Kulturë

Njerëzit që derdhin statujat e qeverisë

Valeria Dedaj


-Qendra e Realizimit të Veprave të Artit ndodhet në pellgun ku priten rrugët e “Tiranës së Re” me “Kombinatin”. Ka më se gjysmë shekulli që ekziston kjo qendër, qyshse u hap Instituti i Arteve ku do të përgatiteshin skulptorë. Janë “javë sulmi” për Kadriun, Njaziun, Mirjamin, Arqilen dhe Jetmirin. Duhet të përfundojnë veprat monumentale që janë porositur nga qeveria shqiptare për 100-vjetorin e pavarësisë.


QRVA-ja është një ndërtesë e verdhë në fqinjësi me disa banesa romësh. Pesë vetë punojnë aty. Për një moment nuk di nga të orientohesh, të krijohet përshtypja sikur ndodhesh në një terren ku po kryhen gërmime arkeologjike. Në të majtë të portës ka thasë të mbushur me qymyr. Përdoret për shkrirjen e bronzit. Në të djathtë gjendet një stivë me dhoga. Dy monumente të lartë qëndrojnë te dera, gati për të dalë njëherë e mirë. Njëri i takon presidentit Thomas Ëilson, rreth 3.5 m i lartë, i realizuar nga skulptori Genti Tabaku. Inaugurohet sot në Sheshin “Ëilson”. Tjetri është monumenti i Azem Hajdarit, 3 m i lartë, ka për autor skulptorin e njohur të epokës së realizmit socialist Hektor Dulen. Shumë lajme janë prodhuar për këtë vepër, që nga realizmi e deri te refuzimi i Bashkisë së Tiranës për ta vendosur në parkun “Rinia”. Ka dy vjet që rri në Qendër. Ministria e Kulturës kishte programuar në kalendarin e aktiviteteve të jubileut inaugurimin më 20 nëntor, pra dje. Tani mësojmë të jetë shtyrë për një herë tjetër. 


Më tej shikojmë duke punuar pesë heronjtë e vërtetë, ata të cilët i japin frymë kësaj ndërtese të vjetër, u japin jetë monumenteve të këtyre figurave. Janë Kadri Mustafa, Njazi Muka, Mirjam Taçi, Arqile Çeti, Jetmir Kosturi, punëtorët e QRVA-së. 


Ata e nisin ditën këtu në orën 7.00 dhe e mbyllin në 16.00. Më të vjetrit në zanat janë Kadriu dhe Njaziu. Që kur s'mbahet mend punojnë bashkë te ky vend. Duke qeshur shtojnë se kanë marrë hijen e njëri-tjetrit. Të dy janë të thinjur, të dy kanë shtat mesatar dhe mbajnë gjyzlykë kur punojnë. “Unë jam më shumë brun dhe kam syze më të vogla”, shton Kadriu. Po punojnë për shtatoren e Hasan Prishtinës të autorit Artan Peqini, e cila vendoset më 23 nëntor në sheshin “Paris”, ndërmjet Rrugës “Mine Peza” dhe Rrugës së Durrësit. Skulptorët ua sjellin punën në allçi, më pas punëtorët e ndajnë në pjesë, për t’i derdhur në bronz. Çdo gjymtyrë e punojnë me radhë. Në këtë proces punëtorët nuk mund të shkëputen as për pushim e drekës. Prandaj dhe bukën aty e hanë. 


Mirjami punon këtu prej 33 vjetësh. Rreth orës 11.00 ai përgatiti drekën. Në një skarë të vogël pjek disa salsiçe, pret pak djathë dhe shpërndan në secilën pjatë disa korra ullinj. Nxjerr bukën nga qesja, mbledh të gjithë shokët rreth “sofrës” së improvizuar dhe siç e do zakoni u shtie dhe nga një gotë raki.  


Teksa ata hanin drekën, përfituam t'i hedhim një sy, çfarë kabrenda kësaj ndërtese 12m e gjerë, 48m e gjatë dhe 6m e lartë. Shtatorja e Stalinit, e skulptorit më të shquar shqiptar Odhise Paskali, qëndron aty prej 20 vitesh. Përballë saj ndodhet një busti allçi i Enver Hoxhës, i dëmtuar. Pranë Stalinit, shtatorja e Isa Boletinit që udhëton së shpejti drejt Vlorës, sepse është porosi e Bashkisë së Vlorës. Është një figurë realiste e heroit nga Kosova, ashtu siç na vjen nga fotografitë e kohës.


Makineritë e shkrirjes së qymyrit dhe makineritë e përpunimit të dheut të cilat janë thuajse jashtë funksioni. Disa tavolina me vegla pune, dorezat e punëtorëve, kaska që përdorin gjatë saldimit, aparati i saldimit, një trampo, një vinç që e përdorin për të tërhequr monumentet deri sa i nisin drejt destinacionit përfundimtar, janë mjetet e punës së këtyre zanatçinjve të vjetër. Pas drekës folëm pak me dy nga punonjësit. Mirjiam Taçi kujton rininë e tij në këtë ndërmarrje. “Pas përfundimit të shkollës së “Rezervave Industriale” kam qenë 16 vjeç. Mbaja ende veshur pantallona të shkurtra”, thotë Taçi. 


Shqetësimi i Taçit është pasjisja e Qendrës me makineri të reja. Këto makineri ai i mban mend qysh në vitin 1979. Dhe Njazi Muka specialisti që ka  një jetë këtu, kujton se dikur puna jashtë orarit u paguhej. Ndërsa sot rroga e tyre nuk i kalon 30 mijë lekë, por për hatër të pensionit ata duhet të punojnë. Pavarësisht se përfitojnë vetëm 6000 lekë më tepër çdo muaj nga pensioni që mund të marrin. “Zanatin e kam mësuar së bashku me Kadriun falë ndihmës që na ka dhënë Pal Dhimitri, një nga punonjësit më të mirë që ka pasur ndërmarrja. Ai u largua jashtë shtetit dhe ngelëm ne”, thotë Njaziu. 


Përveç derdhjes së monumenteve këta punonjës çdo 5 vjet restaurojnë veprat e artit që i kanë derdhur në bronz në rrjedhën e viteve, vepra që janë shpërndarë në mbarë Shqipërinë. Muka tregon se para dy muajsh kanë qenë në Vlorë për të restauruar “Monumentin e Pavarësisë” (1972), i lartë 16m, 45t bronz. 


Ndonëse mosha bën të vetën, dhe sot në moshën 63-vjeçare nuk e ka më të lehtë të ngjitet majë një skele prej 16 metrash. Ndien keqardhje për amortizimin makinerive të cilat i vonojnë procesin e punës, pasi sot mund të përdoret energjia apo dhe gazi për shkrirjen e bronzit. Sa për ndërtesën nuk ka menduar  njeri për ta përtërirë këtë repart. Shi të bjerë dhe erë të fryjë, futet brenda dhe plastmaset shërbejnë si mbulojë. Kanë kërkuar pajisje dhe rikonstruksion të ndërtesës. Njaziu thotë se vazhdojnë t’i shikojnë me syrin e njerkut. Me pak fjalë kjo ndërtesë funksionon vetëm falë dëshirës që kanë këta të pestë.


Çfarë pritet


Në lulishten në kryqëzimin e bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe rrugën "Ismail Qemali" do të vendoset monumenti i Ismail Qemalit, që ndodhet aktualisht në Muzeun Historik Kombëtar, realizuar nga Odise Paskali. Kjo shtatore zëvendësohet në MHK me atë të realizuar nga Veli Blakçori e cila u shpall fituese nga konkursi kombëtar për monumentin e Ismail Qemalit.


Monumenti i Pavarësisë është punë e artistëve Visar Obrija dhe Kai Roman, do të vendoset në Parkun "Rinia", me pamje nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit", në krah të ministrisë së Mbrojtjes.


Monumenti i Zogut me autor Kreshnik Xhikun, tre me metra i lartë, i derdhur në bronz dhe realizohet në variantin ushtarak. Vendoset në sheshpushimin në fund të Bulevardit Zogu I.


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al
1 Komente
sabo
Pershendetje puntorve te palodhur te fonderis artistike ,dikur punonim bashke ,por koha dhe rrethanat na ndane ,ju pershendes nga Filadelfija dhe ju uroj suksese dhe shendet

Shtoni një koment

8 + 4 =