Letra

Moratoriumi për gjuetinë, një masë gjysmake


Dr. ing Zyhdi Vajushi 


Siç është publikuar tashmë, është përgatitur një projektligj për aplikimin e një moratoriumi për ndalimin  e gjuetisë për dy vjet. Duhet të dihet nga të gjithë të interesuarit se fauna e egër përbehet nga dy grupe të mëdhenj speciesh:


 fauna e egër vendase dhe fauna e egër shtegtare që tek ne dimëron, ose kalon disa kohë  gjatë tranzitimit për në jug. Tek fauna vendase hyjnë: ariu, kaprolli, dhia e egër, derri i egër, ujku, çakalli, riqebulli, dhelpra, vjedulla, zardafi, shqarri, lepuri  i egër, gjeli i egër, thëllëza e malit dhe e fushës si dhe disa nga shpendët grabitqarë dhe minorët (harabelat etj..)


Tek fauna e egër jo vendase ose shtegtare hyjnë: patat e egra, rosat e të gjitha llojeve, shkurtëza, turtulli, pëllumbi i egër shtegtar, shapka, mëllenjat, gargujt  etj..


Nga lista e faunës së egër vendase janë të ndaluara për gjueti përgjithmonë ose përkohësisht, të gjitha speciet që përfshihen në listën e lartpërmendur me përjashtim në afate ose zona:  lepurit të egër i malit dhe thëllëza e malit. Nga gjahu shtegtar janë të lejuar sipas afateve dhe llojeve shumica e rosave të egra, shkurtëzat, turtujt, shapkat dhe një pjesë e vogël e grupit të mëllenjave etj..


Pavarësisht ndalimeve, në realitet, në 20 vitet e fundit, si pasojë e faktorëve të ndryshëm, ushtrohet gjueti e mirëfilltë, me leje apo pa leje për këto specie:  nga gjahu vendas sot gjuhet sistematikisht derri i egër, lepuri i egër, thëllëza e malit dhe e fushës në zonat ku ka mbijetuar.


Të tjerët gjuhen rastësisht, ose në mbrojtje të pronës ose jetës. Kështu ariu, kaprolli  dhe dhia e egër kanë ruajtur vetveten, i ruan relievi si dhe ato pak banorë vendas që e ushtrojnë  këtë gjueti me breza. Sa për ujqërit, çakejt dhe dhelprat, së paku për rajonet veriore dhe veri-lindore të Shqipërisë, fshatarët të bëjnë kumbar nëse i vret se sot nuk ka asnjë interes ekonomik për  gjuetinë e tyre, lëkurët e tyre as nuk mblidhen dhe as nuk shiten si dikur në shtet.


Prandaj mund të themi  me plot gojën se ky grup, jo vetëm që nuk është në zhdukje, por përkundrazi është në ekspansion. Vizitoni  zonat, jo vetëm malore, por edhe fushore të NënShkodrës, ku  do të ndeshni çdo tufë delesh me çoban dhe  3-4 qenë stani të racës së Sharrit (Kukësit), me çifte në krah për  t`i mbrojtur nga ujqërit.


 Kurse në Velipojë, pulat nuk i lëshojnë të lira nëpër fusha, sepse i hanë dhelprat. Përfundimisht, nga speciet vendase  janë në rrezik zhdukjeje lepuri i egër, thëllëza e malit si dhe derri i egër. Nga gjahu shtegtar gjuhen  sistematikisht: patat e egra, rosat e të gjitha llojeve, shkurtëzat, shapkat, turtujt dhe më pak  grupi i mëllenjave.


Dëmi  më i madh shkaktohet jo nga gjuetia sipas rregullave, por aplikimi i jashtëligjshëm i metodave shfarosëse masive që realizohen nga përdorimi i mjeteve ndjellëse zanore, imituese me stampa si  dhe gjuetia me drita natën e shapkave,  siç bëhet për lepurin e egër.


Kështu mund të arrijmë në përfundimin se edhe gjahu shtegtar është në pakësim të ndjeshëm, pavarësisht se duhej të ngjante e kundërta, sepse habitatet e tyre, në krahasim me para 20 viteve, janë në përmirësim, meqenëse bujqësia nuk është më intensive, pyjet dhe nënpyjet janë shtuar dhe gjallëruar, por kundravajtjet masive i zerojnë edhe këto faktorë pozitivë.


Faktorët  kryesorë që kanë shkaktuar këtë situatë për mendimin tonë janë: a) Shtimi  pa kriter i armëve të gjahut. Në  fund të viteve ‘90 në Shqipëri kanë qenë  të inventarizura rreth 12 mijë (12000) armë gjahu. Sot, sipas të dhënave zyrtare janë rreth 150 mijë (150 000). B) Mungesa gati totale e bashkëpunimit  ndërdikasterial.


Si pasojë e mungesës së bashkëpunimit mes Ministrisë së Rendit që miraton dhe jep lejen e mbajtjes së armës dhe Ministrisë së Mjedisit që miraton dhe jep lejen e gjuetisë, nga 150 000 qytetarë që kanë fituar të drejtën e mbajtjes së armës së gjahut, sot vetëm 17000 prej tyre janë të pajisur me leje gjuetie! Megjithatë, të gjithë gjuajnë.


Më e keqja është se pikërisht ata që janë  jashtë shoqatave të gjuetarëve, janë rrjedhimisht edhe dëmtuesit më të mëdhenj, jo vetëm për nga numri, mbi 130 000, por edhe nga mungesa totale e dijenive për ligjet, rregullat, afatet, kriteret etj..


kjo ka sjellë një deficit të madh në mbledhjen e Tarifës së Gjuetisë që është 2000 lek/vit për çdo gjuetar, d.m.th. në total 260 milionë lekë /vit( të reja ). Pra, do të mblidheshin plot 260 milionë më shumë për sektorin e gjuetisë. Po kështu janë dëmtuar nga ana ekonomike edhe shoqatat e gjuetarëve,  të cilat vetëm fondin e kuotave kanë si burim financiar. C) Faktor determinues ka qenë dhe është mungesa e plotë e investimeve  në ruajtjen dhe rigjenerimin e sektorit të gjuetisë. Më e keqja është se asnjëherë shteti, jo vetëm që nuk ka parashikuar fonde për sektorin e gjuetisë, por edhe atë tarifë që ne paguajmë, nuk e investon për gjuetinë.


Cilado masë që mund të merret, edhe sikur të arrijë të zbatohet në shkallën më të lartë, n.q.s nuk bëhen investime në sektorin e gjuetisë për ruajtjen dhe sidomos për popullimin dhe ripopullimin me speciet e zhdukura, si fazani, thëllëza e fushës si dhe me ato në rrezik zhdukjeje si lepuri i egër, thëllëza e malit, nuk do të arrihet kurrë në rregullimin dhe sistemimin e gjuetisë.


Shembulli më i mirë për ilustrimin  e domosdoshmërisë së investimeve, është modeli i ndalimit të gjuetisë së thëllëzës së fushës, i marrë që në vitin 1960. Dihet se çfarë zbatimi korrekt kishte çdo ligj ndalues atëherë dhe fakti është se mungesa e ripopullimeve me këtë specie, megjithë numrin e pakët të gjuetarëve, nuk dha rezultat.


Rivendosja e gjendjeve të humbura kërkon në radhë të parë gjallërim dhe rigjallërim të specieve, duke bërë investime të përshtatshme dhe pastaj ruajtje dhe ndalime. Në hapësira boshe, ruaj dhe ndalo sa të duash, sepse asgjë nuk del nga asgjëja.


Aplikimi i moratoriumit për ndalimin e gjuetisë për dy vjet, që është në projektligj, ka vend për diskutim  juridik dhe teknik. Së pari, si një masë juridike ka shijen e trajtimit ekstrem në këtë fushë  edhe në krahasim me vendet fqinjë me natyrë të ngjashme.


Nuk njihet asnjëherë që në shtetet simotra nga ana natyrore, të jenë aplikuar moratoriume të tilla. Sesi e kanë zgjidhur këtë problem nuk është vështirë për t`u mësuar, por autorët e moratoriumit duhej ta merrnin parasysh. Nga ana tekniko-praktike do të jetë kjo panoramë: Me aplikimin e këtij moratoriumi, në dy sezonet e ardhshme nuk do të jepen leje gjuetie.


Për  cilët nuk do të jepen këto leje? Kuptohet se për atë kontingjent që faktikisht ka marrë leje gjuetie deri tani d.m.th. për  rreth 17 000 qytetarët e rregullt.


Të tjerët, mbi 130 000 armëmbajtës, që kanë gjuajtur pa leje gjuetie, do të vazhdojnë të gjuajnë pa leje, sepse juridikisht, ata nën “ndalim gjuetie” ishin dhe do të vazhdojnë të jenë! Kësaj i thonë në Shkodër “për hatër të pleshtit, po djeg jorganin”.


Të nderuar zonja/ zotërinj! Nëse keni matur forcat se mund të aplikoni një Moratorium të vërtetë, të plotë dhe të përgjithshëm   në rang total, ju përkrahim, por nëse eksperimenti do të jetë vetëm në provëza laboratorike, pra për qytetarët-gjuetarë të rregullt, atëherë  rezultatet dhe pasojat do të jenë  negative.     


 


 


 

Shtoni një koment
1 Komente
Bledi
Shkrimi me i sakte qe kam lexuar deri me sot, per kete teme. Do doja te dija emrin e autorit. Meriton respekt. Me ne fund doli nje qe di shume mire se cfare shkruan.
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

1 + 9 =