Jetë

Detajet: Procedurat e regjistrimit në universitete


Pas shpalljes së rezultateve fituese tani çdo gjë është në dorën e maturantëve për t’u regjistruar. MASH ka hapur dje procedurat për regjistrimin paraprak të fituesve në universitete dhe ka caktuar 5 ditë afat nga ora 9.00 deri në orën 24.00, që fituesit të regjistrohen në programet që ata dëshirojnë. Regjistrimi online u jep mundësi studentëve të rinj të regjistrohen në një mënyrë më të thjeshtë, pa qenë nevoja të vijnë nga rrethet e ndryshme të vendit për të shkuar në sekretaritë e fakulteteve ku janë shpallur fitues. Në këtë mënyrë, prindërit do të shmangin një pjesë të shpenzimeve për fëmijët e tyre. Mjafton që të kenë akses në internet.


Këtë vit janë rreth 27 mijw maturantë që do të ulen për herë të parë në auditorë. Shumica e fituesve mbeten akoma në pritje të rezultateve përfundimtare, pasi do të presin që të ngjiten një preferencë më lartë.


Për të shmangur të gjitha paqartësitë e regjistrimit “Shekulli” ka intervistuar Drejtorin e Përgjithshëm të AKP-së, Alfons Harizaj, i cili shpjegon hapat pas shpalljes së rezultatit. Po kështu, ai kërkon të qartësojë se regjistrimi është i detyrueshëm pavarësisht nëse dikush pretendon të fitojë në një fazë tjetër për një preferencë më lartë. Nga ana tjetër, këtë vit do të ketë vetëm dy faza regjistrimi, e fundit do të jetë në datën 1 tetor.


 


Z.Harizaj cilat janë hapat që do të ndjekin maturantët?


Pas publikimit të rezultateve të fazës së parë, fituesit do të ndjekin procedurat e regjistrimit për në universitete në fakultetin përkatës. Nga 18 deri në 23 shtator ata do të regjistrohen online. Fituesit kanë marrë instruksionet e nevojshme në udhëzimin përkatës që është publikuar në faqen e MASH. Janë instruktuar se si duhet të ndjekin hap pas hapi mënyrën e regjistrimit për opsionin që kanë zgjedhur.


Janë 5 fusha që duhet të plotësojnë, duke filluar nga fusha e parë që është ID e Maturës Shtetërore, emri, atësia, mbiemri dhe Numri Personal i Kartës së Identitetit. Gjithashtu është një adresë emaili, nëpërmjet së cilës do të njoftohen për hapat që kanë bërë në sistem. Dhe mbasi këto të dhëna janë futur saktë sistemi i lejon që të vazhdojnë më tej me aplikimin.


 


Sa opsione regjistrimi ka?


Më tej në aplikim atyre iu shfaqet fakulteti që kanë fituar, numri i preferencës, pikët përkatëse. Pas kësaj aplikuesi duhet të shtypë butonin “regjistrohu”. Mbas këtij momenti dalin dy obsione në faqen tjetër. Njëri është: “vazhdo konkurrimin për një opsion më të lartë” dhe tjetri është :“regjistrohem përfundimisht në preferencën e shpallur”. Nëse kandidati është fitues në preferencën e parë, kuptohet që ai është fitues përfundimtar, nëse maturanti është fitues në një nga preferencat nga 2 deri në 9, atëherë ai duhet të marrë një vendim. Nëse ai dëshiron të mbetet përfundimisht te kjo preferencë ai duhet të konfirmojë regjistrimin përfundimtar. Nëse ai dëshiron të konkurojë për më lartë, ai duhet të zgjedhë obsionin tjetër :“vazhdoj konkurimin për një preferencë më të lartë”.


 


Po nëse nuk arrijnë dot një preferencë më të lartë, a mbeten fitues tek ajo preferencë që u shpallën në fillim?


Po. Ajo preferencë nuk i digjet kandidatit në rast se ai nuk gjendet fitues në një preferencë më sipër. Nëse e ngjit sistemi në preferencë më lartë gjatë përzgjedhjes që do të bëhet në fazën e dytë, atëherë fituesi njoftohet në datën 1 tetor që ka fituar në një preferencë më lartë, ose përndryshe e nxjerr të konfirmuar në atë preferencë që kishte fituar në fillim.


 


Po nëse dikujt i rezulton aplikimi i pasuksesshëm, çfarë hapash duhet të ndjekë?


Rastet kur aplikimi online rezulton i pasuksesshëm janë rastet kur fituesi nuk i ka të dhënat e sakta dhe në këto raste ai duhet të shkojë pranë sekretarisë mësimore të fakultetit për të kryer regjistrimin. Po, këto raste duhet të jenë shumë të pakta.


 


Sa faza do të ketë këtë vit për fituesit?


Lista e fituesve që u shpall dje do të pasohet nga lista përfundimtare që do të dalë në 1 tetor. Për të gjithë ata maturantë që kanë zgjedhur obsionin “do të vazhdoj konkurimin” do të ketë edhe një përzgjedhje të dytë, që do të kryhet automatikisht nga sistemi. Në datën 1 tetor del lista përfundimtare me preferencën që e ka vendosur sistemi.


 


Si është niveli i arritjeve të studentëve këtë vit dhe cilat janë degët më të kërkuara?


Niveli i maturantëve është i krahasueshëm me 1 vit më parë. Ka lëndë ku ka rritje të nivelit të maturantëve. Vërehet fenomeni i orientimit të studentëve për përzgjedhjen e anglishtes. Degët më të preferuara janë grupi i degëve të Mjekësisë, të Ekonomikut dhe të Teknologjisë dhe Informacionit.


 


Po Juridiku që është cilësuar si “mbreti i degëve” të kërkuara?


Juridiku ka shumë kërkesa dhe fitues, por nuk është më në majën e degëve të kërkuara. Ka një rënie të lehtë të pikëve dhe të fituesit të fundit në degën e Juridikut.


 


Atëherë do të ketë shumë studentë të anglishtes këtë vit?


Me gjasa, po. Realisht shumë studentë kanë zgjedhur anglishten këtë vit për të dhënë provim.


 


Megjithëse është dita e parë, a ka ankesa nga maturantët?


Kjo është dita e parë dhe ata merrem më shumë për të parë pikët. Ndoshta në ditët në vijim do të kemi ankesat e para. Fazës së shpalljes së fituesve, ne i kemi paraprirë me formularin e  korrigjimit të pasaktësive, me nxjerrjen e librit të transparencës.  


 


 


 


Fituesit nuk do të dorëzojnë diplomën e shkollës së mesme


Ndryshe nga vitet e tjera këtë vit ka një ndryshim të dukshëm, përsa i përket dorëzimit të dokumentacionit. Për herë të parë në historinë e regjistrimeve në universitete, këtë vit fituesit nuk do të dorëzojnë diplomën e shkollës së mesme.


Për më tepër na sqaron Drejtori i AKP-së, Alfons Harizaj: “E para, është për t’u ardhur në ndihmë studentëve, sepse ai ëshët një dokument që ata i shoqëron gjithë jetën. E dyta, u bë e panevojshme sepse rezultatet e tyre janë në databasen kombëtare dhe në çdo rast i kanë të dhënat në dispozicion në mënyrë zyrtare pranë universiteteve dhe me synimin për tyë ulur koston financiare të dokumenteve që duhen bërë noterimet”. Prandaj, sivjet nxënësit nuk do të dorëzojnë diplomën e shkollës së mesme, por ata duhet të paraqiten në sekretari javën e parë që ka filluar mësimi dhe duhet të dorëzojnë fotokopjen e dokumentit të Kartës së Identitetit, një mandat arkëtimi për tarifëne regjistrimit, e cila do të jetë 1600 lekë dhe dy foto që duhen për kartën e studentit”.


 


 


 


Cristian Cura, fituesi i parë që u regjistrua online


Cristiani është ish-maturant i shkollës “Qemal Stafa”dhe është vlerësuar nga sistemi si fituesi i parë në Shqipëri që ka bërë aplikimin online. Ai ka fituar me preferencë të dytë degën e Stomatologjisë dhe ka zgjedhur që të mos e vazhdojë më konkurrimin për preferencë të parë.


 


Kur e bëre regjistrimin?


Sapo pashë rezultatet vendosa që të vij të bëj regjistrimin që në ditën e parë të aplikimit dhe e përfundova.


 


Pate vështirësi në regjistrimin online?


Të them të drejtën nuk pata vështirësi sepse na e kanë shpjeguar shumë herë dhe e kam parë udhëzimin e MASH-it te faqja zyrtare. Po i ndoqe të gjitha hapat nuk ka problem. Pastaj, nëse është dikush që nuk di të aplikojë ndoshta dhe do të gabonte.


 


Ishte e nevojshme që të kishe dikë që të orientonte?


Jo. Të gjithë dinë të përdorin kompjuterin dhe të futen tek faqja e MASH për të bërë aplikimin. Por, gjithsesi duhet të lexosh udhëzimin që të mos kesh të papritura.


 


Sa zgjati procedura e regjistrimit online?


Procedura e regjistrimit online ishte shumë e shkurtër. Zgjati vetëm dy minuta, derisa erdhi konfirmimi me email që regjistrimi ishte kryer me sukses. 


Emanuela Sako

Shtoni një koment
2 Komente
FLORA
Une gjithashtu jam regjistruar oneline dhe ka qene nje procedure mjaf e thjeshte dhe interesante.
EL
A ESHTE E LEJUSHME TE RREGJISTROHESH NE NJE UNIVERSITET PUBLIK PER TE VAZHDUAR NJE DEGE TE DYTE PER SISTEMIN DITA!!!
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

6 + 9 =