Kulturë

Katër histori personale të grave nga Gjakova

  • 13 Nëntor 2012, 11:37


Katër gra që jetojnë në një strehimore rrëfejnë historitë e tyre në një kuzhinë të thjeshtë. Dy divane, një tapet, një tavolinë dhe një bufe e bardhë ku duken zarzavate të freskëta lakër, lulelakër apo dhe një tortë. Këto janë të gjitha objektet rreth të cilave ato rrotullohen për të treguar duke ilustruar me gjeste. Këto katër gra për rrethana të ndryshme janë këtu për shkak të dhunës që kanë përjetuar nga bashkëshortët, prindërit apo të afërmit. Katër personalitete grash që ndoshta kurrë nuk do të ishin takuar. Fatmira (Edita Dula) është një grua e dhunuar fizikisht nga burri, i cili përveç kësaj dhe e tradhtonte. Kjo mbrëmje në kuzhinë është mbrëmja e parë që ajo kalon me gra të tjera. Zoja (Muradije Muraqi) është më e vjetra në moshë, por është ende një grua e fortë dhe optimiste për jetën, madje më e afta që të ballafaqohet me qetësi me fatkeqësinë e saj. Kulmin e secilës nga këto histori e tejkalon fatkeqësia e Besës (Altina Kusari), viktimë e incestit. Për tre vjet radhazi është dhunuar nga xhaxhi i vet, me të cilin ngeli dhe shtatzënë. Por dy ditë para se të bëhej pjesë e kësaj strehimoreje abortoi fëmijën. “Kuzhina e viktimave” është një shfaqje intime të cilën nuk mundën ta shohin të gjithë ata që kishin ardhur. Shumë pak karrige u vendosën në skenë pranë “kuzhinës”, ndërsa të tjerët qëndruan në lozha ku zëri i aktorëve mbërrinte i zbehtë. “Kjo është një shfaqje e shkruar për një publik të kufizuar e që kërkon intimitetin, kërkon praninë e publikut në një distancë shumë të afërt”, tha regjisorja Zana Radogoshi. “Ky tekst është bazuar në një ngjarje reale të marrë nga kontaktet me gratë ku 70 për qind e rrëfimeve janë të vërteta”, tha regjisorja Radogoshi. Teatri i Gjakovës është i dyti që ka inskenuar tekstin e Ilir Gjocaj, pas teatrit “Dodona”. Skena dhe kostumet janë realizuar nga Petrit Bakalli, ndërsa muzika është përgatitur nga Trimor Dhomi. Jemi në Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe në Tiranë ku gjithë dritat janë drejtuar mbi autorin dhe tekstin shqip. Sonte, ora 18.00 në Teatrin e Komedisë shfaqet një produksion i Teatrit Shqiptar nga Amerika, monodrama "Unë jam Adem Jashari" i autorit Lebit Murtishi, regjia Xhevat Limani. ndërsa në skenën e TK, ora 20.00, shfaqet “Emil” i Ruzhdi Pulahës, prodhim i Teatrit "Skampa", Elbasan. Kjo dramë trajton shqiptarin e sotëm, i cili korruptohet lehtë për të mbijetuar. 


Zana, si ju ra në duar teksti i Ilir Gjocajt? 


Kam pasur gjithmonë dëshirë të punoj një shfaqje tetari. Ndonëse jam regjisore filmi, kjo nuk do të thotë se nuk mund të punoja dhe me një dramë. Kur kam pasur në duar tekstin, më kanë pëlqyer rrëfimet dhe kam menduar se duhet të provoja veten. Rrëfimet janë të vërteta dhe janë adoptuar për skenë. Autori ka punuar shumë gjatë me përzgjedhjen e tyre, prandaj 70 për qind e historisë është e vërtetë. Dy prej këtyre ngjarjeve janë autentike, madje ende dhe sot një nga dhunuesit ndodhet në burg. 


Elementi natyralist ndihet në të gjithë shfaqjen. Jo vetëm tek historitë, por dhe tek interpretimi. Të bën përshtypje personazhi i Albulenës e cila fillimisht shfaqet me një maskë pas së cilës mbrohet dhe më pas dorëzohet duke e hequr vetë. 


Ky është arti. Roli i Albulenës është që fillimisht të përdorë një maskë, më pas ajo ta çjerrë krejt natyrshëm këtë maskë, sepse duhet që ajo të rrëfejë historinë e saj pa e pyetur asnjë. Ndonëse ajo është një femër e bukur, por nga kjo bukuri është një personazh që ka vuajtur që në fëmijëri. E ëma i imponon në moshën e adoleshencës t’i nxjerrë vetë të ardhurat. Pra ajo që mund të ketë qenë shkaku i prishjes së shumë vajzave të cilat janë dhunuar për ditë të tëra. 


Përse rrëfimin për incestin e keni lënë për në fund? 


Besa është personazhi i fundit që bën rrëfimin dhe është paska e heshtur dhe e mbyllur në vetvete. Për tre vjet ajo ka pasur një lidhje seksuale me xhaxhain e saj. Këtë histori kur e ka shkruar dramaturgu e ka marrë prej rrëfimeve reale strehimore, përveç disa ndryshimeve që janë bërë. 


Skenografia ishte konceptuar shumë thjesht. 


Një skenografi e konceptuar sipas kushteve të një strehimoreje. Për shkak të largësisë Gjakovë-Tiranë, ishte e pamundur t’i merrnim të gjitha objektet dhe ushqimet me vete, prandaj kemi lënë dhe gjëra jashtë. Këtu nuk ndihet as aroma e gjellës, as e mishit, ndërsa në Gjakovë janë dhe këto elemente që publiku të ndiejë aromën e gjellës. Kjo është arsyeja përse çdo gjë vjen në mënyrë organike, spontane. Është vetëm hera e tretë që shfaqet kjo dramë dhe deri tani çdo gjë ka shkuar mirë. 


Përse publiku duhet të jetë aq pran “kuzhinës”? Si ndikon kjo afërsi midis palëve? 


Kjo është një shfaqje e shkruar për një publik të kufizuar prandaj kërkon intimitet. Vetë afërsia me publikun i bën këto histori më të ndjeshme. Publiku duhet të jetë sa më afër që të shikojë fytyrat e tyre të zymta, duart e tyre që dridhen teksa përcjellin historitë personale. Pavarësisht se ato mundohen që t’i tejkalojnë situatat në disa momente, në pjesën tjetër dorëzohen dhe fillojnë rrëfimin krejt natyrshëm. 


Kur realizoni një shfaqje në teatër, si i përshtatni ngjarjet me aktorët? 


Çdo teatër në Kosovë ka asamblenë e vet mes të cilëve duhet të bësh përzgjedhjen. Asambleja nuk ka pasur aktore në moshën e Edita Dulës, prandaj më duhej ta gjeja vetë. Gjithsesi dhe ajo është aktore me prejardhje nga Gjakova, pavarësisht se jeton e punon në Prishtinë. Prandaj më duhej që ta merrja nga andej. 


Cila është jeta e një artisti në Gjakovë? Mundet ta sigurojë jetesën me këtë zanat? 


Gjakova njihet si qyteti i artit dhe kulturës. Prandaj nuk është se kemi vështirësi në këtë drejtim. Gjakovarët janë të njohur për dashamirësinë dhe kujdesin që i kushtojnë artit. Unë për veten time punoj me pasion. Sa për jetesën asgjë e veçantë. E veçanta jonë është që jemi gjithmonë nëpër aktivitete. Ndoshta kemi më tepër luks për kafe dhe për shëtitje. Mirëpo nuk e konsideroj se bëjmë një jetë më të veçantë se dikush tjetër që mund të ketë një buxhet më të mirë se i yni. Por mendoj ndonjëherë se ajo që bëjmë është se ne punojmë dhe njëkohësisht shëtisim. 


Regjisorja:


“Gjithmonë i them vetes që shyqyr që kam zgjedhur këtë profesion se vetëm këtu e gjej veten (qesh). Pavarësisht se më pëlqen që gjithmonë të merrem me grimin, me flokët, por vetëm kuzhina më shkon më së shumti. Unë nuk jam rastësisht në fushën e regjisë. Kam luajtur qysh fëmijë në Televizionin e Prishtinës. Kam pasur shumë projekte me tim atë, Sevdai Radogoshi humorist i estradës së Prishtinës. Qëkurse kam mbaruar studimet për regji më 2002 kam realizuar disa filma të shkurtër dhe kam punuar në Shqipëri si asistente regjisore e filmit “Sekretet” i Spartak Pecanit. Tani punoj si asistente regjie në produksionin CEB, që prodhim serialin “Kafeneja jonë”.” 


Valeria Dedaj


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

1 + 5 =