Kronikë, Shekulli Sot|28/01/2012 07:30

Arrestohet administratori i firmës, vodhi 260 mijë euro

Dashamir Biçaku

TIRANË- Policia e Tiranës ka arrestuar dje ish-administratorin e një firme ndërtimi ku akuzohet se ka vjedhur rreth 260 mijë euro. I arrestuari është 28- vjeçari Elis Shpata, banues në Tiranë dhe ishte në kërkim prej dy vitesh kur Gjykata e Tiranës e shpalli fajtor duke e dënuar me 2 vite e 4 muaj burg për veprën penale të shpërdorimit të kompetencave. Lajmi u bë i ditur për “Shekullin”, nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilët thanë se Elis Shpata u arrestua nga drejtoria efektivët e Komisariatit të Policisë nr.4.

Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës me nr 1575, Shpata ishte emëruar administrator i shoqërisë “LF Construction Group”, nga aksionerët e kompanisë, duke iu deleguar të gjitha kompetencat mbi veprimtarinë e kësaj të fundit. Ndërkaq në vitin 2009, Fritz Felsinger, një nga aksionerët e kompanisë denoncoi në prokurorinë e Tiranës, se Shpata, duke qenë administrator i kompanisë, kishte përvetësuar një shumë prej 260 mijë eurosh dhe 7.2 milionë lekësh të reja, nga llogaritë e kompanisë, të cilat ishin hapur në një bankë të nivelit të dytë në Tiranës.

Sipas denoncuesit, Elis Shpata kishte informuar shoqërinë e tij se subjekti me të cilin ishte kontraktuar ndërtimi i një banimi në fshatin Farkë, ishte në vështirësi financiare dhe se duhej bërë një pagesë në avancë me qëllim vënien në lëvizje të punimeve për llogari të firmës që ai administronte. Pasi janë bërë pagesat, është kërkuar nga aksionerët të kryhej edhe situacioni financiar i shpenzimeve, por kur kjo është kryer, është vënë re se kontraktonit nuk i ishte kryer pagesa e kërkuar nga Shpata. Pas këtij konstatimi, aksionerët e shkarkuan administratorin dhe e denoncuan në Prokurori. Gjatë hetimit, Shpata pranoi se gjatë kohës që ishte administratorit i “LF Construction Group”, përvetësoi për nevoja personale shumën 260.200 euro dhe 7.2 milionë lekë, ose afërsisht 300 mijë euro në total.

Gjatë hetimit u mësua se fillimisht Shpata kishte marrë 417.700 dhe më vonë kishte kthyer shumën prej 87.700 euro, ndërsa mbeti e pajustifikuar shuma prej 330.000 euro. Ndërkaq në një akt noterial të nënshkruar me 15 janar të vitit 2009, Shpata njohu detyrimin ndaj shoqërisë “LF Construction Group”, ndërsa në këtë akt ka deklaruar se do t’i kthejë shoqërisë shumën prej 260.200 euro deri me 31 korrik të vitit 2009 në vlerën prej 210.000 euro dhe deri me 31 dhjetor të vitit 2009 të gjithë vlerën. Një prej punonjësve të kompanisë, Shpata, iu pohoi se i kishte paguar një kontraktori 100 mijë euro. Në fund të hetimit, Gjykata vendosi të pranonte argumentimin e prokurorit, Zeqir Hoda, për fajësinë e Shpatës, i cili kërkoi dënimin e tij me 4 vite burg. Pas procesit të zhvilluar, gjykata vendosi të dënojë ish- administratorin me 3.6 vite burg dhe në mënyrë përfundimtare me 2 vite e 4 muaj burg për shkak të procesit të zhvilluar në formë të shkurtuar.

 

I arrestuari ndërronte shpesh banesat

Elis Shpata, 28 vjeç, banues në Tiranë, u ndalua dje në mbrëmje nga efektivët e policisë së komisariatit nr.4, në banesën e tij të marrë me qera në rrugën 5 maji. Sipas policisë, Shpata në fillim të procesit hetimor ndaj tij kishte deklaruar se ishte me banim në zonën e njohur me emrin Brryli. Mirë po gjatë procesit hetimor ai ndryshoi sërish banesën e tij, ndërsa nuk kishte njoftuar për këtë ndryshim as prokurorinë. Një veprim i tillë sipas konstatimit të gjykatës është kryer në mënyrë të qëllimshme dhe të dyshimtë me tendencën për t’i shpëtuar organeve të drejtësisë. Një fakt të tillë gjykata e evidentoi edhe në vendimin e saj të datës 12 dhjetor të vitit 2010. Sipas vendimit të kësaj të fundit, Shpata u paraqit vetëm dy herë në seancat e zhvilluara në procesin gjyqësor ndaj tij, ndërsa në rastet e tjera  ai ishte përfaqësuar vetëm nga avokati i tij. Ndërkaq pas vendimit të dhënë ndaj tij dhe pas marrjes së formës së prerë të tij, policia e shpalli në kërkim dhe dje ai u arrestua në një banesë në një pallat në rrugën 5 maji, por në asnjë prej tri banesave të deklaruara prej tij më parë gjatë hetimit dhe gjykimit.

  

  • Shperndaje:
  • Facebook
  • Twitter

1 Koment