PD: "Dëmshpërblimi i ish-të persekutuarve, më i larti në Europë"

  • 17 Tetor 2012, 12:50
  • Përditësuar 20:02

TIRANË - Ka reaguar sërish sot selia e Partisë Demokratike, duke përsëritur në thelb akuzën e djeshme për ish-të persekutuarit në grevën e urisë, të cilët sot kanë kërcënuar për vetëdjegie apo viktima të tjera, nëse i nxjerrin ga greva, siç vendosi Gjykata e Tiranës. E gjendur përballë rezistencës së grevistëve, PD ka sulmuar sërish Edi Ramën se është i lidhur me koordinatorin e grevës, Skënder Tufa.


Aleanca Rama -Tufa sipas PD


"Me moton e njohur: 'Të bashkohemi me të gjitha fundërrinat kundër mazhorancës aktuale' solli si produkt të ri, aleancën e Edi Ramës me Skënder Tufën, kriminelin e liruar pasi kreu dënimin me 7 vjet burg për trafiqe njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni dhe të cilit Rama i ka besuar menaxhimin e grevës së tij private.” Sipas PD, në funksion të Aleancës së re Rama-Tufa kryetari i Partisë Socialiste kishte urdhëruar deputetët e tij të thërrisnin me urgjencë në seancë dëgjimi ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi lidhur me zbatimin e ligjit për dëmshpërblimin e të përndjekurve politik nga mazhoranca aktuale.


PD: "Ja dëmshpërblimi!"


PD ka risjellë në vëmendje se ministri Halimi i njohu shqiptarët me faktet se, ligji shqiptar i dëmshpërblimit të martirëve të gjallë të kalvarit të egër komunist, i hartuar në bashkëpunim të ngushtë me ta, përcakton normën prej 18,6 dollarë dëmshpërblim për ditën e vuajtjes së dënimit dhe se kjo është norma më e lartë në Europë. Edhe pse ish-të persekutuarit ankohen se një pjesë nuk kanë marrë ansjë lek apo kanë këste të prapambetura pa marrë, sipas PD, në përputhje me këtë ligj, martirëve të gjallë të lirisë u janë dhënë deri sot 103 milionë dollarë dhe lekë privatizimi, si dhe mbi 2 mijë e 200 apartamente banimi, 2 mijë e 751 fabrika ndërmarrje, linja prodhimi, hotele, klube e njësi të tjera shërbimi të privatizuara me çmime simbolike me lek privatizimi, si dhe 71 shoqëri aksionare. Apo rreth 22 mijë të drejta studimi, bursa dhe tarifa studimi në universtetet e vendit.


PD: "PS nuk iu dha asgjë"


Partia Demokratike ka akuzuar se Partia Socialiste 8 vjet në pushtet nuk dha as edhe një qindarkë dëmshpërblim martirëve të kalvarit të bllokmenëve hoxhistë, i spastroi ata të gjithë nga puna në shtet dhe shpërbleu me qindra milionë lekë xhelatët e tyre; Ramiz Alinë, Nexhmie Hoxhën dhe bllokmenët e tjerë hoxhistë, të dënuar për genocid dhe krime kundër njerëzimit.Zoti Halimi njohu deputetët e aleancës Rama-Tufa se viktimat e kësaj Aleance që ndodhen në çadrat e ngritura me urdhër të Edi Ramës tek studio e Kristaq Ramës kanë marrë së bashku lekë dhe lekë privatizimi 256 mijë dollarë.Përveç tyre ata kanë marrë apartamente banimi, së paku 240 mijë dollarë të tjera dhe kanë privatizuar me çmime simbolike me lekë privatizimi fabrika, objekte dhe toka turistike mbi 400 mijë dollarë.


“Pra në zbatim të ligjit të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë vetëm zotërinjtë që po grevojnë në studion e Kristaq Ramës dhe deklarojnë çdo ditë se nuk kanë marrë asgjë, janë dëmshpërblyer me lekë për këstin e parë dhe sipas ligjit edhe të atë të dytë me lekë privatizimi dhe fabrika në linja prodhimi, objekte apo troje turistike me rreth 900 mijë dollarë”, thuhet në deklaratën e PD-së, ndërkohë që kësti i parë i bie të jetë i vitit 2008, kur nisi të zbatohet ligji, e sipas ligjit ata duhet të kishin marrë nga një këst çdo vit e tani duhet të ishte në diskutim kësti i pestë.  PD ka akuzuar se njeriu me tre emra dhe me vilë luksoze në Korfuz, i cili ditën që do të vendosej rekomandimi për statusin e vendit kandidat në Bruksel për Shqipërinë, me porosi do të lyente me benzinë dhe do t’i vinte flakën në rrugë para mediave të veta një grevisti me probleme serioze mendore, ka marrë në përputhje me ligjin një apartamet 3+1, si edhe dëmshpërblimin prej 530 mijë lekësh.“Partia Demokratike garanton qytetarët shqiptarë, se dëmshpërblimi i merituar dhe në përputhje me ligjin e të përndjekurve politikë do të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të këtij procesi në afatin kohor, që parashikon ligji”, mbyllet deklarata.


/Shekulli Online/M.A./


Shtoni një koment
3 Komente
Erald
Keto deklarata duhet te verifikohen dhe çertifikohen nga nje studio notarile e paanshme, mundesisht ne bashkepunim me ndonje studio te huaj prestigjoze, dhe rezultati te behet publik per te gjithe. Mendoj se eshte propaganda e Sali tradhtarit si gjithmone pas ketyre deklaratave fallco. Nuk ma ha mendja se ish te perndjekurit politike do te hynin ne greve urie duke qene ne rregull me demshperblimin.
Tarrasi
Mor keta jane budallenj apo bejne jempi mor leket qe ju takojne jepini leket qe i premtuat qe do jepni boll folet secfare beri partia Socaliste. Kush do tja dije cfare dha apo sdha partia socialiste boll e politizuat kete greve po jepini leket. Po spatet leke thuajini skemi tani por do tjua japim me vone po boll treguat perralla me mbret.
mentari
sipas saliut qe jemi pas gjermanise duhej tu jepte jo 18 dollare por 25
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

9 + 2 =