Thellë

100-vjetori, Ushtria me paradë modeste

 


Luis Tanushi


- Zbardhen detajet e paradës ushtarake për nder të jubileut të flamurit. Me rastin e  100-vjetorit, Ministria e Mbrojtja ka nisur përgatitjet, të cilat i bën të ditura në një intervistë për gazetën “Shekulli”, zëvendësministri, Arjan Starova.  Ai deklaron se Forcat e Armatosura po planifikojnë zhvillimin e paradës ushtarake më 28 nëntor. 


Tenderi dhe parada


Në këtë kuadër, Ministria e Mbrojtjes ka filluar përgatitjet për plotësimin e nevojave të ngutshme me uniformat që do të përdoren në parakalimin ushtarak. Si një vit jubile, është menduar që sëbashku me demonstrimin e forcës, të tregohen edhe uniformat e reja të cilat priten që të jenë gati, vetëm për efektivët që do të parakalojnë, brenda nëntorit. Uniformat e reja janë paralajmëruar edhe nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami një vit më parë për rreshtimin e ushtrisë për 100 vjetorin e Pavarësisë. Megjithëse tenderi i uniformave ka dështuar deri më sot, ministria jep garanci se parada do të bëhet ashtu si e kërkon Direktiva e Mbrojtjes. 


Ceremoni modeste


Mbetet të shihet në fund, më 28 nëntor, nëse do t’i ketë ushtria jonë këto uniforma, apo zgjidhja do t’i lihet emergjencës. Ajo që konstatohet në intervistën me zotin Starova, është përshkrimi i parakalimit me nota modeste, jo për një paradë madhështore, siç do t’i takonte një jubileu si ky.     


Në Direktivën e Ministrisë së Mbrojtjes deklarohet se ushtria shqiptare do të parakalojë me uniforma të reja në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë. Janë marrë masat që ushtria të parakalojë me uniformat e reja?


Me informacionin tim po.


Parada do të jetë në dhjetor, në kuadër të ditës së ushtrisë, apo për 100 vjetorin më 28 nëntor?


Ideja është më 28 nëntor, por ndoshta mund të ketë edhe ndonjë shtyrje të vogël, por nuk besoj. Çfarë bëri 4 ditë më pas, apo 5 ditë, është e njëjta gjë. Sipas meje në 28 nëntor do të jenë gati.


Z.Starova, në qershor Ministria e Mbrojtjes ka çelur një tender për veshjen e ushtrisë me uniforma, por tenderi është shtyrë. A ka arritur Ministria e Mbrojtjes të garantojë uniformat e reja?


Është procedurë, çështje dokumentesh. 


Janë kapacitetet që të arrihet më 28 nëntor?


Po ka uniforma. 


Uniforma të reja?


Si dizajn i ri bëhet fjalë, se kështu ka gjithmonë. Nuk mendoj se është sasi e mjaftueshme, se në kohë shtrëngesash financiere në vend që të kishe 3 rezerva, ke 2, por nuk diskutohet që uniforma ka. Uniformat e reja priten që të jenë gati në prag të 28 nëntorit.


Do të ketë parakalime me automjete e pajisje?


Nuk besoj se do të jetë e tillë. Mund të ketë shumë pak automjete, më shumë mund të ketë mjete të lehta, por më shumë është menduar si kontigjent njerëzor. Kështu është ideja tani për tani.


Do të jenë të ftuar edhe përfaqësues të vendeve që janë anëtare të NATO-s?


Do të ketë përfaqësues edhe nga vende të tjera. 


“Të parakalohet me uniforma të reja, parada pjesë e suksesit”


Jemi në një vit jubilar si 100-vjetori. Si anëtar i Komisionit të Sigurisë, a mendoni se duhet të ketë pas kaq vitesh parakalim të Forcave të Armatosura?


Çdo aktivitet që është në kuadër të 100 vjetorit, pa diskutim që është i mirëpritur sepse edhe parakalimet janë elementë festiv, por edhe demostrativ. Ne jemi edhe anëtar i NATO-s. I kemi të gjithë standardet për të parakaluar dhe për të demonstruar, pasi respektohen të gjithë ato standarde.


Një nga problemet ka qenë uniforma. Besoni se ushtria shqiptare do të shfaqet me uniformë të re ceremoniale, a janë mundësitë?


Sigurisht që i ka, është vend anëtar i NATO-s. Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes është buxheti më i realizuari. Buxheti ka edhe uniformat.


Në Komisionin e Sigurisë, ministri Imami ka deklaruar se ushtria mund të parakalojë me uniforma të reja, mendoni se është e arritshme për 100 vjetor?


Nëse e ka thënë ministri, absolutisht që është e arritshme. Ministri është serioz, drejtues i institucionit, plus që ai i ka të gjithë buxhetet e garantuara për këtë gjë. Ministria e Mbrojtjes ka pasur buxhetin e garantuar dhe brenda vitit janë të mbyllura të gjithë kërkesat. Nëse vlerësojnë se parada është pjesë e suksesit, e festës e demonstrimit, absolutisht, pse jo. Ne kemi nevojë edhe për këtë. 


Festimi i Pavarësisë, zbardhet direktiva e Mbrojtjes


Dokumenti Strategjik parashikon finalizimin e kalimit në uniformën e re të FA me rastin e 100 vjetorit të krijimit të Shteti Shqiptar


Në direktivën e  Mbrojtjes për vitin vitin 2012,  është parashikuar dhe blerja e uniformave të reja të ushtrisë shqiptare. Sipas dokumentit strategjik të dikasterit të mbrojtjes, procedurat e prokurimit për fondet e akorduara për blerje mallra, shërbime dhe investime për vitin 2012 do të bëhen të përqendruara në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, në Brigadën Logjistike dhe të decentralizuara në Komandat e Forcave, në bazë të urdhrave, udhëzimeve dhe autorizimeve të kësaj ministrie dhe Shtabit. Më konkretisht për uniformat e reja, në direktivë thuhet se një nga përparësitë e këtij viti do të jetë implementimi i projektit të uniformës së re të Forcave të Armatosura, i cili të shtrihet në disa vite. “Mbështetur në vendimet përkatëse të qeverisë, platforma e kalimit në uniformën e re të realizohet në dy faza kryesore. Gjatë fazës së parë të synohet kompletimi pjesor i strukturave të Forcave të Armatosura me uniformën e ceremonialit, të punës dhe veshjet speciale. Gjithashtu në këtë fazë parashikohen bërja e dekoracioneve e reja, simboleve, shenjave që vendosen në uniformë dhe të stemave e flamujve dekorativë të forcave dhe njësive kryesore. Kjo fazë të finalizojë kalimin në uniformën e re të FA me rastin e 100-vjetorit të krijimit të Shteti Shqiptar”, nënvizohet në dokumentin e Ministrisë së Mbrojtjes. Mësohet se në fazën e dytë, e cila do të ketë shtrirje disa vjeçare, do të synohet implementimi i plotë i projektit të uniformës së ceremonialit, punës, veshjeve speciale dhe të stërvitjes. 


Për këtë vit, Shtabi i Përgjithshëm ka menduar që të rishikohet edhe sasia e mjeteve që janë në përdorim, ndërkohë që është bërë gati lista e mjeteve që do të nxirren jashtë përdorimit pas vlerësimit si joefiçente dhe që nuk i duhen FA. “Sasia e mjeteve që i duhen FA të përcaktohet bazuar në alternativat më të mira dhe efektive për realizimin e detyrave të përditshme, detyrave në rast operacionesh, emergjencash dhe kohë të veçantë. Bazuar në mundësitë financiare të buxhetit dhe prioritetit të zëvendësimit të mjeteve që do të dalin jashtë përdorimit të detajohet blerja e mjeteve të reja”, shkruhet ndër të tjera në Direktivën e Ministrisë së Mbrojtjes për 2012-n.


Selahudin Shkoza njihet në historinë e Ushtrisë Shqiptare dhe si organizuesi e realizuesi i parë i së parës Paradë Ushtarake në vendin tonë, e cila u demonstrua me rastin e hapjes së Parlamentit Shqiptar më 25 prill 1921. Për këtë fakt, sipas dokumente të kohë, ( ai mori përgëzimet nga Aqif Pashë Elbasani, Kryetar i Këshillit të Naltë të Senatit Shqiptar.


vite më parë, më 4 dhjetor 2007, në paradën e organizuar me rastin e 95-vjetorit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë parakaluan mbi 2700 trupa të FA-ve. Ndërkohë, pjesëmarrës në të ishin mbi 3000 persona të angazhuar. Në bulevardin kryesor parakaluan dhe mbi 100 makina ushtarake, si dhe 4 helikopterë. Krahas forcave tona, të pranishëm ishin dhe nga 3-4 përfaqësues të Forcave të Armatosura të vendeve të NATO-s, si të Gjermanisë, Italisë, Turqisë, Spanjës të cilët parakaluan me flamujt e tyre. 


Tenderi


Një ndër tenderët më të dyshimtë që ka çelur Ministria e Mbrojtjes, drejtuar nga Arben Imami, ka qenë ai për blerjen e uniformave që duhet të veshë ushtria shqiptare edhe për 100-vjetorin e Pavarësisë. Tenderi jo vetëm ka dështoi 2 herë brenda muajit, por është i mbuluar nga hije skandali që në nisje. Ministria kishte parashikuar që për blerjen e uniformave ushtarake, të përdorej fondi limit mbi 1.4 miliard lekë, pa llogaritur TVSH, ose në total mbi 1.7 miliard lekë


Ideja e parakalimit është më 28 nëntor, por ndoshta mund të ketë edhe ndonjë shtyrje të vogël, por nuk besoj. Çfarë bëri 4 ditë më pas, apo 5 ditë, është e njëjta gjë. Sipas meje në 28 nëntor do të jenë gati.


Shtoni një koment
3 Komente
sh.muriqi
Skandal shtet pa shtet,cuba dhe kriminel te llojlloj kalibrash?
diskutojne per uniforma me cfare uniformash te reja te vjetra do vin nuk do vin kane mbrri nuk kan mbrri jemi ne Nato jemi ketu jemi aty askund nuk jeni? te kote jeni?
Ne 100 vjetorin e pavarsise edhe nese nuk ka mjete te renda ushtarake ne prezentim tankse, raketa, ajroplan, mjete te motorrizuara kishte per te qen e arsyshme edhe per ti marre me qira nga Turqia dhe per ti dridh nje dite te vetme rruget dhe sheshin e Tiranes ne nje parade ushtarake qe i ka hije nje shteti ne 1oo vjetorin e pavarsise? por nuk do te ndodhe kjo se protestojn ashper koleget serbo-grek ata qe e kan kontrollen dhe komanden permes kanaleve sekrete tek udheheqesit e pist shqipfoles ne vendin e quajtur shqiperi dikur vendi i shqiponjave tash vendi i sorraneve?
sh.muriqi
Mire kerkoj falje per shprehjet denigruese dhe ndjenjat emocianale? keto vijn si arsye e zhgenjimit nga shteti i jone qe ne duhet te jemi krenare per te? ateher botojeni komentin tim duke fshier fjalet fyese dhe duke botuar ato te arsyes se logjikes dhe realitetit?
qytetar
Ne kopjuam uniformen Avgane. Klikoni ne internet dhe shikoni ju lutem uniformen Avgane
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

4 + 6 =