Politikë

“Anulojmë gjobat, heqim monopolin e pullave fiskale”


 


Suela Topi    


Qeveria do të anulojë të gjitha gjobat e  vëna ndaj biznesit pas 1 marsit 2013.  Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të zhvilluar dje me përfaqësues të biznesit  deklaroi se së shpejti nisma do të dorëzohet  në Kuvend.


Ai pohoi gjithashtu se  do të zgjidhet dhe monopoli i pullave  fiskale i cili është një problem madhor  që rëndon biznesin, por edhe buxhetin  e shtetit.


Në bashkëbisedimin me 100  përfaqësuesit e sipërmarrjes, kryeministri  diskutoi më tej për luftën kundër informalitetit, masat e qeverisë nё ndihmë  tё biznesit, bashkëpunimin mes biznesit e  qeverisë për investime tё reja dhe krijimin  e vendeve tё punës.


U njoftua po ashtu  krijimi i Sekretariatit tё Këshillit Ekonomik  Kombëtar për lehtësimin e komunikimit  mes sipёrmarrёsve dhe qeverisë, si  edhe u prezantua platforma e punës së  këtij sekretariati.  Anulimi i gjobave dhe koncesioneve  Kryeministri deklaroi dje se, do të anulohen  të gjitha gjobat arbitrare të vëna  ndaj biznesit. 


“Shumë shpejt do të çojmë  në Kuvend heqjen e të gjitha gjobave nga  1 marsi i 2013 pasi ishin gjoba arbitrare,  që të marrim ç’të marrim sepse po  ikim”, - deklaroi ai. Sa u përket taksave,  Rama tha se, ato janë më të ulëtat në  Bashkimin Evropian. 


“Nuk do rrisim taksat  dhe ne nuk kemi taksë progresive, për  më tepër tek ju. 15 % është i barabartë  për të gjithë biznesin e madh. Është një  taksë minimale nëse ne bashkërisht, do  të ulim së bashku taksën e korrupsionit  dhe arbitraritetit”, - pohoi ai.


Do të vijojë  gjithashtu anulimi i lejeve koncesionare  që janë dhënë në shkelje të ligjit. “Nuk kemi      qenë asnjëherë kundër koncesioneve,  por kemi qenë kundër kthimit të kësaj  praktike për tu dhënë privilegje disave  në kurriz të konkurrencës.


Anulimi i praktikave  që janë në kundërshtim të ligjit do  të vijojë. Çdo koncesion kërkon analizë  dhe vendimmarrje mbi ligjin”,- tha Rama.  Pullat fiskale  Një tjetër nismë që do të ndërmerret nga  qeveria është zgjidhja e problemit të monopolit  për pullat fiskale.


“Koncesioni i  pullave fiskale është një problem shumë  i madh pasi nuk ka garantuar asnjë lloj  ndryshimi cilësor të këtij shërbimi. Nuk  ka sjellë asnjë lloj investimi të konsiderueshëm  dhe përmirësim teknologjik që  të quhet i besueshëm.


Pasoja është që i  merr arkës së shtetit një sasi parash që  është e paarsyeshme duke rënduar edhe  biznesin edhe buxhetin e shtetit dhe nuk  sjell asnjë përmirësim”, - tha Rama.


Ai  shtoi se: “Ministria e Ekonomisë është  në fund të studimit dhe shumë shpejt    qasja e zgjedhur do të jetë publike dhe  ne do ta çojmë në Kuvend për të shpëtuar  biznesin nga ky monopol dhe për të  lehtësuar buxhetin”.


 Mbështetja për biznesin  Kryeministri garantoi sërish larjen e  borxhit ndaj biznesit, por shtoi se kjo  nuk mund të bëhet menjëherë.


“Borxhet  nuk janë mbledhur për një muaj dhe nuk  mund të shlyhen për një muaj, nuk janë  mbledhur për një vit e të shlyhen për një  vit, por do të shlyhen. Do të ngrihet një institucion,  komision i veçantë që të ndjekë  këtë praktikë dhe kush ka shpenzuar do  të marrë atë që i takon”, - tha Rama. Ai  shtoi se të gjitha këto masa do të ndihmojnë  për t’i dhënë fund informalitetit.


 “Informaliteti është këtu mes nesh dhe  ato dy bilancet apo tre bilancet i bëni  ju, apo jo dhe ato hendeqet që u tregoni  bankave dhe shtetit nuk krijohen nga  ata ekstremistët në Evropë, po nga ju.  Koha e tallavasë me financat ka mbaruar. 


 E tallavasë si nga qeveria si nga biznesi.  Ne për veten tonë jemi të vendosur  e përditë bëjmë atë që mundemi që t’i  ikim sa më larg tallavasë me koncesionet,  kreditë, borxhet, superfuqitë e energjisë,  turizmit etj. Ne nuk do të lejojmë tallavanë  me bilancet”,- tha Rama.


Kryeministri  duke iu përgjigjur më tej shqetësimit  të bizneseve fason garantoi se brenda  pranverës do të ketë një paketë të plotë  lehtësuese për ta. 


Kreu i ekzekutivit informoi  më tej se do të merren masa  lehtësuese për bizneset prodhuese, do  formalizohet sektori i hotelerisë ndërkohë  që do punohet dhe për hartimin  e planit kombëtar për ndërtimin, i cili  synohet të jetë gati brenda 2 viteve.


Rama u jep disa firmave private të drejtën e kontrollit tatimor  


Demokratët reagojnë pas takimit të kryeministrit Edi Rama  me biznesin dhe premtimeve për mbështetje konkrete ndaj  tyre. Sipas deputetit demokrat, Aldo Bumçi, Rama po tallet  me djersën e biznesit gjatë këtyre 23 viteve.


“Rama i dha  fund 'tallavasë me financat publike' dhe i ftoi kompanitë që  nëse nuk duan të kontrollohen nga administrata tatimore  mund të zgjedhin të kontrollohen nga disa kompani private.  


Kryeministri është gati që funksionet e deleguara ekskluzivisht  nga institucionet shtetërore, nga Kushtetuta e ligji, t'ua  nëndelegojë subjekteve private, të cilat në të njëjtën kohë  janë vetë subjekte të kontrollit tatimor”, - deklaroi Bumçi.


Sipas tij, Kryeministri nuk di të bëjë detyrën e tij; të penalizojë  çdo vjedhës e abuzues me energjinë elektrike dhe të  lërë etiketimet kolektive.  


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

7 + 6 =