Jetë

Lista e barnave me rimbursim për 2014-ën, propozimet deri më 10 janar



Denisa Xhoga 


Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, FSKSH, do të presin propozimet për ndryshimet në Listën e Barnave të Rimbursueshme deri në datën 10 janar, kur edhe është afati përfundimtar për dorëzimin e tyre.


FSKSH bën të ditur se pas kësaj date propozimet nuk do të pranohen. Deri në fund të muajit pritet që të kenë përfunduar negociatat me përfaqësuesit e kompanive farmaceutike.


Edhe Komisioni i Teknik i Barnave me Rimbursim duhet të ketë përgatitur propozimet konkrete dhe të ketë bërë gati draftin për ta çuar për miratim parimisht në Ministrinë e Financave, që jep aprovimin përfundimtar para se kjo të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.Këtë vit pritet që fondi i barnave me rimbursim të jetë gati 10 për qind më i lartë se ai i vitit të kaluar, që ishte 8.4 miliardë lekë. 


Kategoritë përfituese 


Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, do të kenë prioritet barnat cilësore, si ato të alternativës së parë por dhe ato të alternativave më pas, duke ngushtuar diferencat mes alternativave. Lista pritet të përmbajë më shumë medikamente me cilësi më të lartë dhe jo zëvendësime. Gama e rimbursimit do të jetë më e gjerë, ndërsa pritet të shikohet me prioritet mosha pediatrike, nën 12 vjeç.


 Paraprakisht, sipas diskutimeve do të mbeten pjesë e rimbursimit disa barna që janë përfshirë në listë vitet e fundit dhe konsiderohen cilësore në tregun ndërkombëtar të farmaceutikës, si ato të pas transplantit, medikamenti që përdorin fëmijët talasemikë, bari i fundit i përfshirë në listë për pacientët, që trajtohen nga leucemia apo medikamentet me të cilat trajtohet një pjesë e sëmundjeve neurologjike. Këtë vit lista do të ketë barna të reja për të gjithë pacientët e moshuar, që kryesisht janë për probleme kardiovaskulare, diabetikët, sëmundjet nervore, pacientët me prostatë apo të sëmurët obezë.


 Propozimet për në listën e barnave të rimbursuara, sipas Fondit, mund të jenë të të dy kategorive, përkatësisht ndryshime në Listën e Barnave të Rimbursuara për sëmundje, trajtimi i të cilave është i rimbursuar plotësisht dhe ndryshime në LBR për sëmundje, trajtimi i të cilave rimbursohet pjesërisht. Institucionet shëndetësore po punojnë, jo vetëm për të futur barna cilësore në listë, por që të jenë dhe  në funksion të një numri më të madh përfituesish.


 Barnat tumorale do të jenë në fokus të listës. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja gjatë prezantimit të buxhetit të shëndetësisë për vitin 2014 ka thënë se fondet për furnizimin e spitalit onkologjik me barna citostatikë do të rriten me rreth 2,5 herë, duke arritur në nivelin e rreth 8 milionë USD.


 Negociatat për çmimin


 Ndërkohë, dorëzimi i propozimeve nga përfaqësuesit e kompanive farmaceutike në Shqipëri do të bëhet pranë FSKSHsë, drejtuar Komisionit Teknik të Barnave të Rimbursueshme. 


Gjatë prezantimit të draftit të buxhetit për këtë vit Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja tha se i ishte drejtuar personalisht 6 ambasadave të huaja që janë në Tiranë, për t’i mundësuar kontaktin me zyrat qendrore të këtyre shtëpive farmaceutike. Duke qenë se vendi ynë është një treg i vogël, shtëpitë e mëdha farmaceutike operojnë në Shqipëri me zyra rajonale, ku përfshihen disa vende.


Sipas Ministrisë së Shëndetësisë nuk do të përfshihen më në listën e Shqipërisë barnat që deri më tani janë blerë trefish më shumë se çmimi i vendit të origjinës. Pas negocimit të çmimeve, bazuar dhe në çmimet referente të vendeve të rajonit dhe pas marrjes së propozimeve, do të mblidhet dhe komisioni i posaçëm teknik pranë Fondit (ISKSH) për të diskutuar ndryshimet në listën e barnave.


Sfidë, sipas drejtuesve  të FSKSH-së është përfshirja e më shumë barnave gjenerike në listë, për të shtuar konkurrencën dhe për të pasur më shumë mundësi për përfshirjen e më shumë barnave dhe përfituesve. Barna gjenerike, quhen ato që prodhon kompania që është licencuar për herë të parë për këtë medikament.


 Ndërkohë, në rishikimin e LBRsë do të mbahen parasysh disa kritere si barna që përdoren për sëmundje të rënda, në sëmundjet që paraqesin rrezikshmëri të lartë për jetën, apo për ato që shkaktojnë invaliditet, sëmundje kronike që kërkojnë trajtim të zgjatur, etj. 


Heqia e TVSH-së, pritet ulja e çmimit të barnave


 Që prej datës 1 prill, me miratimin e paktës fiskale do të hyjë në fuqi dhe heqja e TVSH-së për barnat, çka pritet të sjellë dhe ulje të çmimit të tyre në vend. “Kemi gjykuar edhe me operatorët e tregut farmaceutik që është e nevojshme një kohë për ta bërë të zbatueshëm realisht. 


Duam që në datën 1 prill të kemi heqje të TVSH-së dhe miratimin e Listës së Re të Barnave, në mënyrë që të mos kemi në treg ndryshime të shpeshta për një kohë të shkurtër, gjë që do të krijonte pasoja te qytetarët, çrregullime në treg dhe hapësira për praktika jo të rregullta”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj në prezantimin e propozimit të heqjes së TVSH-së për barnat dhe shërbimet shëndetësore. Heqja e TVSH-së e ul me të paktën 9.5% koston e medikamentit.


 Fëmijët dhe pacientët me SIDA


  Këtë vit janë në diskutim rimbursimi i dy kategorive kryesore që prej vitesh kanë kërkuar të kenë medikamente me rimbursim dhe të listohen ndër përfituesit e listës pacientët e moshave fëmijërore, ata që vuajnë nga diabeti. Po ashtu një tjetër kategori që kërkohet të përfshihen në rimbursim janë edhe pacientët e prekur nga HIV/AIDS. 


Prej më shumë se gjashtë vitesh shoqata në mbrojtje të pacientëve me HIV/AIDS ka kërkuar që ilaçet që ata blejnë privatisht në farmaci dhe të njohura si barnat “mbështetëse” të trajtimit të tyre të rimbursohen nga shteti. Ndërkohë që, pacientëve të vegjël me diabet pritet t’u rimbursohen fishat me të cilat matin periodikisht sheqerin në gjak. 


Një tjetër kategori pacientësh, të cilët kanë kërkuar të jenë pjesë në rimbursimin cilësor, janë edhe pacientët që vuajnë nga prostata. Shefa shërbimesh në spitalet më të mëdha të vendit, por edhe mjekë specialistë që punojnë në poliklinika me një numër  të konsiderueshëm pacientësh kanë dërguar pranë 


Drejtorisë së Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë propozimet e tyre lidhur me produktet e fundit që përdoren sot në vendet perëndimore, por edhe ato që shfaqin efikasitet më të lartë, për t’u përfshirë si pjesë e rimbursimit në listën e re që do të hyjë në fuqi në vitin 2014. 


Fluks fëmijësh në Pediatri, 3 mjekë për 250 fëmijë 


Numri i fëmijëve të prekur nga virozat e stinës sa vjen edhe rritet. Edhe pse mjekët nuk e shikojnë gjendjen alarmante, situata e prekshmërisë nga gripi te moshat e mitura ka shënuar rritje graduale. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në urgjencën e Shërbimit të Pediatrisë paraqiten çdo ditë rreth 250 raste të fëmijëve të prekur nga virozat e stinës.


Muaji janar shënon edhe fluksin më të madh. Urgjenca e pediatrisë pret numrin më të madh të fëmijëve me infeksione virale. Mjekët pediatër kanë ngritur shqetësimin që lidhet me numrin e madh të rasteve, të cilat edhe pse përballohen, sërish ka nevojë për zgjidhje të reja.


 Ata kanë kërkuar që të hapet shërbimi ambulator 24-orësh i Tiranës. Mjekja pediatre, Eli Foto e tregon se 2-3 mjekë në shërbim nuk mund të përballojnë një fluks aq të madh të fëmijëve që paraqiten nga çdo lagje e Tiranës dhe periferisë. “Tirana është e madhe dhe duhet të ketë shërbime ambulatore në disa pika. Ne e kemi trajtuar vetë këtë problem me Ministrinë e Shëndetësisë. Duhet hapet shërbimi  pediatrik 24-orësh, ose në qendër të Tiranës ose te ambulanca qendrore. 


Duhet të vendoset një rregull, sipas të cilit fëmijët e prekur nga virozat duhet të mjekohen atje dhe nëse nuk u jepet zgjidhje, të dërgohen në QSUT, si qendër më e kualifikuar. E pyetur për raportin mes mjekëve dhe fëmijëve që hyjnë çdo ditë në repartin e pediatrisë, Eli Foto thotë se çdo mjek ka normativën e tij të punës dhe një fluks i tillë nuk është normal. 


Shefja e Shërbimit Infektiv, në Pediatri thotë se gjendja aty paraqitet normale, sepse aty vijnë fëmijë me infeksione të përcaktuara. “Fluksi paraqitet te reparti i urgjencës dhe ne marrim fëmijë me diagnozë të përcaktuar. Këtu diagnostikohen fëmijë me meningjit, varicelë, grip të komplikuar etj.


Ne na vijnë të përcaktuara me diagnozë. Rastet me varicelë janë sporadike”, thotë Foto. Gripi që konsiderohet si virus i rëndë mund të fillojë nga fundi i tetorit dhe zakonisht ka kulmin e vet në këtë periudhë dhe riaktivizohet në shkurt. Fluksi mund të shtohet me periudha të caktuara, i ndikuar nga prekja e shumë njerëzve.


 Të vegjëlit dhe të moshuarit, kujdes nga ulja e temperaturave


 Gjatë dimrit, me temperature të ulëta, organizmi dhe zemra punojnë më shumë për të përballuar të ftohtin, çka mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. 


Mjekët këshillojnë qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj ndikimit të temperaturave të ulëta, duke përcjellë njëherësh dhe këshillat përkatëse. Shtëpia duhet të jetë e ngrohtë dhe në temperatura konstante. 


Temperatura ideale është 22-23 gradë Celcius dhe ajrosja duhet të bëhet disa herë për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi. 


Për të moshuarit dhe fëmijët duhet pasur kujdes, pasi shpesh ata nuk e kuptojnë që temperatura e  trupit është ulur ndjeshëm. Këto kategori duhet të vishen me disa shtresa në mënyrë që të ruajnë temperaturën trupore. Si ndikon i ftohti në organizëm:


 1. Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, temperatura trupore mund të bjerë deri në 35 gradë C dhe me kalimin e kohës organizmi nuk funksionon më siç duhet, duke rrezikuar kështu shëndetin. 


2. Gjatë qëndrimit jashtë, pjesët më të ekspozuara si koka, këmbët e duart mund të ngrijnë. Në fillim, ato humbasin ndjeshmërinë, skuqen dhe dhëmbin dhe më pas ngrijnë duke u bërë gri dhe të padhimbshme. 3. Nëse kryeni sforcime fizike në ambiente të jashtme, rrezikoni të përkeqësoni sëmundjet e zemrës.      


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

1 + 7 =