Jetë

Dervishët e Tropojës

Nga Tropoja Gjon Neçaj / Albina Hoxha


Në automjetet e tropojanëve sheh shpesh disa varëse-fotografi ku dallohet një portret njeriu mjekër-gjatë e flokëthinjur. Po t’i pyesësh, merr përgjigjen që mbajtja e asaj fotografie në makinë sjell fat! Të njëjtat portrete mund t’i shohësh edhe në varëse, byzylykë dore, mbajtëse çelësash etj. Shiten në rrugë. 


Për çfarë bëhet fjalë? 


Në Tropojë janë shtuar shumë “tyrbet” ose “vendet e mira”. Për çfarë bëhet fjalë? Këto vende u përkasin atyre që komuniteti i këtyre anëve i quan “njerëz të mirë” dhe besohet masivisht që frekuentimi i tyre shëron sëmundje dhe siguron qetësi shpirtërore. Tyrbet janë godina të ngritura “rreth” një varri, i cili gjendet në qendër të tyre, i rrethuar me dërrasa 80-100 cm dhe mbulohet me copa të bukura mëndafshi apo basme me ngjyra karakteristike. Te koka, ku ngrihet në një lartësi më të madhe, vendoset “kapuçi i shehut”. Rreth varrit lihen korridore të mjaftueshme që vizitorët të qarkullojnë lirshëm. Këto vende vizitohen përgjithësisht të premteve, më shumë në muajin maj dhe shpesh kur është ditëlindja e “njeriut të mirë” apo përvjetori i tij i vdekjes. Për “njerëzit e mirë” këtyre anëve qarkullojnë histori të ndryshme të veprave që kanë bërë kur ishin gjallë. Besimi thel- lohet me legjenda mbi njerëz që janë shëruar për shkak të vizitave në këto vende dhe histori të tjera të cilat qarkullojnë dhe amplifikohen nga një familje në tjetrën.


 Besim që po shtrihet në masë


 Nuk është fenomen që ka përfshirë vetëm moshat e vjetra, siç mund të mendohet. Kohët e fundit janë shtuar të rinjtë që besojnë në këto vende. Madje janë hapur edhe faqe në Facebook, me emrat e tyre, ku hidhen foto dhe pjesëmarrësit komunikojnë me njëri-tjetrin. Bisedat apo komentet janë të ndryshme dhe përfundojnë me “Të ruajt tyrbja e dervish...” Njëra nga këto faqe, përshembull, quhet “Tyrbja e Dervish Luzhës" dhe ka 2 573 pëlqime. Në faqe shihen fotografi të “Dervish Luzhës” dhe vendit ku njerëzit i luten. Emri i vërtetë i tij është Rexhep Tarçuk Bala. “Pasha Dervish Luzhën”, “Pasha tyrben e Dervish Luzhës”, - janë shprehje që i dëgjon gjithmonë e më shpesh, madje njerëzit besojnë se ai është gen prej gjakut të Nënë Terezës. 


Më i famshmi, dervish Luzha


 Sipas studiuesve lokalë, Rexhep Tarçuk Bala (i pagëzuar si Dervish Luzha), ka lindur në fshatin Luzhë,Tropojë më 15 korrik 1904. U bë i njohur për aftësinë për të shëruar disa sëmundje, largimin e shqetësimeve të ndryshme të njerëzve, mënjanonte rreziqet, konfliktet dhe ngatërresat në malësi, etj. U bë një lloj mjeku dhe psikologu popullor në zonë. Tregojnë se ai udhëtonte shumë dhe mbante me vete, një çantë, një lahutë, një kazmë dhe një lopatë. Pas vitit 1967 kur u ndaluan besimet fetare, dervish Luzha pati probleme. Njerëzit tregojnë se mbante mjekër, po disa herë ia qethën. Sa herë ia qethnin aq herë ai e linte të rritej. Legjenda zonale thotë se personave që i qethnin mjekrën, u ndodhnin më pas histori fatkeqe. Ai vdiq më 4 nëntor 1985 dhe u varros në Luzhë. Mbi varrin e tij është ndërtuar tyrbja me emrin tashmë të njohur në këto zona, “Tyrbja e Dervish Luzhës” si dhe një bust i tij. Është një vend pelegrinazhi tashmë. Çdo ditë të javës aty ka njerëz të moshave dhe feve të ndryshme  


Nga paratë te ecja mbrapsht, ja si sillen njerëzit në këto tyrbe 


PARATË - Duhet hyrë me këmbën e djathtë, sillesh tre herë rreth vendit duke u lutur për atë çka ke më shumë nevojë. Ka raste që njerëzit flasin me zë të lartë. Më pas ndizet një qiri dhe hidhen lekë. Këto të fundit kanë histori më vete. Duhet ta vendosësh një natë më parë çfarë shume do hedhësh dhe duhet t’i kesh mbajtur poshtë jastëkut natën para shkuarjes në tyrbe.


 UJË - Më pas njerëzit pushojnë aty, (të sëmurëve u këshillohet që të flenë pak gjumë në afërsi të “njeriut të mirë”) dhe në fund në një shishe hedhin pak dhe. Atë e cilin e marrin nga varri, ose një zonjë që qëndron vazhdimisht aty u jep një shishe me ujë. Nga ky ujë duhet pirë fare pak. Mund të merren edhe gurë të cilët mbahen në portofol si fatsjellës.


 FOTOT - Janë të shumtë ata që sjellin fotografi të tyre dhe i lënë aty. Besojnë se kjo i ndihmon që çdo gjë në jetën e tyre të shkojë mirë. Kur del nga tyrbja duhet të ecësh mbrapsht, nuk duhet t’i kthesh kurrizin, derisa kalon portën kryesore. 


USHQIM - Në tyrbe nuk mund të futen ata që janë në gjendje të dehur, apo ata që kanë ngrënë hudhër ose qepë. Por nuk duhet të hynë as ata persona të cilët janë pa ngrënë. Thuhet që është gjynah. Prandaj edhe vizitorët marrin ushqime me vete dhe përpara se të hynë brenda, e konsumojnë atë. Nuk lejohet gjithashtu të futen brenda gratë të cilat janë gjatë ditëve të menstruacioneve. 


  Dy Rexhepët dhe Shkëlzeni, në krye


 Banorët besojnë masivisht sidomos tek binomi Rexhep Bala (dervish Luzha) - Rexhep Beli dhe te Shkëlzeni. Por me dhjetra tyrbe janë ndërtuar këto vite dhe po ndërtohen nga banorët e këtyre zonave. Veç tyrbeve të sipërpërmendura, frekuentohen masivisht edhe tyrbja e Bali Binakut në Margegaj, tyrbja e Mehmet Ali Nezës në Leniq, tyrbja e Avdyl Hasanit në Bujan, tyrbja e Haxhi Brahimit në Tropojë Fshat, tyrbja e Sylë Rexhepit në Markaj, etj, etj. Ka tyrbe të ngritura pranë ish-teqeve, por ka edhe tyrbe të ngritura në zona e fshatra ku nuk ka patur fare teqe. Aty besohet se janë varrosur dervishë ose “njerëz të mirë” (në këto tyrbe ka një ose më shumë varre).  


Secila ka një histori-bazë: Ja një prej tyre


  Secila prej këtyre tyrbeve ka një histori-bazë, zakonisht ngjarje e çuditshme e sjellë me legjenda gojore deri në ditët e sotme. Përshembull, tyrbja në fshatin Visoç në Berishë të Bytyçit thonë se ka një histori 200 vjeçare. Banorët besojnë se rreth 200 vjet më parë, barinjtë e fshatit shohin një njeri që shkonte për kulmin e lumit duke kënduar. Kur barinjtë u futën në ujë për ta nxjerrë, panë se ai ishte i vdekur. E nxorën nga uji, por trupi ishte shumë i rëndë sa nuk e lëviznin dot. Dërguan njerëz për të pyetur tek të diturit e Kosovës dhe u thanë se të vdekurit t’i përmendeshin emrat e fshatrave gjatë tranasportit në vig, e aty ku të lehtësohet më shumë nga përmendja e fshatit, aty le të varroset. Sapo u tha emri Visoçë, trupi u lehtësua dhe banorët e varrosën dhe ndërtuan tyrben. Në këtë zonë ndodhen sot 3 varre të mira: i Ahmet Shehut nga Shtiqni i Kukësit, i një fëmije të mbytur në Drin dhe varri i Dervish Ahmet Gjonpapajt, i njohur për bamirësi.


Çfarë është një Dervish? 


Ka shprehje të tilla si: “Si xhybja (si mjekra) e dervishit” ose “është bërë si dervish”, që do të thotë nuk është rruar e nuk është qethur prej kohësh, i është rritur mjekra shumë. Dervishët janë quajtur fillimisht ish- murgjit e sektit bektashian, që jetonin e kryenin shërbime fetare në një teqe. 


Rikthim te paganizmi?  


Gjon Neçaj (opinion) 


Tropoja e sotme ka një popullsi rreth 20 mijë banorë pas shpopullimit masiv në dy dekadat e fundit. Por megjithë numrin e popullsisë në ulje, teqetë dhe tyrbet në Tropojë po shpërndahen pothuajse në çdo zonë, fis dhe fshat. Teqetë janë objekte kulti ku kryhen rite fetare të dervishizmit, kurse tyrbet janë vendet ku varrosen shehlerët (shehu), të cilët kanë shërbyer në teqe. Por ka raste që tyrbet ndërtohen edhe në vende ku s’ka patur as teqe. Edhe këto quhen vende të shenjta. Siç thotë studiuesi Ibrahim Malaj, këto kohë po rrezatojnë fort tek njerëzit paganizmin si formë besimi. Ky paganizëm po e shtrin shtratin e tij edhe në kohët moderne. Më saktë e ka “rishtrirë” sepse është rikthyer gjatë dy dekadave të fundit kur besimet pagane po shtohen paralelisht me mungesën e autoriteteve të tjerë ligjorë ose moralë. A thua këto besëtytni do ekzistojnë përjetësisht? Kjo pyetje është deri më tani pa përgjigje.         


“Vendi i mirë” ku shkojnë lushnjarët, beratasit e fierakët 


Ilir Sinanaj


 Në lashtësi 15 gushti është njohur nga të parët si “festa e malit”. Pelegrinët besojnë se është “një vend i shenjtë ku gjen shpresën dhe dashurinë” 


 Në anën jugperëndimore të Shpiragut, në një lartësi prej 800 mbi nivelin e detit ndodhet fshati Sinjë, i cili është 16 km larg nga qytetit i Beratit. Gjurmët arkeologjike dëshmojnë se zona ku ndodhet fshati i Sinjës ka qenë vendbanim i hershëm. Në këtë fshat ka patur 4 kisha: Fjetja e Shën Merisë, e cila ruhet në gjendje të mirë, kisha e Shën e Premtes në gjendje rrënojë (që njihet gjithashtu me emrin “manastiri i vogël”), kisha e Shën Mehillit, e cilat ndodhet në pikën më të lartë të Shpiragut dhe kisha e Shën Nikollës që dikur ka qenë pranë varrezave të fshatit, por nga e cila kanë mbetur vetëm disa gurë. Në kishën që ndodhen në faqet shkëmbore të malit të Shpiragut njerëzit kanë nisur këto vite të vijnë për pelegrinazh çdo 15 gusht. Në lashtësi 15 gushti është njohur si “festa e malit”, por në krahina të ndryshme ka pasur emërtime të ndryshme. Në përgjithësi kjo festë njihej sipas malit ku zhvillohej, si për shembull: Gjallica, Runa, Tomorri, Sarisalltikut etj. Sipas studime të akademikut Mark Tirta gjatë këtyre festimeve besohet se shoqëroheshin me zjarre në mënyrë që të “fuqizonin” diellin duke qenë se fillonte një cikël i ri, pra një vit i ri. Sot në kujtesën popullore funksionet kultike të këtyre festave janë harruar dhe ka mbetur simbolika, e cila mjafton për të mbledhur bashkë njerëz të ndryshëm për të festuar.. Aty vijnë nga rrethet e Lushnjës, Beratit dhe Fierit. Besimtarët vijnë për të fjetur një natë tek shpella ngjitur me kishën në të errur të 14 gushtit dhe festojnë në të gdhirë të 15 gushtit ardhjen e Shën Mërisë. Për banorët ky është një vend “i mirë’. Peisazhi është shumë mbresëlënës. Ambienti ndriçohet nga katër dritare, tre të vendosura në anën perëndimore dhe një në anën jugore. Hyrja është nga një derë e vendosur në anën perëndimore. Për t’u futur në ambientet e brendshme kalohet nëpërmjet një korridori të ngushtë rreth 40-60 cm. Ky korridor është formuar kryesisht nga gërryerja e shkëmbit dhe nga faqja e murit ndërtues, i cili kryen edhe funksionin si bazament për nivelimin e ambientit të brendshme. Shkallët që të çojnë në katin e sipërm janë të gdhendura në shkëmb.


Shtoni një koment
11 Komente
Besimtari
ZOTI i ruajte shqiptareve mendjen e kokes. Ky eshte paganizem i paster dhe shenje vertet e ulet besimi ne Zot, per te mos thene mungon fare. Nese vertet duam t'i afrohemi Zotit formula eshte e thjeshte: 1. Besim ne Nje ZOT te vetem; 2. Kryerja e veprave te mira; 3. Te mos adhurohet asgje/askush tjeter vec Zotit te Gjithesise! Zoti i udhezofte shqiptaret dhe tere boten! Amin!!!
Vlora
Na mbyten jeshilet! Ky vend ne vend qe te eci drejt Europes, po vrapon drejt Arabise dhe Turqise. Turp per identitetin Shqiptar dhe njekohesisht edhe nje fatkeqesi e madhe, te cilen qe do ta paguajne shtrenjte brezat e ardhshem.
prandaj tropojen e ka ndihmu zoti
te besosh eshte e drejte e cdo njeriu,por te besosh dhe te lutesh disa personave eshte mekat i madh.beso vetem te zoti .
dervishi
http://www.e-zani.com/2012/08/30/dervishizmi-si-fe-dhe-si-paganizem/
FILOZOFI
Nuk është e rëndësisë së parë A KA ZOT APO S'KA por, se ÇFARE NA ËSHTË ZOTI NA QENKA!?! Shihëni dhe dëgjoni çfarë ndodhë në BOTËN TONË VETËM BRENDA 24 orëve dhe, nëse mundëni dhe dini sado pak të mendoni DREJTË do të bindëni se DEFINITIVISHT S'KA ZOT ose, edhe nëse është, është edhe më DJALL EDHE SESA djalli VETË!?!
FILOZOFI
Nuk është e rëndësisë së parë A KA ZOT APO S'KA por, se ÇFARE NA ËSHTË ZOTI nëse NA QENKA!?! Shihëni dhe dëgjoni çfarë ndodhë në BOTËN TONË VETËM BRENDA 24 orëve dhe, nëse mundëni dhe dini sado pak të mendoni DREJTË do të bindëni se DEFINITIVISHT S'KA ZOT ose, edhe nëse është, është edhe më DJALL EDHE SESA djalli VETË!?! ...Spekulimet më të mëdha dhe më çnjerëzore deri më sot janë bërë NË EMER TË ZOTIT DHE TË FEVE!?! Armiqtë më të tmerrshëm dhe më HAJVANË të njerëzimit, pa as dyshimin më të vogël që -JANË NJERËZIT FETARË të cilët në fakt -nuk janë AS NJERËZ , AS SHTAZË!?!
eduart
zoti na udhezofte ne rruge te drejte te gjitheve NADHENTE FORCE QE TE BESOJME DHE TE JEMI SAME PRANE LIBRIT TE SHENJTE KURANIT SEPSE GJITHCKA DOTE KTHEHET PA DYSHIM TE ZOTI TEK KRIJUESI ZOTI NA MESHIROFTE TE GJITHEVE AMIN
eduart
zoti na udhezofte ne rruge te drejte te gjitheve NADHENTE FORCE QE TE BESOJME DHE TE JEMI SAME PRANE LIBRIT TE SHENJTE KURANIT SEPSE GJITHCKA DOTE KTHEHET PA DYSHIM TE ZOTI TEK KRIJUESI ZOTI NA MESHIROFTE TE GJITHEVE AMIN
george
na mbyti injoranca,,,,llum,,,llum,,,kjo eshte shoqeria skiprare sot,,,llum talebanizem ,,tere kombet ecin para ne ecim mbrapa ,,pra me byth.
koment
zoti ne te gjitha fete na meson te duam tjetrin, eshte e lehte te besosh, te duash do mund... ritet sherbejne vetem per ti afruar njerzit njeri me tjetrin. pagan ose jo, me partin e krishter, myslimane, ateiste..., nuk ka rendesi, zoti nuk eshte nje emer... eshte ajo cfar je. me shume se teqet mir eshte te duan me shume njeri-tjetrin.
DRENICASI I VËRTETË
Injoranca AS NJERI AS SHTAZË e ka krijuar (shpikur) ZOTIN dhe FETË dhe, KJO ka ngjarë kushedi sa larg diku e dikur në kohë AS DRITË AS TERR e, ndërkaq, edhe sot në shekullin 21 PJESA DERMUESE e njerëzve JANË INJORANTË si ata TË LASHTIT!?! Çfarë tmerri e çfarë mjerimi!?!
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

4 + 5 =