Thellë

Skandal në azil, i moshuari vdes për një serum

Ismail Hysa mbylli sytë i vetëm, në Shtëpinë e të Moshuarve. Askush nuk iu gjend pranë për të dëgjuar fjalët e fundit. Nuk kishte as grua e as fëmijë. Njerëzit më të afërt të gjakut ishin mbesat e tij. Ai ishte në gjendje të mjeruar ditët e fundit të jetës. Nuk vuante nga asnjë sëmundje e rëndë dhe nuk kishte probleme shëndetësore. Megjithatë u ndje keq për një javë sa nuk arrinte të ngrihej nga krevati, por askush nuk e dërgoi në spital dhe nuk pyetën për gjendjen e tij. “Kur e morëm vesh erdhën menjëherë, në mesin e natës. Njoftuam ambulancën dhe e dërguam në spital. Ismaili kishte nevojë vetëm për një serum. Më pas sikur e mori veten, por sërish kishte nevojë”, -tregon një nga të afërmit e tij. Adela tregon se e kishte të pamundur të kujdesej për dajën e nënës së saj, ndaj e vetmja mundësi jetese për Ismailin ishte rikthimi në azil, në vendin ku dha shpirt krejt i vetëm. Azili, një kazermë Ajo që e quajnë “Shtëpia e të Moshuarve” ndodhet 15 minuta larg stacionit të fundit të autobusit në Tufinë. Porta e madhe është e mbyllur plotësisht, e thuajse nuk ka asnjë mundësi të hysh brenda. Në dhomën e Ismailit janë dy të moshuar, të cilët si e do zakoni kanë vënë kujën për vdekjen, që u ka kallur datën gjithë banorëve të azilit. “Ismaili kur ishim tek azili te Ali Demi ngrihej që në 5 të mëngjesit dhe pasi hante mëngjesin dilte, kthehej në drekë. Kur erdhëm këtu ishim larg, por edhe nuk na linin të dilnim dhe ai u mërzit shumë. Aq shumë u mërzit sa u sëmur...”- lotët i ndërpresin rrëfimin. Mbi shtratin ku dergjet pa jetë 90-të vjeçari, stafi është kujtuar dhe ka varur një fotografi në mur. Askush nuk di të thotë se me ç’qëllim është vënë. Të afërmit duan të dinë se kush ishte pranë tij në çastet e fundit të jetës, por askush nuk flet. E lëmë mortin në dhomën e Ismailit për të shkuar në një dhomë tjetër, me shpresën se barra e pleqërisë do të jetë më e lehtë për ato pleq që jetojnë aty. Një i moshuar, është ulur këmbëkryq në krevatin e tij. Ka ngritur sytë lart a thua se i lutet zotit për mëshirë. Duket që vdekja e mikut e ka trembur. Panik i ngjall dhe blici i aparatit fotografik, por sapo i bëj një shenjë të hesht, ai hesht dhe duket sikur është mësuar të heshtë prej kohësh. 28 të moshuarit e azilit shtetëror janë në katin e dytë të godinës, ndërsa të tjerët në katin e parë të saj. Ajo që e quajnë azil përngjan një kazerme. Dhomat nuk janë të ndara me mur, dritat janë vënë në tela të cilët varen deri poshtë, telat duken gjithandej, ndërsa dyshemeja nuk është e shtruar me asgjë. Sapo hyn brenda, në të majtë është një zyrë, më pas dhomat, të cilat çuditërisht nuk janëtë ndara me mur nga njëra-tjetra, nga tavani e deri poshtë ka goxha hapësirë bosh. Të gjithë i dëgjojnë bisedat e njëri-tjetrit edhe pse në dhoma të ndryshme. Mobilimi i vetëm i këtyre hapësirave janë krevatet, karriget (më të shumtat të prishura) dollapët dhe komodinat. Banjat janë të papastruara dhe nuk ka sapun. Ka vetëm një kovë të madhe të mbushur me ujë. Duke dalë, syri të sheh disa njoftime të varura. Tregojnë për radhën e dushit, regjimin ditor duke filluar nga zgjimi e deri në mbrëmje...Por, askush nuk të flet për mizerllëkun që jetojnë ditët e fundit të jetës këta të moshuar “të syrgjynosur” në periferi të Tiranës. Të gjithë ata që tregojnë gjendjen në të cilën jetojnë ndëshkohen. Ndëshkohen në forma të ndryshme, dhuna psikologjike është e pashmangshme, por edhe dhunë fizike. Pleqtë të tregojnë se qëkur kanë ardhur në Tufinë jeta e tyre ka ndryshuar për keq. Tek “Ali Demi” ata kishin 12 dhoma të ndara, të shtruara me pllaka, të pajisura me ambiente të ngrohta me kaldaja, kondicioner, të mobiluara ashtu thjesht dhe të pajisura me televizor, frigorifer, bibliotekë e verandë. Atje i kishin të plotësuara nevojat materiale. Ndërsa në Tufinë veç vdekjen presin.


 


Përse u mbyll Qendra e të Moshuarve në Tiranë


Rikonstruksioni i ambienteve të azilit është shkaku zyrtar që prej 3 muajsh të moshuarit e kësaj qendre janë degdisur në Tufinë. Të paktën ky është argumenti që ofrojnë burime nga Shërbimi Social dhe nga Ministria mbi fatin e strehimit të të moshuarve. Sipas projektit, rikonstruksioni i qendrës së “Ali Demit”, pritet të përfundojë me 1 tetor. Kostoja e jetesës së një të moshuari shkon te 40-50.000 lekë. Kjo qendër është e vetmja rezidence shtetërore në Tiranë për të moshuarit. Për herë të parë është hapur në vitin 1969, në vendin ku ndodhet sot Kryegjyshata, me dy ambiente të bollshme ku jetonin bashkë burra e gra. Në vitet ‘90 objekti iu kthye pronarëve. Ndërsa në lagjen “Ali Demi” ku ata ishin më parë ka qenë çerdhe. Të moshuarit u vendosën aty rreth vitit 1992.


 


 


Hysni Kuka: “Kam marrëveshje me Shërbimin Social”


Ndërtesa ku janë vendosur të moshuarit e azilit të Tiranës është në pronësi të Hysni Kukës, që në zonë të gjithë e njohin si biznesmen. Hysni Kuka, më parë ka punuar në Shërbimin Social Shtetëror dhe më pas është shkëputur dhe ka krijuar shoqatën e tij. Është pikërisht kjo shoqatë që ka marrë përsipër dhe strehimin e të moshuarve. Madje ai ka nënshkruar një marrëveshje me shërbimit social shtetëror . I kontaktuar nga “Shekulli”, Hysni Kuka thotë se të moshuarit do të qëndrojnë në ambientet e shoqatës deri në datën 1 tetor, kohë në të cilën pritet të përfundojnë rikonstruksoni i ambienteve të godinës. “Të moshuarit janë transferuar në ambientet e shoqatës pas nënshkrimit të marrëveshjes me institucionet shtetërore. Ata nuk paguajnë as drita, as ujë dhe as qira për banesën, çdo shpenzim mbulohet nga shoqata”, -u shpreh Kuka.


 


 


Bashkia: Nuk i trajtojmë ne azilet, por vetëm qendrat ditore 


Sipas zëdhënësit për shtyp pranë Bashkisë së Tiranës, Shtëpia e të Moshuarve nuk është nën varësinë e këtij institucioni. Bashkia menaxhon vetëm qendrat ditore për të moshuarit, e sipas zëdhënësit nuk kanë asnjë dijeni së çfarë ka ndodhur me Azilin e Pleqve të Tiranës. Përgjegjësia e vetme e bashkisë së Tiranës janë qendrat ditore që ofrojnë shërbim ditor falas, duke filluar nga kafja e mëngjesit, argëtim, shërbimin e psikologut dhe punonjësit social, si dhe vizitat e mjekut. Të moshuarit në qendrat ditore vinë që në orën tetë, në orën 9 u shërbehet kafja e mëngjesit, më pas ndahen në grupe dhe fillojnë të luajnë. Rëndësi të veçantë në qendrat ditore ka edhe biblioteka, janë të shumtë ata që i kalojë orët pranë këtij këndi. Në kryeqytet janë mbi 4 qendra ditore, të cilat financohen nga Bashkia e Tiranës.


 


 


 


Resul Domi: Nuk e di pse kanë përfunduar në Tufinë


 


Resul Domi, ish-drejtor i azilit, tregon se gjatë periudhës që ishte në detyrë është diskutuar për të larguar të moshuarit nga qendra e Ali Demit. Sipas tij, ky vendim ka qenë i përkohshëm deri në mbarimin e punimeve të azilit. Domi rrëfen se aso kohe janë diskutuar disa variante, por vetëm ai që është vendosur nuk është diskutuar ndonjëherë. Domi thotë se varianti i parëqë është diskutuar ka qenë që të moshuarit të dërgoheshin në qendrën ditore në Kamëz. Një mundësi tjetër ishte që ata dërgoheshin në një hotel me kushte të mira. “Si alternativë shihej edhe shpërndarja në rrethe, në zonat më të afërta ndërsa varianti i fundit ishte të shkonin në Tufinë në një shtëpi, jo ajo në të cilën ndodhen aktualisht, por një tjetër me kushte më të mira. Alternativa më e mirë ishte në Kamëz pasi nuk kishte konflikt interesash”, - shprehet ish-drejtori i azilit. Domi thotë se nuk ka asnjë dijeni se si pleqtë që ai është kujdesur për vite të tëra, kanë përfunduar në këtë kazermë në Tufinë. Sipas tij, ky ka qenë një vendim që është marrë nga struktura më të larta të qeverisë.


 Albina Hoxha


 


Shtoni një koment
7 Komente
llahtar
DIKUR NE NJE FILM,E NE NJE VEND SI KY I YNI-Pleqte e moshes se trete i çonin ne nje mal pa ushqim dhe i linin atje ashtu si kuajt pleq qemoti ( tani i hane)dhe u jepnin vetem gazeta per te lexuar.
juxhens
turp per keta gjysher por zoti shikon
Pa Emër
Po istitucionet fetare ku jane?Apo bejne politik...
spartaku
Te shkretet te moshuar.Nuk e din se ata qe tallen me te moshuarit do te behen ne nje te ardheme si keta.Cfare do mbjelleshate do korresh.Eshte hua per dere.
Pa Emër
gjithsecili shkruan sipas interesave te veta....por un nuk mendoj se ka njerez te pameshirshem aq me teper drejtues institucioni qe te bej kete veprim qe shkruhett.....mjaftt shkruajtet brockullaaa...pa lidhje fare....!!!
Pa Emër
fuckkk
resulii
Pa Emër
Turp tu vije femijeve, niperve dhe mbesave qe i katandisisin njerezit e trye ne keto nevojtore te shtetit shqiptar. Ju dhimbset dhe nje krodhe buke per njeriun e tyre.
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

9 + 5 =