Advertisement
Politikë

Ndarja e re, mbeten 28 bashki, shkrihen komunat

Luis Tanushi


Rreth 28 do të jetë numri i bashkive me ndarjen e re territoriale që po përgatit qeveria. “Shekulli” ka mundur që të sigurojë draftin e qeverisë për “Kriteret dhe metodologjinë që do të ndiqet për ndarjen e re administrativo- territoriale”, mbi bazën e së cilës do të punohet për ndarjen e re administrative.


Sipas relacionit të qeverisë, në një auditim të kryer edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi nevojën për rishikimin e ndarjes administrativo-territoriale, ka rezultuar se njësitë e mëdha vendore performojnë më mirë se njësitë e vogla.


 KLSH-ja sugjeron që bashkitë të riorganizohen me një minimum popullsie prej 15.000 banorësh, ndërsa komunat duhet të kenë një minimum popullsie prej 10.000 banorësh. Rezulton se në Shqipëri aktualisht mund të krijohen 28 bashki. Më shumë zhvendosje dhe bashkime do të ketë tek komunat, pasi vetëm 15 të tilla plotësojnë kriterin për të mbajtur këtë status. 


Gjithsesi, kjo ndarje nuk është përfundimtare, pasi shumë komuna dhe fshatra do të rigrupohen për të krijuar njësi të reja administrative, ku dyshemeja do të jetë 10 mijë, 20 mijë ose 30 mijë, sipas dendësisë së zonave nga perëndimi në lindje dhe nga veriu në jug.


Ndarja e re Sipas formulës së KLSH-së, nga të dhënat për qarkun e Tiranës, popullsia është e mjaftueshme për të formuar 7 bashki. Më konkretisht në këtë qark pritet që të jetë qarku Tiranë, Kamzë dhe Kavajë, ndërsa do të krijohen bashkitë e reja Kashar, Paskuqan e Farkë.


 Bashkia Vorë rrezikon që të kthehet në komunë, ndërsa të gjithë komunat e tjera rrezikojnë që të shkrihen sipas të dhënave të Censusit. Edhe bashkia Rrogozhinë do të shkrihet. Në qarkun e Dibrës, asnjë bashki aktuale nuk plotëson numrin e nevojshëm të popullsisë për të qenë e tillë.


Peshkopia dhe Burreli rrezikojnë që të shndërrohen në komuna, ndërsa bashkitë aktuale Klosi dhe Bulqiza të mos jenë as komuna më. Në qarkun Berat, bashki mbetet vetëm Berati, ndërsa Kuçova mund të kthehet në komunë. Bashkitë aktuale në këtë qark si Ura Vajgurore, Çorovoda, Poliçani sipas numrit të popullsisë duhet të jenë fshatra. 


Për të krijuar komunat në këtë qark do të duhet  që pas bisedimeve të parashikuara nga qeveria, të bashkohen disa fshatra. Në qarkun e Durrësit do të jenë katër bashki, ku mbeten Durrësi, Fushë Kruja dhe Sukthi, ndërsa krijohet si bashki Rrashbulli.


Bashkitë e Shijakut, Manëzës dhe Fushë Krujës mund të mbeten vetëm fshatra pasi nuk i kalojnë as 15 mijë banorë për të qenë bashki dhe as 10 mijë banorë, minimumi për të qenë komunë. 


Në qarkun Elbasan mbetet bashki vetëm Elbasani, pasi të tjerët nuk arrijnë kriterin 15 mijë banorë. Sipas kritereve të reja dhe numrit të popullsisë bazuar në Cencusin e 2011-s, mbetet komunë Bradasheshi, ndërsa shkrihen si bashki Belshi, Gramshi, Cërriku, Librazhdi, Përrenjasi, Peqini. Në qarkun e Fierit, mbeten bashki Fieri, Lushnja dhe Patosi, ndërsa si komunë vetëm Cakrani dhe Tërbufi. 


Shkrihen si bashki Roskoveci, Divjaka dhe Ballshi, të cilat nuk përmbushin as kriterin për të qenë komuna. Në qarkun e Gjirokastrës mbetet bashki vetëm Gjirokastra, ndërsa shkrihen të gjithë bashkitë e tjera si Libohova, Tepelena, Memaliaj, Përmeti dhe Këlcyra.


Në këtë qark do të duhet të pritet rikonfigurimi i ri ku si pasojë e bashkimit të fshatrave mund të krijohet ndonjë bashki e re ose komunë e re, pasi për momentin asnjë nuk përmbush kriterin e komunës me popullsi mbi 10 mijë banorë. 


Në qarkun e Korçës mbetet bashki Korça, Pogradeci dhe komunë vijon që të mbetet Pojani, ndërsa shkrihen si bashki Maliqi, Erseka, Leskoviku, Bilishti. Bazuar në të dhënat e Censusit të zhvilluar në vitin 2011 nga qeveria “Berisha”, edhe në këtë qark do të duhen të bëhen bashkime për të krijuar bashki ose komuna të reja.


 Në qarkun Kukës, bashki mbeten vetëm Kukësi, ndërsa shkrihen si bashki Kruma, Bajram Curri, si dhe gjithë komunat e tjera e humbin statusin aktual administrativ. Në qarkun Lezhë mbeten tre bashki, më konkretisht: Lezha, Laçi dhe Mamurrasi. Shkrihen si bashki Rrësheni dhe Rubiku ndërsa komunë mbetet vetëm Shënkolla. 


Në kryeqendrën e veriut, në qarkun Shkodër mbetet bashki vetëm Shkodra dhe krijohet si bashki Rrethina. Komuna Bushat mbetet, ndërsa shkrihen si bashki Vau i Dejës, bashkia Pukë, Fushë Arrëz, Koplik. Ndërsa në kryeqendrën e jugut, në qarkun Vlorë mbeten dy bashki, Vlora dhe Saranda, ndërsa rrezikon të shkrihen Himara, Orikumi, Konispoli dhe Delvina. 


 Në shtator, gati ndarja e re administrative 


Ligji i ri ligjit të ri për ndarjen e re administrative pritet të miratohet vetëm në shtatorin e vitit 2014. Qeveria ka parashikuar në draftin për “Kriteret dhe metodologjinë që do të ndiqet për ndarjen e re administrativo-territoriale të Republikës së Shqipërisë”, që pas konsultimeve, Ministri i Shtetit përgatit projektligjin “Për ndarjen administrativoterritoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” me propozimin për hartën e re të ndarjes administrativo-territoriale dhe ia dërgon për miratim Këshillit të Ministrave brenda datës 15 shtator 2014.


 Projektligji për ndarjen e re administrativo-territoriale përfshin edhe propozimin për njësitë vendore të nivelit të dytë. Brenda datës 10 prill 2014 Komitetet Rajonale miratojnë dhe dërgojnë pranë Ministrit të Shtetit propozimet e hartës së re të ndarjes administrativo-territoriale për çdo qark. Nëse nga Komitetet nuk respektohet afati i mësipërm, Prefektët brenda datës 15 prill 2014 miratojnë dhe dërgojnë pranë Ministrit të Shtetit propozimet për çdo qark të hartës së re të ndarjes administrativo- territoriale. 


NJQV-të që kanë ndërmarrë procesin vullnetar duhet që brenda datës 10 prill 2014 të dorëzojnë pranë Ministrit të Shtetit propozimet përkatëse të cilat duhet të kenë kaluar procesin e konsultimit publik. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i kritereve dhe metodologjisë për ndarjen e re administrativo-territoriale të Republikës së Shqipërisë si dhe instrumentet dhe afatet kohore që nevojiten për realizimin e këtij qëllimi. 


Në nenin 4 të këtij ligji thuhet se brenda 15 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, për mbikëqyrjen e procesit të ndarjes administrativoterritoriale, Kuvendi krijon një Komision të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, me bashkëkryesim të përfaqësuesit të mazhorancës dhe opozitës parlamentare. Në 12 Qarqet e vendit, me urdhër të Prefektit të Qarkut, krijohen Komitetet Rajonale të Reformës Administrativo-Territoriale. 


Komitetet Rajonale kanë përbërje:Prefekti i Qarkut që do jetë kryetar dhe anëtarë të thjeshtë tre kryetarë/këshilltarë bashkie/ komune nga e djathta dhe e majta. Bazuar në propozimet e ardhura nga 12 Komitetet Rajonale ose Prefektët dhe pasi shqyrton përputhshmërinë e propozimeve me kriteret dhe afatet e këtij ligji, Ministri i Shtetit i paraqet për shqyrtim Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo- Territoriale propozimet për hartën e re administrativo-territoriale për nivelin e parë të qeverisjes vendore.  


Zbardhet relacioni, ndarja e re fuqizon rrethet  


Në ndarjen e re pritet që të merret parasysh ndarja aktuale territoriale, lëvizjet e popullsisë, lidhjet kulturore dhe ekonomike etj. Në relacionin e përgatitur nga qeveria për këtë draft, thuhet se në përcaktimin e kritereve, grupi i punës zgjodhi përcaktimin e një numri të vogël kriteresh, të cilat sipas tyre, do t’i japin një fleksibilitet komiteteve në qarqe në hartimin e propozimeve. 


Si parim udhëheqës për grupet e punës është vendosur rimarrja në konsideratë e ndarjes së vjetër territoriale në rrethe. Sipas qeverisë, rimarrja e konceptit të madhësisë territoriale të rrethit bëhet edhe për shkak se bashkitë kryesore sot janë të vendosura në qendrat e rretheve dhe si parim konsolidimi territorial apo ndarja e re administrativo-territoriale synon uljen e fragmentarizimit dhe krijimin e njësive vendore më të mëdha.


Nga ana tjetër, ekspertët e qeverisë janë të mendimit se analizat dhe studimet tregojnë se qendrat e rretheve përkojnë edhe me qendrat e gravitetit ekonomik, social dhe të shërbimeve publike dhe mbeten pikë referimi në politikat zhvillimore.


 Kriteri i parë lidhet me qenien e njësisë si zonë funksionale më vete. Zona funksionale është e organizuar rreth një qendre që ka numrin më të lartë të popullsisë, krahasuar me qendrat e tjera brenda zonës dhe ka mundësi për ofrimin e gamës së plotë të shërbimeve publike që duhet të ofrojë një njësi vendore. 


Çdo njësi e re duhet të garantojë masën kritike të domosdoshme për funksionimin si p.sh. ekzistencën e rrjetit të shkollave, spitaleve, qendrat e kujdesit social, shërbimet e policisë, të shërbimit  zjarrfikës, të shërbimeve të transportit interurban, të shërbimeve shtetërore apo private në funksion të qytetarëve dhe bizneseve si degët e tatimeve, postave, të rrjetit bankar etj, si dhe të ekzistencës të një baze ekonomike dhe burimeve të të ardhurave të mjaftueshme vendore.


 Kriteri i dytë lidhet me distancën e qendrës së njësisë me territorin. Kriteri i tretë lidhet me parimin e vazhdimësisë territoriale. Ky parim nënkupton që territori i një njësie të qeverisjes vendore është i vazhdueshëm dhe nuk ka ishuj territorialë që i përkasin një njësie tjetër vendore. Kriteri i katërt lidhet me numrin e popullsisë së NJQV të propozuar.


 NJQV duhet të ketë një numër të konsiderueshëm banorësh, që nënkupton një popullsi mesatarisht mbi 30.000 banorë në zonat me densitet të lartë popullsie, mbi 20.000 banorë në zonat me densitet të mesëm popullsisë dhe mbi 10.000 banorë në zonat me densitet të ulët popullsie. Densiteti i popullsisë në secilin qark përcaktohet nga INSTAT sipas praktikës së përdorur deri tani. Në llogaritjen e numrit të popullsisë do të merren për bazë të dhënat e Censusit 2011. 


Sipas relacionit të qeverisë, përcaktimi i një numri popullsie të ndryshëm bëhet për shkak se terreni gjeografik i Shqipërisë është shume i ndryshëm dhe përqendrimi i popullsisë është kryesisht në zonat e ulëta. Nëse 30.000 banorë në ultësirën perëndimore janë lehtësisht të arritshëm, këto shifra bëhen shumë të larta për zonat kodrinore dhe malore të vendit. Kriteri i fundit lidhet me historinë dhe traditat e zonës. 


Partia Demokratike: Duhet konsensus bipartizan për ndarjen e re administrative


Partia Demokratike e konsideron reformën administrative të nisur nga qeveria si një nismë që shkel hapur Kushtetutën.


Ish zv/ministri i Brendshëm në kohën e PD-së, Ferdinand Poni tha se drafti duhet të kalojë fillimisht në parlament për diskutim e jo të kalohet në qeveri në mënyrë të njëanshme."Kjo procedurë të kalojë në hullitë e plota të ligjshmërisë dhe të konsensusit që nuk kalon nga zyra e zotit Çuçi, as nga ajo e zotit Rama, por që duhet të kalojë nga Kuvendi i Shqipërisë në një komision bipartizan. Duhet të mblidhet një  komision bipartizan që të vendosë kriteret.


 Nuk jemi kundër vendosjes së komuniteteve për të pasur atë komunën dhe bashkinë e tyre, dhe jo largimin e pushtetit lart, që nuk i quan qytetarë, por të dorës së parë dhe të dytë. Një ndarje e re territoriale afekton në zonat zgjedhore dhe Kodi Zgjedhor është bërë me konsensus.


Jo se është bërë, por duhet bërë që procesi të bëhet me konsensus bipartizan", tha Poni për mediat. Ndarja e re territoriale pritet që të ndezë debate të ashpra në parlament midis mazhorancës dhe opozitës. 


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al
8 Komente
Pit
Riorganizimi duhet bere.Nderkohe,duhet ndryshuar Ligji per Qeverisjen Vendore.Qender administrative mund te jete vetem rrethi, por jo sic ka pas Devoll,Bulqize a ku di une, kur nga 26 u bene 36 rrethe.Edhe Qarku nk u justifikon veten.Pas kaq vitesh, ende vete ato qe punojne aty, nuk e dine rolin e funksionin.Reduktojini sepse mire i behet buxhetit dhe qytetarit.
Pa Emër
Histori e perseritur! Te njejten gje beri dhe Papandreu me te ashtuquajturin 'kali krati 'dhe e shkateroi Greqine! Mendoj se ky organizim I ri ,apo ndarje teritoriale , do ndikoje per keq , pasi nuk eshte koha per eksperimente ne kulmin e fukarllekut! Me vjen keq sepse I takoj koalicionit dhe mendoj qe ne plan te pare duhet te dalin ato qe kane te bejne me programin ekonomik qe shpalosi ne fushate ky koalicion , qe nuk eshte I dukeshem ,te pakten deri ne keto momente te qeverisjes!
mergimtari
Me sa lexova me siper per mendimin tim eshte shume drejt vendosja e ketyre kritereve por duhet te behet me shume sepse shteti shqiptar nuk mund te mbaje parazite ne administrate keshtu qe mos u dridhni se ka vend per me shume shkurtime. Sa per bashkepuimin me PD mos u merzisni se ajo se ka pasur kurre deshiren per te bere nje pune te mire ne shqiperi, por vetem ka shkaterruar dhe nje nder shkaterrimet por me i vogli ka qene edhe ndarja administrativ e territoriale qe beri pas rrezimin e komunizmit duke shpallur bashki e komuna pas asnje kriter por per kriter ndoqi kriterin partiak donkishest te Berishes ku cdo fushate u premtonte njesive vendore se po te fitoj do ta kthej nga komune ne bashki dhe ashtu bente deri sa e beri shqiperine sikur te ishte nje popullsi prej 20 milion banoresh ne Shqiperi. Punoni se jeni ne rruge te mbare. Suksese!
Merditas
Eshte nje nga reformat me te nevojshme per tu bere ne Shqiperi.
Kjo menyre perfaqesimi duhet te mbaronte nje ore e me pare,dhe fundi erdhi.Fundi i perdorimit te strukturave shteterore per grumbullimin e fisit dhe punesimin e tyre.Shqiperia nuk mund te perballonte me nje zhvatje te tille e tipit'Hajde dreq e piq kuleq'Nje ushtri e tere njerzish te punesuar neper Bashki e Komuna pa asnje lloj kontributi social e shoqeror proces i cili ka krijuar nje parazitizem te veshtire per tu c'rrenjosur ne mendjen dhe jeten 100 vjeqare te shtetit shqipetar.
Shqiperia i ngjane nje shtepie ku banuesit e saj kane qelsat ne xhep por u pelqen te hyne brenda nga dritarja ose catija.
Dua ta permbledh me dy fjale ate cfare kam konstatuar per kete priudhe 24-vjecare se si e kemi trajtuar te gjithe Shqiperine.(Si Leka me Loken te drama Toka Jone)Shpresoj qe te gjithe te pendohemi per cfare kemi bere si Leka dhe ti kthejme dinjitetin qe meriton Shqiperise Lokes Tone.
Une
Deri tani u eshte dashur banoreve nga Fshatra te thella afer 50km per te arritur ne Bashkine e tyre, per nje Dokument te thjeshte.
Sipas ndarjes se re, atyre do ti duhen rreth 150km.
Brravo, Brravo ndaresit e Rinj!!!
xhino
nuke quaj shum te arsyetushem sepse kane shum plobleme stafi eshte shum i ngarkuar dhe me kete se kemi dhe nuk i sherbehet popullit ashtus siq duhet dhe me te zgjerohen me tej
ina sukth
sukthi eshte zone e mbi populluar 36 mij banor. u pa kur u vendosen pashaportat biometrike ne nje bashki te vetme sukthi maminasi dhe u kthye ne kaos per mendimin tim kto shkurtime vetem me pak vende pune jan dhe egzagjerim rrallash ne sherbime
altini
te ishte per mua un do te beja nje bashki tiranen dhe pes komuna qe do te ishin Shkodra durresi fieri vlora dhe korca dhe te gjith hajdutnit te shkonin ne shtepi te gjith e dim ca lufte behet dhe sa lek paguajn per tu ber kryetar komune dhe pastaj per te vjedhur e kemi par ne komunen ton lekaj br /

Shtoni një koment

7 + 8 =