Opinion

Mbi vlerësimin e titujve të pronësisë

  • 11 Dhjetor 2013, 13:33

Myrshit Vorpsi 


Ndarja e tokës bujqësore është një proces që ka filluar më 1991-in dhe ende sot e kësaj dite vazhdon të funksionojë. Jo aq masivisht si në fillim, por vazhdon. Duhet të dimë se e gjithë toka bujqësore në Shqipëri është shpërndarë falas. Ka qenë pjesa më e vlefshme e pasurisë së patundshme, por ka qenë edhe pjesa më e pavlerësuar, sa kohë që shteti e ka shpërndarë falas. Patjetër që shteti shqiptar sot është në një pozitë që të thotë se ky proces i ndarjes së rreth 569 mijë ha të tokës bujqësore si është bërë?


A është bërë në përputhje me ligjin apo jo? Kjo është njëra anë e kësaj. Ana tjetër është se faktet kanë treguar se me emërtimin ‘tokë bujqësore’, janë shpërndarë edhe toka të tjera, që nuk kanë qenë toka bujqësore, toka të pafrytshme, pyjore. Në zonën e bregdetit është ndarë një pjesë e madhe që kanë ranishte dhe jo tokë bujqësore dhe si e tillë nuk duhej të ndahej.


Pra ka edhe një kategori tjetër të fondit të tokës, e cila nuk ka qenë tokë bujqësore, por që dashje pa dashje, gjatë kësaj periudhe, sa kohë që ekzistonte ligji nr. 7501 është shpërndarë si tokë bujqësore. Ky ka qenë edhe thelbi i atij procesi që shteti shqiptar duhet ta kishte bërë tashmë, sa kohë që ne kemi një ligj për verifikimin e vlefshmërisë së titujve të pronësisë. Është një ligj i vitit 2008, por puna është sot se ky ligj, nuk ka funksionuar si i tillë.


Të mendosh se janë shpërndarë jashtë kujdesit të shtetit, pra një shpërndarje fshatçe, 570 mijë ha tokë dhe sot pas 5 vjetësh, Komisioni Qeveritar  i Tokës dhe ai që quhet Sekretariat Teknik i Ndarjes së Tokës, të thonë që i janë kthyer shtetit, sepse janë dhënë në kundërshtim me ligjin, vetëm 15 ha tokë bujqësore, kjo është një shaka e hidhur,. Pavarësisht se thuhet se janë edhe 600 ha të tjera që janë në një proces gjyqësor.


Të dhënat flasin ndryshe: gati gjithë zona bregdetare, gjithë zona e Bregut, pavarësisht se ka qenë zonë me përparësi turizmin, (ky fakt vlen të theksohet pasi tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore me përparësi turizmin asnjëherë nuk janë ndarë në pronësi, por në përdorim), por edhe në sipërfaqe të tjera si ranishte, brezi i pishave, gjatë gjithë bregdetit dhe kategori të tjera që nuk kanë qenë tokë bujqësore, janë shpërndarë si toka bujqësore me ligjin nr. 7501.


Ndaj edhe vlerësimi i titujve të pronësisë është një proces që duhet të ishte bërë, por shteti nuk e ka bërë. Në nivelin e fondit të tokës që mund të rezultojë nga ky vlerësim ka disa të dhëna që janë alarmante. Qeveria e kaluar, kla deklaruar se fond disponibël të tokës bujqësore ka patur 28 mijë, ose 29 mijë ha, nga të cilat 17 mijë ha, me një vendim të qeverisë, i ka kaluar për kompensimin fizik të ish-pronarëve.


Ndërkohë që , fondi i tokës bujqësore në shkallë vendi, në vitin 1991, ishte rreth 700 mijë ha dhe parashikuar për t’u ndarë sipas ligjit nr. 7501 fondi ka qenë rreth 570 mijë ha. Dhe kaq deklarohet. Në vitin 2003 ka qenë një fond disponibël i shtetit shqiptar që përllogaritje në 135 mijë ha tokë bujqësore. Dhe sot kur thotë shteti shqiptar, qeveria e kaluar, se unë kam vetëm 29 mijë ha dhe nga këto 17 mijë ha kalojnë për kompensim fizik të pronarëve, pyetja e parë që bëhet është: po pjesa tjetër e tokës ku kaloi? Bëhet fjalë për 100 mijë ha që sot nuk figurojnë kurrkund.


E pakta sipas letrave, sepse faktikisht, poshtë në terren asnjë nuk e di këtë gjë. Prandaj vlerësimi është e domosdoshme që të bëhet. Po sjell për ilustrim një shembull që është ALUIZNI. Të gjithë shqiptarët dhe qeveria me ta, ka qenë në një terr sa i takon, atij procesi që u quajt procesi i legalizimit. U desh një punë dymujore e drejtuesve të rinj të ALUIZNI-t që të dalë në sipërfaqe se cili ka qenë aktiviteti i këtij institucioni. Jemi përballë disa shifrave tronditëse për shoqërinë. Kjo pra kërkohet të bëhet dhe qëllimi i qeverisë shqiptare me shtyrjen e këtij afati për 2 vjet ky është:


Çfarë dhe sa është abuzuar ndarjen e tokës bujqësore? Ka qenë një proces,  i cili nuk është bërë, ndonëse ka patur një ligj. Në momentin kur ky vlerësim do të vijë në përfundim si proces, zgjidhja e vetme që mbetet është që ajo sipërfaqe që është shpërndarë në kundërshtim me ligjin duhet t’i kthehet mbrapsht shtetit. Dikush mund të dalë e të thotë se kjo është e pamundur dhe është një masë antipopullore.


Nuk është e vërtetë dhe ne duhet të flasim hapur. Në vitin 1991 u vendos që 68% e popullsisë shqiptare, pjesa pra që banonte në fshat, do të merrte falas tokë bujqësore. Pjesa tjetër e popullsisë u përjashtua dhe u mendua që ata që kishin apartament t’u shitej. Për të tjerët nuk u mendua.  E dyta këtu nuk bëhet fjalë që t’u hiqet titulli i pronësisë atyre që e kanë marrë atë me ligjin nr. 7501.


Ne themi që të zbulohen abuzimet me ligjin dhe të korrigjohen ato. duhet të kemi parasysh edhe një gjë: dashje pa dashje, me këtë ndarje të tokës bujqësore sipas ligjit nr. 7501, shteti shqiptar me logjikë të pastër, ka shkatërruar atë që mund të quhej bujqësia shqiptare,. Është fragmentarizuar prona në mënyrë të tejskajshme; mesatarisht një familje bujqësore në shkallë vendi ka përfituar 1.2 ha tokë bujqësore.


Te mendosh se kanë përfituar rreth 516 mijë familje bujqësore dhe pasuria e këtyre sipas të dhënave që ka Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, figuron në 2.4 milion parcela. Kjo do të thotë që mesatarisht çdo fshatar që ka 1.2 ha, këtë tokë e ka të ndarë në katër parcela të ndryshme, me madhësi të tilla që kanë prishur bazat e bujqësisë. Të gjithë e pranojnë që në vendet e BE-së, por qoftë edhe në ato të Evropës Lindore, madhësia e një ferme, që të jetë rentabël duhet të jetë midis 20 dhe 30 ha. Fermat që janë me sipërfaqe deri në 5 ha nuk janë rentabël dhe kjo është një evidencë që ka bërë BE-ja. Çfarë po thotë sot qeveria dhe shteti?


Po kërkon bashkimin e parcelave dhe bashkimin e fermerëve për të krijuar njësi rentabël. Por a mund të arrihet kjo me mentalitetin e shqiptarit, pasi ne duhet të pranojmë që kemi historinë tonë, e cila na mësoi 50 vjet pa pronë dhe tani na duhet të mësohemi që të bëjmë analizën e duhur ekonomike. Sot pas 23 vjetësh toka bujqësore nuk është mbjellë me produkte bujqësore, por përkundrazi, është mbjellë me shtëpi pa leje që ende nuk janë futur në proces legalizimi.


Është pra e nevojshme qasja me një strategji tjetër ndaj pronës dhe tokës bujqësore, një strategji që duhet fillimisht të rivendosë gjendjen në terren në baza ligjshmërie. Kjo edhe për të zgjidhur problemin e kompensimit pasi pyetja e parë që bëhet është: Ku do gjenden 50 mijë ha për kompensim? Ka para shteti shqiptar që t’i kompensojë financiarisht pronarët? Përgjigja e thjeshtë është “Jo”. Dhe për faktin e thjeshtë, sepse shteti nuk ka para që të kompensojë as tokën truall që është pjesa më e rëndësishme në këtë marrëdhënie. Janë 7600 ha tokë truall që duhet t’i kompensohen pronarëve kur me këstin e parë financiar të vënë në dispozicion nga shteti janë kompensuar vetëm pak ha tokë.

Shtoni një koment
3 Komente
Illo
Ky ehte materjali me i argumentuar , qe eshte shkruar , deri sot , per pronesine e tokes . Jane paguar mijra njerez , eshte shpenzuar nje baze materjale shume e madhe , por del se ende nuk eshte bere ndonje gje e hajrit . Bie ne sy fakti , qe 100 mije Ha. nuk figuron e ndare . Administrata e re duhet te dali me nje raport te hollesishem mbi ate cka nuk eshte bere , keto 23 vite . Problemi vijon te rrotullohet ne rreth vicioz . Nje nder problemet me te rendesishme te tranzicionit eshte sabotuar , per te krijuar mjergull Po drejtesija me Presidentet , ku kane qene dhe ku jane ?Kam besim te plote se gjendja eshte kjo , qe pasqyron Z. Vorpsi . Illo
ALFONS
HALLE MADHJA SHQIPERI ESHT KATANDISUR NE NJE LEMSH TE KOKLAVITUR JO PA QELLIM NGA POLITIKA QE PERGJEGJESINE E KETIJ LEMSHI SE PARI DHE KRYESORI ESHT SALIU ME FALANGAT QE SOT CIREN PER DREJTESI NORMAL DO MBROJNE VEHTEN PER TJU FSHEHUR BEMAVE DO THURIN LLOJ LLOJ INTRIGASH DHE KJO PRITEJ PO QE NUK I BESON ME NJERI NE BOTE DHE KETE E DINE QE PO SHTRENGOHET DARA SI NGA POPULLI I MASHTRUAR NGA NDERKOMBETARET DHE NGA QEVERIA QE E KA PER DETYRE QE LEMSHI ESHT SHUM I KOKLAVITUR DIHET POR BESIMI ESHT I MADH SE KJO QEVERI I KA SPECIALISTAT E FUSHAVE TE NDRYSHME DHE VULLNET TE PA LEKUNDUR QE KETE KATRAHURE PESHQESH NA QEVERIA E DJESHME TA VERE NE SHINA PA CKA SE DO KOSTO KOHE DHE DURIM JO ME KOT SHTYU PER DY VJET LIGJIN PER TITULLARET E TOKAVE F.M
edi asllani
Analiza e z.VOrpsi ndonse reale eshte postmortum.Do te ishte mire te fillohej me ligjin 7501. ligje tipik komunist dhurate e Ramizit me shoke dhe pastaj te kalohej ne analizen reale te situates.Artikulli prek disa vertetesi por do ishte e udhes qe zoti Vorpsi ndonse pjese e kesaj klase trashgimtare e RAmizit me kurajo tejepte mendime reale per riparimin e te pakten disa prej problemeve.
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

8 + 1 =