Advertisement
Politikë

Shkrihet SHIU, krijohet Agjencia e Inteligjencës

  • Eliona Lata
  • 15 Nëntor 2012, 10:41
  • Përditësuar 15:56

Luis Tanushi


- Mazhoranca miratoi e vetme projektligjin, që shkrin Shërbimin Informativ Ushtarak dhe e zëvendëson atë me Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes. Deputetët e opozitës nuk pranuan që të jepnin pëlqimin për nismën në fjalë duke ngritur dyshime të thella në kriteret që do të përdoren për emërimin e drejtorit të përgjithshëm të kësaj agjencie dhe të stafit. Për shkak të debateve, ligji u miratua vetëm në parim, ndërsa javën e ardhshme është përcaktuar vijimi i diskutimeve nen për nen dhe më pas miratimi në tërësi. 


Paralel me SHISH


Ngrihet rangu i shërbimit informativ ushtarak duke e vënë në radhë me SHISH. Ashtu si në SHISH. Me ligjin e ri drejtori i përgjithshëm do të emërohet dhe lirohet nga detyra nga Presidenti i Republikës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes. Ministri i Mbrojtjes, sipas projektligjit, merr miratimin e Kryeministrit, para dërgimit të propozimit për emërimin dhe lirimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes.


Ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, ngriti dyshime për mënyrën e zgjedhjes së drejtorit të Agjencisë Inteligjent, veçanërisht për kriteret. “Ky projektligj ka ardhur në një moment shumë delikat të debatit politik. Unë që të ngre votën  “pro” për civilë të paqartë se nga vijnë dhe ku shkojnë për të kontrolluar forcat e armatosura, pra, unë nuk e jap votën. Të mos harrojmë se ka pasur edhe probleme të shërbimeve të personalitetit ushtarak. Mendoj se duhet të jeni shumë të ndjeshëm. Ushtarakët do të kontrollojnë ushtarakët”, deklaroi deputeti socialist Majko. Por, dyshime të shprehura nga të majtët u cilësuan absurd nga të djathtët. Sipas tyre, ligji është hartuar në përputhje me sugjerimet e ndërkombëtarëve dhe rrit edhe më tej mekanizmat e kontrollit kushtetues ndaj këtij shërbimi. “Shqetësimi që u ngrit ishte kontrolli i shërbimeve nga Kuvendi. E vërteta është që ka çaluar. Është faji i Kuvendit, sepse me kolegët e Komisionit të Sigurisë, ne ju kemi thënë që shkoni të merrni certifikimin për dokumentet e klasifikuara dhe atëherë mund të futeni. Asnjëri prej tyre nuk ka shkuar. Ajo që më bëri përshtypje të SHIU, është se parashikohet kontrolli nga Prokuroria. Pra, shtohet një valvul tjetër kontrolli. Unë prisja që të thoshit e gllabëroi Saliu edhe këtë shërbim, por nuk u ndjetë. Ligji i vitit 2003 parashikonte varësinë totale nga kryeministri, ndërsa në këtë ligj kemi që varësia kalon direkt nga presidenti”, tha deputeti demokrat, Gent Strazimiri. 


Ndryshimet


Shërbimi Informativ Ushtarak tashmë pritet që të emërohet Agjencia Inteligjente e Mbrojtjes. Nëse ndryshimet do të marrin pëlqimin e parlamentit, drejtori nuk do të emërohet më nga Kryeministri, por nga Presidenti me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Gjithesi, Kryeministri do të ketë ndikimin e tij. Ministri i Mbrojtjes do të marrë miratimin e Kryeministrit, para dërgimit të propozimit për emërimin dhe lirimit nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, kur është ushtarak propozohet të ketë gradën Gjeneral Brigade/Kundëradmiral e lart. Në ligjin aktual, është përcaktuar se drejtori i SHIU-t emërohet dhe Iirohet nga detyra nga Kryeministri, me propozim të ministrit  të Mbrojtjes. Një nga risitë do të jetë dhe vendosja e një mandati kufizues. Tashmë drejtuesi i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes do të qëndrojë në detyrë vetëm pesë vjet, me të drejtë riemërimi. Ministri i Mbrojtjes do të emërojë, do të komandojë, do të lirojë nga detyra, do të nxjerrë në rezervë apo lirim nga shërbimi ushtarak punonjësit ushtarakë "oficerë", si dhe do të emërojë dhe do të lirojë nga detyra punonjësit civilë me gradë ekuivalente me "oficer”. 


Struktura


Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes është agjenci e inteligjencës, kundërinteligjencës dhe sigurisë së mbrojtjes, në funksion të misionit kushtetues të Forcave të Armatosura dhe veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes, që vepron në përputhje me Kushtetutën dhe me legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky institucion është parashikuar që të jetë në varësi të ministrit të Mbrojtjes, me struktura varësie në territoret ku kryejnë veprimtarinë Forcat e Armatosura, brenda dhe jashtë vendit. Struktura, organika dhe rregullat e funksionimit të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.


Veprimtaria


Veprimtaria e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes përfshin çështje që lidhen me kërcënimet ndaj misionit kushtetues të Forcave të Armatosura dhe veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes.Funksionet e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes do të ushtrohen mbi subjekte ushtarake, civile, vendëse, të huaja, me ose pa shtetësi, rezidente ose jo në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë dhe/ose cenojnë misionin kushtetues të Forcave të Armatosura dhe veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes


Detyrat 


Në draftin që po shqyrtohet në Kuvend, Agjencia ka për detyrë që të grumbullojë, përpunojë dhe të paraqesë informacione për veprimtari, të cilat kërcënojnë e rrezikojnë pavarësinë e vendit, tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues të tij, planet ushtarake mbrojtëse, realizimin e misionit të Forcave të Armatosura, si dhe për veprimtari, që lidhen me spiunazhin, ekstremizmin, terrorizmin, sabotazhin, diversionin, subversionin në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes e të Forcave të Armatosura. Gjithashtu, do të jetë institucioni që do të pajisë me certifikatë sigurie personelin ushtarak dhe civil të Ministrisë së Mbrojtjes, të Forcave të Armatosura, strukturat vartëse të tyre si dhe të subjekteve që kërkojnë të hyjnë në marrëdhënie me to, si në rastin e deputetëve. 


Depolitizimi


Punonjësve të Agjencisë i ndalohen anëtarësimi dhe pjesëmarrja në veprimtarinë e partive apo të shoqatave politike, si dhe të kryejnë veprimtari në favor ose kundër partive, shoqatave politike apo kandidatëve në zgjedhje. Punonjësve u ndalohen që të manifestojnë sjellje dhe të mbajnë qëndrime që cënojnë natyrën e depolitizuar të institucionit.


Sherri PS-PD për agjencinë


Fatos Hoxha: Unë do  ju propozoj që t’ju japim kohë të përgatiten kolegët. Ta shtyjmë për një afat tjetër se me sa kuptoj këta kërkojnë pyetje që nuk kanë të bëjnë me detyrimin ligjor që ka ky komision.


Bashkim Fino: Është më mirë të kërkosh kohë dhe kur se ke lexuar se sa si ju që nuk kërkoni kurrfarë kohe se ju siç vijnë materialet nga qeveria, ngrini duart. 


Fatos Hoxha: Prapë kohën e duan këta se janë të papërgatitur.


Damian Gjiknuri: Jashtë bëjnë seminare.


Fatos Hoxha: Pse seminare bujqësie do bëjmë ne.


Ilir Rusmali: Argumenti se nuk e kemi lexuar, prandaj duam të shtyjmë mbledhjen  është arsyetim i dembelëve. dhe i hileqarëve. Prandaj, ne nuk duam që të japim mundësi që të kultivohen dembelët dhe hileqarët. 


Damian Gjiknuri: Çfarë problem ka që parlamenti të njihet më shumë?! Të jemi të qetë dhe të ushtrojmë kontrollin ndaj ekzekutivit, ndryshe ne bëhemi eunuk. U refuzua edhe kontrolli parlamentar. Refuzohet edhe projektligji vetëm që qeveria të rrisë kompetencat. 


Ilir Rusmali: Ju u përpoqët që të na akuzoni për eunukllëk. Tani unë dua të kuptoj se çfarë janë eunukët. Ata janë ca njerëz që janë në shërbim të sulltanit. Dakord mo. Krahasove qeverinë me sulltanin. Po ti mor vëlla çfarë je në këtë rol, se i bie të jesh haremi dhe unë nuk të dua për harem. Rri ligjvënës, mos devijo fatin , destinacionin dhe qëllimin që ke ardhur në këtë jetë. Mos u bëj harem se je vetëm këtu. 


Damin Gjiknuri: Bëre harem kolegët e tu. Kërko falje.


Përgjimet, Prokuroria përplaset me partitë


Ligji i përgjimeve ka përplasur mazhorancën me opozitën dhe me institucionin e Prokurorisë duke shtyrë edhe për këtë javë miratimin në seancë plenare. Për zgjidhje janë hedhur dy variante të reja të cilët përpiqen që të rregullojnë kompetencat e prokurorisë për përgjimin e telekomunikacioneve. Deputetët e majtë dhanë pëlqimin për delegimin e  përgjimeve te prokuroritë e rretheve pa marrë lejen e kryeprokurorit, por me kushtin, që, të dhënat konfidenciale të mos përdoren si prova në gjykatë. "Prokuroria të futet në këtë pjesë sepse është një formë kontrolli për shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, por, përgjimi parandalues duhet t’i vëmë kushtin: nuk mund të kthehet në provë për interesa politike apo të pushtetit të çastit", deklaroi deputeti socialist, Arben Isaraj. Por, demokratët propozuan që leja për përgjim nuk duhet të jepet me ligj. Sipas relacionit të paraqitur nga deputeti demokrat, Fatos Hoxha, parashikohet që përgjimet paraprake nga Prokuroria të bëhen me urdhër administrativ. Sipas tij, Prokuroria e Përgjithshme, duhet të mbajë përgjegjësi për çdo abuzim me të dhënat dhe privatësinë nga vartësit e saj në rrethe."Neni siç është nuk ka penguar prokurorët apo oficerët e policisë gjyqësore të kryejnë teknikisht përgjimin. Ka qenë mënyra se si Prokuroria e Përgjithshme ka organizuar punën që ka sjellë këtë gjendje. Procesi teknik i përgjimit të menaxhohet, ekzekutohet dhe të kryhet nën përgjegjësinë e prokurorit", deklaroi relatori i çështjes, deputeti demokrat, Fatos Hoxha. Të dy variantet e propozuara nga anëtarët e Komisionit të Sigurisë të dy krahëve politik u kundërshtuan nga Prokuroria e Përgjithshme , me argumentin se këto ndryshime do të reduktonin kompetencat e organit të akuzës. 


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al
2 Komente
Pilo Lala
Pse nuk vazhdon te mbaje emrin qe ka pasur: Policia Ushtarake Tropojane?
Saliu i ndryshon emrin, qe te djegi te gjitha shkresat e Tropojaneve, ku gjysma e informacioneve jane te shkruar Serbisht.
elbasanci
Hajde shtet hajde....shtet leshi...ku nji parti ban cfare ti doje SUMA...

Shtoni një koment

2 + 4 =