Ekonomi

Taksimi progresiv mbron shtresën e mesme

 


Ornela Manjani


Ndryshimi i politikës fiskale në Shqipëri, heqja dorë nga taksa e sheshtë dhe aplikimi i sistemit progresiv, vlerësohet nga dy këndvështrime nga profesori i ekonomisë, Ervin Demo. Sipas tij, ekonomia shqiptare lë hapësirë për aplikimin e taksës progresive, por mënyra e aplikimit të saj duhet të jetë e mirëstudiuar. Nga ana tjetër, Demo e vlerëson si produktive për buxhetin e shtetit, taksën progresive dhe të favorshme për biznesin, taksën e sheshtë. 


Si e vlerësoni sistemin e taksave që aplikohet në Shqipëri. Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet?


Implementimi i taksës së sheshtë ka pasur një ndikim rrënjësor në ekonomi. Regjistrimi ose dalja në të bardhë u bë më e centrivuar për bizneset dhe gjithashtu sillte më shumë benefite për ekonominë shqiptare se më parë. Taksa e sheshtë, si ajo progresive, ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Vende të cilat aplikojnë këto lloj sistemesh kanë specifika të caktuara ku një ndër to është edhe vetë niveli i informalitetit. Përgjithësisht janë vende që janë në zhvillim e sipër dhe nuk kanë një sistem fiskal të konsoliduar, qoftë nga pikëpamje e këndvështrimit të traditës apo të kapaciteteve që ka vetë sistemi për të menaxhuar grumbullimin e taksave. Në rast se ne i referohemi kohës ose momentit kur taksa e sheshtë është implementuar në Shqipëri, menjëherë pas saj filluan të ndjeheshin efektet e para të krizës ekonomike dhe mbase efektet e parashikuara të kësaj takse nuk ishin ato që priteshin, sepse duhen marrë në konsideratë ndryshimet që pati ekonomia shqiptare si rrjedhojë e krizës globale. 


Aplikimi i taksës progresive, çfarë avantazhesh dhe disavantashesh do të sjellë për bizneset, individët dhe buxhetin e shtetit në rast se do të zbatohet?


Në pamje të parë grumbullon më shumë të ardhura dhe kjo është në mënyrë të pakontestueshme. Në rast se ne shikojmë klimën e biznesit në tërësi dhe mënyrën se si zhvillimi ekonomik ka vijuar dhe se si grumbullohen të ardhurat e buxhetit të shtetit, këtu fillon dhe ndërlikohet gjykimi se me taksën progresive do të grumbulloheshin më shumë të ardhura për vetë faktin që biznesi i madh si rrjedhojë e detyrimeve më të larta kundrejt shtetit do të ishte më i vështirë. Taksimi i sheshtë dhe ai progresiv janë modele të cilat i përdor çdo qeveri, e cila merr mandatin nga votuesit dhe duke iu bazuar bindjeve të veta dhe ideologjive ku bazohet, pra janë në të drejtën e saj të plotë për të implementuar sistemet me bazë progresive ose ato të sheshta, por ajo që duhet marrë në konsideratë janë format e implementimit të të dy sistemeve, të cilat janë nga më të ndryshmet. Shumë e rëndësishme për rastin e Shqipërisë kur ne flasim, sidomos për taksën progresive, duhet kemi një ide më të qartë se si do të implemetohej ajo ose se çfarë kuptojmë me taksë progresive. Në rast se ne do të nënkuptonim që ata që kanë të ardhura nga paga mujore 100 mijë lekë të reja do të përkufizoheshin si individë me të ardhura të larta dhe do të paguanin më shumë se paguajnë sot, unë mendoj se kjo ka një problem, pasi taksa progresive në thelb të saj ka gjithmonë parasysh që të mbrojë shtresën e mesme dhe jo rritjen e detyrimeve ndaj kësaj shtrese. Përgjithësisht taksat progresive do të shkojë nga koorporatat dhe individët që kanë të ardhura të larta në mënyrë që të bëhet shpërndarja në ekonomi. Gjetja e balancës midis grumbullimit të të ardhurave në një nivel më të lartë nga bizneset e mëdha, korporatat dhe individët që kanë të ardhura shumë të larta dhe shpërndarja e tyre, do të jetë e vështirë për tu gjetur. Në vende si ne, të cilat kërkojnë zhvillim të shpejtë dhe për shkak të kushteve që janë në Shqipëri, mbase është me e drejtë logjika që sa më shumë të ardhura të mbajnë vetë bizneset aq shumë do të kishte përfitime ekonomia. Prandaj, balanca është gjithnjë e vështirë dhe kjo balancë mund të gjykohet mbi bazën e një informacioni shumë të plotë. Në një rrafsh teorik të dyja modelet janë të pranueshme dhe të zbatueshme, por në rrafshin praktik do të duheshin të dhëna të detajuara për të kuptuar se si do të funksiononte taksa progresive, sepse për taksën e sheshtë tashmë kemi një lloj databaze të dhënash të viteve të fundit për të bërë një vlerësim më të “detajuar” dhe real. 


Si e vlerësoni platformën e Partisë Socialiste për ndryshimin e sistemit të taksimit dhe heqjen e taksës për biznesin e vogël?


Mbështetja e sipërmarrjeve të vogla është një nisëm pozitive nga secila qeveri që ndërmerret. Format për trajtimin e sipërmarrjeve të vogla janë nga më të ndryshmet. Patjetër që një ndër masat është edhe heqja e taksës, por këtu kemi një problem, cili duhet parë me kujdes. Heqja e menjëhershme e taksës së bizneseve të vogla shkon në logjikë të kundërt me aplikimin e taksës progresive, pasi baza dhe niveli i të ardhurave që mund të kenë bizneset e vogla mund të jenë të atilla që e detyrojë të aplikohet taksa progresive. Në Shqipëri është një arritje pozitive rritja e numrit të bizneseve që janë pjesë e sistemit fiskal dhe paguajnë detyrime, përjashtimi i këtyre bizneseve nga pagesa e këtyre detyrimeve padyshim që do të kishte një efekt negativ mbi buxhetin e shtetit për të cilin do të duheshin të bëheshin kalkulime si kjo masë do të rikuperohej në një rast të atillë. Në rast se ne flasim për heqjen e taksës për bizneset e vogla dhe rritjen e mbështetjes financiare që do të bëhej për shtresa të ndryshme sociale, ne këtu kuptojmë se buxheti merr goditje të konsiderueshme. Përsëri i qëndroj idesë se sa më e madhe të jetë baza e bizneseve dhe e individëve që taksohen aq më lehtë do të jetë baza e barrës fiskale. Në këto kushte që jemi ne, si rrjedhojë e vetë krizës, diskutimet janë gjithnjë për të inkurajuar bizneset të investojnë më shumë dhe të punësojnë më shumë. Kemi raste që vende të ndryshme kanë rritur barrën fiskale për bizneset e mëdha, por kjo ka hasur në reagime të forta.


Avantazhet


Taksa e sheshtë identifikon bizneset dhe i vë para predispozitës për të paguar detyrimet


Biznesit i mbeten më shumë të ardhura për tu menaxhuar prej tij.


Disavantazhet


Taksa e sheshtë sjell më pak të ardhura në buxhetin e shtetit. 


Penalizohen investimet për shkak të fondeve të reduktuara.


Avantazhet


Taksa progresive sjell më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit.


Ndihmohet gjallërimi i biznesit të vogël


Disavantazh 


Taksa progresive është një barrë më rëndë fiskale për bizneset dhe koorporatat


Bizneset të predispozuar të fshehin detyrimet.


Rama:  Taksa e sheshtë, korruptive 


Kreu i PS-së Edi Rama ka thënë se taksa progresive është mënyra e një taksimi të ndershëm, ndërsa shtoi se duhet të ndahemi njëherë e mirë nga taksa e sheshtë. “Taksimi i ndershëm i bazuar mbi progresivitetin, përbën vlerë për ne. Taksa e korrupsionit është para e derdhur mbi taksën e sheshtë”-tha Rama. Sipas tij, nga mungesa e stabilitetit fiskal, bizneset s’parashikojnë dot të ardhmen, ne duhet t’i krijojmë qytetarëve kushtet e një qetësie relative. “Duhet të ndahemi njëherë e mirë nga taksa e sheshtë. Nën barrën e taksës së sheshtë biznesi po asfiksohet. Ndërkohë që ka ardhur koha, që t’i japim frymëmarrje shtresës së mesme”, shtoi ai.


Dhoma e Tregtisë: Mungojnë faturat e TVSH-së


Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, ngriti nevojën e një paketë të re fiskale për ndërtimet, ndërkohë duke ju referuar taksës së propozuar nga socialistët, Jaka vlerësoi se duhet menduar për futjen e sistemit të TVSH-së.  “Lidhur me taksat si Dhomë Tregtie kemi kërkesa të hershme, Qeveria aktuale apo opozita duhet të mendojë mirë futjen e sistemit të TVSH-së, pasi shumë sipërmarrës të mëdhenj thonë se malli i tyre nuk shoqërohet me faturë të TVSH-së nga biznesi i vogël”,- theksoi Jaka.


Të ardhurat nga tatimet bien me 8. 1 %


Në pesë mujorin parë të këtij viti të ardhurat nga taksat u realizuan në masën 93.6 %,  me një rënie vjetore prej 8.1 %. Të ardhurat në fondet speciale arritën 24.6 miliardë lekë nga rreth 24.3 miliardë lekë të planifikuara, me rritje 1.5 % me shumë se plani dhe 4.7 % më shumë se e njëjta periudhë e një viti me parë. Sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat nga ndihmat rezultojnë për periudhën 751 milionë lekë nga rreth 865 milionë lekë të një viti më parë, ndërsa të ardhurat jo‐tatimore kanë qenë për këtë periudhe 9.9 miliardë lekë nga 9.93 miliardë të një viti më parë, me rënie vjetore 0.3 %


Konfindustria pranon taksën progresive për monopolet


Konfindustria pranon aplikimin e taksës progresive, por vetëm për monopolet dhe oligopolet. Sipas kreut të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, të gjitha bizneset që operojnë në tregje të mbyllura monopol ose oligopol si pasojë e privilegjeve të siguruara nga leje, licenca dhe koncesione shtetërore duhet të jenë pjesë e sistemit progresiv të taksimit. Në çdo rast tjetër, sipas Konfindustrisë aplikimi i taksës progresive do të ishte goditje e drejtpërdrejt ndaj biznesit vendor, do të bllokonte tërheqjen e investimeve të huaja si pasojë e rritjes së konkurrencës së vendeve të Rajonit të Evropës Juglindore, që zbatojnë politikën fiskale të taksës së sheshtë në nivele të ulëta. Thelbi i propozimit të Konfindustrisë, paraqitur në mënyrë të njëkohshme të gjitha palëve të vendimmarrjes politike shqiptare ishte vazhdimësia e sistemit të sotëm fiskal me taksa të ulëta dhe përdorimi i taksës së sheshtë prej 10% për të gjitha bizneset me përjashtim të bizneseve, që: - punojnë në tregje të mbyllura monopol ose oligopol si pasojë e privilegjeve të siguruara nga leje, licenca dhe koncesione shtetërore dhe që -njëkohësisht tejkalojnë  një nivel fitimi të arsyeshëm.  


Haldedaj: S’do të ndryshojmë sistemin fiskal


Sistemi fiskal në vend nuk do të ndryshojë. Ministria e Financave deklaron se taksa për biznesin e vogël nuk mund të zerohet. Zëvendësministrit i Financave Nezir Haldeda, gjatë një takimi me përfaqësues të këtij komuniteti në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, biznesi në vend është ndihmuar nga përgjysmimi i taksës dhe kjo ka ndikuar në rritjen e tyre. Sipas Haldedës, sipërmarrësve në vend nuk mund t’u premtohet një taksim zero, por ndihmë konkrete në plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, përmbushjen e detyrimeve dhe rritjen e mundësive për zgjerimin e biznesit.


Bozdo: Taksa e sheshtë, efekte pozitive 


Zëvendës ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, është shprehur dje se politika fiskale e ndjekur nga qeveria reflektohet pozitivisht edhe tek biznesi i vogël.  Bozdo ka rikonfirmuar faktin se sistemi i taksimit në vend nuk do të ndryshojë me argumentin se është një politike favorizuese për biznesin vendas dhe për investitorët e huaj në vend. Zëvendësministri i Ekonomisë ka inspektuar tregun elektrik për të testuar pretendimet e përfaqësuesve të biznesit në lidhje me sistemin e taksimit.


Shtoni një koment
4 Komente
Kola
Klase te mesme nuk po ka me Amerika. Qe te mbrosh klasen e mesme duhet ta krijosh klasen e mesme, qe te krijosh klasen e mesme duhet takse e sheshte, ka mundesi 10% ose me pak dhe pa TVSH mbi cdo gje te importuar nga jashte. Por e keqja nuk eshte atje, por tek sistemi i korruptuar ligjor ne Shqiperi, mosnjohja e prones dhe korrupsioni. Nuk ka ne asnje vend te zhvilluar klase te mesme PA PRONE. Edhe prrallat se na paska klase te mesme ne Kine(ku shteti po i heq me shqelma e shpronson fshataret) nuk ka vend. Pa prone ska klase te mesme, ka vec klase te fuqishme oligarkike e politikane. Ska nevoje per shkrime 200 faqesh. Klasa progresiste po shkaterron me borxhe Ameriken, shkaterroi Greqine, e si prfundim ata qe ishin ne krye prap ne krye mbeten dhe me te pasur se sa ishin.
Pa Emër
taksa e sheshte dhe taksa e leshte,ose taksa e sheshit dhe taksa e leshit ,ne shqiperi eshte cdo gje rrumpalle ,bizneset duhet te paguajne sipas gjiros se fitimit te paisen me kasa fiskale dhe sipas giros te tatohen vetem atehere biznesi do mari fryme ndryshe te vegjelit shkojne per lesh dhe te medhejte behen akoma me te medhenje ,une kam qqene vete tregetare por taksat me mbytenune qe shisja ne rruge e kisha taksen te barabarte me ate qe kish lokal,biznesi te ne eshte i veshtire sepse komandohet nga biznesmenet politikan qe i kane bere monopole.doktorr rrumpalla vetem rrumpalle din te mbjelle.
Pa Emër
taksat e latat jame nje shepnzim shume i madh per shtresen e ulet
Pa Emër
ME KETE TAKES PROGRESIVE PO HUMBNI DESHIREN E NJERZVE PER TE PUNUAR.KA PER TU KTHYER PARULLA KOMUNISTE TE GJITH HANE SA DUAN DHE PUNOJNE SA MUNDEN.KENI PER TE SHTUAR DEMBELET.
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

9 + 1 =