Ekonomi

Banka Botërore, ja tre skenarët e krizës në Shqipëri

Rreziku që i kanoset financave publike për shkak të borxhit të lartë, risku i lartë për dështimin e skemës së pensioneve, recensioni që tashmë ka prekur ekonominë shqiptare janë disa prej shqetësimeve të Bankës Botërore në lidhje me zhvillimet ekonomike në Shqipëri. Ekonomisti i zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Erjon Luci në një intervistë për gazetën “Shekulli” shpjegon se situata e vështirë ekonomike për Shqipërisë po ndikohet përmes tri kanaleve: tregtisë, punës dhe sektorit bankar. Si përfaqësues i Bankës Botërore Luci shpjegon dhe politikat që duhen ndjekur për të minimizuar efektet negative të krizës në ekonominë shqiptare.


Cili është vlerësimi juaj për situatën ekonomike në Shqipëri?


Ekonomia shqiptare, si edhe ekonomi të tjera në rajon, po kalon një tjetër vit të vështirë, pas përkeqësimit të krizës në eurozonë dhe problemeve në sektorin energjetik. Kërkesa e brendshme është veçanërisht e dobët, për shkak të fluksit të ulët nga jashtë dhe shpenzimeve publike dhe private më të kujdesshme. Sektori privat po shfaq një sjellje më të kujdesshme për shkak të pasigurive të ardhshme duke kursyer më shumë dhe duke konsumuar apo marrë hua më pak, veçanërisht për blerje afatgjata si apartamente, të cilat rezultojnë me një rënie të konsiderueshme në sektorin e ndërtimit. Sektori publik gjithashtu është tërhequr, në përpjekje për t’iu përgjigjur zhbalancimeve makroekonomike që u shfaqën prej krizës së 2008, që rezultuan në një nivel të lartë të borxhit publik. Moti i thatë që goditi rajonin në gjysmën e parë të vitit dhe i rikthyer pas stinës së verës e ka rënduar situatën më tej, veçanërisht sektorin e energjetikës. Shqipëria ende mundet të gjenerojë rritje ekonomike pozitive këtë vit, por nuk do të jetë e mjaftueshme për të reduktuar varfërinë dhe papunësinë. Ndërsa ne presim një performancë ekonomike pak më të mirë, rritja e ulët ekonomike do të vazhdojë për disa vjet të ardhshëm, derisa të përmirësohet mjedisi i jashtëm. Prandaj, është e rëndësishme së pari të mbrojmë grupet më të cenueshme të popullsisë duke përmirësuar targetimin dhe efektivitetin e ndihmës sociale. Ne po punojmë ngushtë me qeverinë në këtë aspekt. Është gjithashtu shumë e rëndësishme të fokusohemi në mirëmenaxhimin e burimeve të rritjes, të cilat do të ndihmojnë për të rikthyer ritmet e larta të rritjes ekonomike të para krizës së eurozonës. Këto përfshijnë forcimin e të drejtave mbi pronën, qeverisjen dhe zbatimin e ligjit, ndërkohë duhet të vazhdohet përmirësimi i infrastrukturës dhe rritjes së aftësive.


Si ka ndikuar kriza e eurozonës mbi ekonominë e Shqipërisë dhe cilat janë ndikimet e ardhshme të pritshme?


Situata në eurozonë u bë më keq sesa pritej në fillim të 2011. Shumë vende të eurozonës kanë hyrë tashmë në recesion dhe parashikimi ekonomik i tyre është përkeqësuar. Në këtë mjedis ekonomia e Shqipërisë po ndikohet përmes tri kanaleve: tregtisë, punës dhe sektorit bankar. Lidhja e madhe tregtare me eurozonën, veçanërisht me Italinë po dëmton sektorët e punës intensive si tekstilet dhe këpucët. Disa industri të tjera si ajo nxjerrëse mund të jenë më mirë, duke pasur një treg më të diversifikuar. Por ngadalësimi në vendet në zhvillim, në mënyrë të veçantë në Kinë, mund të ndikojë këto industri përmes çmimeve më të ulëta të mallrave. Kanali i punës është i mirënjohur në Shqipëri, me varësinë e tij të lartë nga dërgesat e emigrantëve. Këto flukse janë ende duke luajtur një rol të rëndësishëm zbutës ekonomik dhe social, duke arritur në nivelin e rreth 9% të PBB-së. Megjithatë, me kushtet e vështira në Greqi dhe Itali, ku jeton dhe punon shumica e emigrantëve shqiptarë, ata nuk mund të jenë aq optimistë sa më parë. Një krizë e stërzgjatur veçanërisht në Greqi mund të shtyjë disa nga emigrantët për t’u kthyer, siç kemi parë në pak raste, duke rritur kështu presionin mbi ekonominë shqiptare për të akomoduar më shumë punëtorë pa llogaritur ndikime të tjera sociale për riintegrimin e tyre. Konsolidimi në zbatim i sektorit bankar në Evropën Perëndimore, ku ndodhen shumica e bankave mëmë të Shqipërisë, i ka shtyrë bankat që veprojnë në Shqipëri të ngadalësojnë aktivitetin e tyre të kreditimit për shkak të kërkesave më të larta të kapitalit të vendosura mbi bankat e eurozonës. Megjithatë, është e vështirë të dallosh sesa prej këtij ngadalësimi të kreditimit vjen për shkak të bankave dhe sa prej tij ndodh për shkak të një sjelljeje më të kujdesshme të konsumatorëve dhe bizneseve, të cilat përballen me një situatë ekonomike më të vështirë, që reflektohet me një rritje të kredive problematike.


 


 


Rreziku i borxhit publik dhe rekomandimet për financat 


Duke analizuar treguesit ekonomik dhe borxhin publik, Erjon Luci shprehet: “Rrisqet kryesore të borxhit publik të Shqipërisë janë niveli i lartë i tij rreth 60% i PBB-së dhe maturimi i tij i shkurtër. Shqipëria duhet të kthejë një pjesë të madhe të borxhit të saj të brendshëm brenda një viti. Rreziku i kthimit ka ndodhur tashmë, me disa banka nëpronësi të huaj, të cilat po reduktojnë mbajtjen e bonove të thesarit në përgjigje të kërkesave nga bankat e tyre mëmë. Kërkesa e reduktuar për bono të thesarit mund të rrisë kostot e huamarrjes dhe madje edhe një rritje e moderuar e normës së interesit të brendshëm do të thotë se një pjesë e madhe e borxhit të brendshëm do të kthehet me kostomë të lartë, e cila do të ngrejë nivelin tashmë të rritur të shpenzimeve për interesin. Për të reduktuar kurbën e cenueshmërisë makroekonomike nga përkeqësimi i mjedisit të jashtëm, autoritetet duhet të ndërmarrin konsolidime fiskale për të ulur borxhin publik. Në situatën aktuale (të borxhit publik në 59% të PBB-së) pothuajse çdo goditje e jashtme do ta çonte nivelin e borxhit të lejuar ligjërisht mbi 60% të PBB-së drejt niveleve që konsiderohen përgjithësisht me risk të lartë. Duke qenë se parashikimi ekonomik për Evropën po vazhdon të përkeqësohet, bëhet e nevojshme ndjekja e një rruge të strukturuar për reduktimin e borxhit në kuadrin afatmesëm. Për të forcuar besimin në kuadrin fiskal, masat rregulluese është e nevojshme të shoqërohen me masa strukturore që do të kenë një ndikim të përhershëm në buxhet”.


 


Privatizimi


Paratë e Albpetrolit, për borxhin publik 


BB këshillon që paratë e privatizimit të naftës të shkojnë për shkyerjen e borxhit. Ja si shprehet Luci: “Procesi i privatizimit është ende duke u zhvilluar dhe derisa të përfundojnë negociatat e kontratës është e vështirë të jepet një vlerësim i kujdesshëm, duke pasur parasysh këtu kompleksitetin e kontratës dhe rëndësinë e saj për të ardhmen e sektorit. Të ardhurat e privatizimit janë një mundësi e mirë për të reduktuar barrën e konsolidimit fiskal mbi ekonominëgjatë këtyre kohëve të vështira dhe për të shlyer detyrimet e prapambetura. Kjo është nga mundësitë që vijnë vetëm një herë në jetë dhe i përket popullit shqiptar. Prandaj dhe duhet përdorur në të mirë të brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë. Nëse përdoret në mënyrë të mençur, mund të ulë rrezikun e borxhit publik dhe koston e tij, duke sjellë më shumë hapësirë për shpenzime produktive në infrastrukturë dhe sektorët kyç si shëndetësia dhe arsimi, të cilët mund të përmirësojnë rritjen si në periudhën afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë”.


 


 


Debati për politikën fiskale 


BB e inkurajon debatin që ka nisur për sistemin e ardhshëm të taksave. Sipas Lucit, “BB e mirëpret këtë debat publik mbi politikat ekonomike. Është e nevojshme të shmanget thjeshtëzimi i tepërt mbi atë se cila mund të jetë një politikë e suksesshme ekonomike dhe mbi atë ç’ka duhet për ta vendosur një të tillë. Reformat e taksave nuk janë unike dhe në të njëjtën kohë shumë kërkuese për t’u zbatuar, veçanërisht gjatë periudhave të vështira si këto që po përjetojmë tani. Kjo nuk do të thotë se nuk ka nevojë për reforma. Për t’u kthyer te pika e mësipërme, është shumë e nevojshme të gjenden rrugët për të rritur të ardhurat nga taksat për të mbajtur shpenzimet publike produktive. Për këtë, kuadri i taksave dhe zbatimi i tij ka nevojë të rishikohet për të gjetur mënyrën më të mirë për të përmirësuar kthimin e përgjithshëm të taksave, ndërkohë që shmanget dëmtimi i konkurrueshmërisë në vend. Ne jemi gati të ndihmojmë vendin në këto përpjekje duke ofruar punë studimore dhe duke sjellë eksperiencën e gjerë" .


 


Ornela Manjani

Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

7 + 5 =