Jetë

MASH, udhëzimet për vitin e ri arsimor që nis në 10 shtator

Albina Hoxha


Të gjithë nxënësit në shkollat e mesme dhe ato 9-vjeçare do të rifillojnë mësimin në datë 10 shtator. Në një udhëzim të MASH për drejtuesit e këtyre shkollave bëhen të ditura të gjitha datat e vitit të ri arsimor dhe disa nga regullat dhe afatet e reja për këtë vit. “Procesi mësimor do të përfundojë në 14 qershor 2013. Ndërsa maturat do të përfundojnë procesin mësimor me 24 maj 2013, për të filluar sezonin e provimeve i cili do të zgjasë 5 javë. Semestri i parë fillon më 10 shtator 2012 dhe mbaron më 23 janar 2013, ndërsa semestri i dytë fillon më 28 janar 2013 dhe mbaron më 7 qershor 2013” – janë disa nga të dhënat e këtij udhëzimi.


Regjistrimet


Regjistrimet e nxënësve në shkollat e arsimit parauniversitar fillojnë më datën 29.8.2012. Regjistrimet për arsimin bazë dhe gjimnazin mbyllen me 9.9.2012. Ndërsa për arsimin profesional me kohë të pjesshme mbyllen me 10.10.2012. Është detyrë e DAR/ZA-ve, që në bashkëpunim me pushtetin vendor, të sigurojnë regjistrimin e nxënësve në përshtatje me vendbanimin e tyre. Regjistrimi i nxënësve të arsimit bazë, që vijnë nga shkolla të tjera, të bëhet me fletëpranim dhe fletëshpërngulje, të cilat do të evidentohen me rigorozitet në balancimin e kontingjentit të nxënësve.


Tekstet shkollore?


Të paketës Altertekst Në shkolla, MASH thotë se do të përdoren vetëm tekste shkollore të miratuara. (lista e këtyre teksteve jepet në katalogët nr. 1 dhe nr. 2 të publikuar nga MASH-i online për vitin shkollor 2012- 2013). Drejtoritë e shkollave duhet të monitorojnë pajisjen e nxënësve me tekstet shkollore dhe të informojnë DAR/ ZA-të për ecurinë e procesit. Gjithashtu DAR/ZA-të do njoftojnë zyrtarisht Komisionin e Miratimit të Teksteve (KMT) në MASH për ecurinë e procesit të furnizimit të nxënësve me tekste shkollore, si dhe problematikat e mundshme (mungesë tekstesh, shitje librash jashtë katalogut, shitje pa faturë etj.) Ndërsa drejtoritë e shkollave duhet të fillojnë punën që në ditët e para të fillimit të vitit shkollor për zbatimin e udhëzimit të përbashkët të MASH-it dhe Ministrisë së Financave “Për procedurat e përdorimit të fondeve të Buxhetit të Shtetit për botimin, shtypjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve të arsimit parauniversitar dhe universitar”. Shitja e librave në shkollat e qyteteve do të bëhet në mjediset e shkollave. “Nuk lejohet që në këtë proces të marrin pjesë mësues dhe punonjës të DAR/ZA-ve. Drejtori i shkollës dhe punonjësit e DAR/ZA-ve të monitorojnë procesin, duke siguruar një ose dy klasa për shitjen e librave për një periudhë trejavore” – thotë udhëzimi. Në bibliotekat e shkollave duhet të jenë të gjitha alternativat e teksteve që do të shërbejnë për përzgjedhje këtë vit.


Pushimet


Pushimet për festat e fundvitit do të fillojnë me 24 dhjetor dhe do të përfundojnë me 6 janar të vitit 2013. Ndërsa periudha e dytë e pushimeve fillon do të jetë 4 ditë, 24-27 janar. Në fund të muajit mars do të jenë edhe pushimet e fundit për këtë vit akademik. Pushimet do të fillojnë 27 dhe do të përfundojnë me 31.


Gjuhët e huaja në arsimin parauniversitar


Në udhëzimin e vet MASH urdhëron DAR/ZA-të të raportojnë brenda datës 9 shtator 2012 realizimin e detyrimit për gjuhët e huaja. DAR/ZA-të në varësi të kuadrit mësimor duhet të planifikojnë mësimin e tri gjuhëve të huaja, (angleze, frënge dhe italiane) që në klasën e tretë të ciklit të ulët, duke respektuar funksionimin e shumëgjuhësisë. Ato duhet të bëjnë dhe raportojnë edhe “sigurimin e mësimit të gjuhës së huaj për nxënësit e klasës XI dhe XII, të cilët nuk kanë zhvilluar gjuhë të huaj gjatë shkollimit të tyre", - thuhet në udhëzimin e MASH.


 


Vlerësimi i nxënësit në gjimnaz

Numri më i vogël i krediteve, që duhet të sigurojë një nxënës në gjimnaz është 90 nga të cilat: 73 kredite i përkasin kurrikulës bërthamë, ndërsa 17 kredite i përkasin kurrikulës me zgjedhje të lirë dhe të detyruar. Numri i krediteve të kurrikulës me zgjedhje të detyruar mund të jetë 10-12, kurse numri i krediteve të kurrikulës me zgjedhje të lirë mund të jetë 7-5. Kur një gjimnaz (publik apo privat) zgjedh dhe mundëson të zhvillojë më shumë se 30 orë/javë, lëndët për orët shtesë (mbi 30 orë), përzgjidhen nga kurrikula me zgjedhje të detyruar. Në sesionin e dytë kanë të drejtë të japin provime vetëm nxënësit, të cilët kanë mbetur në një ose dy lëndë të vlerësueshme të planit mësimor të vitit përkatës (kurrikul bërthamë dhe me zgjedhje).


 


 


Kur nuk e kalon klasën një nxënës?

Nxënësi nuk e kalon klasën dhe ripërsërit atë, kur rezulton mbetës në tri lëndë të vlerësueshme (bërthamë ose zgjedhje), ose mbetet në sesionin e dytë, në të paktën një lëndë bërthamë/zgjedhje. Nxënësit që mbeten në klasë, nuk u njihen kreditet e fituara në atë klasë, me përjashtim të atyre të fituara për shërbimin komunitar dhe modulet profesionale, të cilat dëshmohen me certifikatë.

Shtoni një koment
1 Komente
malesori
I LUTEMI M.A .SH. TE NDERHYJE NE MENYRE TE SHPEJTE DHE SINJIFIKATIVE QE TE NDALOJE NE MENYRE KATEGORIKE QE MESUES OSE PROFESORE TE ORGANIZOJNE KURSE ME NXENESIT QE U JAPIN MESIM KUNDREJT PAGESES.SE DUAN TE ORGANIZOJNE KURSE LE TA LENE MESIM DHENIEN NE SHKOLLE DHE TE RREGJISTROHEN SI PROFESIONISTE TE LIRE DHE TE PAGUAJNE TAKSAT SIQ NDODH NE EUROPE.TE JESH I DY PUNESUAR NE SHTET ME DUKET E JASHTELIGJESHME DHE JASHTE CDO LOGJIKE.(PSE E THEM KETE : NGA SA KEMI INFORMACION MESUESIT BEJNE PRESION TEK NXENESIT ,SE KUSH NUK SHKON NE KURSE NUK KALON KLASEN, KJO NDODH VETEM NE SHQIPERI DHE DIHET NGA DREJTUESIT E ARSIMIT)DERI KUR DO TE VAZHDOJE KJO GJENDJE I NDERUAR MINISTER.KY QUHET KORRUPSION ME NDIHMEN E SHTETIT.
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

6 + 3 =