në rang drejtorish, lista do fillonte me vlerësimin nga 5 mijë vota deri në 10 mijë vota në çdo qark. Por, ajo parti që do arrinte të merrte një deputet direkt do të kishte një vend të sigurt ministri në qeverinë e re, në rast fitore të koalicionit të majtë më 23 qershor.


Bazuar mbi rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshëm, përveç Partisë Socialiste dhe asaj të Lëvizjes Socialiste që kanë një marrëveshje specifike bashkë për numrin e ministrive, edhe aleatët e vegjël nuk do të dalin pa fituar diçka. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e cila ka fituar një mandat deputeti, e ka të hapur rrugën për të marrë një post ministror, ashtu sikurse edhe partia Kristian Demokrate e Shqipërisë.


Edhe Aleanca Popullore, ndonëse nuk arriti të sigurojë një mandat, për shkak të 9 mijë votave të marra, është në bisedime për të marrë post në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Partia Ligj dhe Drejtësi mbetet në pritje që të marrë drejtimin një dikasteri, siç është deklaruar personalisht nga kryetari i saj Spartak Ngjela. Me poste zv.ministri priten që të kënaqen aleatët e tjerë si PSD-ja, PDS-ja dhe PSV 91.


/Shekulli Online/Përgatiti: E.D/

Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

1 + 5 =