Jetë

Kriza më e madhe e Shqipërisë janë burimet njerëzore

 


Entela Resuli


- E takojmë në zyrën e saj ku mbizotëron ngjyra e bardhë në katin e katërt të kullave binjake. Florentia Xheka nuk ka vënë gjumë në sy, ka qëndruar gjithë natën në zyrë. “Duhet të vendos disa punë në vijë, pasi me duhet të shkoj disa ditë në Amerikë. Kandidati për president i Partisë Republikane atje është miku i gjyshit tim dhe do jem atje këto kohë, në mbështetje të tij”- shprehet ajo, ndërsa shtrëngon fort xhaketën që mban veshur. Një javë më parë ajo u nderua me çmimin “Nderi i qytetit të Durrësit”. Arsyeja ishte: një sipërmarrëse 30-vjeçare ka bërë shumë për këtë qytet nga ana ekonomike dhe duke u konsideruar si shembull suksesi në ndërtim. Vendosnim të takonim Xhekën, për të mësuar më shumë për punën, jetën dhe mënyrën se si ka hyrë në biznes. Ajo është vazhdimisht e veshur me kostum, me dosje në dorë dhe ditët e saja janë të mbushura me takime me klientët, por edhe më partnerët në biznes. E lindur në Devoll të Korçës ajo kujton me nostalgji fëmijërinë. Jeta për të ka qenë dinamike. Adoleshencën dhe vitet e formimit universitar i ka kaluar në gjermani ku pretendon se ka marrë bazat dhe kulturën e të punuarit fort. Në vitin e fundit të studimit atje ka punuar në një kompani të mëdha që merreshin me ndërtim dhe arkitekturë. Më pas bazat e forta i ka hedhur në Shqipëri.


Florentia ka krijuar kompaninë “Aluflor” kur ishte vetëm 23 vjeç pikërisht 7 vite më parë, kur sektori i ndërtimit në vendin ton po hynte në krizë. Sot kur e pyesim se sa e kënaqur ndihet, bilanci është i suksesshëm, por ajo gjithmonë është në kërkim të më të mirës për të cilën nuk ka fund. Më poshtë një rrëfimi i saj për “Shekullin”


Na tregoni pak më shumë për veten, kush është Florentia Xheka?


Njerëzit zakonisht ndihen mirë kur kujtojnë fëmijërinë dhe mendojnë për ato momente. Kam lindur në Korçë dhe ime më thotë shpesh që të kam lindur më vështirësi. Këtë e kam përkthyer si një sinjal që në jetë do të përballesha me shumë sfida. Pavarësisht se gjatë rrugës nuk i kushtojmë rëndësi kronologjisë së ngjarjeve, unë mendoj se në jetë asgjë nuk është rastësi, gjerat janë shumë të lidhura me njëra tjetrën. Fëmijërinë e kam kaluar në Devoll, pasi aty punonte im atë. E kujtoi si kohë të bukur, shumë të bukur. Kam qenë fëmijë shumë i lëvizur dhe më pëlqente të isha lidere që në atë kohë. Shoqet e mia thonë sot që, kur doje ti një gjë, ishte e pamundur të mos e arrije. Do ishte e mirë që të flisnin të tjerët për mua, pasi e kam të vështirë.


Cila është familja juaj?


Jemi një familje e madhe. Kam një vëlla dhe tri motra. Unë jam fëmija i vogël dhe për këtë shpesh herë jam ndierë e privilegjuar.


Kur jeni larguar nga Devolli?


Mbas Devollit kam jetuar në Gjermani së bashku me familjen time. Pjesa tjetër e familjes vazhdon ende të jetojë në këtë shtet. Aty kam përfunduar edhe studimet e larta për Administrim-Biznes, ndërsa para 7 vitesh u ktheva të punoja në Shqipëri.


Pse zgjodhët Administrim-Biznesin për studimet e larta, ju e dinit që e ardhmja juaj do të ishte në këtë fushë?


Në moshën 16-18 vjeçare, dilema e çdo adoleshenti është se ku do ta gjej veten më mirë. Unë kam provuar veten time në disa fusha. Njeriu nuk duhet të zgjedhë një profesion që është tendencë e tregut, por duhet të zgjedhë një profesion, i cili është i përshtatshëm me karakterin dhe natyrën njerëzore të gjithsecilit. Nga kjo analizë që i bëra aftësive të mia, arrita në përfundimin që fusha e biznesit mund të ishte e ardhmja ime dhe unë të isha e suksesshme në këtë drejtim. Tani e them me bindje që intuita ime nuk ka qenë e gabuar.


Ju jeni një person që keni jetuar jashtë, tani që jeni kthyer dhe punoni këtu, është më e thjeshtë apo më e vështirë të arrish suksesin në Shqipëri?


Është shumë më e vështirë në Shqipëri. Në Gjermani për shembull, populli është produkt i një kulture pune. Të gjithë ndjekin të njëjtin ritëm, apo filozofi. Ndërsa në Shqipëri është shumë e vështirë, pasi përballesh me shumë sfida edhe barriera e nuk gjen mbështetje kur spikatesh si e suksesshme, ndryshe nga Gjermania.


Edhe burimet njerëzore janë shumë të rëndësishme. Unë them vazhdimisht që Shqipëria nuk është në krizë vetëm ekonomike, kriza më e madhe e Shqipërisë janë burimet njerëzore. Problemi është te kapitali human dhe kualifikimi i tyre për të qenë konkurrent në tregun evropian, për të qenë i pranueshëm dhe sfidues në këto tregje.


Si ka qenë jeta juaj në Gjermani?


Ka qenë një jetë dinamike. Pjesën më të madhe të kualifikimit dhe përgatitjes sime profesionale ma ka dhënë eksperienca ime në Gjermani.


Për çfarë eksperience bëhet fjalë?


Unë kam punuar po në këtë fushë, në kompani të ndryshme në fushën e fasadave, aluminit, xhamit.


Çfarë lloj specifikash duhet të ketë një njeri që të punojë në këtë fushë?


Fillimisht e kam filluar në departamentin e shitjeve. Jam marrë me shitjet e këtij produkti. Kam bërë disa trajnime aq sa është e nevojshme për të marr njohurit e duhura. Kjo fushë është gjatë gjithë kohës në evoluim. Gjithmonë hidhen sisteme të reja në treg dhe specializimi, kualifikimi dhe trajnimi është i nevojshëm që të bëhet herë pas here.


Para shtatë vitesh, pse vendosët të ktheheshit në Shqipëri?


Nuk ka qenë tërësisht vendim i imi për tu kthyer në Shqipëri. Ishin prindërit ata që vendosën të ktheheshin dhe unë jam kthyer për këtu për një vizitë të shkurtër. Më pas familja ime nuk lëvizi për disa kohë dhe mbeta këtu. Megjithatë tani mbas kaq shumë vitesh nuk pendohem që jam kthyer. Kam bërë gjen e duhur.


Si u futët në botën e biznesit?


Duke pasur parasysh që unë kam filluar të punoj me kompani të ngjashme në Gjermani. E kam filluar si bashkëpunëtore e një kompanie gjermane, një ndër të mëdhatë në botë në prodhimin e aluminit e xhamave. Fal eksperiencës së punës dhe besimit që eprorët e mi gjermanë patën, më dhanë mundësin që një vit të punoja duke më bërë partner pa kontratë dhe të provohesha. Ishte fati im që, në vitin e parë i tejkalova 30 përqind pritshmërinë e tyre në bazë të fluksit të ndërtimit në atë kohë. Këtë pjesë ia dedikoj fatit, pasi Tirana ka qenë duke u ndërtuar në atë periudhë. E fillova duke organizuar disa konferenca në qytete të ndryshme me institucionet që lidheshim më këtë fushë si bashkitë, shoqatat e ndërtueseve, dhe është pritur goxha mirë. Viti i parë i punës më dha vulën që biznesi do të ecte duke u bërë kështu edhe partner i kompanisë gjermane.


I gjithë kjo punë është e juaja?


Po, ndërsa ndihmën financiare e kam nga gjyshi i cili jeton në Amerikë dhe është amerikan.


Kush është gjyshi juaj?


Emri i tij është Donald Larikin, 78 vjeç. Ai ka një histori të ndërlikuar jete, për të cilin preferoj të mos flas. Atë vit kur unë jam kthyer nga Gjermania atë vit edhe e kam takuar për herë të parë. Është personi që mbështet më shumë në të gjitha projektet e mia.


Çfarë mund të na tregoni për të?


Ai është presidenti i një banke të vogël në shtetin e Jutas. Miqësitë e tij janë kryesisht të fushës së biznesit dhe politikës.


Ju ka ndihmuar qëndrimi në Gjermani për të fituar një lloj disipline pune?


Shumë. Nuk do të isha këtu pa eksperiencën time në Gjermani si nga perceptimi, konceptimi dhe njohuritë. Kultura gjermane e punës është shumë e rëndësishme për çdo njeri.


Me arritjet e deri tanishme, a jeni e kënaqur?


Unë jam gjithmonë shumë radikale me veten time. Nuk jam plotësisht e kënaqur, por fatmirësisht këtë lloj pakënaqësie që kam e përdor në favor të nxitjes që të eci më shumë përpara dhe të punoj më fort.


Ne krahasim me bashkëmoshataret apo shoqet tua, ndiheni ndryshe?


Fatkeqësisht ndihem ndryshe. Kemi shumë pak tipologji bisedash për të bërë sepse jetojmë ndryshe. Ato mund të jenë në kërkim të një punë apo një shoku apo në kërkim të një lokali të mirë ku të kalojnë fundjavën ndërsa agjenda ime nuk është kjo...


Si është një dita e juaja?


Dita ime fillon në mëngjes herët, takime me klient, investitorë. Pasdite me takime brenda kompanisë, me stafin dhe po ashtu në darkë përsëri me planifikime për ditën tjetër.


Nga ana tjetër jeni një vajzë e re dhe duket sikur nuk keni fare kohë për veten, si argëtoheni apo kaloni kohën e lirë?


Në fakt kohët e fundit kam filluar të mendoj më shumë rreth kësaj teme, pasi menaxhimi i stresit është si puna e asaj gotës së ujit që pavarësisht se është e vogël dhe e lehtë kur e mban dy minuta në dorë nuk ka asnjë problem, po kur e mban për dy orë bëhet e padurueshme. Nuk ka rëndësi sa e rëndë është, por për sa kohë e mban. Unë kam filluar të mendoj që tani ka ardhur një moment që duhet t’i kushtoj pak më shumë kohë veten time se e ndjej që këtë gotën e ujit po e mbaj për shumë kohë dhe kam nevojë që ta lë diku. Dita e vetme e pushimi tim është e diela kur qetësohem dhe marrë energji për një javë të re.


Jetoni vetëm?


Jo, jetoj me familjen.


Nuk keni menduar të jetoni veten?


Ndihem shumë e pavarur dhe me familjen time. Më çlodh në darkë kur shkoj në shtëpi.


Udhëtoni?


Udhëtoj shumë shpesh, më shumë për çështje biznesi, por nuk lë të më shpëtojnë as vizitat në muze të ndryshme apo të bërit pak pazar.


Vendi që ju ka lënë mbresa?


Vendi që më ka lenë mbresa dhe për të cilin ndiej malli dhe nostalgji është Berlini sepse aty kam jetuar vitet më të bukura, vitet e formimit tim. Nga ana tjetër më pëlqen shumë turizmi malor dhe nëse do të zgjidhja një vend për të shijuar natyrën, do të ishin alpet e Zvicrës.


Po me detin, çfarë marrëdhënie keni?


Shumë të mira, por nuk mund të rri shumë pa bërë asgjë nën diell. Puna për mua është çlodhje. Nëse nuk punoj lodhem. Edhe kur rri dua të bëj diçka.


Ku e mendoni vetën pas 5 vitesh?


Mendoj të jetoj sot sepse kur mendon që do të jetosh nesër të ikën jeta duke menduar për të nesërmen dhe nuk jeton të sotmen. Se ku do të jem tamam nuk di ta them, por planet dhe objektivat më çojnë diku...


E synoni politikën?


Po.


Mund të jeni një deputet e ardhshme?


Ndoshta.


Para disa ditësh keni marrë çmimin “Nderi i qytetit të Durrësit”, me çfarë motivacioni ju është dhënë?


Për zhvillimin e ekonomisë, kulturës dhe ruajtjen e vlerave qytetare të qytetit të Durrësit. Ndihem e nderuar për marrjen e këtij çmimi, më motivon për të punuar më shumë për këtë qytet


Cili është komplimenti më i veçantë që ju kanë bërë?


Vështirë, por një nga ata që më ka mbetur në mendje është komplimenti: Ajo është kaq unike në llojin e vet, sa nëse nuk do të ekzistonte do të duhet ta shpiknin.


E konsideroni veten të pasur?


Relativisht.


Ne në biznes kemi disa strategji të caktuara se si të menaxhojmë punën dhe mënyrën se si futem në tregjet të panjohur dhe që duken atraktive. Fillimisht shohim nivelin e tregut, pritshmërinë dhe arritjet që ka ai treg. Dhe vlerësojmë më pas nëse duhet të investojmë.


Shtoni një koment
4 Komente
val
shko merri neper bare te gjithe pa pune i ke marrin nga nje kafe apo bierr duke shenuar emrin ne liste sepse nuk kan para.nuk ka pune zonje njerez ke boll ne shqiperi
elbasanci
Ti mund te jesh e afte ne zanatin tend por sa per ate qe kush eshte kriza me e madhe qe ka shqiperia sot JA KE FUT KOT GOCE...se shqiperia ka shume burime njerezore por ato nuk manaxhohen....ndersa persa i perket krizes me te madhe qe ka shqiperia sot une do te thoja eshte PERCARJA...po po jemi te percare...prandaj jemi cope cope...prandaj tall b.. sali PLERA me kete popull...
A.pS."katherina die große"
Titulli i shkrimit nuk eshte aspak i goditur. Ti mre zonjushe te paska ndihmu fati dhe gjyshi ne Amerik. Ti mre zonjushe qi paske studju ne Gjermani dhe pastaj kthehesh ne Shqipni mir ke bo,por te lutem mos i ofendo ata te rinj qe nuk kan as gjysh ne Amerik dhe nuk jan as femra te bukra si ty qe pake punu ne nje firm gjermane. E verteta eshte se Shqipnia ka kriz politike,demokracia eshte ne kriz,moszbatimi i ligjeve,dhe mosfunksionimi i shtetit te se drejtes.Kete na thuaj,he moj çupe e bukur,qe do shkoke dhe ne Amerike te Mitt Romney,qe e paska gjyshi shok..Udhe te mbare moj zonjushe.
Enada
Kjo nuk ka gjysh ne Amerik se e njof pak nga afer. Kte e ndihmoj nje plak qe kishte ardhur per mision fetare dhe sja mbaj mend cfar fondacioni jan ata por kjo as shkolle nuk ka mbaruar, dmth nuk ka as te mesmen, ka nje kapacitet te ulet logjik dhe ka perfituar pak nga autoritetet rrugacerore ne Durres. Shpik poezi dhe vendos ne statusin e vet se ka bere studime dhe ne Amerike. Troc fare nuk ta vej veshin dhe deri ne gjysem i kam lexuar genjeshtrat e tua.
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

4 + 1 =