Kulturë

Eurimages, garanci apo kalvar për kineastët tanë

Eurimages e mban në Tiranë takimin e radhës për këtë sezon. Është hera e parë që struktura e Këshillit të Europës për kinematografinë do t’i marrë vendimet për projektet e gjithë kontinentit në vendin tonë. Do marrë kjo si shenjë besimi e vlerësimi për atë profil të brishtë që kanë treguar vitet e fundit projektet e kineastëve të rinj shqiptarë në Eurimages? Ka të ngjarë të jetë kjo arsyeja.


Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Artan Minarolli konfirmon lajmin se më 15-18 tetor, përfaqësuesit e vendeve europiane anëtare në Eurimages do të diskutojnë idetë dhe do të votojnë projektet fituese në Tiranë. Janë gjithsej 72 anëtarë nga 36 vende.


Minarolli e quan një “ngjarje me mjaft rëndësi” për periudhën që po kalon kinematografia vendase. “Sistemi i Qendrës Shqiptare të Kinematografike është një market i vogël në raport me sistemin e Eurimages-it ku mund të aplikojnë autorë të ndryshëm privatë”, thotë Minarolli dhe shton se për këtë sezon “merr pjesë një projekt i regjisorit Fatmir Koçi dhe nëse realizohet do të ketë një mbështetje e madhe”.


Koçi është tashmë fitues në QKK me projektin “Anglia në çatinë time”, por Minarolli si anëtar i jurisë së madhe të Eurimages-it nuk lejohet të bëjë më shumë komente sesa thjesht kjo përmendje.   


Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në këtë strukturë ndërkombëtare të Këshillit të Evropës në shtator të vitit 2009.


Njohja me të drejtat dhe detyrimet e aplikimit në Eurimages erdhi shkallë-shkallë. Një vit më vonë, Sekretari i Përgjithshëm i Eurimages-it, Roberto Olla, mbajti në Tiranë një forum të gjerë me kineastët shqiptarë ku theksonte: “Filmi mund të jetë 100% një histori shqiptare, por duhet të ngjallë interes edhe për vendet e tjera, për producentët e tjerë që investojnë në këtë film. Skenari kontrollohet nga dy specialistë të kinemasë (readers), që shqyrtojnë cilësinë e tij, të ardhurat që mund të sjellë, impaktin që mund të ketë në kinema shfaqja e tij. Përkthimi duhet të jetë po aq i mirë sa skenari, po ashtu edhe dialogët.” Këto cilësi i japin shanse një projekti për të qenë fitues dhe për t’u financuar nga Eurimages në masën 17% të buxhetit. Kërkohet që projekti të jetë bashkëprodhim me të paktën 2 producentë nga vende të ndryshme dhe që producentët të japin garanci financiare, pra duhet që 50% e buxhetit të filmit të jetë siguruar që më parë.


Përmbushja e këtyre rregullave përbën një kalvar për producentin shqiptar sepse këto vitet e fundit është bërë edhe më e vështirë ngritja e buxheteve për një projekt dhe hyrja në kooproduksion e Shqipërisë me vende të tjera. Vetë Qendra Kombëtare e Kinematografisë që po funksionon me buxhete që nga një vit në tjetrin vijnë duke u shkurtuar, nuk po ua bën të lehtë konkurrimin për në Eurimages.


Rasti i parë që i hyri më 2010-ën kësaj aventure ishte “Amnistia” e Bujar Alimanit që u mbështet me 120 mijë euro. Filmi do të realizohej si bashkëprodhim shqiptaro-greko-francez. Ky projekt i parë filmik i paraqitur nga Shqipëria në bordin e Eurimages është peizazh tragjik i tranzicionit tonë. Filmi i përfaqësua më sukses në shumë festivale të rëndësishme, pas prezantimit në Berlinale ku u vlerësua me çmimin C.I.C.A.E.


A do t’i hynte sërish kësaj aventure Alimani?


Një vit pas tij, një tjetër projekt mbështetet nga Eurimages, “Agon” i regjisorit Robert Budina, me 140.000 euro. Edhe për Budinën ky është realizimi i parë me metrazh të gjatë. Bashkëprodhim shqiptaro-grek-rumuno-francez, “Agon” është një histori familjare e dy vëllezërve në mërgim. Mendohet ta ketë premierën në ditët e Festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar që do të mbahet në Tiranë më 3-9 nëntor. 


Dhe rasti i tretë, është projekti “Bota” i regjisores Iris Elezi, i cili në takimin e qershorit të shkuar u shpall fitues dhe do të mbështetet me 100 mijë euro. “Bota” tregon historinë e tre të rinjve të rritur në kampe internimi. Elezi mendon të xhirojë në fillim të 2013-s.


 


 


 


 


Kalendar


 


William Golding, nobelisti i “Perëndisë së mizave”


Luela Myftari


 


William Golding (19 shtator 1911 - 19 qershor 1993), shkrimtar britanik, nga të paktët shkrimtarë në botë që jo vetëm është përpjekur të lidhë karakteret njerëzore me ritmet e natyrës, por edhe e ka realizuar atë më së miri. Ai është shkrimtari i imazheve të hollësishme të xhunglës njerëzore. Arti i tij është i mbushur me përshkrime të jashtëzakonshme, jo vetëm me ato të personazheve, por me përshkrimin e detajuar të një ferrishteje apo me përshkrimin e një peme pranë detit. Ai ishte dhe është ende i njohur për simbolikën e fuqishme që përdor. Në të vërtetë, disa kritikë mendojnë se simbolizmi i tij është aq i fuqishëm sa ka aftësi që të shtypë një pjesë të mirë të punës së tij.


Vepra më popullore e tij është “Perëndia e mizave” ku alegoria merr një status kult. Libri arriti të frymëzojë botën e filmit dhe në pak vite të realizohen dy filma bazuar në këtë roman. “Perëndia e mizave” është përkthyer në 26 gjuhë dhe është shitur në miliona kopje në mbarë botën. Kjo vepër u bë shumë shpejt standarde në kolegjet dhe shkollat e mesme. Në shqip romani është përkthyer nga Shpëtim Mushketa (Ombra GVG, 2009).


Romani portretizon një grup fëmijësh britanikë, të cilët gjenden të braktisur në një ishull për shkak të një aksidenti ajror gjatë një lufte globale bërthamore. Fëmijët, të vetëm, vendosin të krijojnë një shoqëri të organizuar dhe demokratike. Ata fillojnë të ndahen në grupe e të marrin përsipër rolet që u janë paraqitur. Dikush do të ruajë zjarrin, disa do të ndërtojnë çadra për të kaluar natën, ndërsa të tjerë do të shkojnë për të siguruar ushqim. Por fëmijët, të gjendur tërësisht pa rregulla dhe kontroll, fillojnë të ndihen të tensionuar. Situatat sa vijnë edhe përkeqësohen aq sa edhe mbijetesa e tyre bëhet e vështirë.


Ian Gregor dhe Mark Kinkead Weeks, studiuesit e veprës së Golding-ut, kanë shkruar se romani “Perëndia e mizave”, ka vlerë të çmuar jo pse ai na tregon errësirën e zemrës së njeriut, por ngaqë e nxjerr në pah atë, sepse është një vepër arti, e cila na mundëson që të hyjmë thellë brenda botës së tij. Vegimet e tij bëhen vegimet tona dhe ky sinjal na bën të kuptojmë vërtetësinë e thënies së Shellit që “imagjinata është instrumenti kryesor për shëndoshjen morale”.


Romancier, poet dhe dramaturg, në vitin 1980 fiton çmimin “Booker” për trilogjinë “Ritet e udhëtimit”. Tre vjet më vonë bëhet fitues i Nobelit. Në vitin 2008, gazeta “The Times” e rendit ndër “50 shkrimtarët më të mëdhenj britanikë që nga viti 1945”.


William G. Golding u lind më 19 shtator 1911, në shtëpinë e gjyshes së tij, në Kornuoll. Babai i tij, Alec Golding ishte mësues i shkencave ekzakte, ndërsa nëna, Mildred, u shqua si aktiviste feministe. Golding u arsimua në shkollën “Grammar Marlborough”, atje ku babai i tij ishte mësues. Fillimisht studioi shkenca ekzakte, por më vonë ndoqi kurset e anglishtes në Oksford. U diplomua më 1934 dhe në verën e atij viti arriti të botojë veprën e parë, një përmbledhje më poezi e cila u botua në Londër nga “Macmillan & Co”. Në vitin 1939 u martua me kimisten Ann Brookfield, me të cilën pati dy fëmijë. Golding iu bashkua Marinës Mbretërore në vitin 1940 dhe ishte pjesë e sulmit në Normandi. Ai kishte një dashuri të fortë për detin dhe lundrimin.


Menjëherë pas luftës iu kthye mësimdhënies dhe shkrimeve. Më 1953 dërgoi për botim dorëshkrimin e romanit “Perëndia e mizave” që iu refuzua kategorikisht. Pas shumë e shumë ndërhyrjeve, shkurtimeve dhe ndryshimeve në tekst, Golding arriti ta botojë një vit më vonë. Pas kësaj vijnë romanet “Trashëgimtarët”, “Ritet e udhëtimit” etj..


Suksesi i veprave që ishin botuar filloi ta shkëpuste shkrimtarin nga mësimdhënia. Kështu që në vitin 1961, Golding heq dorë nga posti i mësuesit dhe e kalon atë vit akademik në ShBA si shkrimtar në “Hollins College”, në Virxhinia. Vitet e fundit i kaloi në heshtje me gruan e tij, Ana, në shtëpinë e tyre. Ndërroi jetë 19 korrik 1993.


Valeria Dedaj

Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

5 + 6 =