Thellë

Rama shpall emrat e 19 ministrave të rinj

  • 01 Gusht 2013, 05:15
  • Përditësuar 13:33

Luis Tanushi


-Qeveria e surprizave. Kështu mund të etiketohet kabineti i ri qeveritar i cili do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhme me kryeministër Edi Ramën. Por, siç kishte premtuar, qeveria e tij do të bahet mend edhe për numrin më të madh të ministrave femra që Shqipëria ka patur ndonjëherë, plot 6 nga 19 anëtarë kabineti. Në ditën e fundit të muajit korrik, kryeministri i zgjedhur Edi Rama zgjodhi daljen përpara mediave për të prezantuar personalisht të gjithë emrat e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë për mandatin qeverisës 2013-2017. I gjithë kabineti qeveritar është mbështetur në burimet njerëzore të dy partive kryesore të së majtës, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Asnjë prej aleatëve më të vegjël nuk është përfaqësuar në qeveri. Kjo nuk ka ndodhur as me Kristian Demokratët e Mark Frrokut, që i dhanë të majtës fitoren në Shkodër, as me PDS-në e Milos, e renditur si partia e tretë e aleancës së majtë me gati 13 mijë vota, as me PBDNJ-në, tradicionalisht pjesë e qeverive. Por, edhe pse nuk kanë mundur që të përfaqësohen në nivelin e parë, priten që aleatët të shpërblehen me poste të nivelit të dytë dhe të tretë për mbështetjen që i kanë dhënë opozitës. Një tjetër detaj i qeverisë “Rama” është se të gjithë janë me origjinë shqiptare, ndryshe nga kabinetet e mëparshme që kanë pasur në përbërjen e tyre edhe me kombësi greke.


Ministrat e PS-së


Edhe numri dy i kabinetit qeveritar do t’i përkasë Partisë Socialiste, e cila ia ka besuar detyrën e rëndësishme Niko Peleshit. Pas drejtimit të Bashkisë së Korçës dhe rezultatit të mirë të arritur në zgjedhje, lideri i së majtës Edi Rama ka zgjedhur që t’i besojë drejtimin e qeverisë në rast mungese të atij vetë. Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë do të drejtojë financat shqiptare në këtë situatë të vështirë ekonomike në të cilën ndodhet vendi, ndërsa I duhet të implementojë edhe skemën e re të PS-së për taksimin progresiv. Sajmir Tahiri, i cili arriti rezultatet pozitive në Tiranë në zgjedhjet e 23 qershorit, do të drejtojë Ministrinë e Brendshme. Edhe gjatë viteve të opozitës, Tahiri ka qenë një nga deputetët më kritikë ndaj qeverisë Berisha duke denoncuar raste të inkriminimit të drejtuesve të forcave të policisë. Surpriza më e madhe ka qenë vendosja e një deputeteje femër në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjithsesi, deputetja Kodheli njihet për dorën e saj të fortë në drejtimin e institucioneve. Ajo është diplomuar për Financë në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës, dhe ka kryer studimet master në Administrim Biznesi në Universitetin e Nebraskës. Ajo mban gradën Doktor në Ekonomi dhe Financa Ndërkombëtare nga Universiteti i Veronës, Itali.


Ka qenë zëvendëskryetare e Bashkisë Tiranë, Prefekte e Qarkut Tiranë dhe është anëtare e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes,Arben Ahmetaj, ka punuar më parë si Shef i Kabinetit të Ministrit të Financave, Zëvendës Ministër i Integrimit Europian dhe i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste dhe Kryetar i Sekretariatit për Sipërmarrjen dhe Grupet e Interesit. Në krye të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë do të jetë Damian Gjiknuri, i cili është diplomuar për Drejtësi. Ai është anëtar i Komisionit të Ligjeve dhe i Administratës Publike si dhe anëtar zëvendësues në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës. Në vitin 2011 është zgjedhur Sekretar për Çështjet Zgjedhore në PS. Damian Gjiknuri ka qenë bashkautor i Kodit Zgjedhor të vitit 2008 dhe bashkëdrejtues i Komisionit të Reformës Zgjedhore 2011- 2012. Në krye të diplomacisë shqiptare do të jetë Ditmir Bushati, i cili ka punuar si Drejtor i Përafrimit të Legjislacionit në Ministrinë e Integrimit Europian. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit do t’i besohet Eglantina Gjermenit. Ajo është zgjedhur deputete e Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, ndërsa gjatë kësaj legjislature ka shërbyer si anëtare e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale. Nga janari i vitit 2012, Eglantina Gjermeni është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë do të jetë Ilir Beqja, i cili ka qenë për një periudhën deputet i PS-së, ndërsa ka drejtuar edhe punën për programin qeverisës të kësaj force.


Ministria e Arsimit dhe Sportit do t’i Lindita Nikollit, e cila njihet në kryeqytet si drejtuese e Minibashkisë nr. 1 për shumë vite. Në krye të ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të jetë Erjon Veliaj. Pas përfundimit të studimeve në Amerikë, ai do të angazhohej me shoqërinë civile, ndërsa aktualisht mban detyrën e Sekretarit për Rininë dhe Emigracionin në Partinë Socialiste. Ministria e Kulturës do t’i besohet përkthyeses, publicistes dhe pedagoges së njohur Mirela Kumbaro. Partia Socialiste do të ketë dhe të tre ministrat e shtetit. Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike do të jetë Milena Harito cila është Doktore e Shkencave në Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimeve Elektronike. Gjatë kësaj periudhe është marrë gjerësisht me programin e PS-së. Bled Çuçi do të jetë ministër për Çështjet Vendore. Por, drejtimi i këtij institucioni nuk është i papritur. Më herët, Çuçi ka qenë drejtor ekzekutiv i shoqatës për Autonominë Vendore dhe nënsekretar i Partisë Socialiste për zgjedhjet. Ka marrë pjesë dhe në reformën e fundit zgjedhore. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin do të jetë Ilirjan Celibashi, i cili ka përfunduar studimet për Drejtësi, ndërsa ka qenë anëtar dhe kryetar I Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.


Ministrat e LSI-së


Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka marrë asnjë prej ministrive që ka drejtuar gjatë mandatit qeverisës me Partinë Demokratike. Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 5 poste ministrore duke vendosur njerëzit e saj në krye të ministrive tepër të rëndësishme, si ajo e Drejtësisë, Bujqësisë, Mjedisit, Transportit dhe Infrastrukturës si dhe në Ministrinë e Integrimit Europian. Emrat që do të përfaqësojnë këtë force politike ne kabinet janë figura të cilat janë ulur edhe më herët në karrige ministri gjatë bashkëqeverisjes së LSI-së me Partinë demokratike. Kështu, Nasip Naço me profesion jurist shkon në drejtimin e ministrisë së Drejtësisë, ministri kjo e konsideruar si shumë e rëndësishme në programin qeverisës të së majtës. Përveçse me një karrierë të gjatë si prokuror, ka qenë Ministër i Energjetikës dhe nënkryetar Parlamenti. Edmond Panariti, cili ka studiuar për Mjekësi Veterinare, do të drejtojë ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural e Administrimit të Ujërave. Gjatë karrierës së tij të gjatë ka ushtruar detyra tepër të rëndësishme, duke drejtuar edhe diplomacinë Shqiptare dhe nënkryetar I Bashkisë së Tiranës. Edmond Haxhinasto në qeverinë e re do të mbajë detyrën e Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës. Haxhinasto ka mbaruar studimet për Anglisht, për të thelluar më pas studimet në nivel Master për Nivele Ekzekutive të Administrimit të Biznesit, ndërsa ka kryer një sërë detyrash të rëndësishme. Klajda Gjosha i bashkohet ekzekutivit të ardhshëm në detyrën e ministres së Integrimit. Ndërsa Lefter Koka është një emër që LSI ka vendosur ta provojë në këtë kabinet për herë të parë në drejtimin e ministrisë së Mjedisit


Emrat e 15 deputetëve të rinj që përfitojnë nga ministrat


Ende pa nisur seanca e parë e parlamentit të ri, duket se ai do të rikonfigurohet pas deklarimit të emrave të rinj në postet ministrore, ku shumë deputetë do të duhet të lënë mandatin e tyre. Tirana do të jetë qarku ku do të kenë më shumë ndryshime, duke qenë se bëhen anëtar të kabinetit “Rama” 4 deputetë të partisë Socialiste dhe 1 nga LSI. 15 do të jenë numri i deputetëve të rinj, prej të cilëve 4 nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe 11 nga Partia Socialiste. Sipas nenit 164 të Kodit Zgjedhor, vakanca zëvendësohet me një pjesëtarë të listës të së njëjtës gjini, pavarësisht renditjes në listë. Por, gjithashtu, në nenin 175 pika 2 të Kodit Zgjedhor, parashikohet se: “Kur ndaj një subjekti zgjedhor është konstatuar shkelja, KQZ-ja zbaton si sanksion plotësues zëvendësimin e çdo vakance në listën e subjektit, në zonën ku është konstatuar shkelja, me kandidatët vijues në listë nga gjinia më pak e përfaqësuar deri në plotësimin e kuotës gjinore. Në rast se KQZ-ja vendos aplikimin e këtij sanksioni, përjashtimi i pikës 2 të nenit 164 nuk zbatohet dhe vakanca plotësohet sipas kësaj pike”.


Vakancat e krijuara nga deputetët e Partisë Socialiste në qarqet Elbasan, Durrës, Dibër, Gjirokastër e Kukës, për të cilat PS është gjobitur për mosrespektimin e barazisë gjinore, zëvendësohen detyrimisht me kandidate femra. E njëjta gjë ndodh dhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim, vakancat e së cilës, të krijuara në qarqet Berat, Durrës, Gjirokastër e Kukës, plotësohen me kandidate femra, pavarësisht renditjes së tyre. Në qarkun e Lezhës në vend të deputetes Mimi Kodheli do të jetë deputetja Mejreme Delishi, ndërsa në Fier do të ketë dy zëvendësime tepër të rëndësishme. Me emërimin e dy deputetëve, Gjermeni dhe Celibashi, ky qark do të përfaqësohet në parlamentin e ardhshëm me Adelina Ristanin dhe deputetin e legjislaturës së kaluar Anduel Xhindi. Fakt interesant është që deputeti Xhindi, edhe mandatin e kaluar e mori pas dorëheqjes së Eermelinda Meksit. Ndryshimet më të mëdha ndodhin në Qarkun e Tiranës ku nga Partia Socialiste 4 deputetë bëhen ministra, duke u dhënë kështu mundësinë Enkelejda Shkrelit, Bledar Doracajt, Ervin Bushatit e Blerina Gjylametit që të marrin mandatin e deputetit.


Gjylameti e merr mandatin referuar nenit 164 të Kodit Zgjedhor, megjithëse përpara saj në listë ishte kandidati Alfred Dalipi. Sa i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim, në këtë qark, me përzgjedhjen e Klajda Gjoshës si Ministre e Integrimit, i hapet rruga e betimit në parlament të deputetes më të re në historinë e Shqipërisë, Kejdi Mehmetaj, vetëm 20 vjeçe, ndonëse nuk e kishte menduar ndonjëherë se mund të zgjidhej në Parlament, do të jetë deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë. Ndryshime do të pësojë edhe lista e qytetit bregdetar të Durrësit, ku Ilir Beqja do të zëvendësohet nga Esmeralda Shkjau, e cila është e fundit në listën e PS-së në Qarkun e Durrësit. Sa i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim, në vend të Lefter Kokës që do të jetë Ministër i Mjedisit, do të jetë deputete e ardhshme Silvana Maksuti. Edhe në Qarkun e Elbasanit ndryshon lista e deputetëve, ku Damian Gjiknuri i lë mandatin Luljeta Arapit, ndërsa Edmond Haxhinasto i LSI-së zëvendësohet nga Miranda Rira. Në Qarkun e Gjirokastrës, në vend të Arben Ahmetaj dhe Erjon Veliaj, do të zgjidhen Vladimir Kosta dhe Dashamir Kamberi. Pavarësisht se për këtë qark Partia Socialiste është gjobitur dhe detyrimisht duhet të ishte një deputete femër, në listat e këtij qarku nuk kishte asnjë kandidate, prandaj vakanca kalon sipas radhës. Në Qarkun e Dibrës, deputetja e re e Partisë Socialiste do të jetë Ezmerina Hoxha e cila do të zëvendësojë Shkëlqim Canin, ndërsa në qarkun e Beratit, deputetja e ardhshme e LSI-së do të jetë Silva Caka që do të zëvendësojë Nasip Naçon i cili do të jetë ministër i Drejtësisë.


Pse ministrat janë vetëm nga PS dhe LSI?


Paraqitët emrat e kabinetit të ri qeveritar, folët për nivelin e parë të qeverisjes për të cilin premtuat që do të jetë me një energji të plotë për të punuar me përkushtim për vendin. Pyetja ime ka të bëjë me aleatët e tjerë të cilët gjithashtu kanë kontribuar me vota në koalicionin tuaj, në Aleancën për Shqipërinë Europiane në 23 Qershor. Çfarë parashikon formula qeverisjes në nivele të dyta, të treta për aleatët tuaj konkretisht?


Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim marrim përsipër peshën e pashmangshme të mandatit plebishitar të 23 Qershorit dhe mosndarja e kësaj peshe në nivelin e parë me aleatë të tjerë është thjesht dhe vetëm marrja e plotë e përgjegjësisë. Me aleatët më të mëdhenj apo më të vegjël, jemi në një proces diskutimi dhe ju siguroj se do të ndajmë përgjegjësi, por nuk do të ndajmë parcela. Do të ndajmë peshën e madhe të mirëqeverisjes, por nuk do të ndajmë drejtori për partitë; do të ndajmë së bashku rrugën e ndritur të betejës së madhe për një Rilindje Shqiptare, duke ecur më shpejt dhe duke lënë pas shumëçka e kaluara na mëson se e ka penguar Shqipërinë të jetë sot ajo që kanë merituar ata që në vitin 90’ e kërkuan si gjithë Europa.


Kush do ta drejtojë grupin parlamentar të Partisë Socialiste kur të nis legjislatura e re?


Kjo do t’i takojë momentit kur do të mblidhet grupi parlamentar dhe për këtë do të duhet të diskutojmë nga afër me grupin.


Zoti Rama, çfarë niveli përgjegjësie mendoni se do të ketë avokat Spartak Ngjela, njëri prej aleatëve tuaj?


Avokat Ngjela e ka marrë përgjegjësinë e tij kohë përpara ne të tjerëve, dhe ajo është një përgjegjësi e patjetërsueshme pavarësisht nga pozicioni, edhe pse me keqardhje them se nuk kemi rënë dakord për pozicionin. Kishit një marrëveshje, zoti Rama, përpara zgjedhjeve që ai do të merrte një post ministror. Kjo është pohuar edhe nga ana juaj publikisht, por edhe nga ana e zotit Ngjela.


Ku shkoi kjo marrëveshje?


Është e vërtetë. I është propozuar, e ka refuzuar në të drejtën dhe lartësinë e reputacionit të tij. 


Zoti Rama, përse nuk u mbajt premtimi elektoral për një ministri të emigracionit?


Nuk di të kem bërë ndonjë premtim elektoral për një ministri të emigracionit, mbase e ngatërroni me partinë çame. Kemi zotin Dule dhe zotin Frroku që kanë marrë mandat, por nuk janë në listën e gjatë të ministrave. Ndërkaq, pyetja e dytë është se cili do të jetë kriteri i vlerësimit të ministrave sipas secilës ministri dhe si do ti vlerësoni ju? Besoj do të më lejoni që kriteret e vlerësimit të ministrave t’ua them përpara ministrave dhe pastaj ju. Ndërkohë që padyshim kriteri themelor mbetet ai që thashë: “me nder dhe me duar të pastra në shërbim të popullit shqiptar”. Për sa i përket pyetjes së parë dëshiroj t’ju siguroj se me Vangjel Dulen jemi në sintoni për të vazhduar bashkëpunimin dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të jetë partnere në mirëqeverisje. Ashtu sikundër kemi hapur edhe një dialog me përfaqësuesin e partisë tjetër, zotin Frroku, por kemi çmuar se barra e mandatit të 23 Qershorit është një barrë që shqiptarët ia kanë dhënë PS-së dhe LSI-së si një barrë për ta mbajtur së bashku dhe për ta çuar së bashku në destinacionin e Shqipërisë europiane. Mos ndarja e kësaj barre në nivelin e parë nuk është shpërfillje ndaj aleatëve, por është ndjenjë shumë e lartë përgjegjësie e jona dhe e imja si kryetar i kësaj mazhorance.


Pse i prezantuat sot, një muaj përpara nisjes së Kuvendit, emrat e kabinetit të ri qeverisës?


Gjatë harkut kohor deri në shtator me çfarë do të merren këta ministra? Sepse është e udhës që të gjithë ministrat të marrin detyrat paraprake dhe të njihen me përmbajtjen e punës së tyre, të mendojnë dhe pastaj të punojnë bashkërisht për ato ndarje që duhen bërë të dikastereve ekzistuese dhe për punën që duhet bërë për të ndërtuar nga e para ato pjesë të punës që duhet të fillojnë nga e para. Ne duam që qysh në ditën e parë të fillojmë të qeverisim, jo të njihemi me punën që kemi përpara.


Do të doja t’u pyesja për kriteret me të cilat janë përzgjedhur ministrat. Shoh tek mbrojtja një ekonomiste apo tek industria një jurist për shembull....


Ministrat, pavarësisht se lënë mandatin e deputetit, janë njerëz që marrin përsipër drejtimin politik të institucionit. Po të nisemi me këtë pretendimin tuaj, atëherë as nuk ka pasur dhe ndoshta s’do ketë më piktor në krye të qeverisë së Shqipërisë. Por, kjo nuk do të thotë që unë nuk do të jem kryeministri më i suksesshëm në historinë e qeverisjes në Shqipëri.


Shtoni një koment
1 Komente
spartaku
Urime,urime,urime dhe mbare,mbare u vafte puna.Jini nje qeveri shume e mire aq e mire sa Sali Berisha me Lulezim Bashen po pullcasin nga inati.Ata gjithmon do tu ven pragje perpara se ashtu e kane ne genin e tyre,por ju as mos i degjoni fare,ata le te lehin si qente qe zokonisht i lehin henes.Ata do bertasin sa te kene ne koke per tu penguar juve,sepse nuk u vjuen mire kur ju te kini suksese.Atyre u ra hunda ne m..t qe ne 23 qershr dhe nuk i ndo me njeri.
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

5 + 3 =