Kulturë

Autori i vitit është Artan Fuga me "Rënia e qytetit"

  • 19 Nëntor 2012, 14:36

TIRANË - Panairi i Librit “Tirana 2012” në ceremoninë përmbyllëse shpalli fituesit e këtij edicioni. Përkthyesi i Vitit është Rudi Erebara për përmbledhjen poetike “Tek era e kam shpëtimin” i poetit amerikan Archibalt Ammons (Botues Aleph). Juria e ka vlerësuar “për guximin në përcjelljen në shqip të një autori të vështirë, por emancipues”. Përkthyesi më i mirë nga gjuha frënge, çmim që jepet për herë të parë me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Shqipëri, është Orgest Azizi për përkthimin e vëllimit të parë të librit “Historia e seksualitetit” i Michel Foucault-së (Botimet UET Press). Puna e Azizit është vlerësuar “për cilësinë e interpretimit të koncepteve filozofike të një vepre”. Sërish çmim për përkthimin: çmim special që juria ia akordon Aleko Mingës për sjelljen në shqip të librit “Simfonia e numrave të thjeshtë” të Markus du Sautoy (Botimet IDK) me motivacionin “si stacion domethënës në rrugën e tij për popullarizimin e shkencës”. Autori i Vitit është Artan Fuga për librin “Rënia e qytetit” (Botimet Papirus).


Fuga vlerësohet “për mënyrën e re se si e shkruan qytetin si koncept, si jetesë dhe si metamorfozë. “Rënia e qytetit” është një botim ku ndërthuret syri i vëzhguesit që jeton brenda një qyteti shqiptar, me analizën e fakteve prej një filozofi social siç është dhe filozofi Artan Fuga, duke parashtruar njëkohësisht ide bashkëkohore se si duhet të jetë një qytet”. Juria e përbërë nga Arta Marku, Dhurata Shehri, Mirela Kumbaro, Fatos Baxhaku dhe Parid Teferiçi kanë përzgjedhur mes 70 kandidaturave që ofruar botuesit. Nuk ka çmim për Letërsinë për Fëmijë, ngaqë “juria nuk gjeti sivjet një kandidaturë të mjaftueshme që të plotësonte kriteret për çmim në kategorinë e letërsisë për fëmijë”. Përkufizuar me gjuhën e shifrave, organizatorët deklarojnë se në edicionin e 15-të i Panairit të Librit, në pesë ditë: u prezantuan 100 botues, universitete dhe shtëpi botuese të huaja; u ekspozuan mbi 60 mijë tituj, ndër të cilët 1500 të rinj; u zhvilluan më shumë se 60 promovime autorësh e librash të rinj; u shitën më shumë se 600 mijë libra; sipërfaqja ekspozuese ishte si asnjëherë tjetër, 1800 m2.


Petri Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, deklaroi se “pothuajse 100 mijë vizitorë kemi parë këto 5 ditë në Pallatin e Kongreseve” dhe që nuk i rrihej pa përmendur “me shumë keqardhje, përpjekjet primitive për dezinformim”. Panairi nuk të zgjidhë problemet që ka libri. Ymeri pohon: “Ka treg të zi të librit, po ende ka. Ka pirateri, ka parzmore OJQF-iste që mbulojnë veprimtaritë e biznesit, ka shumë gjëra që duhen ndryshuar në ligjin e librit, duke filluar me fotokopjimin dhe kopjet e detyruara të librit etj, e ne nuk po çajmë dot prej vitesh. Ka një nevojë shumë urgjente për të përmirësuar sistemin e librarive dhe këtu gjej rastin të falënderoj kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që premtoi publikisht në këtë sallë për heqjen e taksat lokale për të gjitha libraritë e reja dhe ftoj të gjitha bashkitë e qyteteve të tjera që ta ndjekin këtë shembull. Duhet ta themi: Jemi një vend me shumë pak librari. Të inkurajojmë hapjen e librarive në emër të fuqizimit të leximit, në emër të së ardhmes së brezit të ri, që duhet të jetë më i lexuar, më i kulturuar. Kjo nuk është thjesht heqja e taksës së biznesit, por heqja e taksës së leximit!”


 

Shtoni një koment
1 Komente
Pa Emër
Fuga, si perhere i paperseritshem....cmim i merituar..
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

8 + 3 =