Extra

Flota Tregtare, si u shitën për skrap transoqeanikët



Leonard Veizi


Dera metalike e Portit të Durrësi hapet për të edhe sot, të paktën 30 vjet pasi ai e ka mbyllur punën e tij si profesionist i lundrimeve. Detarët me përvojë, por edhe drejtuesit e portit vazhdojnë ta kenë në kujtesë kapitenin jetëgjatë në transoqeanikut “Tirana”. Ndërsa ai vetë, me një nostalgji të heshtur e trishtuese, thotë se nuk arrin ta besojë se si u shkatërrua për një kohë të shkurtër “piramida” e anijeve që u ble dhe u mbajtën me aq mundim nga shteti dhe që ishin krenaria e Flotës Tregtare të vendit tonë.


Në kohën e saj më të mirë, Flota Tregtare Shqiptare kishte të paktën 15 anije cilësore me të cilat mund të transportonte një ngarkesë prej rreth 80 mijë tonësh, në shumicën e porteve të botës. Fore Kureta, ish-kapiten anijesh për më shumë se 20 vjet, thotë se flota shqiptare, oficerët drejtues e marinarët e thjeshtë, ishin tepër korrektë dhe për këtë kishin fituar besimin në të gjitha bankinat ku ankoroheshin anijet me flamurin kuqezi.


Kur do të fillonin lundrimet me një anije të transportit tregtar?


Grupi ynë i mbaroi studimet në Bullgari, por provimin e fundit të diplomës e dha në Shqipëri. Në atë kohë marrëdhëniet tona me Kampin Socialist ishin përkeqësuar kështu që të gjithë studentët u kthyen. Deri në atë kohë, anijet e transportit shqiptar i kishin të huaj kapitenët. Kryesisht, ata ishin bullgarë dhe rusë. Pas acarimit të marrëdhënieve ata u larguan, kështu që ne u detyruam të merrnim shumë shpejt drejtimin e Flotës Tregtare. Që të titulloheshe Oficer i Parë apo Kapiten, duhet të bëjë disa vite lundrimi në det. Fillimisht unë u emërova si Oficer i Parë në anijen 5-mijë tonëshe “Durrësi” dhe më pas si Kapiten i anijes 3.500 tonëshe “Skënderbeu”. Më vonë u emërova kapiten i anijes 12.012 tonëshe “Tirana”.


Shqipëria bënte tregti vetëm me vendet e lindjes, apo dhe me perëndimin?


Shqipëria nuk ishte një vend i mbyllur edhe pse mendohej si e tillë. Ne bënin tregti me këdo. Anijet tona hynin në më shumë se 100 porte të botës. Në fillim, kur zbrisnim në portet e perëndimit, na vinin roje të na vëzhgonin sepse nuk kishin besim. Por ekuipazhet tona ishin shumë të rregullta dhe shumë shpejt u krijua besimi. Unë vetë, me anijen “Durrësi” por dhe me “Skënderbeun” kam shkuar për herë të parë në një port të Gjermanisë Perëndimore, por dhe në Holandë e në Angli, pa përmendur Italinë, Francën dhe gjithë portet e Mesdheut.


Cilat ishin ngarkesat më problematike që keni transportuar?


Rrugë shumë interesante kam bërë në Vietnam dhe Kore ku me anijen 5000 tonëshe “Durrësi” kam ngarkuar pajisje luftarake për avionët. Ndërkohë nga Anglia kemi transportuar 10 makina tip “Centaur” 40 tonëshe, që përdoreshin për Hidrocentralet, të cilat i lidhëm në kuvertën e anijes. Një nga problemet më të mëdha që kam hasur ka qenë transporti i dy kullave të mëdha që u montuan në Azotikun e Fierit. Kontrata thoshte që dy kullat, firma e transportit “Parizi” do të sillte në portin e Triestes, por në fakt ata i lanë në Venecia. Transhipi siguroi një ngarkesë me mallra që do të shërbenin si bazament për anijen. Por ngarkesa ishte problematike. Ato ishin dy kulla nga 52 ton, 54 metra të gjata dhe me diametër 4,70 metra.


Cilët nga krerët e lartë të shtetit kanë ardhur për vizitë në port?


Kanë ardhur të gjithë me përjashtim të Enver Hoxhës. Ai kishte premtuar që do të vinte, por ishte një vizitë që nuk u realizua. Por ka ardhur Hysni Kapo e Mehmet Shehu. Madje Mehmet Shehu e kishte zakon që nuk lajmëronte as Komitetin e Partisë së Durrësit, as Flotën dhe as Portin. Veçse kur vinte papritur. Ai futej jo vetëm në anijen time, sepse kishim miqësi të hershme, por në të gjitha anijet e tjera të portit. I merrte për qafe të gjithë marinarët. Gjatë punës time i kam dërguar dy herë radiograme Mehmet Shehut dhe dy herë kam gjetur zgjidhje. I adresohesha atij sepse Drejtoria e Flotës tregohej skeptike dhe nuk me jepte zgjidhje. Në anijen time kam pritur gjithashtu Beqir Ballukun, por dhe anëtarë të tjerë të qeverisë së asaj kohe.


Cilat ishin rreziqet në det gjatë lundrimit?


Jeta në det ka shumë të papritura. Tajfuni mund të nistë shumë larg anijes sonë dhe ne lundronin në det të qetë, pa dallgë e pa erë, veç kur papritmas fillonin dallgë të pabesueshme. Kemi lundruar me 8, 9, 10 e me më shumë ballë jo vetëm në oqeane, por dhe në Detin Mesdhe. Por lundrime të rrezikshme kemi bërë në Detin Indian.


A keni pasur raste urgjente, që kërkonin ndihmë të kualifikuar mjekësore?


Gjatë lundrimit në det, për fat nuk kemi pasur ndonjë rast urgjent. Por në porte na kanë ndodhur disa raste, ku kemi pasur nevojë edhe për spital. Një rast ka qenë në Roterdam, ku një pjesëtar i ekuipazhit pati një temperaturë të lartë dhe u shtrua urgjent në spital. Një rast tjetër ka qenë në Poloni, kur një nga pjesëtarët e ekuipazhit u rrëzua dhe e dëmtua, ndaj e shtruam në spital. Për çdo rast ne kishim një mjek me vete dhe në anije kishim ndihmën mjekësore ku ishte montuar dhe një sallë operacioni.


Si e kalonin kohën e lirë marinarët ndërsa udhëtonin për ditë të tëra në det?


Lexonin ndonjë libër, luanin me shah apo shihnin televizor, kur futeshin valët. Madje ne i kishim televizorët pa problem, sepse na qëllonte të shkonim në magazina, ku televizorët që i cilësonin si jashtë mode na i jepnin me çmim shumë të lirë. Më kujtohet se në atë kohë, komandanti dhe shefi i shtabit të Sazanit, morën një takim me mua dhe më dhanë këtë porosi. “Të lutem na sill një televizor se jemi të izoluar e nuk shohim asgjë”.


Çdo gjë duhet të kalonte nëpërmjet doganës?


Pa diskutim, por këtë herë ia hodhëm. Televizorin e hipëm në një skaf ushtarak, i cili u nis drejt e në Sazan. Në fund të fundit nuk ishte ndonjë shkelje e madhe, sepse burokracitë që një televizor të shkonte nëpërmjet urdhrave të dala nga Ministria e Mbrojtjes do të na hanin shumë kohë.


Sa lejonte dogana të fusje mall personal nga jashtë?


Ne kishim dieta qesharake dhe nuk mendohej se mund të sillnim shumë gjëra nga jashtë. Mund të them se për 6 muaj që qëndruam në Kinë, ne morëm 60 dollarë të asaj kohe. Por kishte një fakt; me një dollar mund të blije tre bluza najloni, sepse ato s’kishin vlerë. Ndërsa dogana në Shqipëri ato i konsideronte nga 3000 lekë të vjetra copën. Madje dogana kishte vënë një rregull, që lejonte mall deri në 40 mijë lekë të vjetra dhe mbi atë normë paguaje doganë. Megjithatë mund të fusnim ndonjë gjë që në atë kohë në Shqipëri ose s’kishte, ose mezi gjendej. Por ky ishte një privilegj i pakët në ballafaqim me atë çfarë hiqte një marinar në det ku nuk kishte pushim, as të diel, as ditë feste dhe as pasdite për të dalë shëtitje e për të pirë një kafe me familjen.


A keni shumë sende që i keni marrë gjatë qëndrimeve në portet e huaja?


Jam munduar të ruaj nga një send për çdo vend ku kam shkelur. Deri vonë kam pasur një bust të Stalinit që e kam blerë në Vietnam dhe një të Mao Ce Dunit, që ma dhuruan në një fabrikë në Kinë.


Sa ditë leje e zakonshme ju takonte në vit?


Duke parë parasysh këto rrethana një marinari të Flotës Tregtare i takonte 45 ditë pushimi, por në 20 vitet e mia të punës e them pa frikë se kam marrë tre herë lejen e zakonshme dhe asnjëherë nuk e kam bërë të plotë.


 


Rikrijimi i flotës me anije hekuri


Historia e lundrimit detar shqiptar nis që në kohët e lashta, por fill pas Luftës së Dytë Botërore u mendua për ngritjen e flotës tregtare. Deri në atë kohë, Shqipëria kishte vetëm anije të vogla prej druri. Në kuadër të rreshtimit ndër shtetet që pësuan dëme nga lufta, Shqipëria përfitoi mes të tjerave edhe tri anije tregtare. Dy prej tyre, “Sazani” dhe “Butrinti” 500 tonëshe erdhën fare të reja pas vitit 1961 nga Gjermania, ndërsa “Teuta” 1500 tonëshe, edhe kjo e re, në të njëjtën periudhë erdhi nga Italia. Më pas flota tregtare shqiptare u furnizua dhe me avulloret.Kështu u quajtën anijet “Durrësi” 5000 ton, “Partizani” dhe “Liria” 2500 tonëshe, të cilat erdhën në vitin 1961 nga Polonia krejt të reja, por që viheshin në punë me anë të avullit të prodhuar nga djegia e mazutit. Anijet përshkonin detet e të gjithë botës, duke u përdorur edhe për tregtinë me Kinën. Tre anijet u morën nga Polonia jo me të holla, por duke u këmbyer me minerale të ndryshme.


 


“Tirana”, një anije moderne 12 mijë tonëshe


Fore Kureta e ka marrë drejtimin e transoqeanikut “Tirana” vetëm pasi miku i tij i ngushtë, ish-kapiteni Rasim Shameti, hoqi dorë nga drejtimi i saj për shkak të sëmundjes së tij. Ai thotë se në atë kohë sapo ishte larguar nga detyra e Drejtorit të Flotës Tregtare dhe ishte drejtuar sërish nga pasioni i vjetër: “Një nga kulmet e progresit teknik të asaj kohe në fushën e lundrimit detar ishte anija “Tirana”. Ndërtimi i saj mbaroi në fund të vitit 1970 dhe erdhi për herë të parë në portin e Durrësit më 26 mars 1971. Ishte një anije me një helikë dhe me një motor, e destinuar për transportin e të gjitha llojeve të mallrave të thata. Anija ishte e gjatë 153 metra, e gjerë 19,4 metra, lartësia e bordit 11,65 metra dhe zhytjen e ngarkesës së plotë e ka 9,07 metra. Në kuvertë ishin të vendosura mekanizmat e akostimit, vinçat dhe spiranca. Lokali i makinerisë ishte në mes të anijes. Kishte tre hambarë në bash dhe dy hambarët në kiç, me një kubaturë prej 17.865 metër/kub. Mbulesat e hambarëve ishin të mekanizuar, hapeshin dhe mbylleshin në bazë të sistemit hidraulik. Anija kishte 20 vinça elektrikë dhe biga 5-10 tonëshe. Më e madhja ishte biga e rëndë 60 tonësh. Anija kishte dy sanalle shpëtimi, secila për 72 veta, njëra prej të cilave me motor. Anija kishte depozita me ujë të pijshëm e karburant që siguronin autonomi lundrimi për 15 mijë milje detare. Ura e komandimit ishte e gjerë, e përshtatshme për punë dhe e pajisur me të gjitha instrumentet më modernë të drejtimit të anijes. Kishte dy radarë njërin tip “Deka” dhe dispazon 0.7 deri në 48 milje dhe tjetrin tip “Kelvin” me diapazon 0.7-64 milje detare. Anija veç hambarëve dhe kuvertës kishte dhe një hambar frigoriferik që shërben për transportimin e mallrave ushqimorë. Por ajo kishte dhe një aparaturë për kthimin e ujit të detit në ujë të pijshëm dhe prodhon 12 ton në 24 orë” - thotë ish-kapiteni Fore Kureta.


 


Fati i Flotës Tregtare


Flota përbëhej nga 15 anije hekuri.Nga disa barka prej druri, me tonazhe të kufizuara, ajo shkoi në flotë të fuqishme rreth 80 mijë tonëshe. Kjo flotë fillonte me anijet më të vogla “Sazani” e “Butrinti” me nga 500 tonë ngarkesë për të vijuar me më të madhen e modernet “Arbëria” me 16 mijë tonë ngarkesë. Sot, sipas të dhënave, shumica e anijeve të dikurshme janë kthyer në skrap.


Arbëria                   16.000 tonë 1975, prodhuar në Suedi. Bllokuar në Turqi


Tirana                    12.012 tonë 1972, prodhuar në Poloni. Bllokuar në Greqi


Vlora                      12.600 tonë 1961, prodhuar në Itali. – jashtë përdorimit


Shkodra                 12.600 tonë 1961, prodhuar në Itali. – jashtë përdorimit


Durrësi                   5.000 tonë, 1961   prodhuar në Poloni. – jashtë përdorimit


Dajti                       4.600 tonë, 1960   prodhuar në Gjermani. – jashtë përdorimit


Skënderbeu,         3.600 tonë, 1960,  prodhuar në Bullgari. Peng në Itali pas eksodit


Mati                       3.500 tonë   1960  mbytur në Kostanca të Rumanisë


Partizani                2.500 tonë, 1961   prodhuar në Poloni. – jashtë përdorimit


Liria                        2.500 tonë, 1961   prodhuar në  Poloni. – jashtë përdorimit


Korabi                    1.500 tonë, 1965   prodhuar në  Itali. Bllokuar më 2002 në Itali


Sazani                    500    tonë, 1960,  prodhuar në Gjermani. – jashtë përdorimit


Butrinti                  500    tonë, 1960,  prodhuar në Gjermani. – jashtë përdorimit


Saranda                 1.000 tonë, 1984   prodhuar në Durrës. Shitur më 2006


 


Gjirokastra            2.700 tonë, 1983   prodhuar në Durrës. Shitur më  2006


Shtoni një koment
5 Komente
U
More do ta lypim xhaxhin Enver por sen e gjejme me. Kto hajnat tjere jane duke na derguar ne humnere.
Pa Emër
Po si do ta conim vendin ne gjendjen ZERO.Ndryshej nuk do garantohesh ceku i bardhe.
Demokracia Shqiptare asht demokracia ma e harllekshme duke u vecuar si me e vecanta e shteteve qe i hyne demokracie para 23 vjetesh.
berati
Ti more U pervec xhaxhit lutu edhe per brigadierin qe te pallonte mamin dhe motren se ne fund te fundit e ke babe.
Pa Emër
Bukur ja the Berati.

Rrespekt nag Kukësi
maloku
a mor enver coju e tregoju lalucave
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

7 + 7 =