Kronikë

Ministria: Favorizuan Aldo Baren, procedim 4 gjyqtarëve

  • 09 Shtator 2012, 10:38

Flamur Vezaj - “Rekomandohet fillimi i procedimit disiplinor për gjyqtarët Edmond Gogo, Lefter Jahaj, Dalip Bushi dhe Agron Papajani, për shkeljet e tyre ligjore të konstatuar gjatë gjykimit të Alfred Shkurtit, i njohur ndryshe edhe si Aldo Bare”. Në këtë konkluzion kanë arritur inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, në raportin e tyre përfundimtar të verifikimit të tri dosjeve penale pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit për Krime të Rënda në Tiranë, ku subjekt të këtyre çështjeve, ishte i dënuari si kreu i “bandës së Lushnjës”, Aldo Bare dhe të dënuarit si “ushtarë” të tij.  KontrolliGjithçka nisi më datën 3 tetor 2011, kur pesë gjyqtarët e komanduar pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, të kryesuar nga gjyqtari Edmond Gogo dhe anëtarët Dalip Bushi, Agron Papajani, Lefter Jahja dhe Seit Xhoxhaj (tashmë në pension), për të gjykuar të pandehurin Aldo Bare, vendosën prishjen e vendimit të dënimit të tij me “burgim të përjetshëm”. Kjo trup gjyqësore kishte vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe kthimin e çështjes për rigjykim me një trup tjetër gjyqësore. Me këtë vendim të pesëshes gjykuese, ministri i Drejtësisë z.Eduart Halimi nuk ishte dakord, duke dërguar pranë këtij institucioni dy inspektorë. Objekt i këtij kontrolli ishte verifikimi i procedurave gjyqësore të zbatuara në gjykimin e çështjes penale ndaj Aldo Bares. ShkeljetSipas këtij raporti voluminoz, të përpiluar në 53 faqe format dhe i firmosur nga ministri Eduart Halimi, pesë gjyqtarët e komanduar pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në Tiranë, për gjykimin e çështjes penale ndaj Aldo Bares, me vendimin e tyre kanë favorizuar të pandehurin. “Në analizë të inspektimit janë evidentuar shkelje procedurale nga pesë gjyqtarët gjatë gjykimit të çështjes ndaj Aldo Bares, të evidentuar edhe nga Gjykata e Lartë, e cila prishi këtë vendim të pesëshes gjykuese. Referuar prishjes së vendimit nga Gjykata e Lartë, këto shkelje mund të konfigurohen si veprime që nxjerrin në pah një proces ligjor të njëanshëm, në shtrembërim e keqinterpretim të dispozitave të Procedurës Penale, duke favorizuar dukshëm Aldo Baren. Si rezultat i këtyre shkeljeve të lejuara nga trupa gjyqësore gjatë ushtrimit të detyrës, një nga pasojat e ardhura ishte impakti negativ i krijuar në publik për drejtësinë...Gjyqtarët t’i nënshtrohen përgjegjësisë disiplinore për shkelje të ligjit dhe për kryerjen e akteve e sjelljeve që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit”, - thuhet ndër të tjera në raportin që “Shekulli” ka siguruar një kopje. Në raport thuhet se përjashtohet nga ky procedim gjyqtari Xhoxhaj, pasi ka dal në pension. RekomandimiBazuar në analizën dhe kontrollin e dosjes, inspektorët kanë arritur në përfundimin, se duhet t’i rekomandohet Këshillit të Lartë të Drejtësisë, fillimin e procedimit disiplinor për gjyqtarët Edmond Gogo, Lefter Jahaj, Dalip Bushi dhe Agron Papajani, lidhur me zvarritjen e gjykimit dhe shkeljet ligjore të evidentuara nga Gjykata e Lartë, e cila ka prishur vendimin e tyre, duke e cilësuar si të njëanshëm, në shtrembërim dhe keqinterpretim të dispozitave proceduralo-penale. MINISTRIInspektimi i 3 dosjeve është urdhëruar nga ministri Eduard Halimi dhe ka zgjatur 4 ditë. Raporti përfundimtar i kontrollit është përpiluar nga dy inspektorët, Petrit Kaja dhe Manjola KelolliHalimi: Raporti i është dërguar gjyqtarëve për oponencë Me urdhër të ministrit të Drejtësisë z.Eduard Halimi, më datë 4 tetor 2011, dy inspektorët e këtij institucioni kanë zbarkuar në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit për Krime të Rënda në Tiranë, duke kërkuar t’i vihen në dispozicion 3 çështje penale të gjykuara nga kjo gjykatë. “Objekt i këtij inspektimi ishte verifikimi i procedurave gjyqësore, të zbatuara në gjykimin e tri çështjeve penale. Atë ndaj shtetasit Aldo Bare, dosjes ndaj të pandehurit Enver Dondollakut dhe çështjes penale ndaj të akuzuarve dhe të dënuarve si pjesëtarë të “bandës së Lushnjës”, shtetasve: Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Rexhep Gina, Afrim Hoxha (i pafajshëm), Arjan Aliço, Jorgo Muzaka dhe Erjon Cici. Duke përfshirë edhe kërkesat e veçanta penale që lidhen me gjykimin e themelit të çështjeve objekt kontrolli”, - thuhet në raportin e kontrollit. Sipas tij, janë inspektuar gjithsej tri çështje penale themeli dhe 24 kërkesa penale të rrjedhura prej tyre. Në përfundim të këtij inspektimi janë identifikuar shkelje të ligjit për dy kategori subjektesh në gjykatë. Për gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe për Krime të Rënda dhe administratës së saj gjyqësore si dhe për gjyqtarët e Gjykatës së Apelit pranë këtij institucioni. Sipas këtij kontrolli, janë verifikuar të gjitha procedurat e ndjekura nga gjyqtarët, që nga ata të caktimit të masës së sigurisë ndaj Aldo Bares dhe të pandehurve të tjerë të akuzuar si pjesëtarë të “bandës” e deri te vendimet përfundimtare. “Nga këqyrja e regjistrave, identifikimin e fashikujve objekt inspektimi, studimi i fashikujve objekt kontrolli, marrjen e akteve të nevojshme nëpërmjet, verifikimi i mbarëvajtjes së këtyre seancave gjyqësore, shtyrjeve, dëshmitarëve etj, etj. Në analizë të këtyre treguesve, nxirret në përfundim se zgjatja e procedimeve penale në shkallën e parë ndaj Bares, Dondollakut dhe të tjerëve, është rezultat i disa faktorëve: sjelljes së gjyqtarëve, sjelljes së mbrojtësve dhe sjelljes së prokurorëve dhe strukturave të tjera për paraqitjen e dëshmitarëve”, - thuhet në raport. I pyetur për këtë raport, vetë ministri Halimi u shpreh se “raporti përfundimtar i këtij inspektimi i është dërguar gjyqtarëve për oponencë dhe më pas do të shprehemi për qëndrimin përfundimtar”, tha ministri Halimi. SOMARIO: “Raporti përfundimtar i këtij inspektimi i është dërguar gjyqtarëve për oponencë dhe më pas do të shprehemi për qëndrimin përfundimtar” Eduard Halimi, Ministër i DrejtësisëREAGIMIU komanduan nga KLD të gjykonin Aldo BarenGjyqtarët: Do përgatisim oponencën për raportinKatër gjyqtarët, për të cilët Ministria e Drejtësisë ka propozuar nisjen e procedimit disiplinor për shkak të shkeljeve ligjore gjatë gjykimit të dosjes së Aldo Bares, nuk janë njohur me raportin përfundimtar të inspektorëve të dikasterit të drejtësisë. “Shekulli” gjatë dy ditëve të fundit ka arritur të kontaktojë vetëm me dy prej katër gjyqtarëve që akuzohen nga ministria për favorizimin e Bares. Kryesuesi i kësaj çështjeje, gjyqtari Edmond Gogo, i kontaktuar nga “Shekulli”, nuk pranoi të japë ndonjë koment për çështjen, pasi sipas tij, ende nuk ishte njohur me raportin përfundimtar. “Sapo e kam marrë në dorë raportin përfundimtar të inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë. Nuk e kam studiuar ende, tani kam filluar ta lexoj. Kur të mbaroj do të rendis oponencën time”, tha Gogo për “Shekulli”-n. Ndërkaq, edhe gjyqtari tjetër i “proceduar” nga ministria, z.Dalip Bushi, i kontaktuar nga “Shekulli” është shprehur se nuk ka dijeni për raportin përfundimtar. “Nuk kam dijeni për këtë raport. Mua ende nuk më është vënë në dispozicion një raport i tillë. Nuk mund të them asgjë, përderisa nuk kam raportin”, tha gjyqtari Bushi. Ndërkaq, në adresë të gjyqtarit Agron Papajani, “Shekulli” ka dërguar disa thirrje dhe mesazhe telefonike, por, nuk është marrë  përgjigje. Ndërsa, me gjyqtarin Lefter Jahja nuk është bërë i mundur kontaktimi. Të katër gjyqtarët, janë gjyqtar të Gjykatës së Apelit në Tiranë dhe me urdhër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, këta gjyqtarë ishin komanduar për gjykimin e çështjes së Aldo Bares pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Ky delegim, është bërë për shkak se gjyqtarët e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda ishin konsumuar në gjykimin e çështjeve të tjera, të lidhura me procedimin penal ndaj Aldo Bares. Për Baren kontrolluam punën e 20 gjyqtarëveSipas raportit përfundimtar të Ministrisë së Drejtësisë, inspektorët kanë konstatuar shkelje të ndryshme edhe nga trupa të tjerë gjykues e gjyqtarë të vetëm, të cilët kanë gjykuar të pandehurit e “bandës” së Lushnjës në tri procese të ndryshme dhe ata të cilët kanë caktuar masat e sigurisë. Sipas këtij raporti, theksohet se për gjyqtarët e tjerë, të cilët janë evidentuar me shkelje më të lehta se shkeljet e katër gjyqtarëve për të cilët është rekomanduar nisja e procedimit disiplinor, nuk do të ketë masa disiplinore. “Nëse në çështjet në vazhdim, konstatohen shkelje të tilla edhe ndaj këtyre gjyqtarëve do të procedohet nisja e masave disiplinore”, - thuhet në raportin e Ministrisë së Drejtësisë. Dondollaku, i dënuar me 25 vjet burgEnver Dondollaku, i cilësuar si krahu i djathtë i të akuzuarit si kreu i “bandës” së Lushnjës, tashmë është dënuar me vendim të formës së prerë me 25 vite burg, masë kjo e përfituar nga ulja e 1/3 së dënimit maksimal të dhënë nga togat e zeza. Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit për Krime të Rënda, Dondollaku është gjykuar dhe dënuar në mungesë me “burgim të përjetshëm” për disa vrasje por, që përfundimisht është dënuar me 25 vite burg, duke përfituar uljen e dënimit. “Ushtarët” e “bandës së Lushnjës”Të pandehurit Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Rexhep Gina, Arjan Aliço, Jorgo Muzaka dhe Erjon Cici janë dënuar tashmë në formën e prerë, duke i shpallur fajtor dhe cilësuar si pjesëtarë të bandës së drejtuar nga Aldo Bare. I vetmi që është deklaruar i pafajshëm nga kjo dosje është shtetasi Afrim Hoxha, i cili nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda u deklarua i pafajshëm për akuzën e ngritur nga prokuroria dhe dënimi i marrë nga togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë. Dosja e Bares, tashmë në Gjykatën e LartëDosja penale ndaj Aldo Bares, i akuzuar dhe dënuar me burgim të përjetshëm si kreu i “bandës” së Lushnjës, tashmë ndodhet pranë Gjykatës së Lartë për të dytën herë dhe pritet që të shqyrtohet në muajt në vazhdim. Vetëm pak muaj më parë, ishte Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, e cila pas kthimit të dosjes nga Gjykata e Lartë që prishi vendimin e gjyqtarëve që janë propozuar të procedohen, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, duke e dënuar me “burgim të përjetshëm”. Vetë Bare ka pretenduar pafajësi për akuzat e ngritura ndaj tij. 


Shtoni një koment
2 Komente
Treviso
Zoti minister,Pranvera nuk vjen vetem me nje lule.Ti be çfar te duash por po su shkaterrua mafja qeveritare, drejtesia nuk do funksionoje.
Zef Kallami
Po gjyqtaret Ndreca dhe Sashenka kur do ti vini ne banken e te akuzuarit.Te cilet favorizune Berishen ne fitoren e Bashes qe i falenderoi me kurban duke e sperkatun vendin me gjakun e berrit si ne kohen e ballhudes.Kur sot njerezimi kerkon te dije se cfare gjindet ne planetin Mars.Hajde demokraci e Berishes hajde.
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

9 + 9 =