Sociale

TOEFLI, mbrojtja e anglishtes me minimum pikësh

Emanuela Sako


Gjuha e huaj do të mbrohet me minimum pikësh. Çka do të thotë se shkalla e vështirësisë nuk do të jetë e një niveli të lartë siç u fol në fillim. Për këtë gjë, Universiteti i Tiranës, ka vendosur që mbrojtja e TOEFLI-t të jetë në nivelin A1. Zëvendësrektori i Universitetit të Tiranës, Ervin Demo, shprehet se vendimi është marrë në bashkëpunim me fakultetet. Çka do të thotë se fakultetet bënë propozimet dhe kërkuan që niveli të mos ishte C1, por A1. Kështu, të gjithë studentët që duan të mbrojnë masterin, por pengesë u del mbrojtja e gjuhës së huaj, tani do ta kenë një mundësi më të mirë. “Aktualisht niveli që përdorin fakultetet është niveli A1, që është nivel normal, përsa i përket shkallës së vështirësisë. MASH solli disa minimume dhe ne zgjodhëm disa minimume, që do të thotë se çdo fakultet e zgjedh vetë minimumin. Në fillim thanë që do të ishte niveli C1, i cili ishte shumë i lartë. Kështu, nëse do të ishte ky nivel, menduam që 80 për qind e studentëve nuk do ta merrnin masterin. Ne, në bazë të këshillave studentorë, do të përcaktonim nivelin e studentëve”. 


Studentët


Aktualisht, studentët e nisin masterin pa mbrojtur gjuhën e huaj, por kusht kusht është vendosur që ata ta mbrojnë gjatë kohës së studimeve të ciklit të dytë. Nëse ndonjë nga studentët nuk arrin dot të mbeojë gjuhën e huaj, atëherë atij nuk i jepet e drejta për t’u diplomuar. Pavarësisht se mund t’i ketë marrë të gjitha provimet. Arsyeja se përse është bërë një zgjedhje e tillë, është sepse do të bllokohej procesi i masterave. Ndërsa në këtë mënyrë, ata do të mund të të vazhdojnë studimet, duke iu nënshtruar kriterit që deri në momentin e përfundimit të studimeve duhet ta kenë përfunduar mbrojtjen e gjuhës së huaj pranë Universitetit të Tiranës, ose  në ndonjë nga progrmaet e tjera që u njihet diploma. 


Programet


Aktualisht janë 6 programe që mund të mbrohet gjuha e huaj. Një është TOEFLI, që  mbrohet pranë Universitetit të Tiranës dhe të tjerët janë programe që ofrohen nga qendra të gjuhëve të huaja, të akredituara për të mbrojtur diplomën e gjuhës së huaj. Studentët kanë të drejtë të zgjedhin kë të duan nga këta programe, pasi vlera e njohjes është e njëjtë. Kështu, ata mund të mbrojnë masterin nëpërmjet 6 programeve, por me pagesë të ndryshme. “Janë 6 programe për t’u mbrojtur. Universiteti i Tiranës ka bërë një marrëveshje me kompaninë amerikane ETS. Ne bëmë një marrëveshje me ta dhe ramë dakord që TOFLI, të mbrohet në Universitetin e Tiranës, ndërsa të tjera të mbrohen nga institucione të ndryshme arsimore private”,- thotë Ervin Demo.


Universiteti i Tiranës, mbrojtja e gjuhës me kosto më të ulët


Mbrojtja e gjuhës së huaj në Universitetin e Tiranës, ka një kosto më të ulët në krahasim me programet e tjera. Kjo është një mundësi që u ofrohet studentëve për të paguar më pak para. “Lehtësia kryesore është financiare, ku kostoja tek ne shkon deri në 55 euro, nga 120 apo më shumë që e kanë të tjerët. Ne e ofrojmë provimin me shkrim. Në testim qëndrojnë përfaqësues të ETS, që ruajnë studentët për të mos kopjuar. Tezat vijnë me postë dhe hapen direkt në sallë dhe po aty mbyllen dhe nisen për në Francë për korrigjim, aty ku është qendra e kompanisë ETS. Përgjigjet vijnë me postë dhe nuk vonojnë më shumë se dhjetë ditë nga dita e dhënies së provimit”,- na bën të ditur Ervin Demo. Ai shpjegon disa nga arsyet se përse u bënë këto ndryshime. Po kështu, mbrojtja e gjuhës në një kohë më të shkurtër krijon lehtësira për ata që duan ta japin sa më shpejt provimi. Prandaj zëvendësrektori Demo sqaron se: “Arsyeja se përse e bëmë këtë është se ne donim që t’u krijonim studentëve disa lehtësia. E para është çështja e datave, që kur shkon në vende të tjera të thonë hajde mbroje pas një apo dy muajsh. Ndërsa në Universietin e Tiranë, studentët regjistrohen dhe kanë të drejtë ta japin brenda 10 ditëve nga regjistrimi. Nëse kërkesat janë më të larta, atëherë provimi jepet edhe më shpejt”. 


Për konvertimin e diplomës, studentët duhet të kenë një dosje të plotë me dokumentat përkatëse, në mënyrë që ata të përfundojnë në një kohë të shkurtër procedurat e aplikimit për konvertimin e diplomës


Kthim në vend, të studentëve shqiptarë nga universitetet europiane 


Studentët shqiptarë që jetojnë dhe studiojnë në universitetet e huaja europiane po kthehen në vend. Kjo u bë publike në një konferencë, ku ishin të pranishëm përfaqëues të MASH dhe ambasadori Italian, Massimo Gaiano. Mbi 30 universitete italiane kanë ngritur stendat e tyre, për t’i njohur të rinjtë shqiptarë mbi programet e studimit që ato ofrojnë. Ky ishte një evenimet që organizohet në kuadër të javës së gjuhës italiane. Ata kanë përcjellë mesazhin se Italia dhe Shqipëria do ta shtrijë bashkëpunimin jo vetëm në arsim por edhe në fusha të tjera. Ndërkohë që MASH bëri të ditur se pas përfundimit të studimeve në vendet e huaja, studentët tanë nuk kanë dëshirë më si dikur të punësohen jashtë vendit, por po kthehen në Shqipëri për t’u punësuar dhe për të dhënë kontributin e tyre në Shqipëri. Vitet e fundit, studentët po kërkojnë gjithmonë e më shumë pranë MASH, që t’u njihet diploma brenda vendit. Gjatë këtij viti ka patur një rritje të numrit të studentëve shqiptarë të kthyer nga jashtë vendit dhe kjo duket më tepër sepse gjatë sezonit të verës ka patur një dyndje për konvertimin e diplomave të huaja. "Numri i aplikantëve në sezonin e verës ka qenë në rritje, unë e thashë dhe për nxënësit e shkollave të mesme. Ndoshta lëvizja e të rinjve, fëmijëve të familjeve, ndjekin trendin e familjeve të kthyera, nga vendet fqinj kryesisht Greqia dhe Italia. Por ka dhe studentë që kthehen nga shtetet më të larta që kanë kryer një cikël studimi atye dhe kanë vendosur për të kryer studimet në universitetet në vendin tonë",- thotë Edlira Late, drejtoreshë e arsimit të lartë të MASH. Drejtoresha Late thotë se procedurat për njohjen e diplomave kryhen në një kohë më të shkurtër se 45 -ditëshi, ndërsa për rastet që dyshohen se kanë dokumenta të falsifikuara, procedurat zgjasin. "Për të gjithë aplikantët që nuk i kanë me vula postare, ne mundohemi të bëjmë një verifikim online të procedurave të kryerjes së studimeve dhe për të gjitha dokumentacionet shkollore që ndoshta janë përtej 45- ditëshit janë dokumentacione që kërkojnë një verifikim të dyfishtë.  Pra, për të evituar çfarëdolloj dokumenti që nuk është autentik, ne mundohemi të marrim përgjigje dhe verifikim nga institucionet që i kanë lëshuar", - u shpreh ajo. Për konvertimin e diplomës, studentët duhet të kenë një dosje të plotë me dokumentat përkatëse, në mënyrë që ata të përfundojnë në një kohë të shkurtër procedurat e aplikimit për konvertimin e diplomës. Studentët e sapokthyer duhet të kenë diplomën, listën e notave, fotokopje të pasaportës si dhe mandat pagesën që kushton 2500 lekë. Njohja e diplomës bëhet vetëm pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nga një komision i posaçëm që bën shyrtimin e dokumentacionit dhe vlerësimin e diplomës. Gjithashtu, studenti duhet të paraqesë edhe një kërkesë drejtuar MASH për njohjen e diplomës. Sipas procedurave të ministrisë, studenti duhet të marrë përgjigje brenda 30 ditëve.


Shtoni një koment
7 Komente
Smart
Si nuk u hoq njëherë dorë nga ekstremet! Nga C1-shi në A1-sh... E mesmja nuk ekziston...!
Pa Emër
nuk e kuptoj pse ketu cdo gje degjeneron.Nese nuk mund ta marrin 80% masterin, shume mire, le te fitojne te drejten ata 20 % qe e meritojne. te gjithe master, ja dhe pak dhe te gjithe doktorature dhe ne fund jane ca zero.
ska rendesi
shkrimi shume i pa kuptimte si nje student/e qe merr TOEFLI-in ne nivel minimal do te mund te mbroje masterin nga do ti marre ky student informacionin si do te studioje literaturen????? Kesaj i thone te zbraze auditoret dhe te mbushi zyrat me te paafte, dhe rruget me te papune.
Pa Emër
Para se te mendohet per nivelin e Anglishtes te mendohet njehere sa e kane nivelin e Shqipes keta studente. Ne shumicen e rasteve le shume per te deshiruar. E dyta kush jane keta studente qe kane studiuar jashte dhe po dynden ne Shqiperi. Personalisht kam nje eksperience te keqe sepse ketu diploma nuk te hyn shume ne pune ketu nevojitet miku per te gjetur nje vend pune. Prandaj dhe kam preferuar te mos punoj ne Shqiperi.
Ida
Mendoj qe niveli C1 eshte shume i ulet dhe kjo nuk do te sjelle gje tjeter vetem se ulje te nivelit cilesor te studenteve dhe te gjithe sistemit arsimor ne Shqiperi...qe ne vend qe te shkoje perpara..........eshte per te ardhur keq!

Pa Emër
Dakort, te mbrohet nje gjuhe e huaj po nuk ka te drejte shteti te me detyroje mua ke gjuhe duhet te mbroj. un kam preference te mbroj italishten,apo gjuhe tjeter, dhe me nje nivel mesatar, por jo keshtu , 0 fare
anisa
a mund te me thoni nese mbrojtja e anglishtes ne kete forem do te me njihet pasi un dua te studioj ne angli??
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

7 + 2 =