Advertisement
Thellë

Pronat e ushtrisë, thela e fundit. Gati nisja e procesit të privatizimit

Rreth 90% e fondit të përgjithshëm të pronave të paluajtshme që disponohen nga Forcat e Armatosura pritet të ndryshojnë titullin e pronësisë për t’iu transferuar pushtetit lokal, apo për t’i vënë në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me synim kthim-kompensimin fizik të pronarëve. Në fakt procesi në fjalë thjesht sa do të zyrtarizojë dhe njohë atë që në realitet ka 20 vjet që është konsumuar brenda ushtrisë shqiptare. Kështu sipas ministrit të Mbrojtjes Arben Imami “nga 1300 prona që ne aktualisht disponojmë rreth 180-190 mbeten në Planin e Përhapjes të FA. Në vitin 2009 rreth 1000 prona kanë qenë jashtë Planit të Përhapjes. Në këto tre vjet kanë dalë jashtë Planit të Përhapjes pothuajse vetëm depot që janë zbrazur nga materialet e tepërta dhe nga municionet e tepërta”. Teknikisht, siç edhe është bërë e njohur më parë, flitet për gati 1.2 milionë metra katrorë terrene dhe objekte. Kuptimi i fjalës së ministrit, mbajtur pardje në mbledhjen e Bordit Drejtues të Monitorimit të Procesit të Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme të Forcave të Armatosura konsiston në atë se procesi i reformimit të ushtrisë, në termat e ridislokimit mund të quhet i përmbyllur. Pasojë direkte e tij është ndër të tjera edhe lirimi i mjaft mjediseve dhe objekteve që dikur ishin në përdorim të ushtrisë, por që këtej e tutje janë të panevojshme që të ruajnë këtë destinacion. Për të dhënë një ide me shifra, Imami ka përmendur qartë se nga 1300 prona që janë nën pronësi të Forcave të Armatosura janë të nevojshme për të vijuar aktivitetin e tyre vetëm 180- 190. “Pronat e tepërta, të cilat nuk kemi kapacitet t’i mbajmë, t’i ruajmë dhe që janë një barrë për ushtrinë shqiptare, t’i jepen publikut”, ka shtuar ai. Por ku shkojnë këto prona të cilat janë një kapital i jashtëzakonshëm investimi dhe një prurje thelbësore në tregun shqiptar? Ministri ka dhënë një përgjigje që gjithsesi e pashoqëruar me vendime shtesë mund të reduktohet në retorikë. “Të evidentohen të gjitha pronat e lira, nga ndërtesat, të cilat kanë edhe troje dhe me një VKM t’ia kalojmë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në këtë mënyrë, ka nënvizuar ai, japim një kontribut për këtë proces shumë të rëndësishëm për njohjen e të drejtave të ligjshme të pronës në Shqipëri të shkallmuara në 50 vjet të regjimit komunist”, është shprehur ai. Kështu pronat e ushtrisë teorikisht do t’i ndihin realizimit të pjesshëm të strategjisë së pronave në Shqipëri miratuarpak kohë më parë dhe që pasqyron në një kuptim potencialin e sanksioneve që mund të marrë Shqipëria për këtë çështje nga BE-ja. Një proces që duket se do të hapë punë dhe që është delikat është edhe ai i rishikimit të të gjitha akteve të shit-blerjes së pronave të ushtrisë pas vitit 1990. “Do t’i kthehemi të gjitha pronave që Ministria e Mbrojtjes ka privatizuar apo ka dhënë në përdorim të tretëve, pushtetit lokal, institucioneve të tjera qendrore, për të bërë një ballafaqim midis situatës së pronës së viti 1990 mbështetur në hartat e asaj kohe”, është shprehur ministri i Mbrojtjes Imami. Madje ai ka bërë të ditur të pranishmëve se për të bërë zbardhur situatën është urdhëruar auditi të kryejë veprimet e duhura. Për të kuptuar më mirë tagrin e detyrave të secilit institucion që është pjesë e Bordit në fjalë, Imami ka sqaruar tekstualisht detyrat e Ministrisë së Mbrojtjes në këtë proces. Kjo vlen edhe si një përgjigje ndaj akuzave që i janë bërë së fundmi këtij institucioni dhe titullarit të tij. “Në këtë proces ka nevojë për të rritur bashkëpunimin, së pari brenda ministrisë sonë, midis të gjitha komandave dhe ministrisë, në mënyrë që ky vit të jetë viti i trajtimit dhe zgjidhjes së problemit të pronave të tepërta, brenda kompetencave që na jep ligji. Ne nuk privatizojmë, ne nuk shesim, por ne kemi një detyrë themelore që të përgatisim dokumentacionin e saktë të të gjitha pronave që janë në inventarin e Ministrisë së Mbrojtjes, me përparësi të atyre pronave që janë brenda Planit të Përhapjes, pra që mbetën pronë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe pastaj të të gjitha pronave të tjera”, tha ai.  


Genti Minarolli: Kthim pronarëve ose privatizim  


Pronat e tepërta të forcave të Armatosura, që dalin të tilla pas miratimit të Planit të Përhapjes së tyre do të kenë tri destinacione. I pyetur nga nga Shekulli, drejtori i Privatizimit në Ministrisë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genti Minarolli sqaroi se si do të veprohet me mjediset dhe terrenet që lirohen nga përdorimi i deritanishëm nga Forcat e Armatosura. “Do të veprohet siç është vepruar deri më tani. Për terrenet, pra troje le të themi ku nuk ka objekte, aty ku nuk ka pronar do t’i kalohen pushteti lokal. Aty ku ka, do t’i kalohen Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për t’ia kthyer pronarit. Për rastet kur ka objekte, pra kur shteti ka investuar, ato do të kalojnë për privatizim”, tha Minarolli. Pra kthim apo kompensim për trojet, privatizim për objektet ose kalim pushtetit lokal për të dy kategoritë kur zyrtarisht nuk ka pretendime nga pronarët. I gjithë procesi në fjalë më shumë lidhet me unifikimin e dokumentacionit për pronat, prej nga ku mund të bëhet rivlerësimi dhe mandej destinomi final. Me interes do të ishte të njihej zyrtarisht sa është sipërfaqja e terreneve dhe vendndodhja e tyre. Këtu përfshihen edhe ato të Flotës Detare pra rajonet turistike, por edhe pyje, që janë një aset ekonomik shumë i madh. Lidhur me këtë çështje, drejtuesi i mbledhjes së Bordit, zv. ministri Ekrem Spahia i pyetur nga Shekulli nuk pranoi të fliste.   


Pronarëve qeveria do t’u japë majat e maleve


  Pronarët nuk besojnë se lirimi i pronave të paluajtshme të Forcave të Armatosura do të funksionalizohet për të bërë kompensimin e tyre fizik. Nënkryetari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi deklaroi dje për Shekullin se nga ky proces pronarët nuk përfitojnë. “Mund të ketë pronarë të caktuar që mund të kenë të drejtën e parablerjes dhe unë nuk paragjykoj. Por që këto prona të kalojnë për kompensim fizik për pronarët unë nuk besoj dhe ende nuk di gjë. Kjo qeveri ka vendosur që pronarëve t’u japë për kompensim majat e maleve sipas parimit ‘disa ngjiten e disa zbresin’”, tha Vorpsi. Sipas tij qeveria kryesisht do të kufizohet me kompensimin financiar që e ka parim të vetin. Ndërkohë nuk mund të mos vihet re se ironia me natyrën e kompensimit fizik të pronarëve adreson prapavijën politike që qëndron në këtë proces. Madje prapavijën elektorale do të ishte më saktë. Aktualisht mbi qeverinë “Berisha” çështja e pronave po rëndohet si një problem që sa vjen e nxjerr në sipërfaqe mahisjen e 20 vjetëve abuzim.


Skerdilajd Zaimi 


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al
3 Komente
ish ushtarak
okej me mendimin e ministrit qe tua jape pronareve, po me ata oficere qe i cuan me urdher te punonin ne cdo maj mali dhe jo prane familjeve te tyre ne vendlindje, e ne fund as nuk i kane strehuar por ju kane dhene nje cope fjetin ushtari, depo truproje si do veprohet? apo do i nxjerin jashte familjarisht
Mark.uk
ish ushtaraku:Vertet keni pasur veshtersi,po rrogen e keni pasur sa 20 kooperativiste.
daku
shume mire e ke mark.Po na dalin te persekutum, edhe rojet e dulles tashi

Shtoni një koment

3 + 5 =