Ekonomi

Shitja e ARMO-s, azerët investitorë strategjikë

  • 25 Gusht 2013, 13:29

-Pronarët e rinj të ARMO-s kanë marrë në zotërim kompaninë me premtimin se do të njohin të gjitha detyrimet e krijuara apo që do të krijohen nga kjo kontratë privatizimi. Me fjalë të tjera, të gjitha investimet e premtuara do të realizohen, të gjitha detyrimet e krijuara ndaj palëve të treta gjithashtu do të shlyhen. Kjo është garancia që ka marrë Ministria e Ekonomisë nga kompania azere që ka blerë ARMO-n. Zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo në lidhje me marrëveshjen e shitjes së ARMO-s në një intervistë për Monitor".


Çfarë mund të na thoni për procedurat, si u arrit marrëveshja dhe sa ishte METE e përfshirë në këtë operacion?


Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e ka ndjekur nga mjaft afër procesin dhe natyrisht që vendimmarrja u morr me dijeninë tonë. METE, si përfaqësuese e shtetit, zotëron 15% të aksioneve të saj në ARMO ndaj dhe çështja ka qenë në ndjekje të vazh- dueshme. Më duhet të sqaroj se, në mendimin tim, kalimi i pronësisë vjen si rrjedhojë e zhvillimeve dhe vullnetit të përbashkët të dy kompanive të përfshira në transaksion, por edhe kushteve financiare dhe situatës ku u përfshi së fundmi ARMO. Sidoqoftë, çështja e ARMO- s dhe ekspozimi i saj ndaj sistemit bankar, është një çështje e brendshme e kompanisë dhe besoj se zgjidhja erdhi pas diskutimeve mes palëve për të arritur në një marrëveshje, pa zvarritur më tej komplikimet financiare. Por, për të gjithë ata të cilët duan të kuptojnë më qartë rolin dhe përgjegjësinë e METE-s në këtë proces: kontrata e privatizimit i jep të drejtën asaj për një periudhë 5-vjeçare, të shprehë dakordësinë (apo jo) të saj për shitblerjen e aksioneve ndërmjet kompanive. Ky parashikim i kontratës mundëson verifikimin e kompanisë, e cila kërkon të bëhet pjesë e privatizimit, në emër të ruajtjes së transparencës dhe interesit publik. Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë se shitblerjet e aksioneve midis kompanive, sipas ligjit të shoqërive tregtare, janë plotësisht “të lira” dhe nuk mund kurrsesi të bllokohen, me përjashtim të parashikimeve kontraktuale. Më duhet gjithashtu të përmend faktin se kjo e drejtë e METE-s, sipas vetë kontratës së privatizimit, ushtrohet vetëm për një periudhë 5-vjeçare pas datës së privatizimit, periudhë e cila përfundon në dhjetor 2013. Kjo do të thotë se METE nuk do të kishte tagër të shprehte mendimin e saj nëse ky transaksion do të ishte kryer disa muaj më vonë. METE, në vendimin e saj, mori parasysh tre faktorë: kompetencën teknike të kompanisë që hyn si pjesëtare në privatizim, kompetencën financiare, si dhe marrjen përsipër të detyrimeve që ka prodhuar kontrata, gjatë së gjithë kohës së saj. Pas një letërkëmbimi me kompaninë në fjalë, si dhe vënies në dispozicion të dokumentacionit nga ana e saj, të tria kushtet u vlerësuan të “plotësuara”, që METE të shprehej dakord për këtë transaksion.


A e plotësojnë ato kushtin e të qenët strategjikë?


Ky privatizim është quajtur gjithmonë si “strategjik”. Kjo për të vetmen arsye sepse sektori i hidrokarbureve dhe përpunimit të tyre është pjesë e sektorëve të “rëndësisë së veçantë”, sipas ligjit përkatës. Por, pavarësisht kësaj, ky sektor nuk ka barriera hyrëse dhe as dalëse, me pak fjalë është plotësisht i liberalizuar. ARMO është kompania e vetme brenda territorit të Shqipërisë që rafinon dhe përpunon hidrokarbure, por edhe në sajë të reformës rregullatore (eliminimit të barrierave hyrëse dhe dalëse në sektorë të veçantë të ekonomisë), të gjithë operatorët kanë mundësi të hyjnë lirisht në këtë treg. Praktikisht një gjë e tillë nuk ka ndodhur, çka tregon se ka pasur pak apo aspak interes për të ndërtuar rafineri në territorin shqiptar. Mendoj se kjo situatë ka ardhur për shkak të limitimit në infrastrukturë: porte jo shumë të thella dhe të përshtatshme për transportin masiv të hidrokarbureve, rrjet joekzistent i tubacioneve shpërndarëse, mungesë kapaciteti në depozitim etj. Për hir të së vërtetës, një kompani tjetër e njohur në tregun shqiptar (KURUM sh.p.k), ka marrë përsipër, nëpërmjet një kontrate koncesionare, të ndërtojë një rafineri në Shqipëri. Shpresoj që sipërmarrja e tyre të jetë e suksesshme. Prandaj, për t’iu përgjigjur plotësisht pyetjes tuaj, sektori i hidrokarbureve është plotësisht i liberalizuar, dhe përderisa nuk ekzistojnë kërkesa të veçanta financiare dhe teknike për të gjithë ata që duan të ndërtojnë një rafineri në territorin shqiptar, atëherë praktikisht nuk kemi përse ia kërkojmë këtë edhe kompanive të tjera, siç është rasti i kompanisë ARMO. Sidoqoftë, pesë vite më parë, në kontratë u parashikuan kushte shtrënguese, pikërisht për të ruajtur më mirë interesin publik dhe për të siguruar transparencën.


A jeni njohur me planet e kompanisë azere, për investimet që do të kryejnë dhe çfarë mund të presim në të ardhmen në tregun e përpunimit të karburanteve?


Pronarët e rinj të ARMO-s kanë marrë në zotërim kompaninë me premtimin se do të njohin të gjitha detyrimet e krijuara apo që do të krijohen nga kjo kontratë privatizimi. Me fjalë të tjera, të gjitha investimet e premtuara do të realizohen, të gjitha detyrimet e krijuara ndaj palëve të treta gjithashtu do të shlyhen. Mbi të gjitha, interesimi ynë ka qenë në lidhje me pagesat e prapambetura ndaj punëtorëve dhe organeve tatimore. Në mendimin tim, ky ndryshim pronësie do të kontribuojë pozitivisht në zgjidhjen e kësaj problematike.




  • Flet Eno Bozdo, zëvendësm inistër i Ekonom isë: pronarët e rinj do të shlyejnë gjithë detyrimet

  • METE, në vendimin e saj, mori parasysh tre faktorë: kompetencën teknike të kompanisë që hyn si pjesëtare në privatizim, kompetencën financiare

Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

4 + 3 =