Jetë

Tregu i punës, studentët duan të bëjnë master për të dytën herë

  • 18 Tetor 2013, 09:28
  • Përditësuar 17:15


Neritan Gjergo 


E hëna duhet të shënonte fillim e studimeve të ciklit Master në Universitetin e Tiranës. Mirëpo, jo të gjitha procedurat kanë përfunduar. Dje, janë shpallur fituesit e Masterit Shkencor në vend, ndërkohë që sipas vëzhgimit që ndërmori “Shekulli”, e njëjta gjë nuk ka ndodhur me Masterin Profesional. E për shkak të kësaj mungese listash, pritet që fillimi i leksioneve dhe seminareve të shtyhet. Ndërkohë, fakultetet kanë hapur dyert për të gjithë ata që e kanë gjetur veten fitues në listat e Masterit Shkencor. Pra, fituesit kanë kohë të regjistrohen deri të hënën, kur edhe mendohet se do të jetë “dita e parë e shkollës”. Për të sjellë atmosferën e zhurmshme të kësaj periudhe regjistrimesh “Shekulli” ju sjell panoramën dhe gjendjen që gjetëm në fakultetet kryesore të vendit. 


Fituesit, jo të gjitha listat gati


 Në Universitetin e Tiranës janë shpallur listat e fituesve të ciklit të Master it Shkencor, ndërkohë që aplikantët e Masterit Profesional duhet të presin edhe një ditë. Fluksi i madh i kërkesave për këtë drejtim i ka detyruar strukturat ta shtyjnë afishimin e kësaj liste. Kuotat për këtë vit akademik janë më të larta, në krahasim me vitet e kaluara. Vihet re kërkesa në rritje e studentëve, të cilët kanë përfunduar ciklin trevjeçar në universitetet e tjera të vendit. 


Ekonomiku 


Fakulteti i Ekonomisë vijon të mbetet në krye për sa i përket numrit të aplikimeve. Përgjegjësja e zyrës së informacionit në këtë fakultet bën me dije se numri i aspirantëve është jashtëzakonisht i lartë në krahasim me kuotën e lejuar dhe shton se kriteri i përzgjedhjes do të favorizojë notën mesatare dhe studentët që e kanë përfunduar ciklin 3-vjeçar në Universitetin e Tiranës.


Filologjiku


 Në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, që nga dita e djeshme ka nisur regjistrimi i studentëve fitues të Masterit Shkencor, në degët Gjuhë-Letërsi, Gazetari, Histori dhe Gjeografi. Preferenca në këtë drejtim mbetet e ulët, madje disa degë do të jenë në limitin minimal të pranimit të studentëve. Sipas zëvendës dekanit të këtij fakulteti, Prof. Dr. Ymer Çiraku pritet që të ketë spostime në këto lista për shkak të aplikimit të një studenti në dy drejtime të ndryshme ose tërheqjes së tij jashtë fakultetit. Edhe këtu kriteri i përcaktimit të fituesit do të ndiqet sipas aftësive dhe vendstudimit të ciklit Bachelor, por kjo vlen të përmendet për listat e profesionalit. 


Një tjetër fenomen që vihet re, është kërkesa për Master të dytë nga ana e studentëve të diplomuar më herët me një diplomë të nivelit të parë. Për Prof. Ymer Çirakun kjo shihet si kërkesë individuale ambicioze, por edhe si mundësi më e lartë për t’u integruar në tregun e punës. Atyre u nevojiten 60 kredite shtesë për të marrë diplomën e dytë të këtij programi. Degët më të kërkuara në këtë fakultet mbeten Letërsia dhe Gazetaria ndërkohë dega më pak e kërkuara mbetet Arkeologjia. Mungesa e këtyre degëve në Universitet private nuk afron asnjë student të jashtëm. Përkundër, ka një lëvizje që i drejton të brendshmit në degë paralele, jashtë këtij universiteti si Marrëdhënie Ndërkombëtare, Shkenca Sociale etj. 


Juridiku


 Në fakultetin e Drejtësisë dominojnë aplikantët që kanë përfunduar studimet Bachelor në universitetet private, ndërkohë që lista e fituesve nuk është shpallur ende. Vihet re shqetësimi i studentëve të cilët presin të gjejnë emrin e tyre në listë. Kjo gjendje ka shkaktuar kaos, brenda ambienteve të fakultetit, ku zhvillohet procesi mësimor që prej datës 7 tetor. 


Të mësosh pa hapur librin 


Lori Roshi


 Shkolla ka nisur bashkë me shqetësimin e hershëm sesi e sa mësojnë nxënësit në shkollë e shtëpi. Klasa me shumë nxënës, banka që rëndohen nga librat dhe minutat e një ore mësimi që nuk mjaftojnë asnjëherë për njohuritë e reja. Në shtëpi detyra që bëhen nxitimthi, ngadalë, me ndihmën e prindërve, apo të telefonit me shokët e klasës, kurse private që zënë gjithë javën, një vrapim për të presionuar sa më shumë fëmijët, por kur të kërkojnë zgjidhje të ndonjë detyre ndihesh larg programeve mësimore apo metodave analitike me të cilat je shkolluar vetë. Bota e kompjuterit është bota që po tërheq fëmijët më së shumti por po e shton shqetësimin prindëror dhe tendencat për të minimizuar kohën që fëmijët ndajnë me kompjuterin. 


Ky konflikt komentohet më së shumti nga fëmijët si një frikë që prindërit kanë nga e nesërmja e teknologjisë ndërsa prindërit se fëmijët sot dëmtohen në kohën për të mësuar. Mirëpo një portal online duket se mund ta zëvendësojë të mësuarin pa hapur librat. 


Një portal mund të ofrojë kurse mësimi ku nxënësi mund të gjejë zgjidhje duke bashkëbiseduar me autorë të teksteve mësimore apo mësues të shkencave natyrore, personalitete të njohura të pedagogjisë shqiptare. Në çdo cep të vendit, kudo qofshin marrin përgjigje për pyetjet apo zgjidhjet e ushtrimeve të vështira, duke e angazhuar nxënësin të dëgjojë, të shkruajë, të përqendrohet, dhe të japi vetë zgjidhje duke i mbetur në mendje informacioni i ri, i pamarrë në shkollë apo i pakapur nga të mësuarit individual me librin. Këtë herë kompjuteri e fton të lërë dembelizmin dhe të udhëtojë në botën e njohurive. 


Jetojmë një realitet ku nuk përjashtohen edhe ngjarje si ajo e kopjimit në masë të maturantëve në provime, në vend të matjes së njohurive reale, një numër i lartë nën presionin e notës zgjodhën kopjet me telefon. Ndërsa paralel qëndron një tjetër mundësi, ajo që nxënësi përmes internetit të ndjekë lëndën online.  


Shtoni një koment
1 Komente
Zef Kallami
Nese kjo do vargezoi numrimine e masterve njeripastjetrit.Fundi do te na bindin se masterat u bene si puslla bakalli.Te pabereqetshme.Nivel teorik superlativ,me baze ekonomike nul.E cfare na duhen,per parakalim.
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

6 + 2 =