Jetë

Dasma tropojane, pasuria që u “gllabërua” nga kohët moderne


Gjon Neçaj


Një ndër momentet më të gëzuara në jetën familjare është dasma, mbi të cilën ndërtohet ngrehina bashkëshortore, ku do të lidhet përjetësisht jeta e dy të rinjve. Lidhja bashkëshortore sipas traditës në Tropojë kalon nëpër disa faza, të cilat janë fejesa, miqësia, paja, kanagjeçi, pjekja dhe kurorëzimi i gjithë kësaj është dasma e shoqëruar me dy miqësi të më pastajme. Por prej 30 vitesh dasma tradicionale, një spektakël i rrallë që mund ta gjeje ndër shekuj vetëm në trevat shqiptare, nuk praktikohet më. Dhomën e grave ku përgatitej e zbukurohej nusja e kanë zëvendësuar parukeritë. Duvakun dhe veshjen popullore, e kanë zëvendësuar fustanet e bardhë të nusërisë. Këngët zakonore, të krijuara enkas nga populli për këtë festë janë zëvendësuar nga orkestra, që më së shumti luajnë muzik tallave. Kohët moderne e kanë “gllabëruar” këtë shfaqje të rrallë, ku ndërthuret çdo gjë unike që mund të trashëgojë një popull. Por si ishin dikur dasmat shqiptare?


 


PARADASMA


Tradita tropojane sjell te ne se qysh kur lind fëmija, nëpërmjet ninullave e këngëve të djepit i urohej nuse apo burrë të mire, një dasmë të madhe e me shumë krushq. Në  themel të fejesës ka qënë shkuesia. Shkuesi ndërhynte te prindërit e vajzës për t’i bindur ata që vajza e tyre, të fejohet me atë që kishte ndërhyrë. Kur fejesa realizohej, shkuesi do të merrte nga dhëndëri një shpërblim të  mirë. Sipas traditës, mund të lidheshin fejesa për foshnje akoma pa lindur, apo të moshave fëminore. Fejesa shoqërohej me dy miqësi: të parët janë familja e dhëndërrit që shkojnë te prindërit e vajzës dhe tre, pesë, shtatë ose nëntë vetë (gjithmonë tek), apo edhe më shumë. Miqtë qëndrojnë për darkë e deri të nesërmen për drekë. Prindërit e vajzës, thërrasin edhe të afërmit e tyre. Mbas dy javësh familja e vajzës i kthen vizitën mikut me të njëjtat kritere.


Mbasi kryhet ceremonia e fejesës, fillon puna për përgatitjen çejzit (pajës)për vajzën dhe shpenzimet do të jenë të gjitha të dhëndërit. Çejzi ( paja ) përgatitej sipas mundësive ekonomike të secilës palë, duke përfshirë edhe dhurata (të falat) nga të afërm të farefisit. Mbas përfundimit të përgatitjeve për dasmë, në marrëveshje mes të dy familjeve, caktohet dita e dasmës (oroku). Dita e dasmës ishte e hëna ose e enjtja, me hënë të re. Dita e dasmës, oroku, nuk mund  të ndryshonte për asnjë arsye. Dy ditë para dasmës miku dërgon familjes së vajzës pjesën e pajës  së blerë dhe dy “arka” (kutia Gjakove) për çejzin.


 


DASMA E VAJZËS ( KANAGJEÇI )


 


Ndryshe nga dasma e djalit, dasma e vajzës është një përzjerje e gëzimit me trishtimin.Të premten në darkë, në shtëpinë e vajzës në dhomën e saj mblidhen të gjitha shoqet e fëmijërisë e të rinisë së sajAto nuk ndihen fare veçse bëjnë muhabet, si një retrospektivë të jetës së tyre pra edhe të vajzës tashmë nuse. Dhe hera herës qeshin me të madhe, por më shumë përloten, për kohën e ikur dhe për ndarjen e madhe që i pret. E shtuna është kanagjeçi (dasma e vajzës). Gratë dhe vajzat e fshatit, dhe bijat e familjes bashkë me fëmijët ftohen në këtë ceremoni ku këndohet për nusen që po i jep fund vajzërisë dhe jetës tek babai dhe po shkon në derë të huaj, tek burri. Të nesërmen vijnë krushqit, bëhet pjekja në vendin e caktuar ku dy palët e krushqve ndërrojnë duhan, këndojnë nga një këngë bëjnë pak muhabet dhe ndahen secili për në shtëpinë e vet. Kanagjeçet kanë gëzimin, por edhe trishtimin e tyre. Vajzat janë të bindura dhe plotësisht të ndërgjegjshme për shenjtërinë e familjes. Pra vajza e re e brishtë, këtej e tutje do i kushtohet një jete të re, familjes, po kaq të brishtë, ndryshe kryekëput nga vajzëria, tashmë e marrë fund. Kjo ka të bëjë edhe me vendimin aq të prerë për familjen e re, për rrugën e nisur. Pasi bashkimi i të rinjve bëhet mbi baza shumë të forta njohjeje të njëri-tjetrit si të djalit me vajzën që të përputhen nga pamja,  pse jo edhe nga temperamenti. Sepse ai që hyn të bëjë këtë miqësi, i njeh dhe i psikologjis të rinjtë. Këta njerëz që bashkojnë të rinjtë, janë burra me reputacion e të dhënë pas kësaj pune, pra jo kushdo mund ta kryejë një gjë të tillë. Rëndësi e madhe i kushtohet fisit të djalit apo të vajzës, e në këtë rast kemi të bëjmë me një lidhje mes burrash me besë për një miqësi të përjetshme. Natën e kanagjeçit i tregohet vajzës për ditën e martesës dhe ekspozohet çejzi: qilima, sexhade, dyshekë, jastekë, cerga, shilte, duej (hebe), çorape, meste, qëndisma, të falat (dhuratat), rroba të veshjes, të fjetjes, arka me çfarë ka brenda saj.Të nesërmen e kanagjeçit, në mëngjes herët, vajzën e veshin nuse dhe i bëhet tualeti i nusërisë. Në kanagjeç nuk marrin pjesë burrat, në pjekje burrat e fshatit marrin pjesë masivisht. Kjo bëhet në respekt të vajzës që e përcjellin, si dhe për nderim të miqve.


 


PËRCJELLJA DHE PRITJA E NUSES


Pasi kalon një kohë që quhet “masëmiri”, i pari i krushqve i drejtohet të zotit të shtëpisë duke i kërkuar leje për rrugëtim. Përcjellja bëhet në mënyrë ceremoniale ashtu sikur edhe pritja. Çejzi në pjekje vihet në kuaj të miqve dhe kuajve u vihen shami të lidhura në jelë dhe kalin ka nga një njeri përgjegjës. Nuses në pjekje i vihet duvaku dhe përsëri udhëton me të njëjtin kalë duke qëndruar e kërrusur dhe e shoqëruar me të njëjtin shoqërues që e kishte sjellë në pjekje. Ky shoqërim i bëhet derisa  kalon kufirin e fisit të vet. Nusen e shoqëron edhe një grua e moshuar e afërme e saj. Karakteristikë ka qenë se në të gjitha fiset në Tropojë, fejesat janë bërë pa patur asnjë kontakt e njohje mes vajzës e  djalit, bile as pamje nga larg. Kontakti dhe prezantimi i parë në mes dhëndërrit dhe nuses, është nata e martesës. Në pjekje, nusja dhe gratë që e shoqërojnë, qëndrojnë në një vend që nuk duken nga dasmorët. Dasmorët kur dalin në pozicion të dukshëm me pjekjen njoftojnë ardhjen me këngë asqerçe të shoqëruar me vikamë dhe krisma pushkësh. Dasmorët kur mbërrijnë në fshat, i thërrasin dhëndërrit, (pasi dhëndëri rrin në shtëpi dhe nuk shkon në pjekje), për të marrë nusen. Atë e urojnë me breshëri armësh, demonstrohen gara me kuaj, me këngë, e tupan. Dhëndërri i prêt krushqit te dera e oborrit, ku nuses dhe krushqve u hidhet oriz, grurë, sheqer kokërr e lekë metalik. Nuses i vihet një thes para dere dhe nga kali direkt me këmbën e djathtë para do të shkelin aty, çka presupozon bereqet, i lyejnë shuplakën e dorës së djathtë me mjaltë, të cilën ajo e vendos sipër derës, çka nënkupton që jeta në këtë familje të shkojë me ëmbëlsi. Rakia e mezet, janë lumë. Por privilegjin e të kënduarit e kanë vetëm ata që dinë të këndojnë bukur, nuk këndohet në kor dhe nuk mund të këndojë gjithkush. Këngët shoqërohen me çifteli, sharki, fyell ose edhe me daulle e def (dajre). Tupani është simbol i dasmës.


 


 FESTA E DASMËS


Vallja tropojane, perla e kombit tonë është e pranishme gjatë gjithë kohës me të gjithë hijeshinë e saj, për të gjithë dasmorët. Edhe këtu ka një veçori. Nëse del një çift i mrekullueshëm që e kërcen bukur vallen e tyre, të gjithë të tjerët ndalen duke i shoqëruar me sy e me duartrokitje, deri në fund. Artistët në këtë trevë janë brilantë, çdo tropjan di të kërcejë bukur. Krahas instrumenteve, arma është pothuajse e pranishme në çdo dasmë, bile ata as që mund ta imagjinojnë një gëzim kaq të madh, pa praninë e krismave të armëve për të përshëndetur krushqit njëri tjetrin. Diçka homerike, e papërshkruar nga mënyra se si realizohet. Dasmorët mbasi qerasen me duhan e kafe, hanë darkë me ushqime tradicionale si mish me oriz, çorbë, pite  dhe ëmbëlsirë. Pastaj krushqit luajnë  lojë “kapuçash” dhe këngëtarët këndojnë këngë trimërie, pune e dashurie të shoqëruara me çifteli e  lahutë. Hidhen valle karateristike dasmash si: “vallja e Sokolit”,vallja “loja kosh”,valle grash autentike e Tropojës, ku sipas studiuesit Ramazan Sokoli, sot nuk interpretohet më. Gjithashtu këndohen këngë dasme si: “Sa e bukur ka dale nusja”, “Ngjitet kana pika-pika”, “Ani bie defi kajde-kajde”, etj. Në dasma interpretohet vallja lirike humoristike, “nusja dhe plaku”, kërcimi nga një grua e vetme pa muzikë (kjo karakteristikë në Nikaj Mërtur ), valle epike e trimërisë, kërcim me tepsi në kokë,etj.,etj. Të tjerë vazhdojnë lojëra popullore “badbad”, “symbyllazi”, “plakë” etj. Në mjediset e tyre gratë dhe vajzat këndojnë këngë për nusen. Ato kërcejnë e luajnë valle me tepsi, def e tupan. Në orët e vona dhëndëri, pasi takon nënën dhe babain, hyn në qilerin e nuses, ku fillon njohjen e parë dhe kuvendimi në mes tyre.


 


 


MËNGJESI I PARË I NUSES OSE CEREMONIA E “KULAÇIT”


 


Dita e divanit  fillon në mëngjes, ku bëhet edhe ceremonia e “kulaçit” i cili ka ritin dhe simbolikën e tij. Nusja dhe dhëndëri thyejnë një kulaç gruri, e fusin në sherbet dhe i japin njëri tjetrit si dhe atyre që janë të pranishëm. Ky urim bëhet që çiftit t’i kalojë jeta me ëmbëlsi. Ditën e parë të divanit, nusja vishet dhe stoliset me kostumin tradicional popullor më të bukur dhe rrinë në këmbë nga mëngjesi deri në darkë. Me fytyrë të mbuluar me duvak. Pranë saj ekspozohet paja. Në orat e vona të  pasdites, nusja heq shaminë nga fytyra dhe futet në dhomë me njerëzit e shtëpisë dhe të afërmit. Para darkës, nusja merr ibrikun me ujë, legenin dhe peshqirin në cep të krahut dhe u hedh ujë burrave për të larë duart. Darkën nusja e ha me njerëzit e shtëpisë. Krahina e Nikaj Mërturit, si regjion i besimit katolik, ka krejtësisht zakone dhe tradite të tjetër. Veshja karakteristike e atyre anëve është xhubleta.


 


 


NUSJA ME DUVAK NJË TRADITË E ZHDUKUR


 


Tradita e nuses me duvak është zhdukur prej më shumë se tre dekadash në Tropojë. Etnologët pranojnë shfaqje sporadike në ditët e sotme të këtij zakoni, nxitur më shumë nga nostalgjia apo kureshtja. Etnologët na kthejnë në historinë e nuses me duvak, duke këmbëngulur si zhdukje e një tradite. Duvaku nuk mund “të jetojë” sot i shkëputur, nga e gjithë pjesa tjetër e veshjes tradicionale. Nuk mund të mendohet që sot, ku edhe në fshatrat më të thellë vajzat shkojnë e rregullohen, të vënë një duvak në kokë, i cili përveç ca luleve apo fijeve me ngjyra që viheshin në krye, nuk ka ndonjë bukuri. E njëjta gjë ndodh edhe me veshjet popullore. Ato nuk janë më pjesë e ritualit të dasmave, por ka nga ata që i veshin sa për atmosferë. Para se të dilte nga shtëpia e prindërve e të udhëtonte drejt shtëpisë së dhëndrit me kalë, nuses i hidhnin në kokë një copë jo të tejdukshme, që shkonte deri poshtë shpatullave apo deri në gjatësinë e belit.


Funksioni i tyre nuk ishte aspak zbukurues. Mjaftonte që pjesa e hedhur në kokë të mos lejonte depërtimin e shikimeve te nusja, e me raste u shtohej ndonjë lule, fije me ngjyra, apo në raste kur ekonomia e familjes i lejonte, qepnin edhe monedha. Më herët gjendeshin edhe simbole të tilla, siç ishte një dorë e qëndisur, simbol i funksionit të rëndësishëm jetësor. Krahinat mes njëra-tjetrës ofronin sërish dallime për sa i përket mënyrës,  se si dhe kur nusja duhej ta hiqte duvakun. Nusja me duvak, tashmë i përket së shkuarës. Është një nga ato tradita të harruara shqiptare. Gjendet në përshkrimet e udhëtarëve dhe aventurierëve të huaj që e kanë përshkruar Shqipërinë, në ndonjë fond fotografish të vjetra dhe në studimet e shkruara të etnologëve. Ajo që ka mbetur është në fakt historia e treguar. Zonat e veriut të Shqipërisë ishin më të izoluara ndaj këtyre ndikimeve. Faktor tjetër ka qenë urdhri i detyrueshëm gjatë komunizmit, pikërisht në vitet ‘66-‘67. U quajtën zakone primitive dhe u ndaluan rreptësisht, e pas viteve ’80 ky zakon është zhdukur. Nusja me duvak, përfundimisht  të mbetet një imazh i të shkuarës.

Shtoni një koment
6 Komente
K. Rudina
Pershendetje zotri i nderuar Gjon Ne?aj. Mir? poet e shkrimtar, por edhe nj? etnolog i shk?lqyer. Urime miku im.
Tropoja
Zakone shqiptare!? asht shum e pabesueshme se mund te kemi ndonje tradite te pa pollutun nga kultura turko-aziatike. Ne disa filma kurd, kam vene re se dasmat ishin pothuajse njilloj si kto qe flet artikullshkruesi ma nelt. Se marr vesht pse ka nostalgji ky miku per femnat qii kajn kur shkojn nuse... a nuk asht ajo dita ma e kandshme per to!? Tansesi, me vjen mire se perparojne gjanat dhe barbarizmave u vjen fundi disi.
sedi
nuk ka dasem me te bukur se dasma e tropojes
azra_moter
une nje nga ditet me te rendesishme te jetes time kam qen e lumtur ne darsem e dajees tim.......
Pa Emër
shume bukur jeni gjeni
Pa Emër
E dua shume ur. tropojen.Vend shume i bukur.Ska si Tropoja.
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

4 + 5 =