Sport

Bind Shqipëria e “re” De Biazit. Na mungoi goli

  • 15 Nëntor 2012, 11:59


Shqipëria e Xhani De Biazit bind në lojë, por nuk arrin të fitojë në një ndeshje ku ka dominuar nga fillimi në fund kundërshtarët e Kamerunit. Një skuadër e etur për të fituar, dje në “Stade de Geneve”, ka kënaqur jo vetëm të pranishmit, por edhe trajnerin italian. Gjithsesi, do të kishte qenë shumë më bukur sikur të kishim fituar. Rastet i kemi pasur pa fund. Çani, Sadiku, Vajushi, Roshi janë munduar të shënojnë, por herë nxitimi e herë portieri mik kanë ngrirë golin. Gjithsesi, ka qenë një ndeshje e kolauduar, me lojtarë në formë që i kanë ndryshuar fytyrën skuadrës, por vuajmë në sulm. Ashtu siç u pa edhe dje ku skuadra e vuajti golin. Edhe të rinjtë janë paraqitur shumë mirë dhe e përgjithshmja është pozitive në një vit punë. Përsa i përket ndeshjes Xhani De Biazi kishte hedhur në fushën e lojës skuadrën më të mirë, me Sabien Lilajn dhe Arapin si titullarë. Pjesa tjetër është emra të njohur. Me Canën e Mavra- jn në krye të grupit. Nga ana tjetër, Kameruni në fushë me skuadrën më të mirë me Samuel Etonë në krye që është edhe “busulla” e skuadrës. Që në fillim janë miqtë që mundohen të shënojnë, por një depërtim i tyre nga e majta nuk është se konkretizohet. Më pas është Roshi që merr një top nga Çani, kthehet godet, por sfera përfundon në rrjetën e jashtme. Gjithsesi, përpara, një nga anësorët zviceranë kishte dhënë pozicion jashtë loje. Vazhdon loja e mirë e Shqipërisë, që pret kuqezinjtë dhe kundërsulmon sa herë ka mundësi. Çani ka një mundësi për të shënuar golin e parë të ndeshjes, por sërish zihet në pozicion jashtë loje edhe pse Odise Roshi ishte i lirë në krahun e djathtë. Kameruni vazhdon të jetë një skuadër e shpërndarë që mundohet të godasë nga larg por duket se ajo më shumë për rezultat ka ardhur për të luajtur një miqësore. Në minutën e 20-të të lojës, Eto është shumë afër shënimit të golit të parë, por goditja e tij devijohet nga Odise Roshi që ndihmon Etrit Berishën në këtë rast. Skuadra jonë kontrollon lojën. Vila ka një mundësi “të artë” për të konkretizuar një aksion model por si të tjerët “humbet” para porte. Shqipëria vazhdon të insistojë falë edhe përkrahjes së tifozëve. Roshit i ndërhyjnë keq dhe kalon momente jo të mira për shkak të një dëmtimi në shpatull. Kamerunasit thjesht luajnë pa ndonjë nerv. Në fund të lojës të dyja skuadrat kanë nga një rast për të shënuar, por pjesa e parë mbyllet e bardhë 0-0. Një sfidë e dominuar nga tanët, por pa gol. Sadiku me shokë nëse do të ishin më të kujdesshëm mund edhe të kishin shënuar. Pjesa e dytë nis me ndryshime të mëdha përsa i përket formacionit. Në fushë Debatik Curri dhe jashtë Sabien Lilaj. Në fillim është Vila që ka një rast të mirë, por në vend që të shkojë deri përpara portës së Kamerunit preferon topin e gjatë i cili përfundon jashtë. Por dy goditjet e njëpasnjëshme do të jenë shanse të mëdha për të shënuar dhe në të dy rastet portieri mik arrin të shpëtojë rezultatin. Në fillim është Roshi që godet nga e djathta, por grushton portieri dhe më pas pas një aksioni model, Edgar Çani godet para portës, por portieri mik i mohon golin kuqezi dhe të avantazhit për Shqipërinë. Kuqezinjtë e De Biazit kanë lojën nën kontroll. Në minutën e 60-të Eto për pak sa nuk na ndëshkon, sepse pasi kalon gjithë skuadrën tonë godet por vetëm rastësia çon topin jashtë. Sërish janë kamerunasit që i afrohen golit, me një goditje jashtë zone, të Mbomosë, por këtë herë është traversa ajo që na shpëton nga një gol i sigurt. Në minutat e fundit “shou” Bakaj- Vajushi-Balaj. Por sërish fati, nxitimi dhe portieri mik na mohojnë golin në tri raste. Minutat e fundit janë veçse një lojë e qetë. Mbyllet sfida miqësore e fundit e 2012-ës mes Shqipërisë dhe Kamerunit 0-0. Një takim që Shqipëria e ka dominuar që nga minuta e parë deri në të fundit. Kësaj ndeshje vetëm goli i ka munguar dhe “mëkat” sepse do të kishte qenë një fitore e merituar.


Disiplina, 5 lojtarë dhe një zyrtar i ndëshkuar 


Komisioni i Disiplinës i mbledhur në FSHF ka ndëshkuar dje disa lojtarë të Kategorisë Superiore dhe të Parë. Nuk mbeten jashtë dënimeve edhe zyrtarët e ndeshjeve. Përsa i përket Superiores, lojtarët Maringlen Shoshaj i KF Bylis dhe Albano Isaj i KF Shkumbini për sjellje josportive ndaj njëri –tjetrit dënohet secili me nga 1(një) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Zëvendëstrajneri i KF Partizani, Edmond Ruço për ofendim të zyrtarit të ndeshjes dënohet me 8(tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Dru të mirë ka ngrënë edhe i zakonshmi Sokol Ishka i Kamzës që për sjellje jo sportive ndaj kundërshtarit dënohet me 2(dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Lojtarët e KF Naftëtarit, Alban Kuçi Lisian Hadaj për sjellje jo sportive ndaj kundërshtarit dënohet me 2(dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Vazhdojnë dënimet e lojtarëve që gjithsesi janë pa fund dhe në çdo javë kampionat. Deri tani janë dënuar më shumë se 60 lojtarë dhe zyrtarë ndeshjesh për ato që ata kanë bërë për ndeshjet e futbollit nga fund gushti deri në nëntor. 


De Biazi: Luajtëm shumë mirë, e meritonim fitoren 


Xhani De Biazi është i kënaqur pas ndeshjes së djeshme me Kamerunin. Italiani pranon se skuadra e tij duhet të kishte shënuar një gol dhe të kthehej me fitore. “Skuadra luajti shumë mirë. Po rritemi shumë gjatë gjithë kësaj kohe. Duhet ta fitonim këtë ndeshje. Të gjithë kanë luajtur shumë mirë. Ky test i shërbeu kësaj skuadre për të ardhmen dhe vetë të rinjtë. Luajtëm mirë në pjesën e dytë dhe e meritonim këtë gol. Për të rinjtë mund të them se shtëpia është e hapur. Nëse luajnë mirë e kanë derën të hapur. Në pjesën e parë kemi lëvizur topin me vështirësi, nuk kemi luajtur me topin dhe kemi kërkuar topin e gjatë. Në të gjitha ndeshjet kemi treguar veten tonë. Gjatë një viti kemi zhvilluar 9 ndeshje, kemi shënuar 9 gola dhe kemi pësuar tetë, por ajo që më mbetet në grykë, është sfida me Islandën. Një vit i mirë, por kemi përpara ndeshje të tjera”,-ka mbyllur Xhani De Biazi. 


Bindin të rinjtë e Shpresës 


Lojë shumë e mirë për të rinjtë e Kombëtares. Duke filluar nga Renato Arapi, Armando Vajushi, Bekim Balaj apo edhe Armando Sadiku. Të tre këta lojtarë kanë bindur në fushë. Madje Balaj, Sadiku dhe Vajushi kanë pasur shanse të mëdha për të shënuar, por nuk kanë mundur dot që të shënojnë në portën e Kamerunit. 


9 ndeshje, 8 gola, për 365 ditë 


Shqipëria ka zhvilluar deri tani 9 ndeshje. Në këto sfida ajo ka shënuar nëntë gola dhe ka pësuar tetë të tillë. Në këto sfida për gjatë një viti skuadra e italianit është mundur tri herë, ka barazuar dy herë dhe ka fituar 4 ndeshje, dy në eliminatore dhe dy në ndeshje miqësore. Një raport pozitiv që asnjëherë kuqezinjtë nuk e kanë arritur gjatë 365 ditëve futboll dhe që premton shumë edhe për 2013-ën. 


3 mijë tifozë shqiptarë në stadium 


Në ndeshjen e djeshme mes Shqipërisë dhe Kamerunit edhe pse stadiumi ka qenë goxha i madh, nuk është se ka pasur shumë tifozë në stadium. Rreth 4000 përkrahës e kanë ndjekur ndeshjen. Prej tyre rreth 3000 kanë qenë tifozë shqiptarë të cilët kishin ardhur për të parë sfidën Shqipëri-Kamerun. Në ndeshjen e djeshme në Gjenevë ka pasur menaxherë lojtarësh pa fund. Ata janë aty për të parë një sërë lojtarësh. Në krye Etrit Berisha, por edhe Armando Sadiku, Edgar Çani, Odise Roshi e shumë të tjerë. Sigurisht interesim edhe për kamerunasit të cilët kanë në skuadër lojtarë shumë interesantë që mund të jenë “peshk” për menaxherët e huaj. 


Kukësi, “fuqia” e dytë e Superiores 


Ekipi i Kukësit nuk njeh humbje. Ashtu si edhe Skënderbeu, skuadra veriore vazhdon të marrë rezultate të mëdha javë pas jave. Këtë herë viktima është Besa. Skuadra e Nexhat Bizhdilit dhe e drejtuar nga Ilir Daja është dorëzuar para kuksianëve të Armando Cungut. Vendosin golat Biskup, Popoviç e Prognit. Një ndeshje model e kuksianeve të cilët janë të papërmbajtshëm, por gjithsesi është ndryshuar në pjesën e dytë. Është në fillim Biskup dhe më pas Popoviç e Progni, por është loja ajo që bind. Në minutën e 68-te Krasniqi nuk arrin të largojë një top nga zona dhe Popoviç përballë Hoxhës nuk e ka të vështirë të shënojë golin e dytë. Ndër- sa tre minuta më vonë një goditje në hyrje të zonës një goditje e Prognit, devijohet nga një mbrojtës, duke krijuar një trajektore të paarritshme për portierin. Skuadra vendësve është e qartë në sulmet e saj dhe di ç’kërkon. Sa për miqtë ata janë jashtë loje dhe nuk e kanë idenë. Pranon fatin e saj dhe kthehet në Kavajë me një tjetër humbje. Për Kukësin tre pikë dhe vendi i dytë me meritë, me shpresën që edhe fundjavën tjetër të arrijnë diçka në fushën e lojës. Në ndeshjen tjetër, atë të Laçit, ka një goleadë mes kurbinasve dhe Tomorit. Një ndeshje rezultati i të cilës ka lëvizur pa fund. Golat mbajnë firmën e Hotit 22', 84', Shazivarit 48', Vucajt 64'për Laçin e Miles 43', Arbrit 75' (pen), Shinkos 88' për miqtë. Një ndeshje e cila në fillim ka pasur një barazpeshë në lojë dhe rezultat dhe më pas ka marrë drejtim për kurbinasit që me katër gola të shënuar arrijnë të anulojnë tre të tjerët e Tomorit. Me këtë humbje beratasit janë në pikë të hallit dhe tashmë konsiderohen skuadra pararojë e Kategorisë së Parë. Sa për laçianët ata vazhdojnë të fitojnë me në krye Ramadan Shehun. Pak a shumë në çdo ndeshje shënojnë tre gola. Dhjetë janë shënuar dje gjithsej në kampionatin shqiptar. Ndërkaq java e 11-të e superiores pritet të mbyllet me takimin mes Skënderbeut dhe Flamurtarit, një sfidë kjo e cila pritet të vendosë shumë për vlonjatët që shpresojnë tek rikthimi për të qenë pretendentë për “luftën e titullit”. 


Partizani, barazim me Himarën 


Ekipi i Partizanit një nga pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në Superiore ka barazuar dje në një transfertë të vështirë në Sarandë kundër Himarës. Ka qenë një ndeshje shumë e tensionuar ajo e djeshmja. Gjithsesi të kuqtë e kanë parë shumë shpejt veten në disavantazh. Është Veshaj që në mesin e pjesës së dytë që shokon miqtë që kishin udhëtuar më shumë se 200 km për të marrë një fitore. 1-0 për Himarën dhe Çoçli nuk u beson syve. Por ka sërish surpriza në ndeshje. Peposhi godet nga distanca, në minutën e fundit të shtesës, duke e dërguar topin në trekëndëshin e portës himarjote. 1-1 dhe janë “vendësit” që s’u besojnë syve. Përfundimisht ndeshja mbyllet në barazim dhe Partizani me një barazim kalon i treti në renditje duke koleksionuar vetëm një pikë në dy sfidat e fundit. Mamurrasi që fiton me Adën është “fuqia” e dytë e Kategorisë së Parë. Gjithsesi, kampionati është shumë i gjatë dhe gjasat janë që të kuqtë të jenë sërish të dytët në renditje.     


Olsi Avdiaj


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

8 + 8 =