Politikë

Miratohen tarifat e reja për shërbimet noteriale


Luis Tanushi


-Ministria e Drejtësisë ka ndryshuar tarifat e shërbimeve noteriale, aplikimi i të cilave  ka filluar me botimin në fletoren zyrtare. Sipas urdhrit  Nr.306, datë 31.7.2013 të firmosur nga ministri Halimi, janë shtuar disa shërbime të reja të cilat nuk kanë qenë më parë. Kontrata e kalimit të pronësisë pas procesit të legalizimit do të kushtojë 3 mijë lekë, një shumë kjo tepër e kripur po të mendosh dhe koston e legalizimit të objekteve. Në listën e shërbimeve noteriale, shtohen edhe kontratat e shkëmbimit të cilat do të kushtojnë 10 mijë lekë, ndërsa kontratat e koncensionit plot 15 mijë lekë. Po kaq do të kushtojë dhe lëshimi I dëshmisë së trashëgimisë testamentare, veprim juridik ky që ha përhapje tepër të gjerë, ndërsa lëshimi i dëshmisë së trashëgimisë ligjore do të kushtojë 10 mijë lekë. Të gjitha kontratat e tjera që nuk përfshihen në listat e shërbimeve që janë të afishuara pranë çdo zyre noterie, do t’u kushtojë shqiptarëve 7 mijë  lekë. Për shitjen e pasurive të paluajtshme dhe për transaksionet e pasurive të paluajtshme, shuma që do të paguajë qytetari do të jenë në varësi të vlerës. Kështu, për kalim pasurie të paluajtshme për shitje ose për dhurim  me vlerë nga 100 mijë – 6 milion lekë, qytetarët do të paguajnë  0.35 për qind të kësaj shume. Në çdo rast, nëse çmimi në kontratën e shitjes do të jetë më i ulët se çmimi i referencës i përcaktuar për atë zonë, tarifa do të llogaritet në bazë të çmimit të referencës. Edhe përqindja  që duhet të paguajnë qytetarët në arkat e noterëve për transaksionet financiare do të varet nga shuma. Për shumat deri në 1 milion lekë, do të paguhen 3 mijë lekë ndërsa për shumat nga 1 milion gjer në 5 milion 2,5 mijë lekë. Për të gjithë transaksionet financiare mbi 5 milionë lekë, tarifat noteriale do të jenë 2,3 mijë lekë. Ulje ka pësuar vetëm “kujtesa noteriale brenda vendit”, e cila ulet me 1 mijë lekë, nga 3 mijë ajo tashmë do të jetë vetëm 2 mijë lekë. E pandryshuar do të vijojë Kujtesa noteriale jashtë vendit, që kushton 4 mijë lekë. Në listën e tarifave të shërbimeve noteriale, shfuqizohet disa shërbime si: Kontrata qiraje  me tarifë 4.000 lekë; Kontratë huaje, kontratë huapërdorjeje  me tarifë 4.000 lekë; Depozitim shume me tarifë 4.000 lekë; depozitim pasurie me vlerë me tarifë 10.000 lekë; si dhe  Vërtetim nënshkrimi në deklarata personale me tarifë 1.000 lekë. Për kryerjen e akteve e të veprimeve noteriale paguhet një tarifë e cila caktohet nga Ministria e Drejtësisë, duke marrë edhe mendimin e Ministrisë së Financave dhe të Këshillit Kombëtar të Noterisë. Tarifa afishohet në çdo zyrë noteriale. Të ardhurat që burojnë nga veprimtaria noteriale e noterit, pasi paguhen taksat dhe detyrimet e tjera që parashikon ligji, kalojnë në pronësi të noterit. Kur personi fizik nuk është në gjendje të përballojë shpërblimin e shpenzimet që kërkohen për kryerjen e veprimeve noteriale mund të përjashtohet nga pagimi i tyre tërësisht ose pjesërisht nga vetë noteri, ose me vendim të këshillit të dhomës së noterëve. Noteri, në lidhje me të gjitha fushat e përmendura, kujdeset drejtpërdrejt për trajtimin fiskal që ka të bëjë me taksat e akteve, duke gjetur për secilin lloj taksimin e drejtë më të ultë për të gjithë subjektet në akte (shitës, blerës, shoqëri etj).


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

7 + 2 =