Trup&Shpirt

Turizmi shqiptar me fytyrë të re

Luela Myftari


- Blerina Ago është një vajzë fine, që po ta shihni në rrugë nuk do të mendoni se është një nga ato vajzat që çmendet për pak adrenalinë. Është diplomuar në shkencat juridike dhe ndjek një lloj stili në veshjen e saj të përditshme që nuk lidhet aspak imazhin e vajzës që ajo lë gjatë lundrimeve nëpër lumenjtë e Shqipërisë. Që prej vitit 2009, ajo është zëvendëspresidentja e Albania Rafting Group. Dhe që prej këtij vit, Ago ka punuar shumë që t’i sjellë këtij vendi të ardhura nga ky lloj turizmi. E në fakt, përpjekja e saj dhe e një grupi të madh që punon me të ka rezultuar e suksesshme. Vetëm një muaj më parë USAID-i e ka konsideruar iniciativën e këtij grupi si një ndër historitë e suksesit në Shqipëri. Për këtë arsye, USAID i ka dedikuar kësaj historie suksesi një dokumentar të shkurtër, i cili sigurisht që mund të jetë një nga mjetet më të mira të prezantimit të një turizmi ndryshe.


Blerina na rrëfen se ministria e Turizmit i ka dhuruar grupimit në të cilin ajo bën pjesë edhe një çmim për Ekologjinë, por dekorimi si një histori suksesi, që vjen nga një mentalitet me parametra krejtësisht të ndryshëm nga ato që përdoren në Shqipëri e bën edhe më real dhe njëkohësisht më të prekshme punën e tyre. Ajo që më së shumti i pëlqen Blerinës të përmendë nga historia “e saj” e suksesit është dokumentari. “Kjo nuk është një histori që është ndërtuar vetëm nga unë. Pas meje, është një grup i tërë, që jo vetëm kanë bërë një pjesë të ëndrrave të tyre realitet, por edhe përpiqen çdo ditë për të mos zhgënjyer ata të cilët tanimë kanë besim tek ne. Nga e gjithë kjo eksperiencë më duhet të ndalem pak tek rëndësia që ka dokumentari që USAID realizoi për ne. Projekti ynë është realizuar me shumë dashuri dhe kjo video e USAID është historia e gjallë e këtij sporti në Shqipëri. Kur vendi ynë të ketë edhe 500 kompani që promovojnë turizmin nëpërmjet rafting-ut, kjo video do të jetë prova e një zanafille të vështirë, por të bukur”, thotë ajo për “Trup dhe Shpirt”.


Kur e pyesim Blerinën për njohjen e saj me këtë sport, ajo në tregon se atë kohë ka qenë adoleshente. “Rrugëve shihja makina të mëdha që kalonin aty pranë shtëpisë sime. Më bënin përshtypje gomonet që ato mbanin mbi makinë. Ikin gjithnjë drejt Skraparit. E aty ku nuk ndodh thuajse asgjë e bukur me të cilën mund të merresh, si në Shqipërinë e asaj kohe, edhe këto lëvizje të vogla që bëheshin përballë shtëpisë time të tërhiqnin vëmendjen e të ngjallni kuriozitet. Një ditë dola përpara makinave. Më thanë se do të më dërgonin në një vend të cilin as në ëndrrat e mia nuk mund të vizatohet aq bukur. Sigurisht që pas kësaj ata që kanë qenë një herë adoleshent, e kuptojnë se çfarë përjetova. Një natë përpara se të nisesha për rafting isha e frikësuar, kisha ankth dhe dëshirë për të përballuar një sfidë të re. Deri këtu e mbaj mend, si thuajse të gjithë ata që udhëtimin e parë nuk e mbajnë mend mirë”, na rrëfen Blerina. E për të shpjeguar një rrugëtim të gjatë e të gjatë drejt suksesit duket se Blerina nuk do të zgjatet shumë.


Por, një përvojë të tillë nuk ka as si ta rrëfejë vetëm me dy fjalë. “Pasi kupton se ëndrrat mund të realizohen me punë, futesh brenda një bote në të cilën dëshiron që t’i bësh të buzëqeshin të gjithë ata që kanë besuar tek ty. Unë besova në ëndrrat e mia, besova se Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm për të promovuar vlerat e saj. Kam luftuar, së bashku me miqtë e mi që të sjell të huaj në vendin tim. Kam luftuar shumë edhe që të bind ata që janë larguar nga fshatrat e tyre për një jetë më të mirë në kryeqytet, që të rikthehen në vendin e tyre dhe të ofrojnë një turizëm ndryshe. Ne të gjithë kemi luftuar që çdo i huaj të thotë me buzëqeshje se një fshat apo një lum si ky nuk e ka kam vizituar asnjëherë. Më lumturon momenti kur ndahem me të huajt që thonë se nuk kanë gjetur asnjëherë liko, raki apo ushqim më të mirë se ky që konsumojnë fshatrave tona, pas udhëtimeve nëpër lumenj”.


Ajo vazhdon e vazhdon të na rrëfejë një histori suksesi nga ato që duket se nuk kanë mbaruar. Ka ende shumë punë për të bërë dhe mendon se me punë dhe besim edhe ëndrrat në dukje të pamundura mund të bëhen realitet. “Ne kemi hedhur vetëm një hap, ëndrrat tonë shkojnë shumë larg”, e mbyll ajo bisedën me ne.


Shtoni një koment
4 Komente
Erinda
Blerina eshte nje vajze kembengulese dhe shume e zonja. Realisht ajo perfaqeson Turizmin Shqiptar me nje fytyre te re. Urime Blerina!
valbona
Urime per secilen qe kontribon ne turizem ne Shqiperi.
Dee
Ju te shekullit harroni se cmimi i Albania Rafting Group eshte shume i shtrenjte per ekonomine e Shqiperise. Ne Amerike eshte $60 dhe me kushte shume me te mira ndersa ne Shqiperi 45 Euro (rreth $64). Me pak fjale keta kane dale per te fituar per vete dhe s'i intereson shume ta promovojne kete sport ne Shqiperi sepse ata e dine shume mire qe nje shqiptar nuk e perballon dot kete cmim.
Pa Emër
Zëvendëspresidentja e Albania Rafting Group Ministra e Turizmit????
Ajo mund te jete vajze e perkryer dhe sportiste/raftere shume e mire, por te jesh Minister i Turizmit te nje vendi bregdetar mesdhetar si Shqiperia kerkon shume me teper njohuri dhe eksperience.
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

4 + 5 =