Jetë

Valentina Duka, rrëfimi pa kornizë i historianes

  • Eliona Lata
  • 17 Nëntor 2012, 12:06
  • Përditësuar 12:10

Entela Resuli


- E veshur me xhins, flokët e shkurtra dhe buzë të lyera me ngjyrë rozë. Kjo është pamja më normale e historianes Valentina Duka (1959). E kemi ftuar atë të ndajë me ne këtë fundjavë historinë e jetës së saj. Nuk e kemi bërë këtë në kuadër të 100-vjetorit, por nuk mundëm kurrsesi të mos e pyesnim edhe për këtë moment historik, të cilit zonja Duka i ka kushtuar vite të tëra studime. Aktualisht mban postin e përgjegjëses së Departamentit të Historisë në Universitetin e Tiranës. Jemi munduar ta “zhveshim” nga ky post duke e kthyer atë në kohë për të na rrëfyer pikat e forta dhe të dobëta të saj dhe faktin se si jetojnë bashkë, burrë e grua, dy historianë. 


Zonja Duka, si historiane, si po e përjetoni këtë 100-vjetor të pavarësisë?


Historianët janë segmenti më me fat në këtë 100-vjetor pasi janë edhe protagonistë të kësaj ngjarjeje. Ata janë në qendër të vëmendjes të opinionit publik, i cili pret më shumë nga historia për të ndriçuar këtë 100-vjetor. Dhe ne jemi të angazhuar që të rrëzojmë hipoteza dhe teza të vjetra e të ngremë hipoteza dhe teza të reja, duke kërkuar në arkivat shqiptare dhe ato të huaja dokumente rreth historisë së Shqipërisë.


Si është një grua historiane? Jua ka ndryshuar diçka në karakter kjo degë?


Fillimisht nuk e kam pasur fare qejf historinë. Madje kam qenë e pirur më shumë nga shkencat e natyrës sesa historia. Po mendoj që kam qenë me fat. Shqiptarët e duan shumë historinë. Më ndodh që pas një emisioni në televizion të marrë reagimet e shumë njerëzve në rrugë dhe të ndihem e respektuar.


Edhe bashkëshorti juaj është historian. Brenda mureve të shtëpisë, e lini jashtë historinë apo kjo është thjesht e pashmangshme?


Pjesën më të madhe të kohës ia dedikojmë historisë edhe brenda shtëpisë pasi ajo është pjesë e jetës dhe e kontributeve tona. E kemi zakon që pa i lexuar njëherë punimet e njëri-tjetrit nuk i paraqesim për botim apo në konferenca. Kjo na bën mirë, kapim gabimet apo gjërat më interesante të njëri-tjetrit, aq më shumë se ne jemi komplementarë në studimin e historisë, atje ku e lë bashkëshorti im, i cili e sjell deri në shpalljen e pavarësisë, aty e marrë unë studimin e historisë. Kjo na shtyn të diskutojmë, të debatojmë për mjaft gjëra të fushës.


Ku janë ndarë pikëpamjet tuaja për sa i përket fushës?


Unë mendoj që Feriti qëndron më shumë mbi dokumente sesa unë. Duke qenë se është osmanist sigurisht që i duhet më shumë punë për të përkthyer një dokument, për të nxjerrë rezultate nga ai dhe kjo e ka bërë që shpesh të thellohet më shumë sesa unë në shumë aspekte që kanë lidhje me Historinë e Shqipërisë.


Koleksiononi objekte historike?


Kam shumë qejf të bëj udhëtime historike brenda mundësive të mia financiare dhe kam shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e mundshme. Nuk jam njeri që mbetem në dyqanet e antikuarëve, por jam njeri që në çdo vend që të vete dua të marrë gjënë më përfaqësuese të atij vendi, që mua të më kujtojë në atë udhëtim.


Deri më tani, cila është gjëja më me vlerë historike që keni në shtëpi?


Nuk ka vend të botës që kam vizituar dhe të mos kem një suvenir. Por mendoj që gjerat më me vlerë dhe ato që unë i quaj më të shenjta janë disa suvenire që i kam blerë në Jerusalem. I kam blerë në dyqanet afër kishës së ngjalljes së Krishtit, afër murit të lotëve dhe xhamisë Al-Aksa. Është një qytet ku kanë lindur të tria fetë dhe janë tri objekte të rëndësishme e përfaqësuese të tri prej feve më të përhapura në botë.


Sa fëmijë keni?


Kam vetëm një djalë. Atij i pëlqen historia po kurrsesi të studiojë për histori. Ka studiuar në Holandë dhe ka dalë shumë mirë me mësime. Tani është duke dorëzuar mikrotezën në masterin shkencor në Ekonomi. Madje paralelisht është duke kryer edhe një master në një universitet privat atje për ‘Menaxhim risku’ pasi i pëlqen shumë kjo degë.


Si janë marrëdhëniet tuaja më të?


Janë si marrëdhëniet e çdo nëne me djalin e vet, por mendoj se po ashtu si çdo nënë marrëdhëniet e mia janë shumë speciale me të. Kemi një lidhje që së bashku ndajmë sfidat dhe kënaqësitë. Nga ana tjetër mendoj se për të gjitha kënaqësitë apo vështirësitë telefonin e parë e bën më mua. Tani ka edhe një shoqen e vet dhe ndoshta mami ka kaluar në vend të dytë (qesh).


Ju ka munguar një vajzë?


Sigurisht. Ka qenë një nga dëshirat e mia të kahershme. Ndoshta puna e historianit që në fillim me studime doktorale më pas me karrierë akademike nuk na ka lejuar. Ndoshta u treguam egoistë të dy dhe nuk patëm mundësi të kishim këtë fat, pasi edhe për Albanin (emri i djalit) do ishte shumë mirë, por edhe ne do të provonim kënaqësinë e një vajzë që ndryshon nga kënaqësia që të jep djali.


Një person aktiv ka edhe përplasje, si i keni përballuar “shkopinjtë nën rrota”?


I kam përballuar edhe për fatin se kam pasur në krahët e mi bashkëshortin, i cili vazhdimisht më ka mbështetur që t’i përballoj lehtësisht shumë sfida. Sfida që kam pasur edhe në jetën akademiko-administrative, si pedagoge, por një kohë të gjatë edhe si drejtuese e Universitetit të Tiranës. Kam tentuar dhe kam konkurruar për të siguruar vendin e rektores së Tiranës. Konkurrim që e humba, sigurisht që kam tentuar për të konkurruar edhe për vendin e dekanes, por jam tërhequr në momentin kur mendova se duhet të tërhiqesha. Të gjitha këto kanë lënë gjurmë në jetën time, sa ma kanë vështirësuar aq edhe ma kanë lehtësuar jetën.


Ju kanë bërë të mësoni diçka ndoshta?


Më kanë bërë, por jo gjithnjë kam nxjerrë mësimet e duhura në kohën e duhur.


Do vazhdoni të konkurroni?


Them se po, nëse do të mendoj që votuesit do të jenë përkrah meje.


Zonja Valentina, nga është origjina juaj?


Mbiemrin e vajzërisë e kam Kolçe. Prindërit i kam nga një fshat shumë i bukur, në skajin juglindor të Shqipërisë që quhet Qytezë, në kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë. Një fshat i bukur dhe i civilizuar. Është një fshat që ka rrahur hershëm emigracionin e Amerikës. Është edhe fshati i Xhim Belushit (babai i babit të tij është me origjinë nga Qyteza). Është një fshat afër Dardhës. Pjesa më e madhe e banorëve të këtij fshati kanë emigruar në Amerikë për shkak se kanë fituar green card-ën pasi paraardhësit e tyre kanë emigruar atje.


Si janë bërë bashkë dy historianë, ju dhe bashkëshorti juaj?


Jemi njohur në Institutin e Historisë dhe patëm mundësi ta njohim njëri-tjetrin më shumë. Bashkëshorti im ishte emëruar atje si pjesë e pesë përqindëshit të asaj kohë ku studentët më të mirë mbaheshin në institute. Ishte viti ’83. Më pas ai iku dy vjet për specializim në Turqi. Kemi qenë bashkë si shok të ngushtë dhe më pas të fejuar për tre vjet dhe jemi martuar më 1987. Për shkak se kishim mungesë shtëpie, si dy të ardhur rishtazi në Tiranë. Kemi jetuar për dhjetë vjet në Allias dhe më pas kemi lëvizur në lagjen e “Bërrylit” dhe tani jetojmë në një shtëpi optimale për të dy në Rrugën “Budi”.


Kur ktheni kokën pas dhe bëni një bilanc të jetës suaj, ç’mendoni?


Dikur do të mërzitesha që më duhej të studioja histori. Përfundova gjimnazin “Raqi Qirinxhi” në Korçë me rezultate të larta dhe dëshira ime ishte të studioja për shkenca ekzakte, matematikë, elektronikë ose fizikë. Nuk më doli asnjëra prej tyre. Drejtimi im u përcaktua në një fushë që nuk e doja, por që më pas doë të më jepte kënaqësitë më të mëdha të jetës sime profesionale. Kur kthej kokën pas, nuk mendoj se kam pengje në jetë.


Jeni amvisë?


Marrëdhëniet e mia me gatimin janë shumë të këqija. Mamaja ime ka gatuar shumë mirë dhe kur isha gjimnaziste asnjëherë nuk më linte të gatuaja, duke dashur që vetëm të mësoja. Më vonë erdha në Universitet dhe gjithë kohën ia kushtoja mësimeve. Edhe pas martese asnjëherë nuk u afeksionova pas gatimit. Nëse ka një gjë që nuk di ta bëj është gatimi.


Nëse jo gatimin, atëherë çfarë keni trashëguar si korçare?


Dëshirën për rregull, qoftë tek vetja qoftë në shtëpi. Shtëpinë time nuk e gjen asnjëherë rrëmujë. Kam trashëguar edhe dëshirën për muzikën korçare dhe për vallëzimin. Në vitet e adoleshencës më pëlqente kërcimi dhe u bëra një nga solistet e grupit të valleve të gjimnazit.


Po tani kërceni?


Shumë. Shkoj në ato lokale ku këndohet dhe luhet live, shpesh në Durrës.


Pavarësia dhe 5 emrat e këtyre 100 viteve


Çfarë veçoni si gjënë më të rëndësishme për t’u përmendur në këtë përvjetor të pavarësisë?


Së pari dua të them që Ismail Qemali është figura e atij burri që në një moshë shumë të thyer, prishi rehatinë e tij personale në Stamboll, kapërceu vështirësitë, për të bashkuar elitën politike shqiptare dhe për t’iu dhënë shqiptarëve në momentin e duhur dhe në kohën e duhur pavarësinë e vendit.


Ju jeni përfshirë para disa kohësh në një diskutim jo vetëm shkencor, por dhe mediatik për flamurin që ngriti Ismail Qemali në Vlorë. A është tashmë e qartë “rruga” e këtij objekti me vlerë të madhe simbolike?


Sigurisht ka disa teza dhe unë i kam elaboruar ato. Nga të gjitha ato, mendoj që më afër të vërtetës është teza që flamuri që ka valëvitur Ismail Qemali në momenti e shpalljes së pavarësisë ka qenë flamuri pronë e Eqrem Bej Vlorës. Kjo bindje më është krijuar edhe më tepër kur kam parë disa dokumente në arkivin e Ministrisë sonë të Jashtme. Ishte një letërkëmbim i Ministrit të Jashtëm, i kohës së Zogut dhe Eqrem Bej Vlorës që i kërkon t’i dorëzojë flamurin muzeut. Ky variant që e gjen dhe në kujtimet e tij, por që e kam konsultuar edhe në dokumente, mendoj që është më afër të vërtetës.


Cilat mendoni që janë pesë figurat qendrore historike në një shekull shtet?


Unë do të veçoja: Ismail Qemalin, Faik Konicën, Fan Nolin, Zogun, po sigurisht edhe dy figurat e tjera Enver Hoxha që ka qeverisur Shqipërinë për 45 vjet. Me qeverisjen e tij diktatoriale la gjurmë në Shqipëri. Dhe emri tjetër është Sali Berisha  me protagonizmin e këtyre 20 viteve herë në opozitë dhe herë në pozitë.


Po momentet historike që kanë ndikuar për keq në ecurinë e vendit tonë?


Ka disa. Është kontradikta midis elitës politike shqiptare, sidomos marrëdhëniet e vështira midis Ismail Qemalit dhe Esat Toptanit. Ky i fundit në veprimtarinë e tij politike ka qenë një figurë diabolike që ka dëmtuar shtetin e brishtë shqiptar në fazat e para të krijimit të tij. Do të veçoja kryengritjen e Shqipërisë së Mesme. Kryengritje që krijoi një imazh shumë të keq në sytë e europianëve. Po aq ashpër do të gjykoja dhe sistemin komunist shqiptar gjatë cilit persekucioni, izolimi, mungesa e lirisë së fjalës dhe prapambetja ekonomike kanë ndikuar në gjithë zhvillimin politik ekonomik e social të Shqipërisë.


Shtoni një koment
9 Komente
Iliri
Z. Historiane duhet te jesh e papolitizuar qe te besh historine. Nga intervista dukesh e politizuar ne krahun e Berishes kur shan kohen e monizmit per ekonomine. Po te mos ishte niveli i larte arsimor i atehershem, ti do te ishe sot ndonje fshatare qe leronte token ne fshatin Qyteze te Korces.
Hakiu
Me vjen keq, por nga pergjigjet e mesiperme kjo Zonje vetem historiane nuk eshte. Mbase eshte llafolloge...
elbasanci
Te kam degjuar disa here te flasesh moj zonja historiane dhe dua te them se te karakterizon nji e vecante qe e kane shume shqiptare...desha te them KE SHUME PORDHE KUR FLET a thua se e vetmja historiane ne shqiperi...ma e thjeshte se ashtu te rritet vlera.
SOPIQOTI
zonja DUKA !A U LODHET SHUME NE STUDIMET TUAJA PER TE ARITUR NE KONKLUZIONIN QE SALI BERISHEN TA RENDISNI NDER FIGURAT QE KANE LENE GJURME NE LUFTEN E POPULLIT TONE PER TE ARITUR NE KETE DITE TE SHENUAR?PER NDONJE SALI TJETER MUND TE BENI NJE PERCAKTIM TE TILLE POR JO PER SALIUN E VITIT 1967 etj.
SOPIQOTI
zonja DUKA !A U LODHET SHUME NE STUDIMET TUAJA PER TE ARITUR NE KONKLUZIONIN QE SALI BERISHEN TA RENDISNI NDER FIGURAT QE KANE LENE GJURME NE LUFTEN E POPULLIT TONE PER TE ARITUR NE KETE DITE TE SHENUAR?PER NDONJE SALI TJETER MUND TE BENI NJE PERCAKTIM TE TILLE POR JO PER SALIUN E VITIT 1967 etj.
Pa Emër
O derrat e Circes ose te Nexhmijes, na tregoni edhe ne ta marrim vesh ku e ka gabim kjo zonje?
Pa Emër
...gjithmone mediokriteti te ka shoqeruar , .... historianuce pa asnje vlere ne fushen e historise ....
Pa Emër
Vetem historiane nuk eshte Vali. Ajo cdo gje tjeter e ben mire, por jo te studiueses. Eshte prototipja e mediokritetit, servilja e politikes ne te gjithe krahet, vetem e vetem te vjedhe ca leke per tu pispellosur e per te dale ne televizor. Ka shume deshire te duket, se ashtu e duan .......
Pa Emër
ctu desh qe fole.....
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

8 + 6 =